LËRINI TË LIRË DEPUTETËT

“Një herë në hënzë – shkruan Simon Leys në parathënien e botimit anglisht të pamfletit Note sur la suppression générale des partis politiques, shkruar në 1957 nga Simone Weil – dhe për çështje rreptësisht jo politike, që kanë të bëjnë thjesht me probleme të etikës, anëtarëve të Parlamentit u jepet leja të votojnë sipas ndërgjegjes.”

“Një votë sipas ndërgjegjes, vazhdon Leys: çfarë nocioni i jashtëzakonshëm! Duhej të ishte pleonazëm: a nuk supozojmë, të gjithë ne, se çdo votë në Parlament, me përkufizim, hidhet nga anëtarë Parlamenti që dëgjojnë ç’u thotë ndërgjegjja e tyre, në vend që të ndjekin diktatin e ndonjë partie politike?”

Kështu Leys, në hyrje të një teksti që, siç e shpalos menjëherë vetë titulli, nuk është dhe aq dashamirës ndaj partive politike dhe as beson se këto mund të luajnë rol ndonjëherë progresiv, në jetën politike dhe morale të shtetit dhe të qytetarëve.

E megjithatë, kjo praktikë e padenjë e “votës sipas ndërgjegjes” m’u kujtua, tani që lexova se, pas dështimit të summit-it Rama-Basha, socialistët janë vënë në kërkim të edhe shtatë votave më tepër që u duhen, për ta kaluar reformën me drejtësi në Parlament (87 llogariten si të koalicionit); në një kohë që Basha kish paralajmëruar se “drafti nuk do të votohej nga asnjë deputet i opozitës, nëse nuk arrihej konsensusi.”

Sërish referimi ndaj tekstit të Weil më duket i detyrueshëm; dhe pikërisht ai pasazh kur kjo autore përcakton karakteristikat thelbësore të partive politike: (1) partia politike është makinë për të përftuar pasione kolektive; (2) partia politike është organizatë e menduar për të ushtruar trysni kolektive në mendjet e anëtarëve të vet individualë; dhe (3) objektivi i parë dhe gjithashtu i fundmë i çdo partie politike është rritja pa cak.

Për shkak të këtyre tre karakteristikave, shkruan Weil, çdo parti është totalitare, potencialisht dhe me aspiratë.

Në të vërtetë, dy forcat politike kundërshtare sot në Tiranë, i janë përkushtuar tërësisht kultivimit të pasionit kolektiv të kontrollit të mendjeve, duke filluar nga mendjet e parlamentarëve dhe më tej të anëtarëve në bazë dhe më tej akoma të zgjedhësve dhe përkrahësve të tyre; dhe kjo praktikisht nuk u lë më energji, për të prodhuar ide politike, dhe aq më pak për t’i vlerësuar këto ide sipas kritereve të vërtetësisë, drejtësisë dhe së mirës publike.

“Partitë politike janë një mekanizëm i mrekullishëm,” shkruan Weil, “i cili siguron, në shkallë kombëtare, që as edhe një mendje e vetme të mos bëjë dot një përpjekje për të perceptuar, në punët publike, çfarë është e mirë, çfarë është e drejtë, çfarë është e vërtetë.”

E kam të qartë që liderët e partive politike të mëdha sot në Shqipëri do t’i konsiderojnë si gjepura këto që thotë Weil; ose do t’i shpërfillin si mendime të kapërcyera, ose kuriozitete të një epoke historike tjetër; edhe sikur ta përfytyrojnë dot problemin e totalizimit dhe të rrafshimit të mendimit, që sjell me vete ky sundim i jetës politike nga partitokracia, ata janë megjithatë të shtrënguar ta luajnë lojën sipas rregullave dhe sidomos e kuptojnë rrezikun fatal të ndërrimit të kuajve në garë e sipër.

Megjithatë, vota e tanishme në Parlament, e një reforme kaq të rëndësishme si ajo për Drejtësinë, përbën një nga ato momente kyçe të jetës politike dhe legislative të republikës, sa Rama, Basha dhe Meta duhet të gjejnë aq kurajë dhe të heqin dorë, në mënyrë përjashtimore, nga disiplinimi dhe totalizimi i vullnetit të përfaqësuesve të popullit në Parlament, duke i ftuar këta të votojnë “sipas gjykimit të tyre individuale.”

Më duket tejet poshtëruese, për dinjitetin e parlamentarëve, që të detyrohen – si pa të keq – t’i veshin gjykimet e tyre me uniformat e shpëlara të partive politike, edhe për çështje të tilla si kjo reformë, që i tejkalojnë interesat e ngushta të partive dhe vullnetin e tyre reptilian, për ta disiplinuar mendimin individual nëpërmjet imponimit; sikurse më duket njëlloj poshtëruese perspektiva që vota për këtë reformë, kaq të kontestuar dhe sërish thelbësore, të përcaktohet nga allish-verishet në kulisat e politikës së pësh-pësheve; ku vullnetet individuale të shiten e të blihen si lopët në pazarin e gjësë.

Ish sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, pat thënë dikur se “ti shkon në luftë me atë ushtri që ke, jo me atë ushtri që do të doje të kishe.” Doemos nuk është momenti tani, që të ankohemi se pse, nga të gjitha parlamentet e mundshme, pikërisht këtij të tanishmit – shpesh i shndërruar në cirk batutash, akuzash, insinuatash, fyerjesh dhe rrahjesh – i ka rënë barra, ndoshta e papërballueshme, që të vendosë për një reformë kaq të rëndësishme, për të ardhmen e republikës dhe të pluralizmit të pushtetit në Shqipëri. Nuk është momenti.

Por ende ka kohë, që t’i çlirosh deputetët nga vargonjtë e disiplinës partiake, dhe t’u japësh atyre mundësinë për ta përdorur mendjen: jo gjithnjë, as ngaqë mendjen na e ka dhënë Perëndia për ta përdorur; por sepse momenti është më i rëndësishëm se interesat meskine dhe taktike të Partive Politike dhe të kapterrëve që numërojnë votat, si të ishte fjala për ushtarët në rresht.

Le të bien pra dakord, dy atamanët, që deputetët e tyre të votojnë “sipas ndërgjegjes”; dhe dopio-gjashta e dështimit të votës, nëse nuk mund të shmanget, le t’u mbetet në dorë përfaqësuesve të popullit, jo partive politike.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin