GISHTI I RUSIT

Tani lexoj tek “Tema” që protestat te Parku i Liqenit i paska mbështetur edhe “televizioni shtetëror i Putin-it”, në një kohë që pak më parë kisha parë, nuk di ku, se organizatorët e këtyre manifestimeve qenkëshin (1) komunistë radikalë, (2) të zyrave të SHQUP-it dhe (3) të ardhur nga Kosova.

Ende nuk kam lexuar, por nuk e përjashtoj, që këto protesta të mund t’i kenë nxitur dhe paguar, në fakt, serbët; ose, për të qenë brenda fare, serbo-grekët në bashkëpunim të ngushtë me DAESH-in.

Putin

Ka ditë që në shtypin e afërt me PS-në po bëhet e pamundura për të delegjitimuar protestuesit dhe përjashtuar me çdo kusht mundësinë që këta të jenë frymëzuar thjesht nga dëshira e tyre për të mos lejuar ndërtime në Park.

Të gjitha këto kinezëri, për t’i dëbuar kundërshtarët nga qerthulli i normalitetit dhe për t’i portretizuar si humbës, outsiders, të droguar, të zvetënuar, rebelë nga natyra dhe anarkistë dhe antikonformistë profesionistë në-mos anti-shqiptarë madje (ruajna zot!) anti-amerikanë vetëm sa dëshmojnë për papjekurinë fyese të aparatit të PR të pushtetit lokal dhe qendror të tanishëm.

Më duket paradoksale edhe që kryetari i tanishëm i bashkisë së Tiranës, z. Veliaj, i cili e nisi karrierën e tij politike pikërisht duke organizuar protesta masive të shoqërisë civile, nën shenjën e grupit “Mjaft”, tani të mos tregojë respektin dhe mirëkuptimin e duhur për pasardhësit në mos të tij, të paktën të metodave të tij të rebelimit publik.

Nëse PD-ja është në opozitë të hapur dhe shpesh të keqe dhe të padenjë me pushtet-mbajtësit e sotëm, kjo nuk do të thotë se çdo protestë, kundërshtim dhe rebelim ndaj këtij pushteti organizohet nga PD-ja dhe i shërben asaj drejtpërdrejt. Aq më tepër që shumë qytetarë duket se i kundërshtojnë sipërmarrjet e Bashkisë, edhe kur këto janë me synime të mira, thjesht ngaqë e kanë humbur besimin ndaj ekzekutivit, qendror dhe lokal, jo ngaqë nuk bien dakord me hollësitë teknike të këtij apo të atij projekti. Dhe humbja e besimit te fjala publike e pushtetit, që është çështje në thelb etike, nuk mund të kompensohet me teknokraci dhe shifra (kaq pemë të mbjella, etj.).

Më duket goditje serioze, për imazhin e z. Veliaj, që shumë të rinj ia kundërshtojnë sot haptazi dëshirat, vizionet dhe projektet që kërkon të zbatojë në Tiranë; aq më tepër që ai erdhi në krye të Bashkisë edhe me votën e këtyre të rinjve, një pjesë e të cilëve panë tek ai njeriun “e tyre”. Për këtë arsye, çdo përpjekje për të delegjitimuar tani këtë masë të rinjsh dhe të shoqërisë civile, është kundërprodhuese, madje vetë-lënduese për PS-në dhe pushtetin lokal.

Është pastaj gati për t’u admiruar shpejtësia me të cilën, çdo forcë politike në Shqipëri, arrin të gjejë anën më negative, më kundërprodhuese, më anti-pluraliste të çdo mekanizmi demokratik (ndoshta duhet të them “demokratik”, në thonjëza) dhe ta përdorë atë për të përligjur lojërat e veta për pushtet pak a shumë arbitrar.

Pas kësaj që ndodhi me ndërtimet në Parkun e Liqenit, po ndesh tani, në shumë media të afërta me pushtetin, pikëpamjen se “Erion Veliaj ka marrë shumicën e votave të qytetarëve të Tiranës, prandaj nuk ka pse të shqetësohet shumë për disa pak grupe margjinale që duan ta pengojnë”.

Kjo pikëpamje po shfaqet kaq shpesh dhe kaq vetvetiu, sa të lë vend të dyshosh për një veprim të organizuar, sipas një direktive nga lart poshtë. Në fakt, ajo veç formulon, në mënyrë folklorike, atë çfarë e kanë quajtur demokraturë ose diktaturë e shumicës – dhe që do të ishte, në fakt, karikatura dhe përçudnimi i sistemit të përcaktuar me kushtetutë.

Sipas kësaj logjike të tipit “shumica është gjithnjë e justifikuar”, shoqërisë civile nuk i mbetet veçse të ndihmojë kalimtarët si të kapërcejnë rrugët në vijat e bardha. Madje, nga mënyra si po pompohet ky argument, që mua më duket i çalë, sikur merr domethënie tjetër edhe përpjekja për t’ia faturuar me çdo kusht opozitës protestat; meqë opozita është e lidhur me pushtetin nëpërmjet një marrëdhënieje të llojit shumicë-pakicë; ndërsa shoqëria civile jo.

Çfarë e bën edhe më të domosdoshme që veprimtarët e shoqërisë civile të dalin dhe të thonë, sa herë që kjo është e vërtetë, se kanë votuar për Erion Veliajn dhe pikërisht për këtë arsye kanë dalë të protestojnë tani; në kuptimin që një votë e fituar aritmetikisht nuk mund të shfrytëzohet si licencë për arbitraritet; dhe se kryetari i bashkisë së Tiranës përfaqëson në atë post të gjithë qytetarët, jo vetëm ata që ia kanë dhënë votën.

Në fakt, problemet që dalin me administrimin e një qyteti të madh dhe kaotik si Tirana nuk mund të zgjidhen me PR, me reklama, simulime 3D, animacione, muzikë live, skulptura, përurime maketesh me drita shumëngjyrëshe, emra starkitektësh të pompuar dhe të tjera inskenime tashmë të lodhura. Z. Veliaj ka vendosur ta prezantojë veten si “dikush që punon”, por a nuk është vallë pjesë e punës së një kryetari bashkie edhe dialogu i pandërprerë me palët e interesuara, ose “stakeholders”?

Mediat, nga ana e tyre, do të ishte mirë të ndihmonin për t’i dhënë një tryezë dhe një kontekst këtij dialogu, në vend që të vihen në dispozicion, si zorrë për të spërkatur me bajga dhe baltë kundërshtarët e momentit. Protestat për Parkun, pavarësisht nga të gjithë ata që kanë kërkuar t’i manipulojnë dhe t’i shfrytëzojnë për kredi politike, janë protesta të qytetarëve që po ndihen mysafirë në qytetin e tyre dhe të nëpërkëmbur nga pushtetet.

© Peizazhe të fjalës. Ndalohet çdo lloj riprodhimi në mediat elektronike.

5 Komente

  1. Me duhet te raportoj gjithashtu se eshte ne nderin e protestuesve qe nuk lejuan te shfaqej Altin Goxhaj pa i hyre gjemb ne kembe.

  2. Shqiperia duhet te kaloje jo vetem reforme ne drejtesi, lufte ndaj korrupsionit, dekriminalizim te shtetit, ringritje te elitave po dhe rigritje te medias qe ka degraduar ne nje nivel propagandistik me keq se ne kohen e merhumit

  3. Dy gjëra më shqetësojnë. Shpejtësia me të cilën njeriu harron prejardhjen e vet kulturore dhe lodhja e shpejtë me dialogun. Veliaj duhet t’u rrinte afër atyre që bëjnë pjesë në shoqërinë civile, ose që thjesht shprehin një pakënaqësi ndaj administrimit të qytetit. Tek e fundit ashtu e filloi edhe ai angazhimin në jetën publike.
    Nga ana tjetër dalloj lodhje të shpejtë me praktikën e dialogut. Të flasësh me njerëzit është e lodhshme, sidomos kur nuk e mendojnë si ti. Mirëpo ky lloj mundi bën pjesë në lojën e demokracisë, përndryshe ajo merr emër tjetër.

  4. Nga ana tjetër dalloj lodhje të shpejtë me praktikën e dialogut.

    Diaologu/Demokracia eshte ‘proces’ si thote i madhi Lubonjski. Procesi do kohe, e keta nuk kane kohe. Ah po ti benim Sulltan Kalife do flisnin me kenaqesi me keta.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin