A ËSHTË BASHKIA E QYTETARËVE?

Nga Lidia

Ka disa ditë që po diskutohet për parkun e liqenit dhe ndërtimet në atë park, por unë do doja të ndaloja në disa pika të tjera që dalin nga ky debat publik që ka ngritur shoqërinë civile me përfaqësues të rinj të saj të cilët thonë fjalën e tyre.

Dëgjova emisionin Opinion të ditës së djeshme ku ishin ftuar përfaqësues nga shoqëria civile dhe anëtarë të këshillit bashkiak për një debat publik.

Ajo që më shqetëson më shumë është se askush nuk “lëviz vendin” për të informuar publikun dhe për të dhënë sqarimet e duhura, por, për më tepër duket sikur e marrin personale ose në rastin më të keq e marrin partiake ҫdo kërkesë që ngrihet nga shoqëria civile.

Ndoshta më minimalja që duhet të kishte ndodhur do të ishte që Bashkia e Tiranës të ftonte në bisedime përfaqësues të shoqërisë civile për të dëgjuar nga afër çfarë kërkojnë dhe jo vetëm të vijnë nëpër emisione pa bërë asgjë konkrete për çështjen në fjalë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende dhe protestat thuhet se do të vazhdojnë.

Këta aktivistë të rinj që nisen nga parime dhe vlera qytetare, theksuan se ajo që kërkonin ishte transparencë mbi projektin që do zbatohet në parkun e Tiranën, për të kuptuar nëse duhet të lejohen ndërhyrje të tilla të cilat mund edhe të rezultojë të dëmshme. Shteti e ka për detyrë të jap llogari kur për një projekt kaq të diskutuar ngrihen hije dyshimi dhe ka reagime të tilla. Të rinj që shqetësohen për pronën publike sot ka pak, dhe ne duhet të pyesim veten se ҫfarë i shtynë këta të rinj të vendosen në ballë të shoqërisë civile për të kundërshtuar diҫka që nuk u duket e drejtë. I shtyjnë vlerat qytetare dhe ndjenja e përgjegjësisë për pronën publike apo ajo që është e lehtë të aludohet, arsye thjesht politike dhe partiake? Unë besoj se në Shqipëri nuk ka vdekur shpirti i qytetarit dhe i atij që e ndien veten pjesë e këtij vendi në të mire dhe në të keq, por sidomos në të keq. Aktivistët në fjalë nuk mund të kenë shtysa politike sepse:

– Asnjëri prej tyre nuk mori pjesë në protestën që Partia Demokratike organizoi ditën e hënë,

– Ata e kanë kundërshtuar me force një gjë të tillë gjatë emisionit ne Opinion.

Ndoshta me të drejtë Analisti Andrea Stefani u drejtohet aktivistëve që ishin të ftuar në Opinion ditën e hënë, Elian Taninit dhe Zirkon Dishës me këto fjalë “Nuk keni ditur të ruani autonominë nga politika. T’ua marrin nga duart protestën! Kauzën ua morën deputetët e Partisë Demokratike.”

Pra analisti thotë se, donin apo nuk donin aktivistët, PD e përdori këtë protestë për interesa të qarta politike. Por kjo ka ndodhur dhe do të ndodhë me të gjitha opozitat që kanë qenë dhe do të vijnë, sepse politika këtu bëhet nga këmbët, e megjithatë kjo nuk duhet të ndikojë, sipas meje, tek opinioni publik në atë masë sa të mos ketë dëshirë të mbështeten qytetarët që marrin guximin për iniciativa të tilla.

Ditën e shtunë këta përfaqësues të shoqërisë civile me disa dhjetëra qytetarë (20-30) ishin mbledhur tek liqeni me lajmërime nga rrjetet sociale dhe me kauzën e përbashkët kundër ndërtimit të parkut të lojërave nga kodrat e liqenit. Këta të rinj ishin qytetarët e parë dhe ndoshta më të zellshmit që pa asnjë shtysë politike vendosën të nesërmen të protestojnë përsëri më të shumtë në numër (ditën e diel) duke kërkuar nga Bashkia ndalimin e punimeve për këndin e lojërave sepse mungonte informacioni dhe transparenca mbi llojin e punimeve.

Protesta e ditës së diel dhe protesta e ditës së hënë nuk janë e njëjta gjë dhe nuk kanë lidhje me njëra- tjetrën, ajo që ndodhi nga liqeni me aktivistët e rinj ishte një iniciativë e pavarur nga politika. Dihet se opozita do të mbështesë ato aktivitete që i interesojnë, duke përdorur edhe kauza që nuk janë të tyret për të qenë edhe ata në skenë duke mbrojtur qytetarët nga padrejtësitë që vijnë nga kundërshtari i tyre politik në pushtet.

Ka shumë qytetarë që e kanë mbrojtur këtë iniciativë dhe shumë të tjerë që as e kanë pëlqyer dhe as përkrahur. Sa për fillim dua të them se në Tiranë dhe as në Shqipëri nuk ekziston shpirti i protestës mes qytetarëve, ne e kemi frikë shtetin dhe nuk duam të ngatërrohemi në punët e tij, prandaj shumica e qytetarëve thonë: ҫ’u duhet atyre që ngatërrohen, të rrinë rehat në shtëpinë e tyre, a thua njerëzit jetojnë vetëm për hir të nevojave fizike?!

Janë edhe disa të tjerë që nuk e kuptojnë dhe as që përpiqen ta kuptojnë se ҫfarë ka që nuk shkon me ndërtimet në këtë park dhe pse janë ngritur në protestë qytetarët? Apo ka edhe të tjerë që nuk janë dakord me protestën dhe mendojnë se kjo është vetëm një shtysë politike (dhe ndoshta këta nuk kanë faj se lexojnë vetëm gazetat).

Ndoshta, nëse nuk do të kishte patur akte të dhunshme mes protestuesve dhe policisë, ndoshta edhe buja e kësaj proteste nuk do të ishte kaq e madhe dhe mund të kishte kaluar në heshtje.

Klotilda Ferhati, anëtare e partisë socialiste në këshillin bashkiak dhe Aldrin Dalipi, kryetar i këshillit bashkiak ishin gjithashtu të ftuar në Opinion. Sipas zonjës Klotilda, aktivistët meritojnë të shkojnë në komisariat sepse dhunuan “pronën e Bashkisë”, por, i kujt është parku, i qytetarëve apo i bashkisë, hajde dhe merre vesh.  I ngeli vetëm të thotë se qytetarët meritojnë edhe të dhunohen edhe të tërhiqen zvarrë nga policia pa arsye, dhe se ky na qenka një shtet ligjor. Do të ishte më e udhës të ishin më të qetë dhe më modestë për kontributet dhe diturinë e tyre të paanë se duket sikur gjithë ajo energji negative që buron prej tyre mund edhe të ketë ndonjë shtysë politike meqë janë dhe anëtarë dhe përfaqësues të Partisë Socialiste, të paktën në këtë rast do të ishte më e besueshme.

Ndërkohë që punimet në park vazhdojnë edhe natën, pa ua vënë veshin aspak protestuesve sikur këta të mos kishin asnjë rëndësi për shtetin. Por e kujt është Bashkia pyeti natyrshëm Zirkoni zonjën Klotilda në studion e emisionit Opinion për të ngritur kështu një pikëpyetje edhe më të madhe për ne qytetarët që e shikojmë ngjarjen nga jashtë si një shfaqe interesante. A është bashkia e qytetarëve?

6 Komente

  1. Bashkia eshte e qytetareve, dhe keta votojne per te zgjedhur nje administrator.

    Po Zirkonit kush ja dha te drejten te perfaqesoje qytetaret duke vene dore mbi pune publike? Mire apo keq, per kryebashkiakun dhe keshillin kam votuar, per Zirkonin jo.

    Me kete llogjike, Zirkoni mund te prishe cdo lloj vepre publike sepse nuk i pelqen atij, dhe….eshte e tija (po ne te tjeret?).
    Me vjen keq e nderuar, por nuk funksionon keshtu.

  2. argument i vlefshem, Bashkia eshte e qytetareve – se nese nje grup qytetaresh kundershtojne nje vendim, atehere minimalisht bashkia duhet te mbledhe firma per pjesen tjeter, pasi vendimit i ka humbur legjitimiteti.

    Ne momentin kur nje grup qytetaresh shpreh pakenaqesine me nje vendim qe merret ne per “te miren e qytetareve”, atehere qytetaret kane deshmuar se ndajne nje tjeter qendrim dhe alternative – ne kete moment i ngelet bashkise qe te argumentoje te kunderten nepermjet zerit popullor apo nje nisme te ngjashme. Kjo, dreqin ta haje, eshte demokracia.

    Por nga pikepamja formale bashkia eshte ne rregull nese i ka kaluar te tera hallkat e procesit te vendimmarrjes, pasi ligji e njeh bashkine si autoritet adminstrues te prones publike. Qe ne fakt nuk e ka bere. Leja eshte dhene ne kundershtim me ligjin. Pra edhe nga pikeveshtrimi formal e ligjor ketij vendimi i mungon legjitimiteti.

    Atehere ngrihet pyetja: se c’dreq ligji kane shkelur protestuesit, kur ata jane ne te drejten e tyre ne aspektin moral, edhe ne ate ligjor gjithashtu?

    1. Bashkia ka vepruar ne menyre totalisht jotransparente. Ndoshta dhe joligjore, per kete nuk flas dot. Kjo nga ana tjeter nuk i jep nje grushti qytetaresh, asnje lloj te drejte per te vene dore mbi pronen publike. E kuptoj qe kjo vjen si pasoje e nje frustrimi total qe e ka mbjelle pikerisht politika ; mosbesim ndaj qeverise, ndaj medias, ndaj bashkise, ndaj gjyqesorit, ndaj ‘arkitekteve’ gjermane, ndaj opozites, etj etj. Mbetet gjithsesi joligjore si kunderpergjigje, dhe sado ironike te duket, ata perfaqesuesit e bashkise ketu kane te drejte.

  3. Sipas një dokumenti të botuar nga gazeta “Shqip”, projekti në fjalë parashikon edhe ndërtimin e një “Grand Cafe”-je:

    http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2016/02/23/dokumenti-ne-app-afer-kendit-te-lojerave-edhe-nje-grand-kafe/

    https://xhaxhai.files.wordpress.com/2016/02/gran-cafe.png

    Ndërkohë Erion Veliaj ka deklaruar se do të japë dorëheqjen nëse ndodh kjo:

    http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2016/02/23/veliaj-jap-doreheqjen-nese-te-parku-i-lodrave-do-te-kete-kafe-ose-restorant/

    https://xhaxhai.files.wordpress.com/2016/02/doreheqje.png

    Vështirë të orientohet njeriu në këtë rrëmujë, edhe pse një gjë është e qartë: informacioni për këtë projekt nuk ka qenë transparent dhe Tirana ka të drejtë të revoltohet.

    Ka një arrogancë te këta njerëz, e cila i ka rrënjët sa te të ndierit e tyre të përgjegjshëm jo ndaj publikut a zgjedhësve por ndaj donatorëve dhe tutorëve që nuk janë pjesë e sistemit konstitucional në Shqipëri (mendësia tipike e OJQ-istit) aq edhe te fakti që PD-ja e ka komprometuar krejt rolin e një opozite të denjë brenda sistemit politik. Në qoftë se fati i tyre politik do të vazhdojë të varet nga donacionet dhe përkrahja ndërkombëtare, arroganca rrezikon të vijë duke u rënduar.

  4. Ky eshte nje opinion i thejsht, sipas meje, i cili kerkon te tregoj se duhet te jemi me te ndjeshem ndaj njeri-tjetrit sesa ndaj partive politike , te cilat as qe jane shqetesuar ndonjehere per ne. Pra shkrimi ngre nje pikpyetje te madhe; pse nuk ka nje reagim me te denje per kete proteste qytetare (pak rendesi ka nese protestuesit kane ose jo te drejte, ata gjithesesi meritojne vemendje)?! Neser, ndoshta, do te kemi nje tjeter problem, ku i dihet, edhe me te madh se kaq, por me pushtetare dhe partiake qe nuk shqetesohen per qytetaret ne do te vihemi pak e nga pak ne gjume me qetesine e zakonshme se nuk fiton gje edhe sikur te duash te ngrihesh per te thene cfare mendon sepse nuk te degjon askush (as qeveria dhe as qytetaret).
    Eshte situate shume e trishte.

  5. Ndertimi i parkut te femijeve brenda PARKUT ka tre aspekte:
    Aspekti parimor: a duhet ndertuar nje park lojrash per femije brenda nje Parku te mbrojtur natyror? Sipas logjikes se aktivisteve te shoqerise civile nuk duhet ndertuar se “po priten pemet”! Pra “te drejtat” e drureve prevalojne mbi te Drejtat e Femijeve! Logjika ambientaliste si e tille,e shkeputur nga antropocentrizmi , ekzekuton njeriun perballe natyres. Parku shpallet “Toka e shenjte”, tabu qe s’duhet prekur. Kjo llogjike e cuar ne ekstrem, neser do kerkoje moratorium per bimet, kafshet, peshqit, shpendet.Nje fazan i bie te jete me i rendesishem se cdo Sazan dhe llafazan i pseudoshoqerise civile.
    Bota ka plot precedente te krijimit te hapsirave per lojra per femijet. Don Kishotet e shoqerise “civile” le te shikojne si eshte rifunksionalizuar Central Park ne NYC per femijet para se te tjerrin leshin e diskursit ambientalist.
    Aspekti ligjor: Nese projekti ka shkelje ligjore , le ti evidentojne se cilat jane.Jo kakofoni “civile”!
    Aspekti procedurial: ABC-ja e menaxhimit te nje qyteti eshte informimi deri ne merzitje i qytetareve,kosultimi me qytetaret dhe transparenca. Veliaj qe na bombardon me foto ne fb kur vijezon rruget, vendos poçat dhe pusetat, “harroi” cuditerisht te informonte, te therriste median, shoqerine civile per ta promovuar projekt-idene, per te fashitur dyshimet dhe shmangur kostot sociale, ekonomike dhe politike.Autogol i PR!

    Nga ana tjeter, grupi ambientalist i berihajt per mbrojtjen e pemeve dhe kafsheve, para se ti suleshin si barbare gardhit, mund te ndiqnin nje rruge me Civile,duke kerkuar inf. ose nje degjese me kryebashkiakun.Por per ata ka rendesi protagonizmi, vizibiliteti si heronj urbane.
    Parkun e Liqenit shyqyr qe e kemi dhe qe ka shpetuar nga shqyerja prej kafshimeve të ndertimeve.Por aty mund të behen nderhyjre per ta rifunksionalizuar pa e denatyruar.Psh ne vend te nje parku te qenderzuar mund te konceptohen disa miniparqe per lojrat e femijeve, pergjate dy akseve rrugore te Parkut ku ka dhe hapsira me më pak peme.
    Rrofte Pema!Poshte Rama!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin