GISHTI I LUNA-S

Të enjten e kaluar, poetesha spanjolle Luna Miguel u njoftua për mbylljen përfundimtare të llogarisë së saj në FB. Ajo sapo kishte vënë në linjë pjesë të librit të saj El dedo (Gishti), ku trajton çështje të masturbimit femëror.

Atë ç’ka ndodhi më tej, praktikisht asgjë tjetër veç shpjegimeve pse iu mbyll llogaria, Luna e shpjegoi në një sit poetik.

Kisha dijeni për veprën e saj nga ActuaLitté, një revistë e kritikës letrare në linjë, ku gjen informacione për këto që ulet e shkruan nëpër botë.

Tamam në faqet e saj, vitin e shkuar, kisha ndeshur në një shkrim ku Luna Miguel, 24 vjeç, cilësohej si një nga « figurat më të mëdha të rinisë poetike botërore ». Dhe vërtet më duket se është një zë i kthjellët e transgresiv dhe me manovrushmëri të admirueshme gjuhësore. Revista vetë pyet nëse edhe Franca do të ketë ndonjë ditë zëra modernë të atij kalibri.

Luna Miguel është botuar në dhjetë gjuhë dhe artikuj për të janë shkruar në Angli, Amerikë, Itali, Danimarkë, Rumani etj. Ajo është gazetare dhe kontribuuese e rëndësishme në Playground, një mastodont i vërtetë ku trajtohen çështje të kulturës së sotme spanjolle.

Në origjinë të fortunës mediatike që shpërtheu është ese-ja paraqitëse e librit të saj më të ri, e Gishtit,pra.

Për të patur një ide më të përafërt, gjë e nevojshme në këtë rast, se aty filloi diçka, shënoj se paraqitja fillon me vargjet e poemës The Ballad of the Lonely Masturbator të Anne Sexton.

Jënë këto vargje : «De noche, sola, desposo la cama./ Dedo a dedo, ahora es mía (që përkthyer lirshëm jepin : Naten e vetmuar martohem me shtratin/ Gisht me gisht, tani ai është i imi.

(Janë pikërisht vargu i gjashtë i strofës së parë dhe vargu i parë i strofës së dytë të A. Sexton):

Luna vazhdon e flet për Betty Dodson-in që organizon formacione për gratë më shumë se pesëdhjëtë vjeç e që, sipas saj, kurrë nuk e kanë parë vagjinën e tyre në një pasqyrë. Më tej shpreh habinë që mijëra gra shtatëzana kërkojnë të mësojnë në shfletuesin e Google-it nëse stimulimi i klitorisit mund të jetë i rrezikshëm për fetusin. Thotë diçka për veten e vet, që në moshën tetë vjeçare pa një vizatim pornografik që do të ndryshojë përgjithnjë jetën e saj dhe që vite më vonë do ta shtyje të shkruajë një histori personale për vetëkënaqësinë (fizike) femërore.

El dedo, thotë ajo, përbën një histori intime të asaj që për shumë kohë ka përbërë një tabu të vërtetë kulturore : masturbimi femëror.

Por, thuhet aty, nuk është fjala vetëm për diçka seksuale ; masturbimi është edhe një meditim për dashurinë në vetmi, një konstelacion ndjesish, një hapësirë tëndja ku gjen strehim.

Dhe e gjitha kjo shoqërohet nga kopertina e librit, që është pikërisht kjo që shihni këtu. El dedo

Kuptohet, edhe me kaq, fjala është për një rrëfim mjaft intim, që mbështetet në tabu të fuqishme kulturore dhe shfaqja e tij në një shesh publik edhe pse virtual, nuk është një akt naiv, as i paanshëm e as shumë i pafajshëm.

E megjithatë, mendoj se ajo e paraqit gjithçka me mjaft seriozitet, beson në atë që bën, vepron çiltërsisht dhe jo në mënyrë provokuese, edhe pse thelbi i asaj që kërkon të paraqesë, ka natyrë të thellë provokuese për shumë vetë.

Luna Miguel, duke komunikuar më pas me gazetarë të ndryshëm nëpër botë, thotë se me siguri do ta ketë denoncuar ndonjë nga kontaktet e saj të shumta. FB, thotë ajo, më ka dërguar një email ku e njofton se është fjala për një mbyllje përfundimtare dhe kjo për “arsye sigurie”.

Ndihem e lemerisur, shkruan më tej, që letërsia dhe kultura në tërësi nuk mund t’i trajtojë këto subjekte pa u përballur me censurën. Në FB ka faqe që nxisin urrejtjen ndaj racave të tjera, që nxisin keqtrajtimin e kafshëve, seksizmin, dhunën, anoreksinë. Si është e mundur që një gisht të bëjë kaq shumë keq, pyet në fund ajo.

Menjëherë më pas, shumë site e gazeta në linjë, por edhe në versionin letër, për ato që e kanë, folën gjatë për “censurën amerikanë të Mark Zuckerberg-ut”.

Mua kjo nuk mund të mos më kujtonte debatin mediatik në Shqipëri rreth nje poeme të poetes R. Petro, ku, siç kuptova, ajo sublimonte aktin seksual (diçka më mirë besoj, se sa bota të na njohë veç me horrorin social të atyre virgjëreshave të betuara, që në google kanë po aq hite sa Kadareja). Shqiptarët në vështrimin tim, janë natyrë e hapur dhe kam përshtypjen se poetja në fjalë qe e detyruar të paguante sepse libri i saj u bë objekt i një çmimi qeveritar.

Këtu shqiptarët janë më pak tolerantë.

Por ndërsa u ktheva sot për herë të fundit, te siti i Luna-s, për të kuptuar më mirë nëse mund të bëja vërtet një paralele midis rastit të saj dhe atij të poetes shqiptare, ndesha një post të fundit të saj ku ajo njoftonte, se pas pesë ditësh delikate FB kishte vendosur t’i rikthente të gjitha të drejtat e llogarisë së saj. Ishte një shoqe që e kishte lajmëruar se avatari saj valëvitej përsëri në net.

Jam e sigurtë, shkruan ajo, se kjo ndodhi për shkak të mbështetjes së më dhatë ju (përmend protestat në Peru, Kolumbi, Meksikë, Angli dhe Francë)

Tani premtoj të sillem mirë, por sipas mënyrës sime, e mbyll njoftimin ajo.

Pra, edhe një herë u desh që dikush të paguajë, të penalizohet e të tregohet me gisht, që nesër të gjithë të jemi më tolerantë.

Asgjë e re në këtë botë, përveç faktit se edhe hipokrizia, me sa duket, ka një rol të pa vlerësuar në masën e duhur, si alkimi paraprake e pranimit të tjetrit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin