PËRSE LETËRSI?

Ndodh që pyetjet e të mëdhenjve e të vegjëlve të përkojnë. Domethënë pyetjet e atyre që mendojnë se falë viteve duhet t’i kishin ca përgjigje dhe atyre që nuk janë të vetëdijshëm se sapo kanë hedhur një goxha pyetje mbi tryezë. Të pyesësh, për shembull, pse duhet lexuar letërsi? Pse letërsi dhe jo filozofi, publicistikë, tekste të gjata a të shkurtra, revista shkencore, cicërimat e miqve në Twitter, apo etiketa e shishes së qumështit? Shkak për çka vijon u bë një shkëmbim i volitshëm: një katërmbëdhjetëvjeçar, të abonuar në disa revista shkencore për të rinj, shkolla e rekomandon t’i lexojë këto, por pa neglizhuar letërsinë artistike. Katërmbëdhjetëvjeçari pyet i habitur: A nuk mjafton të lexosh? Përse duhet të lexoj fiksion, poezi, memuare?

Pyetje si këto ngrenë vorbullën e teorisë letrare, sepse kush pyet “pse letërsi” dhe jo filozofi, a publicistikë, pyet në fakt se cilët kufij ndajnë tekstin mirëfilli letrar nga të tjerët. Në shqip përdoret termi letërsi artistike, zakonisht për të dalluar një lloj letërsie të sendërgjuar, fiction, ose një letërsi që kërkon të kuptohet si e sofistikuar, e pasuruar me figura, teknika të kredhura në tradita historikisht të kategorizuara letrare, ose belles lettres. Pra, artistike kumton ornamentin, një farë shtojce (surplus) në formë dhe përmbajtje. Por termi artistik është çorientues, sepse ndodh që figurat, teknikat, traditat nuk janë monopol i një lëmi të vetëm. Kur Jean Paul Sartre shkruan Ç’është letërsia? (Qu’est-ce que c’est la literature? ) në agun e një bote që sapo kishte mbijetuar dy luftëra botërore, ai propagandon prozën e angazhuar pa ormisje stilistike, pa gjeste që vihen në shërbim të gjuhës, siç bën poezia, prozën që e përdor gjuhën për të zbuluar të vërtetën, realen sociale, cullake e të korruptueshme në thelb, sepse kjo prozë, me gjuhë, mision e mesazh transparent, mund të parandalojë monstruozitete si shfarosja etnike, raciale, ideologjike.

Por edhe në një ese të gjatë si Ç’është letërsia?, ku letërsia premtohet si profilaksi, vetë Sartre-in e josh hiri i stilit. Për shembull, kur mediton për një Florence, njëkohësisht, qytet, lule, grua, aktore Hollywood-iane, e cila i kthehet në mëndje si shëmbëlltyrë e dashur që prej ditëve të fëmijërisë, kjo grua e martuar, e lodhur, e qashtër dhe e gjatë si “një dorashkë e gjatë balloje”. Një evokim dhe eseja e Sartre-it braktis asketizmin, lirizmi ndriçon kujtimin, imagjinata flatron te femra elegante si një dorashkë e gjatë, e hollë, kadife, mbi krah a në sirtar. Domosdoshmërisë së angazhimit i priten gjunjët, mes mureve që ndajnë poezinë e prozën, hapen pore ku venë e vijnë metafora, metonimi, aliteracione. Stili as nuk vë, as pranon ledh.

Që stili nuk është thjesht antonim i angazhimit, por përkundrazi angazhimi mund të shndërrohet në ushtrim shterpë si dikur gjimnastika mëngjesore në shkollat socialiste, Sartre-i e thekson kur i kundërvë angazhimit programatik të piktorëve Sovjetikë, stilin e të paangazhuarit Flaubert, i cili e ndjek “si një pishman”. Por sado që me shembullin e Flaubert-it, Sartre-i pohon se produkti letrar shpalos aftësi angazhuese të pavarura nga angazhimi i autorit, përsëri dëshira për një letërsi që shkruhet e lexohet për të përmirësuar botën, për ta ruajtur nga indiferenca që legjitimon të keqen, mbizotëron vizionin.

urizen.G.P5.detail

William Blake, Book of Urizen (1794) http://www.blakearchive.org/blake/public/update.html

Kur pyesim përse duhet të lexojmë letërsi, vështirësitë prekin vetë përkufizimin: ç’është letërsia? A dallon letërsia nga të tjera produkte gjuhësore për nga qëllimi? Apo për nga efekti që ka tek lexuesit? E këtu jemi sërish në ujërat e teorisë letrare. Efekti i tekstit letrar mëton të zbërthejë pikëmbërritjen e tekstit, lexuesin, dhe jo autorin, pikënisjen. Kështu, autorësia i pasohet lexuesve, autorëve de facto. Në mendjen, përjetimin dhe përvojën e këtyre pulson e shumëfishohet teksti. Po të pyesim rreth qëllimit, “ç’synon letërsia?”, jemi duke ngritur pyetjen e rolit të autorit: a duhet ta nisë autori procesin e krijimit me një synim udhërrëfyes, dhe më rëndësishëm akoma, a duhet dhe mund të garantojë ai që ky synim të depërtojë shtresat e labirintet e gjuhës, të dalë në sipërfaqe e t’i shfaqet dukshëm e pa deformim lexuesve? Kur e pyesim shkrimtarin apo kritikun nëse letërsia duhet të jetë e angazhuar, në thelb, pyesim ç’arsye ekzistence ka letërsia, ç’e justifikon qenien e saj?

Në përgjigjet e gjithfarshme, që prej lashtësisë e deri më sot, ideja se letërsia i shërben njeriut dominon: për të lashtët, ose klasikët, falë aftësisë imituese, letërsia i ofron komunitetit të lexuesve e dëgjuesve pasqyra të gjendjes njerëzore me funksion instruktues. Domethënë falë imitimit, letërsia u zbulon lexuesve botën në marrëdhënie me vetveten, atë që kanë pasur gjithë kohës para syve, por nuk kanë ditur ta kuptojnë e ta emërtojnë të tyren. Prej këtij zbulimi, njohjes së vetes në një trajtë të jashtme, buron kënaqësia, shpesh e ngjashme me atë të një rrugëtimi të spikatur me zbulime e emocione të papritura, ku toka e udhëtuar është vetja në shkëmbim me çka e rrethon. Kështu mund t’i përgjigjesh tradita retorike adoleshentit që pyet “përse letërsi?” Letërsi, sepse përveç njerëzve me të cilët ndajmë jetën, letërsia është syri që na sheh nga jashtë-brenda. Studimet që ofrojnë të masin e vërtetojnë vlerën e letërsisë, që nga eksperimentet rreth aftësive kognitive deri te përgjigjshmëria afektive që zhvillojnë komunitete moralisht të angazhuara, nuk mungojnë, pa çka se kjo nevojë për t’ia shkoqitur vlerën i faturohet utilitarizmit (shih një vëllim të ri esesh Values of Literature). Deri diku, sepse kërkimi i vlerës nuk është tendencë e re.

Për romantikët, të cilët e mprehën mendimin në qostrën e klasikëve, letërsia ishte më shumë. Më entuziastët e romantizmit evropian shkojnë deri aty, prej ku ende shumë perceptime të artit e të letërsisë nuk janë kthyer: letërsia, dhe mbi të gjitha poeti si mishërim i krijuesit në çfarëdo trajte e disipline, janë profetët e legjislatorët e pakremtuar të botës. Tani e angazhuar deri në sublimitet, letërsia nuk mëkohet me imitim: ajo nuk e pasqyron, por e krijon botën. Për ta thënë me figurat e M. H. Abrams, pasqyrës së klasikëve, romantikët i vënë para llambën e imagjinatës së poetit, e cila, duke e ndriçuar botën, edhe e sjell në jetë. Me “Fjalët e qiririt” të Naim Frashërit, letërsia shqipe ka pasur një version të sajin të këtij fiat lux-i, sivëlla i aktit krijues të zanafillës. Por ky krijues vdekëtar jeton nën ligjin e fundësisë, ndaj një misioni kaq sublim poeti mund t’i avitet vetëm me një ndjenjë akute pamjaftueshmërie. Nga kjo mospërputhje lind ironia romantike: poeti i kapur peng mes vizionit të ndriçuar e veprës që mund të përçojë veç fragmente drite, mes rezonancës universale e insuficiencës personale. Gjuha e varfër, fjalët e ngurta janë muret që romantikët mësyjnë e rrëzojnë, herë përmes ripunimit të miteve, herë përmes rafinimit stilistik, herë përmes përmbysjes së pritshmërive, para se të hasin mure të reja.

Ironia mund të jetë trashëgimia më jetëgjatë dhe e frytshme për artin (post)modern, sikundër arsye përse romantikët janë quajtur modernistët e parë. Edhe slogani i një modernisti si Ezra Pound “të bëhet e re” (make it new), bulëzon prej domosdoshmërisë për të krijuar pa reshtur, për të shtyrë kufijtë e bëshmërisë, për të mbajtur flakën e imagjinatës gjallë, për të mos lejuar fosilizimin e mendimit si imitim a reflektim i një realiteti që askurrë nuk duhet të perceptohet si i bërë e i kryer, por përkundrazi gjithnjë në bërje e sipër. Rryma të artit për hir të artit (l’art pour l’art, art for art’s sake), sado të distancuara, të zbrazëta në simbolizëm, sfiduese ndaj kuptimit dhe zellit hermeneutik, janë degëzime të këtij angazhimi kundra instrumentalizimit që orvatet ta rekrutojë letërsinë si mjet stabilizimi e mistifikimi, që i dikton letërsisë: kjo është bota, e kështu duhet të jetë, ky është vendi yt në të. Dëgjo dhe bindu.

Ironia e do që nga të gjitha postulatet e avant-gardës, “të bëhet e re” është më i rekrutuari e i konsumuari prej vetë motorit të konsumit: publicitetit. Të rrallë janë produktet, duke filluar nga shampot, tamponët, teknologjitë, pikat turistike, të cilët nuk e justifikojnë qarkullimin në treg me risinë që i ofrojnë konsumatorit. Teknikat shokuese, dikur efektive në duart e modernistëve për ta shkundur konsumatorin nga sugjestionimi i mallit (commodity), janë asimiluar më së miri prej makinës publicitare që ushqen makutërinë për mall dhe ka ditur të rekrutojë për këtë qëllim ide e krijues. Në këtë garë sensacionesh, poema, romani, filmi i ri, rrezikon gjithnjë të kthehet në grurë për mullinjtë që i shërbejnë dëshirës së vjetër për ta përlarë risinë, ende pa e përtypur.

Në këto kushte, risia nuk e shkund shoqërinë, sepse i jep pikërisht atë të cilën ajo është ushtruar të presë. Teknikat e shokut ia mpakin shqisat lexuesit-konsumator derisa ironia degradon nga shtysë për rivlerësimin e egos në zbavitje egotiste; e lëbyrin përballë atij tëhuajzimi (estrangement) që nuk gjen gjuhë të shprehet në kutinë e prestidigjitatorëve të reklamave e pllakateve; nuk gjen indinjatë as brenda as jashtë vetes t’ia hulumtojë rrënjët fenomeneve e të thotë me Brecht-in: “E ç’është grabitja e një banke në krahasim me themelimin e një banke?”

Të flasësh për teknika do të thotë të flasësh për stil, koncepti, që për Sartre-in, eklipson angazhimin, urgjencën e kthjelltësinë e letërsisë. Por siç theksoi Roland Barthes, përtej admirimit për filozofin dhe shkrimtarin, formula e Sartre-it, me kufizimet që i vë letërsisë nuk garanton efikasitetin e angazhimit, përkundrazi flirton me paragjykimet që ajo vetë synon të luftojë, sepse as jo-konformizmi nuk i shpëton dot stereotipizimit. Shumë është shkruar edhe mbi bazën totalitariste të kësaj formule. Pa dyshim Sartre-i është nga ata mendimtarë që T. S. Eliot i quan të rrezikshëm për t’u kundërshtuar (kështu shkruan Eliot për Samuel Johnson: “a dangerous person to disagree with”).

Ndoshta për këtë arsye kritika më bindëse që i është bërë letërsisë së angazhuar mund të jetë ajo më modestja. Duke iu përgjigjur Sartre-it, Theodor Adorno, pa çka se i ndjeshëm ndaj përgjegjshmërisë që Sartre-i kërkon prej letërsisë e pa kërkuar hiç më pak prej saj, dyshon se letërsia duhet ta shfaqë kritikën sociale dukshëm, duke filluar që nga temat që zgjedh, se duhet të merret, siç thotë Sartre-i, me çifutët dhe jo fluturat, realitetin social dhe jo luhatjet fluturake të vetëdijes. Madje letërsia e angazhuar, mund t’i bëjë ballë homogjenizimit dhe ngurtësimit, nëse nuk synon kthjelltësi, por krijon falë stilit, temës e çdo mjeti tjetër në dispozicion një kompleksitet që, duke zhgënjyer pritshmëritë, shpesh simptoma të diskursit zyrtar e të paragjykimeve dominuese, lëshon te lexuesi farën e pasigurisë e të shqetësimit.

Nëse për Sartre-in, teorikisht, letërsia duhet të denoncojë padrejtësinë sociale, absurditetin e pushtetit qartë e pa ekuivok, për Adorno-n letërsia duhet të ofrojë një taban të lëvizshëm, një tekst të plasaritur, prej ku të nis jetën filizi i një ideje të cilën bota nuk është e predispozuar ta mirëpres. Në bërthamë të këtij ndryshimi, mendoj, flenë dy trajtime të lexuesit dhe dy përgjigje përse duhet lexuar letërsi: në teorinë (jo veprën) e Sartre-it, lexuesit nuk mund t’i besohet puna e leximit (l’explication du texte), ndaj tema dhe mesazhi duhet të ndërveprojnë si një instancë e jashtme që e emancipon lexuesin. Sa më i mirë ky ndërveprim, aq më efikas angazhimi, aq më e qëndrueshme vlera e letërsisë. Përkundrazi, Adorno duket sikur thotë se angazhimi është më efikas, afatgjatë e me shtrirje të gjerë, kur lexuesit i lihet puna e leximit, në mënyrë që falë kësaj ai/ajo të vetë-emancipohet pa bodecin e autorit, e në rastin fatlum, por jo të garantuar, të mbërrijë në atë zhvendosje të vetëdijes që e bën të kuptojë se të refuzosh të shkruash mbi fluturat mund të ketë pasoja negative për çifutët.

 


 Referenca

Abrams, M. H. The Mirror and the Lamp: Romantic Theory and the Critical Tradition. Oxford: OUP, 1953.

Adorno, Theodor. “Engagement”. Noten zur Literatur. Hrsg. von Rolf Tiedemannn. Frankfurt am Main: Suhrkamp, 1981.

Barthes, Roland. Le Degré zéro de l’écriture. Paris: Seuil, 1953.

Meretoja, Hannah et al. Values of Literature. New York and Amsterdam: Brill Rodopi, 2015.

Sartre, Jean-Paul. Qu-est ce que c’est la literature? Paris: Gallimard, 1964.

Rreth Autorit

E. K. Steiner mban një Master në gjuhë-letërsi frënge dhe një PhD në anglistikë nga Universiteti i Zyrihut; është asistent profesore në Universitetin e Lozanës dhe autore e disa librave e artikujve akademikë si edhe e romanit Tokëmjalta.

Author Archive Page

1 Koment

  1. Per termin “letersi artistike” autorja thote:

    “… artistike kumton ornamentin, një farë shtojce (surplus) në formë dhe përmbajtje. Por termi artistik është çorientues, sepse ndodh që figurat, teknikat, traditat nuk janë monopol i një lëmi të vetëm.”

    Kam pershtypjen se eshte pikerisht e kunderta. Letersia artistike quhet keshtu sepse eshte nje forme arti. “Ornamenti”, d.m.th. estetika, eshte thelbi i letersise, Te tjerat, idete, utiliteti, funksionet ideologjike, morale, didaktike etj. jane shtojca.

    Nese do te me duhej t’i jepja nje pergjigje te shkurter çeshtjeve qe trajton autorja, une do te mjaftohesha me citimin e fjalise se fundit nga parathenia e “Portretit te Dorian Gray-t” te Oscar Wilde-it:

    “We can forgive a man for making a useful thing as long as he does not admire it. The only excuse for making a useless thing is that one admires it intensely. ALL ART IS QUITE USELESS.”

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin