NJERIU QË NUMËRON

moneyorigami03Ka një takëm njerëzish, në shoqërinë e të cilëve të kap mërzia pa kaluar as pesë minutat e para: të fiksuarit pas parasë, plaçkës, pronës, pasurimit dhe pasurive.

Dhe nuk flas këtu për hajdutë, as për bixhozçinj dhe aq më pak për llogaritarë e administratorë të apasionuar; po për njerëz të ndershëm brenda llojit të tyre, që e gjëmojnë nga pas kamjen njëlloj siç gjëmojnë të tjerët artin, dijen, frymëzimin mistik a përsosmërinë fizike.

Edhe kur nuk të kërkojnë me çdo kusht që t’i admirosh për llogaritë bankare, pallatet ose hektarët që zotërojnë, këta e marrin për të mirëqenë epërsinë ndaj teje, madje edhe morale, ngaqë kanë fituar dhe po fitojnë – në të dyja kuptimet e fjalës.

Edhe morale!

Për shkak të mahnitjes së tyre të njëmendtë me shifrat, përqindjet dhe diferencat, do t’i quaja “njerëzit që numërojnë”, të species homo adnumerans (që nuk duhen ngatërruar me aritmomanët).

Janë të zgjuar por jo të mençur; siç e thotë edhe G.K. Chesterton-i te A Miscellany of Men, “të jesh aq i zgjuar sa të fitosh gjithë ato pará, duhet të jesh aq i mërzitshëm (dull) sa t’i dëshirosh.”

Këta e pranojnë që diçka mund të ketë vlerë, por literalisht nuk e ndajnë dot këtë vlerë nga tregu. Dhe kjo lloj patologjie konceptuale u shtrihet edhe në sfera të tjera, që nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt me paranë.

Kur u thua që të është botuar një libër i ri, këta të pyesin: “sa faqe ka?” A thua se numri i faqeve mund të ketë ndonjë farë lidhjeje magjike me vlerën e librit, si diçka të ndryshme nga çmimi.

Kushedi të bindur tashmë se vlera e një vepre nuk ka lidhje me çmimin.

Është e vërtetë, nga ana tjetër, se shkrimtarët që paguheshin me rreshta të faqes, si Dumas-i i Kontit të Montekristos dhe i Tre musketjerëve, i kanë pasur librat bajagí të trashë.

Ndoshta nga ajo kohë e ka prejardhjen edhe thënia: “më thuaj sa të rëndojnë romanet, të të them sa të rëndon portofoli.”

Kokëçarja këtu, nëse flasim dot për kokëçarje, është se ata që të pyesin se “sa faqe ka” libri yt i ri, kanë edhe aq pará sa të ta blejnë; për ta lexuar ose ngaqë u pëlqen kopertina, ose edhe me metra, si një zonjë e pasur në një tregim të Gianni Rodari-t, që i blinte librat që t’i shkonin me raftin e bibliotekës së re në sallon.

Me ç’rast librat e tu do të shërbenin për të ilustruar pasurinë e tjetrit; dhe mërzitshmëria do të triumfonte ndaj sqimës.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin