QYTETI SI FAQE KALENDARI

 

 

[Këto ditë kur projektet për ta rishkruar – edhe një herë – qendrën e Tiranës janë kthyer në vëmendjen e qytetarëve dhe të politikës, merr aktualitet të veçantë edhe ky film i Roland Sejkos (“Tracce”) për historikun e ndërtimeve italiane në kryeqytet, i konceptuar si kombinim sa funksional aq edhe elegant i një numri videosh dhe fotosh krejt ekskluzive nga Istituto Luce dhe AQSHF.

Autori pati mirësinë t’ua japë, lexuesve dhe vizitorëve të kësaj faqeje, mundësinë për ta parë filmin, që përndryshe është shfaqur vetëm një herë, në Teatrin Kombëtar, gjatë eventeve kushtuar Arkitekturës Italiane në Shqipëri, në 2014.

Do të shohim, pra, të tendosur midis statikes së fotografisë dhe dinamikes së imazhit video, shndërrimet e përsëritura të Tiranës, në përpjekje për t’iu përshtatur kohëve dhe rolit të saj të ripërkufizuar si kryeqytet më parë i një shteti të ri në Europë, e më pas i një province të re të një perandorie me ambicie megalomane; për t’i mbetur pastaj në dorë regjimit totalitar të Hoxhës.

Shkatërrime dhe ndërtime, që sjellin së bashku kohë të ndryshme, në kërkim të një thelbi jashtëkohor, të cilin t’ia bashkëlidhim vetë emrit Tiranë dhe kuptimit që i japim.

Përjetimi i këtij filmi, që kalon nga notat nostalgjike në atmosferën enigmatike të një qyteti që pritej të ishte dhe që pastaj (tani?) nuk është më, le të shërbejë edhe për të reflektuar, sado pak, edhe për la condition urbaine, në kushtet kur Tiranën e kanë kapluar ethet e politikës, të pushtetit dhe të pasurimit; qoftë edhe vetëm për të pyetur se ç’imazhe do t’i lërë së ardhmes e sotmja kaq e trazuar e qytetit. A.V.]

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin