MARRËVESHJET HIJE

Historia përmend shembuj kur ndërluftuesit janë kuptuar mes tyre më së miri, për të bërë kontrabandë cigaresh, alkooli ose ushqimesh. As fakti që palët nuk flasin të njëjtën gjuhë nuk do të pengojë; meqë, në raste të tilla, gjendet një emërues më i vogël i përbashkët për t’u adoptuar si gjuhë dhe për t’u shtënë në punë për komunikim. Jo rrallë, rolin e një mjeti të tillë për t’u marrë vesh e luan krimi, ose kultura e aktit të kundërligjshëm. Madje sa më pak dëshirë të kenë dy grupe kundërshtare për të komunikuar mes tyre në publik ose qoftë edhe thjesht në nivelin institucional, aq më të lehtë do ta ketë krimi për t’u ofruar si ndërmjetësi, sidomos kur është fjala për të ndarë llokma e fitime. Në fakt, krimi nuk është vetëm a thjesht akt, por edhe filozofi a qëndrim ndaj botës, që sjell me vete kodin e vet “moral” dhe arsyet e veta, që arsyeja e ligjit nuk i kupton. Në vija të trasha, ai është vështirë të dallohet nga rebelimi i arsyetuar ndaj një sistemi rregullash bashkëjetese të cilin e perceptojmë si të huaj dhe të imponuar nga jashtë; çfarë mund të krahasohemi me atë lloj kruarjeje të përgjithshme, të padurueshme, paroksistike që na kaplon kur veshim një kostum të keq dhe të pistë karnavali dhe jemi të detyruar të parakalojmë e të hedhim valle, me orë të tëra, në një festë që nuk e përjetojmë si tonën. Për të njëjtin shkak, atë çfarë ligji do ta etiketonte menjëherë si dhunim, tjetri përballë do të ishte gati ta interpretonte më shpejt si shkelje të etiketës, ose e shumta, si pakujdesi të atij që u kap. Ka edhe një elegancë, në këtë mes, të kujt vjedh, zhvat, grabit, rreh, fyen, mashtron, rrëmben, falsifikon, korrupton, korruptohet, bën shantazh dhe shkatërron jetë njerëzish, por pastaj i përdor të gjitha këto si shenja ose gjeste, për t’u marrë vesh me “kundërshtarin” përtej barrikadës, llogores ose qafëmalit. Dhe aq më i lehtë bëhet komunikimi kur krimi përsëritet aq sa të shndërrohet në ritual dhe t’i harrohet shtysa, por edhe dilema etike fillestare. Doemos, si nënshtrat dhe kontekst emocional i këtij mirëkuptimi do të shërbejë gjithnjë bashkëfajësia – kjo shkallë zero e solidaritetit.

laugh-bspline

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin