CILI JENI JU, ZOTI SHYTI?

Kur e bëra këtë pyetje, ata që ishin më pranë ngulën vështrimin diku para vetes, sikur t’u kishte rënë një elefant te këmbët. Pati edhe ndonjë që i ktheu sytë nga A. Vehbiu, por ky ngriti supet, gati i pakënaqur nga një pandehmë e tillë. Kishte dëgjuar për të, por nuk shihte ndonjë arsye pse duhej të dinte më shumë se të tjerët.

Disa personazhe është mirë t’i njohësh, por është e këshillueshme të mos u afrohesh shumë. Z. Shytin mbaj mend ta kem takuar vetëm një herë. I zgjata dorën dhe pata një ndjesi që nuk e kam harruar ende : m’u duk se ai nuk më shtrëngoi dorën, por më mati pulsin. Pastaj një ndjesi e tillë, që desha ta cilësoj të parëndësishme, më shtyu të mendoj se kjo mund të ishte marka e personalitetit të tij : të masë pulsin dhe t’u hedhë një sy hemisferave cerebrale të atyre që i kalojnë pranë, m’u aty brenda atij lëngut cefalo rashidian ku i kanë të zhytura.

Nga ka ardhur ky personazh ? Ku është formuar? Sa pjesë në intelektin e tij ka formimi që ka marrë dhe sa kanë shtuar në të përvojat që ka patur?

Mbase kurrë nuk do të marrim përgjigje për këto pyetje, por duhet pranuar se me ato që thotë, ai është gjithnjë pothuajse simpatik edhe pse ndonjëherë të duket se modulet e tij të arsyetimit janë fabrikuar në ndonjë exoplanet, por mbase edhe diku në një fshat midis Korçës e Pogradecit. Kjo me kusht që t’u besojmë dëshmive të M. Kutelit, që flet për një dorë fshatarësh finokë që rrinin ulur në një kukumale në të dalë të fshatit të tyre dhe merrin nëpër gojë e kishin të thonin një fjalë për të gjithë ata që u kalonin pranë. Mbarë e prapë.

Është e vështirë të përcaktosh cila ka qenë jeta e tij nën diktaturë, por duket se i ka njohur mirë mekanizmat e saj. Mbase fsheh edhe ai shenjat e kryqit në kurriz, mbase edhe universi i tij është po aq i torturuar, por gjithsesi ruhet që të flasë për beteja titanike kundër diktaturës. Kjo nuk e pengon të mbetet gjithnjë fort alergjik ndaj nostalgjikëve të saj.

Refleksionet e tij lajnë shpirtin e akolitëve që nuk i ndahen, nga pluhuri i përditshëm. Edhe pse e shohim të flasë gjithnjë i ulur në ndonjë kafe të Tiranës, nganjëherë, po të mbash vesh mirë, tingëllimat e gotave aty rrotull, do të nisin të ngjajnë si trokëllimat e nallaneve nëpër kalldrëmin e agorës së Athinës…

Shyti nuk është komod. Por racionalizmi e kartezianizmi i tij nuk duket të jetë fort të ngurtë. Të paktën jo deri aty sa të besojë te ndikimi i yjeve në fatin e njerëzve. Kjo nuk e pengon të gjejë arsye të përtejme, irracionale e gati mistike qoftë për të përligjur atë tufën e luleve të nënë Terezës mbi varrin e diktatorit shqiptar, apo edhe për të shpjeguar përse nuk u bë violinist.

Mund të thuash qartë se është e pamundur që të biesh në një mendje më çdo arsyetim të tijin, por duhet pranuar se nuk bëhet i mërzitshëm, nuk ka mekanizëm monoton, nuk ta sjell majë hundës, si ata që ke qejf t’u thuash : shiko ti ke të drejtë, në gjithçka ke të drejtë, por tani ikë tutje e mos më çaj kryet me stërhollimet e tua. Më lërë mua të kënaqem racionalisht me iracionalizmin tim dhe pasojat e gabimeve të mia. Se edhe kur ke të drejtë duhet ta dish si ta thuash. Dhe ai në të vërtetë, di.

I qëllon të tregojë mirëkuptim ndaj dikujt, por shpesh është alergjik ndaj institucioneve. I sheh si normale f.v.j. « format e meskinitetit kombëtar » në ambasadat tona sepse, semiolog i lindur, ai nuk i gjen si të rastit ca shenja gjuhësore. Me këtë rast, nuk e sheh si të rastit që entitetet tona jashtë vendit i quajnë edhe përfaqësi. Si të tilla, çfarë tjetër do të bëjnë ato përveçse të përfaqësojnë materialin shqiptar?

Edhe profilin fizik e kam të vështirë t’ia rrok në tërësinë e tij, diku flitet për syzet e tij, por asnjherë nuk e pashë t’i marrë në dorë e ti pastrojë. Bëj t’i gjej ndonjë riktus, por ai gjithnjë nxjerr para meje idetë dhe jo personalitetin e tij intim. Por herë-herë diçka pikon. Shën Agostinin dhe Ambrozin të gjithë e nderojnë, madje edhe agnostikët si puna ime, thotë diku. Ah, agnostik! Trashëgimi e një kohe tjetër? Sheh i pakënaqur rrotull dhe nuk e zagjat më.

Veçse, kur kujton se personaliteti i tij nuk ka më të fshehta për ju, z. Shyti është më i rrezikshëm se kurrë. Ai zbret në hapësirën sociale shqiptare për të marë në analizë frustracionet tona, për të na kujtuar se sa të papërkryer jemi, se sa shumë i tolerojmë veset e njëri-tjetrit…

Deri në faqen e fundit lexuesi kërkon të pozicionohet në raport me « paravolitë » e tij. Është pothuaj e pamundur të gjejë një pikë të palëvizëshme. Nganjëherë ai nuk ngurron të jepet pas një analize pasionante si ajo e mungesës së letrës higjienike në kohen e regjimit të shkuar, por pak më tutje mos u habisni kur të marrë një pamje ëndërruese duke lundruar intelektualisht në një sferë superiore, larg shtrëngimeve të njohura e shpesh të detyruara të jetës sociale.

Më pëlqen që nuk është i përkryer, që shfaqet sa racional aq edhe subjektiv, që i pëlqen vetja, por nganjëherë më pataks fare siguria e argumenteve të tij. E megjithatë mbetet i besueshëm sa kam dëshirë ta marr e ta pyes veçmas nëse është momenti i duhur për të blerë ndonjë aksion në Nasdak.

Duket sikur argumenteve të tij nuk ka asnjë grua që t’u rezistojë, por nuk e di pse jam i prirur të mendoj edhe se atë vetë nuk ka asnjë grua që ta durojë… të paktën jo për shumë kohë. Kot e thashë këtë, se ai do të dijë të seleksionojë gruan që evolucioni e ka pajisur me aftësi duruese të pashembullta. Përsëri edhe këtë nuk e di pse e them, por me sa duket diku më tingëllon në kujtesë një nga ato haikut e tij të pashembullt.

Kyçet ia lidha

Me tel bakri të zhveshur

S’po gjej dot prizën

Shyti është i mendimit se ky vargëzim aq i veçantë është një rast kur gjuha përfiton nga dobësimi i super egos gjatë ndërveprimit seksual për t’i marrë vetë punët në dorë. (gjoja, më shkau goja). Megjithatë, kjo është për t’u konsumuar nga fansat dhe dëgjuesit tuaj z. Shyti, nga ata që ju respektojnë pa kushte dhe ju shohin në dritë të syrit. Të tjerët, janë të lirë të shohin të tjera gjëra. Ne të lagjes sonë, në asnjë rast nuk përfitojmë që ta mbështjellim si tejqyrëse këtë haiku-n tuaj për të hedhur vështrimin në një zonë turbullire libidonike të universit tuaj, z. Shyti, të marrëdhënieve tuaja me gratë. Ti vërtet diku thua se nuk ke asnjë problem me Frojdin, por ai vetë, Frojdi, nuk do të rrinte aq indiferent me këtë vargëzimin tuaj problematik, mbase aty do të shihte një akt të vogël të munguar! Ku ta dish, mos i ngri supet ashtu. Diku do të ketë ndonjë grua, që ecën e lirë si era bulevardeve të Tiranës, sepse ti në një çast të caktuar nuk po dije ku ishte priza e korrentit.

Diku na shpalos një analizë personale të tendencave seksuale të kohës sonë, a thua se liria seksuale është diçka që deklarohet, jo që shijohet! Ah, z. Shyti, çfarë ka ndodhur me ju? Mbase u gabuam pak më lart dhe ka patur arsye të tjera kur të pamë të viheshe si i ndërkryer në kërkim të prizës? Na ke hapur një mijë vjet punë me ato që nxjerr nga goja! Nganjëherë, më duket sikur je shndërruar në shitës vezësh të fekonduara, të cilat duhet t’i vësh shpjet e shpejt në një vend të ngrohtë, por kurrë nuk e merr dot me mend se ç’do të dalë prej tyre.

Nuk je aspak i butë e gudulisës me dallkaukët, aq më pak në rastet kur paraqiten si degustues të stërholluar të dijes e filozofisë, por nuk e di sa të jep të drejtë kjo që t’u ngresh kurthe e madje t’i ngulësh në hell e t’i rrotullosh ngadalë mbi prush, gjithnjë duke lënë përshtypjen se vetëm sa po i jep pak ngjyrë bronzi lëkurës së tyre. Je cinik, z. Shyti dhe cinizmin e shijon si një tavë dheu plot erza të mira, të cilën nuk ke qejf të mbarosh menjëherë, nuk do ta shohësh të zbrazët, vdes nga qejfi që në fund të saj të shohësh tek përpëliten gjithnjë indet e buta të dikujt ( të mjerit prof. Sandrit, sa për të përmendur një) , të cilin ti e ngacmon me pirun, e kthen, e rrotullon si për t’u treguar i afërt e mirëkuptues me të, por në të vërtetë gjithçka e bën për të kuptuar më mirë ku e ka përqendrimin më të madh të sinapseve nervore, ku do t’i ngulësh thellë pirunin herën e ardhëshme, me sytë të mbyllur nga kënaqësia.

Shpesh, para mekanizmit të vajisur fort mirë të arsyetimit tënd, ke nevojë të hiqesh ca veç dhe të marrësh frymë thellë.

Teknologjitë e reja i pëlqen, por jo aq fort, më duket. Dyshues, siç je në tërësinë tënde, nuk do të habitesha po qe se një ditë do të kërkosh të shpiket një parfum që mban erën e librave.

Je i vështirë të të ndjekësh gjithnjë, z. Shyti, veçanërisht kur ke ndonjë krizë paranoje sikundër kur shprehesh se jo vetëm shteti por ka edhe agjenci të huaja që janë interesuara të të përgjojnë, shoqëritë shumëkombëshe, mediet globale, shoqëritë sekrete… Por më vjen keq që kur nisa të shquaj zona të paqarta e të denja për t’u analizuar brenda teje, kisha arritur në faqen e fundit të “raportit” mbi ty.

Po në fund të fundit, cili jeni ju zoti Shyti ?

Gjithsesi, në pritje të na thuash diçka, kjo nuk na pengon aspak të themi : mirëserdhët midis nesh zoti Shyti. Por, mos harro. Ende nuk dimë asgjë për ju. Prandaj po të presim që të flasësh përsëri, me shpresë se do ta humbasësh nga pak kontrollin, dhe në krisat e vogla që do të hapen, do të mund të shquajmë më mirë mekanizmin e logjikës tënde maverike.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin