PËRFAQËSIM FIRMATO

Teoricieni i mediave, McLuhan, e pat përkufizuar ndërfaqen (anglisht: interface) si “vendi ku ndërveprojnë dy sisteme” (1962), edhe pse termi ka qenë përdorur në anglishte që në shekullin XIX, me kuptimin “sipërfaqe që shërben si kufi i përbashkët mes dy trupave”; pa folur pastaj për përdorimin specifik të së njëjtit term në teknologjinë kompjuterike.

Le t’i rrimë pra, përkufizimit të McLuhan-it: dy sisteme që komunikojnë mes tyre dhe që kanë nevojë për një hapësirë ku të shkëmbejnë mesazhe, sipas kodeve që të pranuara ose të përbashkuara me marrëveshje ose edhe të përftuara në komunikim e sipër, me ose pa marrëveshje: kjo është ndërfaqja si koncept që na hyn në punë edhe në analiza antropologjike dhe të kulturës. Për shembull, mund të argumentohet se vitrina është ndërfaqe midis dyqanit dhe rrugës (blerësve që vijnë nga rruga ose kalojnë në trotuar); ose fasada është ndërfaqe midis ndërtesës dhe hapësirës publike në qytet.

Ky koncept më erdhi në mendje, kur po mendoja për statusin e skuadrës kombëtare që ka çuar Shqipëria në Kampionatin Europian këto ditë në Francë; sepse skuadrave që marrin pjesë në veprimtari të tilla ndërkombëtare u bie të jenë, virtualisht, edhe ndërfaqe të veprimtarive përkatëse kombëtare; por kjo e De Biasi-t nuk përfaqëson gjë futbollin e organizuar, brenda kufijve të Shqipërisë dhe as është produkt i futbollit, i kulturës a i traditës sonë futbollistike ose sportive. Këto janë gjëra që janë thënë tashmë dhe që diheshin edhe pa u thënë.

Çfarë përfaqëson[1] pikërisht kjo skuadër futbolli, pra? Nga njëra anë, dëshirën e publikut dhe të institucioneve në Shqipëri, për të qenë të pranishëm në futbollin europian kompetitiv të nivelit të lartë; nga ana tjetër, gatishmërinë e institucioneve drejtuese të sportit dhe të politikës, gjithnjë në Shqipëri, për të ndërtuar një skuadër përfaqësuese me kritere mirëfilli etnike. Ky gjakim institucional me bekimin e politikës nuk është se ka shkelur ndonjë rregull të UEFA-s, por përbën megjithatë një unicum, madje pikërisht ngaqë nuk ka shkelur rregull; pse konfirmon që kriteret e deritashme të organizimit të veprimtarive të tilla mbi baza “kombëtaresh” nuk funksionojnë dot si më parë, pse nuk u përgjigjen mirë realiteteve të reja: imigracionit masiv, përvijimit të brezave të dytë dhe të tretë të imigrantëve, natyralizimeve masive, shteteve të krijuara rishtas, sovraniteteve të disputuara.

Në një epokë kur klubet e futbollit, në Europë, janë të lira të teserojnë futbollistë me kombësi dhe prejardhje gjithfarësh, ndodh rëndom që shumica e atyre që zbresin në fushë për një ndeshje të kampionatit përkatës kombëtar të kenë shtetësi tjetër nga ajo e vendit pritës; në mos gabohem, në Serie A të Italisë, Inter-i i Milanos paraqitet jo rrallë me një njëmbëdhjetëshe ku nuk figuron asnjë futbollist italian; dhe kjo pa e cekur fare muhabetin e kombësisë dhe të etnisë.

Kjo që ka bërë tani FSHF-ja dhe qeveria e Republikës së Shqipërisë, me përfaqësuesen kombëtare, është njëfarësoj e kundërta: të gjithë lojtarët që dalin në fushë janë shqiptarë etnikë, por asnjë prej tyre nuk luan në super-ligën në Shqipëri; çka do të thotë se ai ekip përfaqëson jo Shqipërinë por shqiptarinë (që është diçka tjetër), edhe pse me kredencialet që ia ka dhënë shteti shqiptar, për të përfituar ai vetë dhe dashamirësit shqiptarë të futbollit anembanë, nga klasi i lartë teknik dhe profesional i të përzgjedhurve.

Një kampionat europian mund ta përfytyrojmë edhe si vendin ku përfaqësueset e organizatave futbollistike të shteteve të Europës luajnë me njëra-tjetrën; dhe, në një plan edhe më abstrakt, komunikojnë mes tyre, duke dhënë dhe duke marrë informacion me njëra-tjetrën, me publikun në stadium dhe televiziv dhe mediat në përgjithësi. Dhe atje ku ka komunikim, ka edhe ndërfaqe; por kombëtarja jonë, si pjesë e kësaj ndërfaqeje, nuk komunikon asgjë, në lidhje me pjesën e ndërfaqësuar.

Për krahasim, mund të sillnim vitrinën e një dyqani, ku reklamohen mallra, të cilat përndryshe brenda në dyqan nuk shiten; një hapësirë fiktive, ku shënjuesit janë privuar nga të shënjuarit origjinalë dhe janë detyruar të përftojnë sakaq të shënjuar të rinj.[2]

Kjo ndërfaqe e konfeksionuar ad hoc, u ngjan disa përftesave të tjera të komunikimit mes sistemeve sociale, nga kulti i kargove te parku tematik dhe, më tej akoma, fshati Potemkin[3]; por nuk identifikohet dot me asnjë prej tyre. E vetmja “rrenë” e madhe, që ka marrë me vete skuadra e Shqipërisë në Francë, është fakti që ajo nuk përfaqëson lëvizjen futbollistike të organizuar në republikë as politikat qendrore dhe lokale në fushën e sportit as vlerat e traditës futbollistike në Shqipëri, por është rekrutuar artificialisht, a krijuar me rrugë sintetike; por kjo nuk është rrenë, sa kohë që nuk e mban kush të fshehtë (disa madje krenohen me të, duke e përdorur deri edhe si sloganin zyrtar të pjesëmarrjes sonë në kampionat).

Për ta kuptuar më mirë dukurinë, le ta krahasojmë me pjesëmarrjen zyrtare të Shqipërisë këtë vit në Bienalen e Arkitekturës, në Venezia; me projektin “Të kam lënë malin”, të kuratuar nga Leah Whitman-Salkin nga Harvard Design School dhe Simon Battisti, student i arkitekturës në Harvard Design School; dhe që konsiston, me sa kam lexuar, në transmetimin audiofonik të një numri këngësh polifonike të Jugut me tekste të shkruara nga “10 artistë dhe intelektualë ndërkombëtarë”, mes të cilëve emra si Etel Adnan, Michael Taussig, Yona Friedman, Yanis Varoufakis, Ornela Vorpsi, Claire Fontaine, Mourid Barghouti, Michel Butor, Finn Williams dhe Anri Sala.[4]

Kemi të drejtë ta përfytyrojmë Bienalen e Arkitekturës si një vend ku arkitektë, designers, artistë, planifikues urbanë dhe intelektualë nga vende të ndryshme përfaqësohen me projekte të natyrës pak a shumë kombëtare, dhe takohen me njëri-tjetrin dhe me vizitorët për të komunikuar dhe për t’u komunikuar; dhe ku çdo përfaqësim kombëtar shërben njëkohësisht si ndërfaqe e veprimtarisë ose fermenteve përkatëse në vendin e përfaqësuar.

Dhe atëherë e kam shumë të vështirë, në mos të pamundur, që të marr me mend se çfarë komunikoi dhe përfitoi pikërisht arkitektura e Shqipërisë në këtë Bienale dhe çfarë iu komunikua asaj; sepse fakti që melodia dhe teknika e të kënduarit në pjesët e transmetuara nga gramafoni janë karakteristike shqiptare nuk më ndihmon shumë. Edhe këtë herë, “rrena” e madhe e këtij përfaqësimi, nëse mund të shprehem kështu, është që ai shtyn deri në ekstrem (por pa i shkelur) rregullat e pjesëmarrjes në Bienale dhe vetë natyrën përfaqësuese të këtij eventi; por kjo vetëm rrenë nuk është, sa kohë që askush nuk ka mbajtur gjë të fshehtë për autorët dhe kuratorët e projektit.

Nëse ka diçka që nuk shkon, me përfaqësimin e Shqipërisë si në Venezia, ashtu edhe në Kampionatin Europian të Futbollit, kjo ka të bëjë drejtpërdrejt me ndërfaqen, ose me atë hapësirë ku ndodh komunikimi; dhe pikërisht ngaqë në të dy rastet kjo ndërfaqe nuk shërben më si shprehje sadopak besnike e diçkaje që qëndron përtej dhe as komunikon dot më sistemin e përfaqësuar: nesër ndeshjet e super-ligës prapë do të shiten lirisht, lojtarët do të vënë baste dhe do të kacafyten mes tyre, tifozët do të rrihen mes tyre gjithashtu, dhe arbitrat do të kërkojnë sërish mbrojtjen e policisë, në mos të forcave të ndërhyrjes së shpejtë[5]; njëlloj sikurse hapësira publike do të vazhdojë dhunohet dhe planet rregulluese urbane më shumë do të shkatërrojnë sesa do të ndërtojnë dhe kulla gërdalla do të ngrihen e të bëjnë hije në qendrat e qyteteve[6].

Çfarë ka ndodhur, pra, është një shkëputje e vetëdijshme, madje e qëllimshme e ndërfaqes prej sistemit të ndërfaqësuar; në kuptimin që ndërfaqja po i jep përparësi totale komunikimit të vet me palën tjetër pasi ka dalë më vete si palë dhe është shndërruar tashmë në agency autonome; dhe këtë komunikim po tundohet tani të mos e përcjellë por ta mbajë për vete dhe ta përdorë si kapital të paktën kulturor dhe imazhi ose edhe për të ndërtuar kredit moral në rrafshin ndërkombëtar.

Dhe këtë përpjekje për t’u pavarësuar ndërfaqja e arrin nëpërmjet teknikës së përfaqësimit sintetik, ose të konfeksionimit të studiuar: vërejeni kombëtaren shqiptare të futbollit, me lojtarët e saj të mbledhur nga ekipe anembanë botës (pa çka se etnikisht shqiptarë të kulluar), me një euro-trajner, me një makineri promovimi absolutisht profesionale pas krahëve, e cila nuk i lë gjë në dorë rastësisë dhe spontaneitetit; aq sa të na lejojë të flasim, njëlloj si për rastin e Bienales së Venecias, për produksion të nivelit të lartë, ose një ndërfaqe firmato (design interface ku përcaktori design përdoret me të njëjtin kuptim që ka në design shoes).

Nëse ka një aspekt, ku kjo ndërfaqe firmato i afrohet shumë teknikës së fshatit Potemkin, ky ka të bëjë me injorancën relative të publikut global dhe të institucioneve ndërkombëtare për Shqipërinë; dhe faktin tjetër elementar, që evente të tilla ku një hapësirë ofrohet për komunikim të lirshëm mes palëve shërbejnë edhe si vitrina për afrimin dhe njohjen e vendeve, shoqërive dhe kulturave përkatëse; pa çka se vitrinat që kanë përfaqësuar zyrtarisht Shqipërinë në dy shembujt e përmendur më lart nuk kanë pasur gjë ndonjë lidhje as organike as mekanike me “mallrat” që shiten në dyqan (le të pranojmë, për hir të argumentit, që ky dyqan ekziston vërtet dhe mallra ofrohen vërtet për shitje).

Kësaj Shqipërie virtuale, shëtitëse, të angazhuar në promovimin e vlerave kombëtare anembanë botës do t’i përgjigjej, brenda kufijve të shtetit, një Shqipëri e sanitizuar dhe park-tematike, ku deri edhe natyra të shndërrohej në element skenografik njëlloj si historia – gjithnjë në shërbim të syrit dhe të konsumit të çastit. Edhe në një rast, edhe në tjetrin, dyzimi mund t’i shërbejë vërtet marketingut kulturor dhe eksportit të një simulakri të suksesit; por pavarësimi i ndërfaqeve dhe adoptimi entuziast i elementit firmato, së bashku me një zell e ngazëllim të kushtueshëm për celebritetet nuk mund të mos i jetërsojë të gjithë ata që as ngjiten dot në skenë, as marrin dot pjesë në spektakël, përveçse duke bërë tifozllëk.


[1] Aq më tepër që, shqipe, përfaqësim dhe ndërfaqe vijnë nga e njëjta temë: faqe.

[2] Sërish për krahasim: çfarë do të mendonim, sikur Shqipëria të paraqitej në një panair bujqësor me mango dhe papaja? A do të ishte kjo performancë artistike, apo diçka më e thellë? Më e thellë edhe sikur në atë panair të shkonim me luleshtrydhe në fakt të importuara nga Kosova? A ecën këtu argumenti se Kosova është, gjithsesi, dheu i shqiptarëve autoktonë?

[3] Thonë se kur Katerina II e Rusisë vizitoi Krimenë në vitin 1787, ministri rus Grigori Aleksandroviç Potemkin, që kishte udhëhequr fushatën e Krimesë, dha urdhër që të ngriheshin fasada butaforike fshatrash përgjatë brigjeve të shkretuara të lumit Dniepër, për t’i treguar carinës dhe shpurës së saj se lufta kundër turqve ia kish vlejtur, dhe se viset e sapo-pushtuara prej ushtrisë ruse ishin të mbrothëta e të lulëzuara.

Dukuria, e njohur me emrin “fshati Potemkin” më pas i ofroi bazën një metafore të përdorur për të përshkruar orvatjet e autoriteteve gjithfarësh për të gënjyer të tjerët, zakonisht vizitorët, për situatën reale në zonat përkatëse. Gjatë Luftës II Botërore, për shembull, kampi i përqendrimit në Theresienstadt, i mbiquajtur “Getoja e Parajsës”, ishte konceptuar dhe realizuar me qëllimin eksplicit që t’u tregohej inspektorëve të Kryqit të Kuq.

Shembull tipik i fshatit Potemkin është Kijong-dong, në Korenë e Veriut, shumë afër zonës së demilitarizuar (DMZ), i njohur nga koreano-jugorët edhe si fshati propagandistik. Besohet se fshati, edhe pse ekziston si grumbull ndërtesash, nuk ka banorë të vetët, përveç ushtarëve, të cilët kujdesen të ndezin dritat natën në disa prej shtëpive, pa çka se këto drita ndizen gjithnjë në të njëjtat shtëpi dhe në të njëjtën orë. Në të dalë të fshatit, gjendet edhe një kullë 150 metra e lartë, e cila shërben praktikisht si shtizë për flamurin koreanoverior.

[4] Kur i dëgjova këta emra për herë të parë, mendova se listës i mungonte vetëm David Beckham, si ambasador i virtytit futbollistik global, kësaj loje jo vetëm me arkitekturë të spikatur, por edhe tejet polifonike.

[5] Të jetë rastësi që Shqipëria arriti rezultatin më të mirë në Europë, me kombëtaren e vet, pikërisht kur futbolli kompetitiv në Shqipëri gjendet në krizë sportive, organizative dhe besueshmërie?

[6] Të jetë rastësi që projekti përfaqësues i Shqipërisë në Bienalen e Arkitekturës nuk kish të bënte drejtpërdrejt me arkitekturën, pa çka se temat e planëzimit urban, hapësirës publike dhe shkatërrim-ndërtimeve të mëdha në qytetet kanë pushtuar kryetitujt e mediave kombëtare prej muajsh?

1 Koment

  1. Koncepti nderfaqes merr kuptim kur sistemet jane te dallueshem qarte. Por ne epoken globaliste koncepti klasik behet i pavlershem. Eshte sikur te vazhdosh te aplikosh konceptet njutoniane ne fiziken relativiste. Cfare mund te komunikoje sipas pikpamjes klasike rasti kur nje biznes amerikan blen nje patente gjermane, nderton nje uzine ne Greqi , prodhon nje makine me punetore emigrante shqiptare e ukrainas dhe produktin vjen dhe ua shet japonezeve? E kujt eshte makina si marke: e atij qe investoi, e atij qe e shpiku, e atij qe e ndertoi, e atij qe e shiti…? Mund te thote japonezi se bleu nje makine amerikane? Shkurt gjerat nuk jane me aq te qarta e te thjeshta si ne rastin e dy paleve , qe komunikojne ne nderfaqe. Ne epoken e globalizmit ka te tjera mekanizma analizash, nuk eshte me nje binom, eshte nje polinom.

    Per kombetaren shqiptare, se per te duket eshte shkruar gjithe kjo, merren ne sy pervojat e lojtareve shqiptare ne klube te huaja, taktikat e trajnerit te huaj por te shqiptarizuar si dhe fryma kombetare e ekipit, e mbase edhe elemente te tjere. Asnjeri nga keta lojtare nuk do te luante ne klubin e vet ku paguhet me aq shpirt se sa per kombetaren e vendit te vet. Ata luajten per nderin e kombit ,jo per te perfituar pagesen.dhe kjo eshte thelbesore qe te ben shqiptar, rumun a francez.

    Nga ana tjeter kombetarja shqiptare nuk perben nje rast unik. Edhe ne kombetaren kroate asnje lojtar nuk luan me klube kroate. Nga francezet vetem nje.Matuidi,edhe ky i natyralizuar, luan ne France. Franca mund te dale kampion ne kete eveniment , por niveli i klubeve franceze nuk eshte i nivelit europian sepse vetem nje PSG ,plot e perplot me te huaj,shkon ndonjehere deri ne cerekfinalet e Champions, te tjeret s’i njeh kush. Para disa vitesh kombetarja greke doli kampione e Europes me nje trajner te huaj. Po ashtu Portugalia. Po flas me terma te pergjithshem sa per te dhene thelbin. Na pelqen a s’na pelqen ,globalizmi ka treg te perbashket, individualitetet mjegullohen dhe pra analizat puritane duket se nuk kane ndonje te ardhme.

    E pare ne nje kend tjeter, eshte befasuese se si nje kalores i antikombetarizmes dalldiset per vlera kombetare ne skenen me spektakolare te globalizmit.

    Lidhur me kete, me ne fund, eshte per t’u hulumtuar kjo fryme prej kritizeri , qe sundon perhere e me fuqishem, si ne media, si ne blog, sidomos qekurse debati u menjanua. Te merr malli te shohesh ndonje shkrim qe analizon a te pakten i ben jehone ndonje realizimi pozitiv. Ndjehesh i persekutuar nga nje negativitet i pambaruar. Te mban vetem shpresa, qe duke qene absolut, nuk eshte real.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin