TË VOTOSH PA E DITUR PSE

Rezultatin haptazi absurd të referendumit Brexit në Britaninë e Madhe disa po e sjellin si provë se populli është lehtësisht i manipulueshëm prej demagogëve; të tjerë se demokracia direkte ose referendare nuk funksionon. Në fakt, çfarë u provua është se sistemi mazhoritar nuk ka kuptim, në qoftë se votuesit nuk e dinë se për çfarë janë thirrur të votojnë, ose janë të painformuar. Parimi i shumicës së thjeshtë (aritmetike) nuk ka të bëjë me ndonjë precept mitik ose irracional se populli ose “shumica” kanë gjithnjë të drejtë, por rrjedh nga arsyetimi se, kur njerëzve u duhet të vendosin me votë për diçka, ata që e hedhin votën siç ua dikton pasioni vetjak janë një pakicë dhe gjithsesi votat e tyre neutralizohen ndërsjellazi, në raport me votat e atyre që e marrin vendimin me arsye; çka mbështetet, nga ana e vet, në premisën (racionaliste) se arsyeja është një, ndërsa pasionet janë shumë. Megjithatë, edhe sikur arsyeja të jetë vërtet një në kuptimin që njerëzit janë të barabartë në mënyrën si arsyetojnë ose si e përdorin logjikën, vetë të arsyetuarit saktë kërkon informacion ose premisa të vërteta a të paktën të besueshme dhe gjithsesi pertinente; ti nuk ke të drejtë morale të votosh, bie fjala, në një referendum që ndalon gjahun e fazanit, në qoftë se nuk e ke idenë se çfarë është fazani, ose edhe çfarë është gjahu dhe, tek e fundit, nuk e di që ka njerëz që gjuajnë fazanë për qejf ose për ushqim ose ta kanë mbushur mendjen se fazani u nxjerr sytë me sqep foshnjave të gjirit; dhe njëlloj nuk mund të votosh drejt në këtë referendum, në qoftë se nuk të bëhet fare vonë për fazanin ose për të drejtat e kafshëve. Përndryshe, ti do të shkosh të votosh vetëm ngaqë ashtu ta ka kërkuar partia “jote” dhe do ta hedhësh votën sipas indikacioneve që ke marrë nga partia “jote” (dhe ja ku erdhëm sërish te kanceri partitokratik i demokracisë, i cili jo rrallë e vë në pikëpyetje mekanizmin referendar, sa kohë që referendumi rregullisht rrezikon të matë jo ç’mendojnë zgjedhësit për këtë apo atë çështje, por thjesht ndikimin e partive mbi zgjedhësit, duke shërbyer si ndonjë lloj sondazhi shumë i kushtueshëm; edhe pse në rastin e Brexit-it ndikimi i partive politike u ndërmjetësua nga faktorë të tjerë). Të painformuar për Bashkimin Europian dhe përfitimet ose humbjet e Britanisë së Madhe ose të qytetit të tyre ose të atyre vetë nga marrëdhënia e Britanisë me këtë organizatë, shumë votues të referendumit e vendosën votën pasi ishin manipuluar nga ato forca politike që e tregonin me gisht Europën, një autoritet tek e fundit të jashtëm, si fajtore për të këqiat e së përditshmes së tyre; por nuk i zinin në gojë avantazhet e të qenit në BE (Prandaj edhe shumë nga ata që votuan dje për dalje nga BE-ja sot po shprehin pendesë dhe keqardhje; dhe deri edhe po i kërkojnë Bashkimit Europian që të mos ua ndërpresë ndihmat, edhe pasi Britania e Madhe të jetë shkëputur nga familja europiane; pa folur për ata qindra-mijëra të tjerët që kanë vrapuar të kërkojnë në Google për “European Union”). Normalisht, nëse do të kish ndonjë mënyrë për të vërtetuar se votuesit nuk e dinin se për çfarë po votonin pikërisht dhe cilat do të ishin pasojat e Brexit-it në jetën e tyre të përditshme ose të komuniteteve të tyre, atëherë referendumi duhej anuluar; sepse do t’i mungonte premisa themelore që i jep vlerë parimit mazhoritar.

3 Komente

  1. Ne fakt, procesi i votimit e perfshin me perkufizim nje mase te gjere qe nuk e di pse dhe cfare po voton. Psh nuk e di sa te qarte e kane amerikanet (ne mase flas) kur votojne per Trump, apo edhe Clinton xhanem. Aq me e vertete eshte kjo ne terrenin tone ketu ne Shqiperi, ku programet politike jane pothuajse inekzistente. Si pasoje, vota kanalizohet nepermjet presionit partiak, tradites, dhe e vetmja diference mund te jete ajo pjese e elektoratit qe voton si rrjedhoje e ‘ndjesive’.

    Problemi qendron qe te zgjedhesh nje qeveri (me mandat 4-5 vjecar) eshte nje gje, dhe te marresh nje vendim kaq te rendesishem si rasti i Brexit eshte nje gje tjeter. Ketu, votimi i paster maxhoritar del nudo ne te gjithe problematiken e vete.

    Per mendimin tim, duhet nje shifer arbitrare me e larte (60 apo 70%), sikurse duhet gjetur nje lloj forme qe ta masi qendrimin e votuesve ne kohe me te gjate dhe jo vetem si fotografi te nje dite.

  2. Per mendimin tim ishte nje zgjedhje inteligjente e britanikeve. Politika me mjetet e saja duhet te mbylli gojen e te nxjerr mesime ose te provoje edhe ne shtetet e tjera ne se popujt rrine apo largohen. Per mua politika eshte larguar kaq shume nga populli ( psh. nga pop. grek, psh. nga pop.britanik) sa mbyll sute si struci per te kuptuar e pranuar realitetin.

  3. Ideja se britanikët kanë qenë të painformuar për atë që u është kërkuar të votojnë nuk më duket se ka ndonjë bazë të fortë argumentesh dhe personalisht më ngjan më tepër si një operacion mediatik i tipit psy-op.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin