PËR TA RIKTHYER BESIMIN

Pasi u publikua videoja e filmuar fshehurazi, ku një edukatore kopshti rrihte një fëmijë, shumë prej nesh kërkuan arrestimin dhe dënimin e saj të menjëhershëm, të tjerë qortuan autoritetet përkatëse se pse nuk e kishin mbyllur atë kopsht pa licencë. Të gjitha këto shqetësime dhe kërkesa janë të arsyeshme, edhe pse rrahja e një fëmije nga mësuesja/edukatorja nuk përbën vetëm një sfidë për mekanizmat formalë të shtetit, të tillë që mund të zgjidhet, në parim, duke aktivizuar organet e kontrollit dhe të ruajtjes së rendit. Përndryshe, do të na duhej të kërkonim që të gjitha pengesat dhe problemet dhe pakënaqësitë që kemi të zgjidheshin me rrugë ligjore – çfarë do të ishte absurde, madje edhe sikur të kish ligje të tilla që të përcaktonin si duhet vepruar, bie fjala, kur dikush lan kokën me sapun në një çezmë publike.

Në fakt, kur një prind vendos të shpjerë fëmijën në kopsht, e bën këtë sepse beson që personeli i atij kopshti do t’ia trajtojë fëmijën mirë; dhe nuk ka garanci ligjore dhe kredencial formal që ta zëvendësojë këtë besim, i cili mbetet në bazë të transaksionit. Besimi te njëri-tjetri dhe tek institucionet me të cilat japim e marrim në jetën e përditshme është guri i themelit mbi të cilin ngrihen marrëdhëniet tona sociale, edhe sikur këto të jenë rregulluar pastaj me ligj.

Mirëpo besimi, si faktor rregullues i çdo transaksioni social, ka natyrë etike dhe ai vetë nuk mund të rregullohet me ligj – por duhet fituar. Dhe incidente si ky i tanishmi me fëmijën e rrahur, por edhe shumë të tjera të cilat shpesh përfundojnë të komunikuara si skandale, tregojnë se ne, si shoqëri, e kemi të vështirë të gjejmë drejtpeshimin e nevojshëm midis ligjit dhe etikës, në marrëdhëniet tona me të tjerët, duke u luhatur si lavjerrësi: ose kërkojmë që ligji të kompensojë për mangësitë etike, ose e shohim ligjin dhe shtetin si faktor jetërsues dhe duam ta mbajmë jashtë çdo transaksioni.

Tradicionalisht, shqiptarët janë mësuar t’i besojnë para së gjithash familjes dhe më pas edhe institucioneve komunitare, në një kohë që shtetin e shohin a priori me mosbesim, në mos armiqësisht. Kjo do të thotë edhe se ne duam që t’i mbështetim transaksionet te reputacioni ose kredencialet morale të tjetrit, çka parakupton komunitete pak a shumë të kufizuara në hapësirë dhe njohjen e atij që kemi përpara. Dhe ky mekanizëm mirëbesimi funksionon mirë në komunitete të vogla, si në fshat ose në lagjen e një qyteti ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin; por jo dhe aq mirë në rrethanat kur komunitetet shpërbëhen dhe nuk ekzistojnë më, si në qytete të mëdha, dhe veçanërisht gjatë zhvendosjeve masive të popullatës.

Prindët, në shembullin që kemi parasysh, me siguri nuk e njihnin pronaren e kopshtit ku po e çonin fëmijën, as kishin ndonjë garanci a kredencial se ajo do t’ua trajtonte mirë të birin; si shumë të tjerë, supozuan se mungesën e kredencialeve morale ose të reputacionit do ta kompensonte pagesa; pa çka se kjo nuk ndodhi. Për një profesioniste të mirëfilltë, në fakt, pagesa do të mjaftonte; mirëpo në rrethanat e ekonomisë informale dhe të kritereve të dobëta të profesionalitetit, korrektesa etike nuk mund të blihet.

Për fat të keq, incidente të tilla, të amplifikuara nga mediat, e thellojnë edhe më tej mosbesimin si faktor pengues në transaksionet; në kuptimin që prindët tash e tutje do të kërkojnë gjithfarë garancish formale para se t’i çojnë fëmijët në kopsht, pa folur për instalimin e përfolur të kamerave të përgjimit dhe kontrollet e shumëfishuara për licencat nga ana e autoriteteve publike – çka do të shpjerë, në analizë të fundit, në rritjen e kostove të çdo transaksioni, deri në kolaps të pashmangshëm.

A mund të shlyhet mungesa e besimit duke forcuar kapacitetet formale ose veprimin e ligjit? E shtruar në këtë mënyrë, vetë pyetja është simptomë e një patologjie nga e cila po vuan sot shoqëria shqiptare – dhe pikërisht tkurrja deri në shpërfillje e faktorit etik, jashtë kufijve të transaksioneve brenda familjes. Vetëm gjysmë shekulli më parë, as që do të dyshonte kush se një fëmijë që kthehej i vetëm nga shkolla, me çelësin e shtëpisë të lidhur me gjalmë në qafë, do ta ruanin sytë e gjithë mëhallës; sot përkundrazi do të kërkonim që këtë ta bënte policia, në ato raste të rralla kur nuk shkojmë ne vetë ose nuk dërgojmë guvernanten që ta marrë fëmijën në shkollë. Qytetari, sidomos kur i ardhur rishtas në metropol, nuk ndihet më i mbrojtur nga komuniteti; dhe është në fakt, lakuriq, përballë qytetarëve të tjerë, institucioneve dhe shtetit; meqë garancitë etike që dikur ofronte jeta në komunitet sot nuk veprojnë dot më.

Besimi i humbur nuk mund të rikthehet veçse hap pas hapi, dhe sidomos përkrah restaurimit të qëndrueshmërisë sociale, nëpërmjet një procesi me ndikim të ndërsjelltë. Unë e blej pa merak mishin te kasapi i lagjes, sepse kam blerë atje edhe më parë dhe e njoh dhe mund të kem pirë edhe një kafe me të; dhe e di që nuk do të më gënjejë për cilësinë e mallit që më shet; sikurse shkoj pa merak te një mjek të cilin e lavdërojnë miqtë e mi ose unë vetë e njoh aq gjatë, sa ai të ketë pasur kohë të krijojë një reputacion të mirë me mua, ose të ndërtojë, njëfarësoj, kredencialet morale. Këto të fundit gjithnjë vlejnë më shumë se një diplomë që mund të mbajë të varur mjeku në mur; çka vlen edhe për profesione të tjera, si për juristin, farmacistin ose këshilltarin financiar. Profesionistët, nga ana e tyre, mbijetojnë edhe ata duke vendosur marrëdhënie të tilla mirëbesimi me klientët.

Por vetëm njohja personale nuk mjafton; sidomos kur bëhet fjalë për të rikthyer besimin e humbur të qytetarit tek institucionet; dhe në këtë pikë janë vetë profesionistët, që nga edukatoret e kopshteve te avokatët dhe mjekët, që duhet të organizohen njëfarësoj, për të mirëmbajtur dhe shtuar kapitalin e tyre etik, në sytë e qytetarëve. Kjo mund të realizohej, për shembull, nëpërmjet fuqizimit të organizatave profesionale, ose të urdhrave, brenda të cilëve vetë profesionistëve do t’u duhej të krijonin, të kultivonin dhe të mbronin reputacionin e tyre dhe kredencialet e tyre morale. E kotë të shtoj se organizma të tillë i përkasin shoqërisë civile jo të shtetit; por më duhet të vërej se edhe vetë shteti e ka më të lehtë të ushtrojë autoritetin e vet të kontrollit, ose të ruajë legalitetin, në qoftë se bashkëpunon me to.

1 Koment

  1. Mendoj se ka një problem shumë më thelbësor se ky e jo vetëm në këto troje: njerëzit as që duan më ta rikthejnë besimin, përkundrazi.
    Mashtrohemi e vidhemi çdo ditë, në çdo hap. Politika është mashtrim, media mashtrim, institucionet po ashtu, zarzavatet në treg, në fakt të gjitha ushqimet që hamë, uji që pimë, ilaçet, skandale si ky që nxirren në shesh, zallamahia që ndjellin, etj. E në këtë rrotë që rrotullohet për së prapthi mirë a keq secili ka zënë një vend ku performon mashtrimin e vet dhe rrota ecën e po t’i mbyllësh sytë mund ta humbësh edhe sensin e drejtimit, domethënë mbarë a prapë njësoj është, kështu që pse ta prishim terezinë? Ndryshe do të na duhet të hapim sytë, të mendojmë, të jemi të kujdesshëm, të heqim dorë nga shumëçka, të përpiqemi të mësojmë e të kuptojmë, të mbajmë qëndrim, të kundërvihemi a fundja të arratisemi, shkurt të jemi njerëz.
    Robtë sot kanë frikë ta shohin futjen që u bëhet para syve; e injorojnë, madje e ushqejnë. Fëmijët dhunohen përditë, sistematikisht, në kopshte, në shkollë, para TV-së. Me supermenë, spajdermenë, ajronmenë, iksmenë, turbomenë; por kush prind është aq i ngeshëm sa t’i bëjë përshtypje një gjë e tillë?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin