NJË HISTORI ITALIANE

Matteo, një nxënës 8 vjeçar italian nga Copparo (një komunë rreth 20 km larg Ferrarës), i mbërthyer në ethen poetike të përshkrimit të një luleje të paktën me dy mbiemra, kërkesë kjo e mësueses së tij, shkoi fort më tutje dhe sajoi fjalën « petaloso » (plot petale, petaleshumë) duke kryer kështu një gabim fatal që do të përflakte mediat sociale të Çizmes dhe do të derdhej në pjesën tjetër të kontinentit.

Mësuesja e tij, Margherita Aurora, e pikasi menjëherë fjalën e panjohur, se ndryshe nga tingëllimi i saj fort familjar, ajo nuk ekziston gjëkundi në gjuhen italiane. Pra qe një gabim, por një gabim që nuk iu duk se mbante erë fort të të keqe. Përkundrazi.

Kjo qe arsyeja që “zysha”, në vend që t’i ulte notën Matteos, u ul e i shkroi një letër që ia drejtoi Accademia della Crusca, një shoqëri ekspertësh të gjuhës italiane, të cilët që prej pesëqind vjetësh janë ngarkuar të ndajnë miellin nga krundja (crusca). Në thelb, letra përmbante propozimin për ta përfshirë këtë fjalë në fondin e leksikut italian.Nje gabim

Përgjigja e Akademisë së famëshme (është krijuar rreth 80 vjet para Akademisë Franceze) nuk vonoi. Edhe ajo një shembëll serioziteti e pasioni sikundër vetë letra e znj. Margheritës, në emër të nxënësit të saj :

« I dashur Matteo, i shkruan Maria Cristina Torchia, antare e Akademisë, fjala që ke krijuar është një fjalë e formuar mirë dhe mund të përdoret në gjuhën italiane ashtu sikundër fjalët e formuara në të njëjtën mënyrë »

Për të ajo është një fjalë « e bukur dhe e qartë » që mund të hyjë madje edhe në fjalorin e gjuhës italiane dhe të gjithë mund ta përdorin për të përshkruar një lule.

« Por që të hyjë në fjalor, vazhdon letra, është e nevojshme që fjala e re të njihet dhe përdoret jo vetëm nga ai që e ka shpikur, por edhe nga shumë vetë të tjerë dhe të gjithë këta ta kuptojnë. Nëse do t’ia dalësh mbanë ta përhapësh fjalën tënde dhe mjaft vetë në Itali të fillojnë të shkruajnë « com’è petaloso questo fiore ! » apo siç thua ti « le margherite sono fiori petalosi, mentre i papaveri non sono molto petalosi », atëherë petaloso do të bëhet një fjalë e italishtes sepse italianët e njohin dhe e përdorin.

« Se kështu ndodh, vazhdon ekspertja e gjuhës, nuk janë gjuhëtarët që bëjnë gjuhën, nuk janë ata që vendosin cilat fjalë janë të shëmtuara apo të bukura, të dobishme apo jo. Kur një fjalë e re gjendet në gojën e shumë vetave atëherë studiuesit kuptojnë se ajo fjalë është bërë si gjithë fjalët e tjera dhe e fusin në Fjalor.

Edhe një Matteo tjetër e uroi Matteon tonë të vogël, ai që mban postin e kryeministrit të Italisë, por mua më bëri më fort përshtypje ndërhyrja e Claudio Marazzini-t, president i Akademisë. Ai, pasi i uron fat të mbarë kësaj fjalë, shton se : « Është gjë e bukur që diskutohet për një fjalë të ndërtuar sipas normave të italishtes, duke krijuar një mbiemër nga emri. Është kënaqësi edhe jehona që pati ajo, se të paktën këtë herë ndryshon fare nga polemika mbi anglicizmat apo fjalët e huaja që duhen pranuar apo jo në gjuhën italiane ». (Ju kujton gjësendi kjo?)

Përgjigjen e Akademisë më tej, është zysha e Matteos që e bëri të njohur në FB e saj, duke shënjuar kështu fillesën e një diskutimi të flaktë e krejt të pazakonshëm në rrjetet sociale.

Personalisht e solla këtë histori jo për ta zgjatur këtu jehonën e këtyre mediave, por për disa elementë që më lanë mbresa. E para është funksionimi perfekt i shkollës italiane (të paktën në rastin në fjalë), vullneti i saj për të mos mbetur e mbyllur brenda rregullave të njohura, më la mbresa pasioni dhe inteligjenca e mësueses në fjalë që kapi menjëherë fenomenin e pazakonshëm dhe veproi në të kundërtën e asaj që sugjeron rutina e mësimdhënies (ajo mund të mbyllte historinë me një notë më pak për Matteon), më tërhoqi vëmendjen angazhimi serioz i Akademisë italiane të gjuhës, duke ngarkuar një nga ekspertet e saj më të mira të merrej me këtë rast, përgjigja inkurajuese dhe transparente ndaj një fëmije 8 vjeçar, mosngurrimi për të shpjeguar një nga mekanizmat bazë të krijimit dhe përhapjes së fjalëve.

Së fundi m’u krijua përshtypja se teknologjitë e reja na kanë futur në një epokë kur krijuesit e neologjizmave nuk mund të mbesin më anonimë, siç ka ndodhur në qindra mijëra vjet.

Kisha dëshirë të them edhe diçka për rolin e Akademisë shqiptare (jo për mësuesit se me sa mbaj mend kur e lashë atë vend, vetëm mësuesit dhe orët punonin), por për Akademine dhe (apo) Institutet përkatëse që mbetën në surdinë në këtë kapërcyell ndryshimesh të pashoqe të shoqërisë shqiptare, që prekën thellë edhe dimensionin e saj gjuhësor, por nuk po them asgjë.

Kam po atë siklet që ndjejmë kur flasim keq për dikë që nuk është më i kësaj bote…

 

22 Komente

    1. Po flasim për Italinë, pra është perfekt (më pëlqen shkelja e syrit, qoftë edhe e pavetëdijshme). Kur flasim për shkollën shqiptare le të themi se është e përsosur. Apo pa “për”?

    2. Arb Elo, besoj se të kuptoj, natyrisht shkolla është si ta trajtosh, çfarë mjetesh t’i vësh në përdorim dhe pastaj çfarë kërkesash t’i shtrosh. Por nuk mjafton . Kur flasim për shkollën, të gjithëve na kujtohet mësuesi ynë . Pra, për mua shkolla në një kuptim është edhe vetë personaliteti i mësuesit. Kjo histori italiane më kujtoi mësuesin tim të gjuhës. Një njeri mjaft i pasionuar dhe tepër kërkues. E pra ai diskutonte aq shumë me ne, sa nuk ngurronte edhe të tregohej kritik ndaj teksteve të kohës. Dhe të siguroj se ishin tekste vërtet barokë (e pakta gjë që mund të thuhet). Librat e gramatikës, ashtu edhe ato të historisë shkruheshin kryesisht në ndikimin e shkollës që kishin bërë autorë e tyre e nganjëherë përshtatje të vërteta të librave të vendeve të tjera. Kështu më kujtohet diskutimi ynë në klasë (i nxitur nga mësuesi në fjalë ) për një kohë të çuditshme foljeje, që ne disa tekste shqipe jo rrallë quhej edhe ariosto. Tamam kështu. Qe e vështirë të përcaktoje natyrën e aksionit që përshkruante ajo. Bile, edhe sot.
      Mësuesi nuk i fshihte dyshimet e veta, por përpiqej të na i shpjegonte edhe neve, mekanizmat e brendshme të kohëve të foljeve. Dikur na tha se për atë problem do të fliste me Institutin e gjuhësisë, Adademia dela Crusca e Shqipërisë:-)). Foli me ta dhe pas pak ditësh na solli në klasë prof. Mahir Domin, emrin e të cilit mbanin tekstet tona. Duket se ata edhe njiheshin bashkë .
      E pra, në saje të pasionit të atij mësuesi, unë nuk kisha më shumë se njembedhjetë vjeç kur i drejtova një pyetje prof. Mahirit, i cili plot dashamirësi, i komunikueshëm, me humor dhe një mënyrë të qartë e të kuptueshme na dha shpjegimin e tij për problemin tonë (që më fort ishte përpunuar nga mësuesi) dhe na tha se tekstet e reja ishin në përpunim e sipër dhe se ato do të ishin mjaft më të qartë, gjë për të cilën nuk jam fort i bindur .

      ps
      Per ate perfekt, ne fillim u tremba se kujtova qe e kisha shkruar prefekt

        1. Arb Elo,
          Nje nga oficeret angleze te derguar me mision ne Shqiperi, Julian Amery me duket, shkruan ne kujtimet e tij se kur po kalonin nje zone te rrezikeshme e plot ushtare gjermane ne kufirin shqiptaro jugosllav, nje shoqerues kosovar qe ecte pas tij, i perkulur e me armen ne dore, nuk reshtete se pickuari ne prapanice me thepin e pushkes se tij. Atij, i perqendruar ne misionin qe kishin ate nate, kjo i dukej pune fort e bezdiseshme, por tjetri nuk e kuptonte. Ose bente sikur nuk e kuptonte.

          Une ne fillim ju mora seriozisht dhe u pergjigja po aq seriozisht, ne nje forum publik si ky ku jemi, profilin e te cilit eshte dikush tjeter (as une e as ti) qe e ka ndertuar ne vite e me nje pune titanike, por nuk e di pse tani kjo mania juaj per te kapur lapsuse dhe jo per te shtuar gjesendi per thelbin e temes, po me ngjan si ato pickimet e bezdisura ne prapanice.

          1. po me ngjan si ato pickimet e bezdisura ne prapanice…

            Neve, kur na ngjan se po na pickon askundi dhe askushi, thjesht kruhemi. Provojeni edhe ju Lyss e ndoshta nuk ju ngjan më ashtu.

            Ndoshta mund të sugjerohej këtu edhe kruajtja me thep, por ne nuk kemi pushkë e as muhabete me oficera. Thjesht flasim për gjuhën kur është tema për të. Tytat po jua lemë juve.

            Me të mira,
            A.E.

            1. Ne rregull, flasim per gjuhen, siç thua, po a ka fjali te ndertuar me çuditshem se sa kjo e juaja: “Dhe po, shkolla shqiptare le shumë për të dëshiruar.”
              E megjithete, une nuk u mora me shtrembaluqesine e ndertimit te saj, por u nisa nga thelbi saj dhe t’u pergjigja me korrektesi.

              Shmangju goditjeve nga poshte, se nuk te sherbejne as ty qe i jep dhe as neve qe i marrim. .

          2. Lyss,
            edhe unë bëj gabime. Kur më korrigjon kush, i them pastaj faleminderit e nuk i përmend prapanicën. Nejse, gabimi im kësaj radhe; të kërkoj ndjesë, në të paça shkelur ndonjë kallo. Herë tjetër nuk do të komentoj më në temat e tua.

            1. Mendoj se eshte tjeter gje kur ne vijim te nje komenti shenon diçka edhe per nje gabim te mundshem gjuhesor dhe krejt tjeter kur shkon drejt e te gabimi dhe ia tund tjetrit te hunda.
              Ne kete rast, kushdo mendon se nuk je ne kerkim te gabimit por ne kerkim te mekatit.

              Une nga ana ime nuk kam e nuk mbaj asnje inat nga kjo histori dhe kur te kem rast do te komentoj e vleresoj pas asnje paragjykim shkrimet e tua.

          3. Kaq e vështirë është t’i japësh tjetrit të drejtë, kur ai të korrigjon? Një faleminderit ose: ke të drejtë, do të kishte mjaftuar. Ndërsa te hunda nuk t’i tunda gabimet; të ngjan ty ashtu.
            M’i ver edhe ti mua në dukje gabimet e mia gjuhësore; do të ta di për faleminderit. Të qenit për vite me radhë jashtë ma ka shprishur goxha shqipen. Do të ta di për nder.
            Pse kaq sedër e sëmurë?

      1. Ka edhe më tmerrshëm: vetë përpiluesit e “Fjalorit” të vitit 2006 e përshfijnë në faqe 1037:

        perfékt, -e mb. libr. i përsosur, i përkryer

  1. E ndoqa me vëmendje diskutimin për termin “petaloso”. Ka dritëhijet e veta, natyrisht, sidomos në shtrirjen mediatike. Pozitivja qëndron në faktin se ndjeshmëria ndaj gjuhës është e lartë. Po kështu për mirëmbajtjen e saj, përderisa i drejtohen Akademisë së njohur, duke ia njohur rolin si institucion. Megjithatë, mban pak erë karakteri viral dhe mobilizimi i masave virtuale. Janë po ato masa që nuk e çajnë shumë kur shkruajnë nëpër rrjete sociale e vende të tjera.

    Përhapja e shpejtë ndoshta do ta ndihmojë fjalën që të njihet nga publiku i gjerë. Këtu dha një dorë edhe kryeministri italian Renzi, i cili e përdori fjalën “petaloso” – do të thosha në mënyrë patetike – ato ditë kur rrjetet sociale zienin nga entuziazmi i neologjizmit. Por mund të jetë edhe kundërprodhues.

    Për kureshtje desha të shtoj se kjo fjalë nuk është krejtësisht e re, sepse doli që e paska përdorur shkrimtari Michele Serra, vite më parë. Por, siç e dimë të gjithë, rëndësi ka përhapja e fjalës, më shumë se sa shpikja e saj.

    Dikush vërejti se termi është kalkuar nga anglishtja “petalous”. Dikush tjetër hodhi dyshime për dobinë e kësaj fjale, që normalisht duhet të ketë përdorim të rrallë.

    Si përfundim, desha të them se lë përshtypje pozitive pasioni me të cilin diskutohet për fjalën e për gjuhën; e sidomos dëshira për të shtuar një fjalë e jo për ta (s)pastruar gjuhën.

  2. Më bëri edhe mua përshtypje kjo histori e fjalës “petaloso” – e kisha parë në shtypin italian, por e kisha konsideruar si lajm “soft”.

    Nga ana tjetër, nuk mund të mos admiroja “vigjilencën” e mësueses dhe, tërthorazi, edhe të opinionit publik, për çfarë u pikas menjëherë si fjalë e re, ose si njësi leksikore ende jonormative.

    M’u kujtua shqipja, ku mjafton të hapësh një vepër letrare të sotme, për të gjetur nga të paktën një të tillë në çdo faqe; sepse kultura jonë ende i konsideron neologjizmat si pasurim dhe pasuri të gjuhës.

    Kjo ndodh edhe ngase norma leksikore në shqip ende nuk është konsoliduar, pavarësisht nga Fjalori.

    Duke lënë mënjanë terminologjinë, ku vepron një logjikë tjetër, unë neologjizmat do t’i konsideroja ose “figura leksikore”, të krahasueshme me metaforat poetike, ose si eksperimente të autorit, që jo rrallë dëshmojnë mosnjohjen e leksikut (kur nuk të vjen në mendje fjala e duhur, atëherë provon të krijosh një të re).

    Për nga lehtësia me të cilën i pranon neologjizmat, shqipja zë një vend të ndërmjetëm midis, të themi italishtes dhe frëngjishtes, që nuk i pranojnë neologjizmat, ose i klasifikojnë menjëherë si vepra arti, ose krijime poetike; dhe gjermanishtes, ku është mjaft i çlirët kufiri midis fjalës leksikisht të kodifikuar dhe një kompozite të krijuar rishtas për të sintetizuar një fjali.

    Në këtë pikë, më bëri përshtypje që Lyss, për të shpjeguar kuptimin e fjalës ‘petaloso’, kish përdorur mbiemrin ‘petaleshumë’, një kompozitë pronësore të cilën shqipja e pranon në ligjërim edhe pa e pasur të kodifikuar në gjuhë – sa kohë që është kodifikuar modeli.

    Në kuptimin që, sikur një nxënës shqiptar ta kish përdorur fjalën ‘petaleshumë’ në një detyrë shtëpie, edhe në kushte ideale të respektit dhe të njohjes së normës leksikore, askush nuk do të ishte shqetësuar. Pavarësisht nga nëse ‘petaleshumë’ është regjistruar apo jo në fjalor.

    Për mendimin tim, Fjalorët e shqipes e kanë fryrë artificialisht numrin e fjalëve (lemave), duke përfshirë kompozita pronësore përshkruese, të tipit ‘qimebardhë’ (‘që e ka qimen të bardhë’) dhe ‘erëmirë’ (‘që mban erë të mirë’), ‘këmbështrembër’ (‘që i ka këmbët të shtrembra’). Janë krijime të rregullta, por tipologjikisht afrohen më shumë me togfjalëshin se me fjalën. Dhe, në fakt, para 1972-shit, kish autorë që i shkruanin veç, p.sh. “lule erë mirë” ose “kalë qime bardhë”.

    Dulcis in fundo: Fjalori i shqipes i vitit 2006 nuk e përmban fjalën ‘petal’ – meqë ka parapëlqyer formën ‘petël’. Kështu me intuitë, unë këtë ‘petël’ do ta kisha kujtuar ndonjë lloj makarone ose ëmbëlsire…

    (Sa për purizmin karakteristik – ne shqiptarët edhe petale hamë, dhe parimet nuk i tradhtojmë. Ironikisht, fjala ‘petal’ gjendet, në të njëjtin Fjalor, në shpjegimin e fjalës kapshít/ë,-a f. sh. -a(t) bot. “bimë shumëvjeçare pluskuese, me gjethe si bishta të gjatë, që bën lule të verdhë me tri petale.” I hëngërt kapshita, i hëngërt!)

  3. “Fjalët mbrapsht”

    Im nip, që tash është në gjimnaz, shpesh qahet nga rreptësia e mësuesit të tij të gjermanishtes, i cili i ul pikë për çdo fjalë të huaj, për çdo thonjëz të vënë gabim (gjermanët e vënë hapjen e tyre poshtë e mbylljen sipër), për çdo lapsus pra në shkrimet e tij shkollore. Vetëmevete i gëzohem mësuesit të tij e fatit të nipit tim që ka një të tillë; nga përvoja e di se,- sidomos në zejen tonë, të cilën ai mëton ta mësojë në universitet pas maturës,- e di se, si ç’thotë një fjalë e urtë,: “Djalli bun nëpër çikërrima” dhe e nguc edhe vetë kah përkryerja e gjërave të thjeshta, që na ngjajnë aq të vetëkuptueshme, sidomos ne shqipove.
    Ne shqipove na ngjajnë të vetëkuptueshme ca gabime fillestare, ndaj edhe na vjen keq kur na i venë në dukje si të tillë, si gabime pra, sepse ndiehemi të prekur në egon tonë që buçet: “Mendon ti se unë nuk e di që ky është gabim?”, kur tjetri na thotë se qenkësh i tillë. Pyetja që vijon na lë pastaj jo vetëm pa fjalë, porse ka të ngjarë t’i turremi atij, tjetrit pra, me kuç e me maç e me ç’i mban pragu i shtëpisë. Pyetja është: “Nëse e di edhe vetë që qenkësh gabim, atëherë pse e bën ose, më mirë akoma, pse nuk e korrigjon, por e publikon me lapsuse?”
    Përgjigja do të ishte e thjeshtë: sepse ngutemi, se jemi kokëkrisur, sepse për një plesht djegim jorganët.
    Mirëpo ja që vetëm vënia në dukje e gabimeve si të tilla na ka nxjerrë tash nga hullia e normalitetit e nuk jemi në gjendje më të dallojmë mes mikut, atij që na do të mirën, dhe armikut, përgojuesit, grekut, serbit, rusit dhe kinezit, zevzekut,- shih si bën ky more aman,- epitete mund të shtohen këtu pa fund; jo më kot shqipja jonë është plot e përplot me të tilla.
    Mirë është që vënien në dukje të gabimeve të mos e bësh në realitet, në të vërtetë, nëse nuk do të rrezikosh fizikisht shëndetin tënd dhe atë të të dashurve të tu: për të tilla çështje vriten njerëz përditë në mëmëdhe, siç nuk mungojnë të na informojnë me zell të përdalat e përditshme.
    Në të vërtetë, më mirë akoma është të mos ua hedhësh sytë fare fyerësve të tu të mundshëm dhe urryesve që mezi presin t’i gjejë dikush me dellin e duhur për t’u zemëruar me objekt. Por ja që kjo nuk bëhet, për sa kohë të intereson gjuha e mëmës.
    Nga ana tjetër, gabuesit thuajse të përgjërohen që t’i komentosh, ndonëse këtë nuk e kanë përnjëmend; komentimin e pranojnë vetëm për aq sa u bëhet fresku. Çdo gjë më shumë se aq përbën ose lëndim, ose abuzim me lirinë e fjalës që e dhurojnë po vetë ata.
    -Si i bëhet atëherë?- më pyet im nip, të cilit ia rrëfej këtë problematikë me anëtonasit. I gjori; ngjan thuajse naiv në rrekjet e tij për t’i bërë gjërat mirë, qoftë edhe vezën syzë.
    -Shumë thonë,- i përgjigjem,- se ai vend nuk bëhet. Në të vërtetë, vendi nuk është gjë tjetër veçse banorët e tij, por a bëhen këta të fundit? Nuk më përket mua ta gjykoj këtë çështje, jo për gjë, por kam të ashtuquajturin konflikt interesi: unë jam një nga ata. A më kupton?- e pyes unë mbrapsht.
    -E ç’ka këtu për të kuptuar?- më thotë,- o i bën thonjëzat lart, ose poshtë; këtë e përshkruajnë doracakët; hap librin, shiko rregullin dhe bëje siç duhet; ku është problemi?
    -Ja pra, kaq gjë shumë njerëz nuk e kuptojnë; ky është edhe problemi,- i them.- Ti u thua të këshillohen me fjalorin, ai ta kthen: fjalët mbrapsht.
    -Ç’do të thotë “fjalët mbrapsht” o ungj?- më pyet nipi.
    Dhe unë nuk di si t’ia përkthej këtë shprehje.

  4. Mendoj se “vënia në dukje e gabimeve” duhet të ndjekë disa rregulla elementare të bashkëpunimit, në mënyrë që të arrijë qëllimin:

    (1) Ndreqësi duhet të përpiqet që të lidhet me tjetrin privatisht, jo në publik; sepse ndreqja e gabimit në publik ka natyrë didaktike dhe askush nuk dëshiron dhe as ia ka kujt borxh dhe aq më pak ndreqësit, që të sillet si shembull për keq.

    (2) Ndreqësi duhet të respektojë vullnetin e atij që ka shkruar dhe të forumit përkatës, dhe të mos e zhvendosë vëmendjen nga tema e shkrimit, tek tema e gabimeve në të shkruar duke shfrytëzuar për këtë hapësirën e komenteve, sepse kështu e dëmton kolegun e vet dhe forumin përkatës. Në fakt, hapësira e komenteve vihet në dispozicion për të komentuar lirisht rreth temës së shkrimit, jo gjuhës së shkrimit.

    (3) Ndreqësi duhet të provojë, me fakte, se këtë lloj higjiene është duke e kryer në të gjitha forumet ku merr pjesë dhe jo vetëm në njërin prej tyre ose duke i zgjedhur vetë autorët që vë në shënjestër; në mënyrë që autorët dhe lexuesit të mos krijojnë përshtypjen se këtu po ndodh një larje hesapesh.

    (4) Ndreqësi bën mirë, për t’i shmangur këto lloj konfliktesh anësore, që të dalë nga roli i mësuesit që korrigjon gabimet e nxënësve dhe të hyjë në rolin e dikujt që i dhimbset gjuha, duke i trajtuar gabimet që vë re poshtë e lart si gabime të gjuhës së përdorur, jo të përdoruesit; çka do t’i ndihmojë edhe lexuesit të gjejnë veten jo vetëm në indinjatën e tij, por edhe nga gabimet vetë.

    (5) Ndreqësi duhet të ketë parasysh se korrektimi teknik i teksteve është një proces sa i pavarur nga përftimi i tyre aq edhe i kushtueshëm, sa kohë që jo të gjithë janë në gjendje ose kanë kohë të mjaftueshme të orientohen në rregullat, shpesh të ndërlikuara, të shkrimit shqip.

    Mendoj se një mirëkuptim me këto kritere do të shmangë edhe angazhimin emocional të mëtejshëm me këtë çështje, pa folur për rrezikun e “lënies së kokës” për një presje të vënë keq.

    1. Natyrisht që ke të drejtë. Por “disa rregulla elementare të bashkëpunimit”, siç shkruan, nënkuptojnë së pari “disa rregulla elementare të etikës” së komunikimit e këtë e sheh gjithsecili ndryshe.

      Ndërsa për adresat private që shkruan se duhet të shkruhemi, nuk e shoh ashtu.
      Sepse nuk e shoh të arsyeshme të vëllazërohem me gjithkënd që has në rrjet e të shkëmbej me të kredencialet. Dhe jo se jam hundëpërpjetë, por sepse më pëlqen jeta e veçuar; ma do mendja se kjo nuk përbën problem, porse duhej në të kundërt, kultivuar ca më shumë.

      Dhe, jo së fundmi, uroj të mos jetë lexuar komenti im i parafundit si karshillëk ndaj dikujt; mëtimi i shprehur aty është pikërisht e kundërta e karshillëkut e megjithatë, sikurse ti e di më mirë se unë, gjithsekush lexon ndryshe, në mos lexon atë që do të lexojë, pavarësisht nga ajo që ke/kam shkruar e kërkon/j të thuash/them.

  5. Ndërsa këtu:

    (3) Ndreqësi duhet të provojë, me fakte, se këtë lloj higjiene është duke e kryer në të gjitha forumet ku merr pjesë dhe jo vetëm në njërin prej tyre ose duke i zgjedhur vetë autorët që vë në shënjestër; në mënyrë që autorët dhe lexuesit të mos krijojnë përshtypjen se këtu po ndodh një larje hesapesh.

    pa fjalë që e tepron. Nuk po ndajmë pasuritë; shkruajmë e komentojmë këtu se po duam ta bëjmë, me dëshirë e për qejf, e jo se po marrim tituj shkencorë a po bëhemi anëtarë akademie a po paguhemi, siç e thua edhe vetë më poshtë.

    Ti thua që unë t’i hyj detit më këmbë e të ndërmarr fushata korrigjimesh në faqet e pafund të rrjeteve sociale e të forumeve ku marr pjesë?!
    Mund ta komentoja me faqe të tëra absurditetin e paragrafit tënd nr. 3, siç edhe çështjen e “larjes së hesapeve”; Hesape? Larje?. Xhaxha, më me këmbë në tokë të lutem; unë nuk kam as hesape për të larë, as nuk kam njeri që më ka marrë gjak në vetull. Nuk di gjë unë:); edhe ty të njoh për aq sa je shfaqur vetë në TV., përndryshe do të vazhdoje të ishe për mua thjesht një pseudonim te PTF. dhe A.V. në shtyp.

    Nejse, se e kam të qartë në furinë e të shkruarit të merr e më merr vala me vete e nuk ka pse të të peshoj e të më peshosh çdo fjalë që hedh këtu.

    Po e lë me kaq pra; siç them edhe më sipër, nuk ka pse të djegim jorganët për pleshta.

    Përzemërsisht,A.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin