PROTESTA NUK LEJOHET?

nga Lediana Mërtiri

Ngjarja sa vjen dhe rëndohet. Qytetarët po merren nëpër këmbë ҫdo ditë dhe ne (qytetarët neutralë, ne që nuk duam të përzihemi) kalojmë nëpër rrugët e qytetit me të njëjtën indiferencë si më parë.

Po shkelen të drejtat tona për të protestuar, po dhunohen njerëzit ditën në diell dhe askujt nuk i duket se këtu ka diçka që nuk shkon? Askujt nuk i duket i ҫuditshëm ky fakt? Si ka mundësi?

Edhe Ramiz Alia në komunizëm i dëgjoi studentët dhe i ftoi për bisedime, mos vallë sot është edhe më keq? Mos vallë demokracia në Shqipëri është thjesht mit dhe si e tillë ka kuptim vetëm në libra?

Duket sikur komunikimi mes Bashkisë dhe qytetarëve as ka nisur dhe as do të nisë dot ndonjëherë, sepse Kryetari është i vendosur të ndërtojë pa çka se ndërtimi kundërshtohet fort nga qytetarët. Me forcë policore nuk mund të ndalosh një protestë, nga dhuna mund të lindë vetëm më shumë dhunë.

Shoqërohen në komisariate qytetarët. PSE? Nuk lejohet të protestohet? Pse kaq shumë policë për një grusht njerëzish? Pse Bashkia vazhdon vetëm të flasë politikisht mbi ngjarjen, pa u shqetësuar realisht për të?

qytetaret per parkun

Kryetari thotë se i fton protestuesit për bisedime, por ftesa nuk u është dërguar aktivistëve dhe as do të dërgohet ndonjëherë. Sa kohë që projekti i parkut të liqenit paraqitet si vendim i formës së prerë, Kryetari nuk mund të diskutojë mbi parkun: ҫfarë mund të diskutosh për një vendim të pakthyeshëm? Kjo është arsyeja pse bëhet kaq shumë zhurmë, duke hedhur baltë mbi qytetarët që morën pjesë në protestë.

Ka mes protestuesve njerëz me shpirt rebel, të rinj të cilët ngrenë zërin pa u shqetësuar sa të tjerë do t’i mbështetin. Asnjë qeveri, nga ato që vijnë dhe ikin, nuk e do rebelin dhe rebelimin. Uroj që kjo protestë të mund të zgjojë brenda nesh qytetarin me syrin kritik, jo të na edukojë si të konformohemi; përndryshe dhuna do të fillojë të na duket normale dhe lëkura do të na regjet aq shpejt, sa shumë shpejt nuk do mund të ndiejmë më asgjë, madje as shkopin e policit.


Fotoja marrë nga faqja në Facebook e grupit “Qytetarët për Parkun”

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin