FUSHAT E KOMBINATIT

Historia e lagjes së Kombinatit, pas vitit 1990 e këtej, mund të shkruhet edhe nga pikëpamja e hapësirës publike. Kjo lagje periferike e Tiranës humbi një pjesë të madhe të hapësirave publike që ishin ndërtuar me kalimin e kohës.

Jeta e të rinjve dhe e fëmijëve të Kombinatit, deri në vitet e para të pluralizmit politik, zhvillohej rreth fushave të lagjes. Dy ishin fushat kryesore: fusha e madhe, prapa postës qendrore të Kombinatit, pra afër qendrës, dhe fusha e zezë, ose “terreni” siç quhej asokohe, nga krahu tjetër i lagjes, në shpinë të shkollës tetëvjeçare “8 Nëntori”[1]. E para ishte fushë e madhe futbolli, ku zhvilloheshin edhe ndeshje normale[2], e dyta ishte në fakt një kompleks sportiv me disa fusha, jo vetëm futbolli, por edhe lojërash me dorë.

fusha e madhe-gusht2015-ok

Fusha e madhe – Kombinat, gusht 2015

Në kuadrin e këtyre hapësirave të veçanta publike duhen futur patjetër edhe fushat e shkollave të cilat, edhe pse u përkisnin institucioneve shtetërore, në të vërtetë ishin një shtrirje e natyrshme e fushave të tjera. Në fakt, fushat e shkollave, si p.sh. ajo pas shkollës së sotme 9 vjeçare “Musine Kokalari”[3], i shërbente si institucionit vetë, ashtu edhe fëmijëve të lagjes, që e kalonin kollaj murin ndarës, ose futeshin nga dyert e ndryshme, për të luajtur pasditeve ose gjatë pushimeve, verore e dimërore.

Është pa dyshim reduktuese t’i konsiderosh fushat thjesht si vende ku të rinjtë dhe fëmijët argëtoheshin, sepse si çdo hapësirë publike, ato ndanin, por edhe bashkonin, blloqet e ndryshme dhe pallatet e lagjes nga njëri tjetri. Fushat e Kombinatit ishin hapësira gravitacionale ku realizohej ndërveprimi midis të rinjve dhe farkëtohej identiteti i lagjes. Nuk duhet harruar se kjo forcë tërheqëse ishte më e fortë edhe për shkak të izolimit relativ në të cilin jetonte lagja e Kombinatit në periudhën totalitare.

Herët a vonë të gjithë fëmijët e të rinjtë do të kalonin nga fushat, qoftë si spektatorë, qoftë si lojtarë. Fusha e madhe dhe fusha e zezë ishin për kombinatsit dëshmitaret e jetës dhe e rritjes së tyre. Nëpër fushat e ndryshme mund të luhej futboll, basketboll, volejboll, por edhe me cingla, shtetesh, e të tjera lojëra të përbashkëta.

Prapa shkollës "Musine Kokalari"

Prapa shkollës “Musine Kokalari”

Fushat e Kombinatit mund të shiheshin edhe si vende ku komuniteti i të rinjve formësohej e riprodhohej vazhdimisht, por edhe si vende me dendësi të jashtëzakonshme komunikimi, ngaqë atje ndërvepronin të rinjtë e brezave të ndryshëm. Për t’u përmendur edhe moshat e tjera, madje edhe pleq, që satelitonin rreth fushave, jo vetëm duke parë ndeshje çfarëdo, por edhe duke luajtur shah, domino, tavllë, ose me letra, në buzë të tyre; çka e pasuronte ndërveprimin social e simbolik që zhvillohej në këto hapësira.

Që fusha ishte një farë arene, në kuptimin e lashtë të kësaj fjale, e vërtetonin edhe fjalët e garipave të lagjes, që pasi kërcënoheshin e kacafyteshin si gjela diku në shesh, e ftonin njëri tjetrin të takoheshin te fusha “tek e tek”. Jo rrallë ktheheshin me buzë të buhavitura e me hundë gjithë gjak.

Në qoftë se fushat e shkollave ishin më të vogla e të kufizuara nga muret ndarëse, të mëdhatë ishin më të lehta për t’u përdorur. Vështirë t’i quaje muret ndarëse e penguese, për sa kohë ishin të lehta për t’u kapërcyer e shërbenin gjithashtu si vende ku të rinjtë uleshin për të parë ndeshjen.

Fushat bujtnin edhe ndeshje mes lagjeve të ndryshme, sikurse ndeshje mes blloqeve të Kombinatit. Kështu mund të bëheshin ndeshje me bllokun 18, ose me ata të zonës 16. Ose mund të vinin skuadra “nga Tirana”, por këto ishin më antagoniste e më të rralla. Ndeshjet ndiqeshin me pasion, sidomos kur ndonjëherë vihej bast (ilegalisht), mes lojtarëve vetë, që i “vinin sipër” lojës një shumë parash, zakonisht nga 30 deri 100 lekë të vjetra.

Edhe pse të një kategorie më të ulët, nuk mund të mos kujtohen fushat jo formale, pra ato hapësira mes pallateve, që shndërroheshin thuajse në mënyrë të natyrshme në hapësira për ndeshje kryesisht me porta të vogla, por edhe lojërash të tjera, nga volejbolli (me ndonjë tel në vend të rrjetës profesionale) deri tek loja luftash. E pra, lagja e Kombinatit ka qenë plot me këto hapësira, sepse pothuajse të gjitha grupet e pallateve kishin përballë një hapësirë të mbuluar me bar ose të sheshuar, ku fëmijët mund të luanin lirshëm.

Tkurrja e këtyre hapësirave filloi në vitet 1990, kur lagja, si shumë pjesë të Shqipërisë, u prek nga ndërtimet pa leje dhe nga tërmeti i lëvizjeve demografike të pakontrolluara. Në pak kohë, një pjesë e madhe e fushave të lagjes erdhën dhe u zunë nga ndërtime të reja, me pak ose shumë kate.

Nuk është e vështirë të kuptohet se si janë pritur këto uzurpime të dhunshme nga fëmijët e të rinjtë e moshave të ndryshme. Sigurisht jo ndryshe siç është perceptuar vite më parë, si në rastin e ndërtimit të tregut të fruta perimeve[4], në fund të viteve 1970, që zuri një hapësirë të madhe (diku mes pallateve sovjetike, mes Kombinatit dhe Ambulancës së lagjes), e cila ishte shndërruar me kohë në fushë ku luanin fëmijët.

Në këtë fushë, për shumë kohë, ka qëndruar në mënyrë kërcënuese një bllok betoni, që u hodh aty sipas gjase për ndërtimin e një tuneli aty afër; por u ngurtësua pa u përdorur, duke u shndërruar në një gungë të çuditshme, që u jepte bezdi fëmijëve që luanin me porta të vogla. Mirëpo në atë kohë, kur kryeministrin e Shqipërisë – deputet i zgjedhur në Kombinat – nuk e “kishin vetëvrarë” akoma, ishte e pamundur të protestoje për një fushë të gjelbër, që gjallërohej nga të bërtiturat e fëmijëve që luanin me top.

shkolla Lasgush Poradeci-okAktualisht, fusha e zezë, mbrapa shkollës “Lasgush Poradeci”, është zënë nga disa pallate shumëkatëshe. Ndonjë fushë e vogël që ka mbetur është privatizuar. Mbi fushën e shkollës “Musine Kokalari” është ndërtuar së fundi një megapallat me shumë kate, ndërsa fusha e madhe është asfiksuar përreth nga ndërtimet, ndërkohë që barërat e këqija e kanë pushtuar keqas. Portat e mëdha, një vit më parë, dukeshin si fantazma të ndryshkura të një epoke industriale misterioze. Thonë që aktualisht luhet ndonjëherë në hapësirat e mbetura.

Herë pas here vijnë jehona kërcënimesh ndaj kësaj hapësire. Si gjithnjë nga përbindësha ndërtimi. Disa vjet më parë u zhvillua një protestë e qytetarëve të Kombinatit kundër ndërtimit të një shkolle pikërisht në hapësirën e fushës së madhe[5]. Ky rast kanibalizmi midis hapësirave publike të qytetit tregoi se rreziku jo gjithnjë vjen nga privatja, edhe pse akuzat gjithnjë flisnin për interesa klienteliste.

Në qoftë se do ta shikonim historinë e Kombinatit jashtë nostalgjive, pra vetëm nga pikëpamja funksionale, ose thjesht urbanistike, do të vinim re se hapësirat publike, si fushat e mësipërme, janë reduktuar gradualisht deri në zhdukje. Mirëpo, ndryshimi është se këtu nuk po flasim për hapësira thjesht fizike, as për nostalgji poetike, por për hapësira ku riprodhohet në një farë mase bashkësia shoqërore, ngaqë fushat e sportit janë edhe vende performative ku ushtrohet midis të tjerash kohezioni social.

Është e pakonceptueshme se si një lagje e populluar si ajo e Kombinatit (njësia nr. 6 e kryeqytetit) të mos ketë hapësira publike argëtimi, aq më tepër që këto i ka njohur dhe i ka përdorur më parë. Breza të tërë të rinjsh po rriten brenda mureve të shtëpisë pa pasur mundësinë e ndërveprimit me moshatarët e vet.

Hapësirat publike nuk janë të paprekshme, në kuptimin që mund të transformohen e të ndërrohen vazhdimisht, mjaft që funksioni dhe koncepti i tyre nga ana e bashkësisë të mbetet i njëjtë. Pra hapësirat publike mund të zëvendësoheshin, ose të zhvendoseshin, por jo të zhdukeshin krejtësisht ose pjesërisht nga lagjja e Kombinatit. Në fakt, tërheqja e përgjithshme hapësinore që ka ndodhur në të gjithë botën, nga publikja tek privati, që në Shqipëri është përkthyer me dialektin e xhunglës, është vetëm iluzion sigurie. Mbyllja në zhguallin e privates të jep iluzionin e sigurisë, sepse ka hapësirë të ngushtë, të kufizuar e të kontrolluar, por nuk ta garanton absolutisht atë. Përkundrazi. Në mungesë të hapësirave kushinetë bëhet edhe më e vështirë.

Karakteristika e Kombinatit, siç edhe e kemi thënë gjetiu, është se ka një vlerë që shkon përtej kufijve të lagjes dhe të kryeqytetit vetë.

 

 


[1] Tani shkolla 9 vjeçare mban emrin “Lasgush Poradeci”.

[2] Për ata që nuk e dinë, kujtojmë se lagjja e Kombinatit ka pasur edhe një skuadër futbolli që ka luajtur edhe në kategorinë e parë.

[3] Dikur shkolla 9 vjeçare “Musine Kokalari” quhej shkolla “50 vjetori” dhe për një periudhë ka qenë shkollë 8 vjeçare dhe e mesme njëkohësisht.

[4] Në Kombinat quhej merkato e fruta perimeve, që përveç magazinës kishte edhe disa dyqane brenda.

[5] Shiko shkrimin me titull “Tiranë, banorët përplasen me policinë bashkiake në Kombinat”, Shqiptarja, 7 nëntor 2013.

P.S. Fotografitë janë të autorit.

1 Koment

  1. Pishak te lutem mund te na thuash dicka me shume per skuadren e futbollit te Kmbinatit. Ne cfare vitesh behej fjale dhe pse e si u zhduk.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin