MENDIMI I PUBLIKUT

Mes disa debateve që shoqëruan shkrimin tim të djeshëm për projektin e ri të sheshit Skënderbej, më tërhoqi vëmendjen veçanërisht një ndërhyrje e arkitektit Gjergj Miraçi, i cili vërente se unë e kisha keqkuptuar “koncertimin me publikun”, dhe se nuk ka vlerë të pyesësh publikun nëse i pëlqen një zgjidhje e propozuar. “Nuk ka kompetencë qytetari i thjeshtë në zgjidhjet teknike” shkruante ai; por “ka vlerë vetëm biseda në përcaktimin e programacionit të projektit, të nevojave të njerëzve, shumë përpara se të vihet lapsi në letër e të projektohet.”

E kam të qartë se vizioni im si qytetar nuk mund të jetë i njëjtë me vizionin e arkitektit, edhe pse arkitekti është një ekspert i cili në këtë rast paguhet, me taksat e mia si qytetar (po flas në përgjithësi) për të zhvilluar një projekt vepre publike, të cilën do ta përdor dhe do ta gëzoj unë – si personi që kam paguar për të. Dhe natyrisht arkitekti nuk mund të më pyesë mua se si ta ndërtojë pikërisht shatërvanin, që ai të punojë me ujë shiu ose si t’i ngulë në dhe gurët e sjellë nga të katër anët e Shqipërisë etnike. Këto hollësi publiku ia lë (duhet t’ia lërë) këtij në dorë për t’i vendosur.

Megjithatë, unë shoh një kapërcim pak fluturues në argumentin më lart; nëse arkitektit i besohen zgjidhjet teknike, kjo nuk i jep atij ndonjë pushtet, as autoritet, për çfarë do të ndërtohet në shesh. Kështu, publikut mund të mos i pëlqejnë shatërvanët me ujë që del nga sipërfaqja e sheshit; dhe nëse në shesh do të ketë apo jo shatërvanë, këtë nuk e vendos dot vetëm arkitekti; edhe pse ky i fundit pastaj do të japë zgjidhjen teknike të idesë dhe mund të marrë pjesë, së bashku me inxhinierin, në projektimin e tubacioneve ose në konfigurimin e vrimave nga ku do të dalë uji; ose mund të argumentojë, bie fjala, pse është teknikisht e pamundshme të ngrihen në shesh shatërvane ose të mbillen shkurre të ulëta.

Dallimi më duket me rëndësi. Duke qenë kompetentë në fushat e tyre, ekspertët dhe specialistët harrojnë ndonjëherë se kjo kompetencë e tyrja është specifike, jo e përgjithshme; dhe se kompetenca teknike e arkitektit nuk përkthehet vetvetiu në intuitën dhe sensin social të antropologut ose të urbanistit. Qytetari i Tiranës ka të drejtë të shprehë mendimin e vet për projektin, tani që ky iu paraqit publikut; sepse nëse kjo e drejtë i refuzohet, atëherë për ç’dreq arsyeje u bë tani publik projekti?

Tek e fundit, edhe të jesh thjesht qytetar të jep vetvetiu një farë ekspertize – dhe pikërisht, atë që ta jetosh dhe ta shijosh qytetin; ekspertizë që përkthehet jo në shifra dhe projekte, por në reagime shpesh epidermike, të llojit “më pëlqen” ose “nuk më pëlqen.” Në rastin konkret, autorët e projektit them se duhet të kishin vrarë më shumë mendjen për ata që do ta përdorin sheshin, sesa për sheshin vetë; dhe të kishin studiuar se çfarë i bën pikërisht tërheqëse ato vende ku mblidhen njerëz sot në Tiranë.

Bashkia

Bashkia që i mungon qendrës së Tiranës.

3 Komente

  1. Do të shkruaj këtu një thirrje që me siguri nuk do ta lexojë i interesuari, por po e shkruaj sidoqoftë. I bëj thirrje Erion Veliajt të tregohet i pari politikan shqiptar që nuk është në themel një autokrat i korruptuar, duke u tërhequr nga ato projekte publike që ka ndërmarrë me vrull të madh në Tiranë dhe që po kundërshtohen publikisht dhe masivisht. Mendoje një herë o Erion: çfarë do të ndodhte sikur ti, dhe vetëm ti, të ishe i pari politikan që i thotë këtij populli “unë ju dëgjoj”, me vepra e jo me fjalë. “Unë, megjithëse jam i bindur që kam të drejtë e që projektet në fjalë janë shumë të mira, në emër të demokracisë, tolerancës dhe transparencës, do t’i pezulloj këto projekte dhe do te investoj kohën dhe mundin tim t’ia mbush mendjen popullit që këto janë projekte të mira. E në pamundësi të kësaj do të gjej një kompromis me ju. E në fund, një referendum për të qënë të sigurt që kemi vërtet shumicën nga ana jonë.” Cfarë ëndrre do ishte për ne!
    Cfarë do të fitoje ti nga kjo, Erion? Vota, përkrahje popullore, pavarësi politike, dinjitet, respekt. … Hahen këto?

    1. Ne fakt nje nga arsyet kryesore, mendoj une, se perse Erioni (po edhe Edi) insistojne deri ne arrogance per te vazhduar me projektin e Liqenit, eshte pikerisht e kunderta e kesaj qe parashtron ti Dydog. Sepse ne fakt, per hir te se vertetes, Erioni nuk do ishte i pari qe do i thoshte ketij populli “une ju degjoj”. E beri kete Edi Rama per ceshtjen e armeve kimike, dhe gjithe keto vota, perkrahje popullore, pavaresi politike etj etj, nuk me duket se ju kthyen si benefit. Shqiperia ka kaq shume ceshtje te perditshme (tmerresisht shume), sa kujtesa kolektive eshte e dobet. Dikush madje e akuzoi qeverine e atehershme per mosguxim per te marre nje vendim jopopullor. Ndoshta sot po ja shohim frytet, per fat te keq.

  2. Une nuk e kuptoj pse duhet te pyetet populli per probleme te tilla qe kerkojne nivel te larte kulture ( edhe jetese , problemet e perditeshme ) e ku gjendet ky popull ne boten tone qe mund te nderhyje me nivel per ceshtje te tilla ?!!
    Perkundrazi do doja qe ata specialist e intelektual te afte qe kane per te folur te mos e permendin popullin, publikun, shoqerine, sepse jane bijte e popullit me te afte ne fushen ne fjale, me te specializuar, ata qe duhet te vendosin per keto zgjidhje.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin