DISIDENTI QË NA MUNGON

Në fjalën e tij paraqitëse, gjatë prezantimit të librit përkujtimor “Për Ardian Klosin, Gjermanin nga Shqipëria”, historiani Oliver Jens Schmitt vlerësoi, ndër të tjera, rolin e Klosit si disident gjatë periudhës së tranzicionit shqiptar, duke iu referuar edhe polemikave dhe sulmeve mediatike që shoqëruan botimin e librit “Skënderbeu” në gjuhën shqipe.

Kësaj teme iu kthye edhe publicisti Veton Surroi, fitues i çmimit “Ardian Klosi” për vitin 2015 me veprën e tij “Ambasadori i Melkizedekut”; i cili vërejti se, në një shoqëri demokratike, disidenti është ai që distancohet nga mendimi i shumicës dhe i kundërvihet këtij mendimi.

Nëse jemi mësuar ta shoqërojmë këtë rol, të disidentit, me regjime dhe kultura totalitare, disa zhvillime të spikatura jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera të Lindjes europiane, e kanë sjellë dukurinë sërish në vëmendje, duke zbuluar njëkohësisht çfarë nuk shkon me shoqëritë post-komuniste dhe si kanë mbijetuar, brenda tyre, struktura dhe mekanizma të regjimit të mëparshëm.

Vetë fakti që mund të flitet, sot e kësaj dite, për disidentë në Shqipëri, por jo për shembull në vende europiane me institucione demokratike të konsoliduara, si Franca ose Gjermania ose Italia, tregon se Europa e Lindjes nuk mund të analizohet as të kuptohet me instrumentet e përpunuara për demokracitë perëndimore; dhe se ndoshta kjo nuk mund të likuidohet si çështje inercie kulturore ose mbijetese sistemesh censurimi përndryshe obsolete.

Etimologjikisht, disidenti është ai që nuk bie dakord; nga latinishtja dissidens, -entis, pjesore e tashme e foljes dissidere – të ulesh veçan, të mos biesh dakord, të mendosh ndryshe. Sot fjala përdoret zakonisht për të shënjuar dikë që “në mënyrë aktive sfidon një doktrinë, politikë ose institucion të stabilizuar.”

image-triangleSe çfarë do të ishte pikërisht disidenti, në një shoqëri si jona, këtë mund ta rrokim edhe thjesht duke u nisur nga çfarë bënte Klosi dhe mënyra si e bënte; ose, pikërisht, duke qenë i pranishëm me fjalën e tij në hapësirën publike.

Në fakt, disidenti realizohet si i tillë jo vetëm duke përpunuar një diskurs të vetin alternativ ose kritik, ndaj establishment-it; por edhe duke e orientuar kritikën e vet ndaj diskursit mbizotërues. Që këtej, mund të themi se disidenti është rol që përpunohet brenda një hapësire diskursive, ku ekziston një diskurs mbizotërues (dominant); çfarë është në vetvete në kundërshtim me parimin pluralist.

Temën e diskursit mbizotërues në e kemi trajtuar gjetiu, dhe pikërisht në kumtesën “Rreth diskursit mbizotërues në ligjërimin publik të shqipes”,  që kam mbajtur në Tiranë, në një konferencë me titull “Lehtësia e papërballueshme e fjalës” (shih edhe këtu, për një analizë më konkrete).

Pata mbrojtur atëherë tezën e diskursi mbizotërues, në komunikimin publik shqip të ditëve të sotme, është diskursi kombëtarist; e megjithatë, do të ishte e gabuar, besoj, sikur ta përkufizonim figurën dhe angazhimin intelektual të Klosit si “anti-kombëtarist”.

Përkundrazi, me veprimtaritë e tij në të mirë të kulturës dhe të letërsisë shqipe, por edhe në mbrojtje të mjedisit, Klosi i solli shërbime të mëdha jetës së brendshme, kohezionit dhe riprodhimit të kombit shqiptar bashkëkohor.

Ta gjykosh kundërvënien e Klosit ndaj diskursit mbizotërues të kohës si kundërvënie të tij ndaj kombit dhe çështjes kombëtare, do të thotë të vazhdosh të arsyetosh dhe të operosh sipas këtij diskursi mbizotërues, që priret ta tregojë me gisht si “armik të kombit” çdo kundërshtar të vetin.

Sepse një disident si Klosi iu kundërvu këtij diskursi mbizotërues jo sepse ky qëlloi të ishte ai kombëtarist nga natyra, por thjesht ngaqë ishte mbizotërues dhe intolerant, ose në kundërshtim me parimin pluralist; dhe sepse ky diskurs po përdorej, nga palë të caktuara të komunikimit publik dhe institucional, për të themeluar një hegjemoni të re në kulturë dhe në komunikim.

Dhe këtu roli i disidentit Klosi duhet rivlerësuar edhe nën dritën e asaj çfarë tha Surroi në takimin e mbrëmshëm; dhe pikërisht në raportin midis opinionit dhe gjakimit individual me atë të një shumice; meqë në kulturën anglo-saksone, ai që merr një pozicion në kundërshtim me shumicën, quhet rëndom edhe contrarian.

Figurën dhe rolin e contrarian-it e ka përkufizuar dhe analizuar bukur Christopher Hitchens, në Letters to a Young Contrarian (disa pasazhe mund të lexohen këtu); që në krye, ky autor kujdeset të bëjë dallim mes contrarian dhe asaj çfarë ai e quan “titulli fisnik i disidentit”, që konoton sakrificë dhe marrje të rrezikut në sy; dhe që kërkon veçanërisht guxim. Shumë prej nesh e kalojmë një fazë si contrarians në moshë të re, të cilën e tejkalojmë pastaj, njëlloj si aknen, ose e vazhdojmë për tej edhe pse vetëm si snobizëm krejt të padëmshëm; por disa e kapërcejnë dëshirën meskine për të qenë contrarians thjesht për të rënë në sy dhe kultivojnë në diskursin e tyre disentin, duke i thënë publikut, siç e vërente Orwell-i, “atë çfarë ata [njerëzit] nuk kanë dëshirë ta dëgjojnë.”

Klosi ishte një prej këtyre; çfarë e provon edhe çmimi i shtrenjtë që pagoi për qëndrimet e veta kundërshtuese të diskursit mbizotërues, ose të konsensusit, shpesh hipokrit, për “çështjet e mëdha.”

Nga ana tjetër, për shkak të largimit të parakohshëm nga skena, ai arriti të shmangë edhe fatin e kujt shndërrohet, ose e shndërrojnë, në disident profesionist; ose në dikë të cilin shqytarët e diskursit publik mbizotërues tashmë janë detyruar ta pranojnë si interlokutor, qoftë edhe për hir të spektaklit mediatik; dhe që me rolin e vet dhe ndërhyrjet e veta zakonisht e aftëson këtë mbizotërim, duke e lejuar më parë dhe pastaj edhe nxitur këtë kundërshtar, për hir të “tolerancës”, në mos mirëkuptimit.

Ky është pikërisht ai rol, më i vjetër se ç’kujtojmë, i lolos që mund të thotë ç’të dojë në oborrin mbretëror, për të shenjuar kështu kinse tolerancën; por edhe për t’u treguar të tjerëve se çfarë u ndalohet. Për një rol të tillë paradoksal Klosi më pat thënë dikur në fund të viteve 1970, duke iu referuar një figure të njohur të elitës, se “ishte një përjashtim që vërtetonte rregullin.” Pushtetet në thelb intolerante, por që shtrëngohen të ruajnë një konfigurim të caktuar të fytyrës publike, kanë nevojë për role të tilla – qofshin këta lolo, papagaj ose qen që lehin; kundërshtimi prej tyre është sanitizuar deri në atë masë sa të mos rrezikojë më asgjë; dhe kjo është arritur nëpërmjet infektimit të disidentit të djeshëm, tashmë të profesionalizuar, me parashikueshmëri.

Për shkak të një zgjedhjeje personale të cilën nuk do ta sqarojmë dot kurrë, Klosi – ky contrarian i temperuar hap pas hapi në disident – arriti t’i ruhet edhe këtij rreziku të dytë, ose neutralizimit të rolit; pa çka se me një çmim të pallogaritshëm, ose duke dalë fizikisht nga skena. Por pavarësisht nga çfarë e shtyu të vrasë veten, ose nuk e la të gjente një zgjidhje tjetër, për trazimet që e mundonin, nuk mund veçse të interpretohet tani si akti i tij i fundit, prej disidenti që i rebelohet deri edhe përpjekjeve të establishment-it për ta normalizuar si të tillë.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: