SË SHPEJTI NJË VRAP KUNDËR DHUNËS NË KOPSHTE

Një edukatore e një kopshti privat filmohet, me kamerë të fshehtë, teksa rreh një prej fëmijëve që i janë besuar; filmimi bëhet publik, shpërthen revolta kolektive, në trajtën e një linçimi simbolik; dhe që vazhdon pastaj me lajmërimin triumfal të policisë, se e ka arrestuar keqbërësen. Prindër të indinjuar deklarojnë haptazi se ata do ta kishin vrarë edukatoren, sikur kjo t’ua kish rrahur fëmijët; mediat ia rrëmbejnë kësaj fotot në FB dhe e sulmojnë për stilin e jetesës, fenë dhe të tjera gjëra private. Ministrja e Arsimit deklaron ndërkaq se kopshti “ishte pa licencë” dhe kërkon, edhe ajo, që fajtorja të ndëshkohet; në një kohë që histeria kolektive ka përfshirë rrjetet sociale dhe më gjerë, aq sa ta bëjë publikun të harrojë histerinë tjetër kolektive – atë që pasoi fitoren e parë të kombëtares sonë të futbollit në Francë.

Del pastaj në dritë se fëmija vuante nga autizmi, e megjithatë prindët e kishin çuar te një kopsht jo vetëm të palicencuar, edhe të papërgatitur për këtë lloj çrregullimi të rëndë; dhe kopshti sërish kish pranuar të kujdesej për një fëmijë që, në thelb, kërkon vëmendje të specializuar. Ministrja Nikolla, në vend që të premtonte çfarë nuk ka lidhje me detyrën e saj, dhe pikërisht që “fajtorja do të ndëshkohet”, kushedi duhej të konsideronte të shkarkonte personin përgjegjës, në institucionin e vet, për licencimin e kopshteve, duke e zëvendësuar me dikë që është në gjendje ta bëjë punën; por jo duke propozuar vendosjen e kamerave në kopshtet, sepse efekti i parë i kamerës është që ta shndërrojë çdo mjedis në skenë ku performohet për autoritetin mbikëqyrës (përgjues): po a është kjo që duam për fëmijët dhe edukatoret e tyre? OJQ-të që merren me këtë patologji kaq të dhimbshme për prindërit – dhe më rezulton se ka të tilla, sa kohë që deri edhe Tirana ka vrapuar për autizmin (TiRun® ose RUN4AUTISM) me në krye vetë kryebashkiakun Veliaj – mund të shpjegonin, me këtë rast, si ka ndodhur që një fëmijë i tillë të ketë përfunduar në një kopsht të palicencuar; dhe vetë prindët e shumtë që vunë kujën në publik të pyesin veten se kur ishte hera e fundit që i rrahën fëmijët e tyre. Jemi shoqëri tejet e dhunshme, në kuptimin që dhunën fizike gjithnjë e konsiderojmë si faktor për zgjidhjen deri edhe të problemeve më të vogla; dhe këtu rrahja e filmuar fshehurazi e një fëmije nuk zbulon asgjë që nuk dihej më parë, për vetëm sa i detyron të gjithë të marrin pozicione hipokrite përballë njëri-tjetrit, ose të veshin rrobat më të mira. Vetë fajtorja, ose gazetarja e ri-formatuar si edukatore kopshti, tashmë e etiketuar haptazi si “monstër”, “shpirtkazmë”, “shtrigë”, “kurvë” etj., ose e mbuluar me dhunën tonë verbale karakteristike, nuk po di të reagojë ndryshe, përveçse të shpërthejë edhe ajo në lot. Ngado që të kthehesh, sentimentalizëm.

1 Koment

  1. Ky eshte reagim me vend. Kjo histeri kolektive ehste tipike dhe e kemi pare ne shume raste te tjera, qe jo per koincidence vijne dhe ato nga filmime me kamera te fshehta. Kjo nevoje per lincim/scapegoating te herepashershem eshte tregues i prapambetjes se shoqerise tone, ku pastrimi/katharsis lidhet me tragjiken dhe me spektaklin, e jo me sensin e pergjegjesise dhe te vetedisiplines se publikut.

    Na duhen me shume artikuj si ky i mesipermi dhe me pak lajme bombastike per “arrestimin e edukatores shpirtkazem”.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin