PËRPARA LIGJIT!

Në çdo intervistë pune që jepja, në çdo letër motivimi që dërgoja fraza “detail-oriented” ishte bërë klisheja e radhës. Sa herë që bëja para-nxemje profesionale me miqtë e mi në telefon për të dëgjuar këshillën e tyre të radhës në prag të një interviste të mundshme pune, “detail-oriented” ishte përsëri aty, në vigjilje për të ma bërë kokën të zhurmonte nga detajet e radhës. Sa më shumë mundohesha të isha detail-oriented, aq më shumë ndodhte të bëhesha detail-disoriented. Admiroja zyrtarët dhe sekretaret e devotshme të institucioneve dhe universiteteve të huaja që me një përkujdesje automatike, gati nervozuese, kishin një orientim kaq të mirë të katër anëve të horizontit tonë të korrespondencës elektronike dhe postare. Duke qenë se isha jabanxhie mesdhetare dhe ballkanike në zemër të kontinentit evropian, profesionalizmi i tyre më ngjante i ngurtë, aspak spontan, krijues, lozonjar, nazeli, njerëzor, priresha si shumica e “orientalëve ballkanikë” ta konsideroja si robotik dhe capital-oriented.

Më sikletosëse ishte habia e një të njohuri tim të jashtëm, që i zhgënjyer gati deri në dhimbje, më evidentoi me keqardhje se gjatësia e shkruar në pasaportën time nuk korrespondonte me gjatësine time reale. Na morën shpirtin këta realistët! Fundja ka dhe realizëm magjik! Dhjetë cm më shumë a dhjetë cm më pak su bë qameti. E keqja është se tani ndërrova pasaportë dhe ky polici tjetër kishte shije minimalizuese, do i shkonte më për shtat të bëhej marangoz.

Personal drama vazhdoi me shumëfishimin e emrit në një mori emrash të tjerë. Ishte si ajo puna e vjershës së abetares në fillore, “për një m që ti se vë fjala mik bëhet ik”. Për administratën real-magjike shqiptare emri Elona ishte ekuivalent për çdo formë emri tjetër të ngjashëm. Nuk e kisha menduar deri atëherë se Elona ishte versioni shqiptar i Helenës së Trojës apo Ilionit (Ylli Jonë) të Kadaresë. Nuk ka rëndësi nëse emri yt pavarësisht ngjashmërisë me formën “Elona” është ndryshe dhe shqiptohet ndryshe, për administratën shqiptare gjithë femrat “homonime” janë Elona potenciale, simbolit të bukurisë shqiptare, asaj çka do donin të gjitha t’i ngjanin.  Afërmendsh kjo duhej konsideruar si dhuratë hyjnore, si shfaqje supreme e feminilitetit të një femre, si honoris causa.  Madje nëse ndodh të këmbëngulësh për të kundërtën, t’i mëshosh gabimit dhe çapaçulizmit të gjithë sërës së tyre, mund të gjendesh para ligjit, si tek Kafka. Nga një princeshë potenciale, transformohesh në një ligjshkelëse potenciale. Fundja edhe Helena e Trojës ishte kurorëshkelëse. Kurorëshkelësja është edhe ligjshkelëse dhe anasjelltas. Fundja ligjet në Shqipëri janë krijuar për t’u shkelur. Ligjvënësi nuk mjaftohet vetëm me vendosjen e ligjit, por do të ketë dhe liri shkeljeje, si për të vërtetuar që ligjshkelja është dhe prova më e mirë e ekzistencës dhe vërtetësisë së ligjit. « Mos shkel ligjin » është si ajo tabela «mos shkel barin ». Sa e shkel pak barin, do që ta shkelësh gjithmonë e me shumë, mundësisht të bësh dhe ndonjë piknik aty.

Kjo kundërvënie ligjvënie-ligjshkelje bëhet akoma më shqetësuese kur persona që përfaqësojnë ligjin dhe garantojnë legjitimitetin e tij, siç janë zyrat e noterisë kanë si vulë profesionale jo licencën e noterisë, por atë të punës « shkel e shko », të gabimeve trashanike antiligjore dhe antiprofesionale, të papërgjegjshmërisë morale dhe talljes me klientin, madje gajasjes do thoja. Po, po gajasjes ! Pasi unë ndihem e pafuqishme dhe shumë zemërpulë që të të denoncoj publikisht, të të heq «bukën e gojës », të të bëj gazin e botës, të të heq të drejtën e licencës, të të ul imazhin para kolegëve, shoqërisë, familjes, fëmijëve, të dashurve të tu. Në të kundërt, zgjodha që për dokumentin përkatës që fillon e mbaron me gafa të vazhdueshme, të mos të të kërkoj lekët më pas për shkarravinën tënde dhe ta dërgoj ashtu, me riskun e mospranimit të tij. Kjo vlen jo vetëm për ty, por për gjithë dembelët dhe të paaftët, që nuk mendojnë se veprimet e tyre të papërgjegjshme mund ta çojnë tjetrin në bankën e të akuzuarit !

Ndaj në pamundësi për t’i vënë emra e mbiemra këtij shkrimi, ta dedikoj ty, me shpresën se klienti tjetër, para se të jetë thjesht një klient memec për ty, do të jetë një qytetar aktiv për të mirën tonë të përbashkët dhe të përgjithshme.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin