KUSH E VRAU QYTETARIN?

nga Visar Konti

Klipi i postuar nga Erion Veliaj dhe së fundmi edhe nga Edi Rama për ndërtimin e një parku të betonizuar lodrash brenda parkut të liqenit, është një reklamë e arrirë nga një ekip i tërë dhe një linjë e qartë estetike që qeveria e Rilindjes sahera nuk nguron t’ua paraqesë audiencave të gjera.

Sado ngazëlluese që mund të jetë kolona zanore e këtij klipi, po aq dëshpëruese është  çfarë shkruhet në përshkrimin e Ramës në krye të videos:

“Ja shiheni vetë për çfarë “protestojnë” te Parku i Liqenit!… Sado e pabesueshme të duket është fatkeqësisht e vërtetë që nën udhëheqjen e Partisë Demokratike, “protestuesit” duan të pengojnë forcërisht pikërisht këtë që shihni!…”

Rama Protesta

Ajo që mund të dallohet pa shumë mundim në këto rreshta është përdorimi i thonjëzave atje ku autori u referohet protestuesve dhe protestës në përgjithësi, si dhe identifikimi i tyre me Partinë Demokratike. Fillimisht, është shqetësuese që kryeministri i një vendi kinse demokratik të vërë në dyshim autenticitetin e një proteste, pavarësisht përmasave të saj. Thonjëzat këtu vendosen për ta poshtëruar nismën dhe gjithashtu në funksion të zhvlerësimit të kauzës dhe rëndësisë që ajo ka për protestuesit.

Më tej, edhe më keq akoma, është për të ardhur keq që kjo qeveri por dhe ato paraardhëset në Shqipëri e kanë të pamundur të konceptojnë se protesta mund të ketë përmasa qytetare apo popullore; dhe se të tilla manifestime proteste u dashkan parë patjetër si të inskenuara nga opozita apo kundërshtaret politikë të regjimit dhe çdo strukturë rezistence u dashka interpretuar si sendërtim i këtyre të fundit. Përpjekje të tilla duan të përbaltin vullnetin e lirë të qytetarit, duke e identifikuar atë si militant. S’do mend që qytetarin e kanë vrarë, meqë dhe qytetarët e angazhuar me partitë politike, në dalshin në shesh siç dolën në protestat e fundit të opozitës, do të etiketohen si fshatarë, kokëpalarë dhe militantë. Është e qartë se deri tani, të gjitha protestat na paskëshin qenë partiake dhe asnjëra qytetare: qytetari vdiq, që me protestat e 21 janarit- të cilat s’ishin partiake.

Koncepti i qytetarit dhe qytetarisë, në pamje të parë ravijëzohet nga dy dimensione: kulturore dhe gjeografike. Nga njëra anë, qytetari shihet si individ që i përket një kulture të emancipuar dhe emancipuese; nga ana tjetër shihet si i vendosur në një hapësirë urbane.

Problemi vjen e ndërlikohet kur konceptin e qytetarisë ua mveshim protestave, me produkt hibrid togfjalëshin: “protesta qytetare”. Ky togfjalësh duket se rrënjët i ka në atë që e kanë quajtur mosbindje civile (civil disobedience), një formë rezistence apo proteste që nënkupton në shumicën e rasteve revoltën paqësore, me shembull cliché Gandhi-n dhe lëvizjen për pavarësi në Indi. Ndërsa termi protestë qytetare haset jo rrallë në ligjërimin mediatik në Shqipëri.

protesta per parkun

Qartazi në përkthim, në qoftë se protesta qytetare është gjegjëse e mosbindjes civile, i bie që të ketë pasur një deformim, duke e barazuar protestën me mosbindjen. Problemi parësor me këtë të fundit (mosbindjen) është se e përfshin protestën, duke qenë term me i gjerë, ndërsa protesta është vetëm një nga moduset e mosbindjes. Çështja këtu është se, sa herë qortohet një protestë, kjo bëhet me notat e qytetarisë, pra “protesta qytetare e shoqërisë civile” apo “protesta ‘qytetare’ e opozitës”.

Qëkurse nënkuptohet se mosbindja civile lidhet me rezistencën paqësore, të gjitha ato protesta në Shqipëri që janë përshkallëzuar deri në dhunë ndaj forcave të rendit apo pronës publike dhe private nuk janë qytetare. Megjithatë, duhet marrë parasysh se kur thuhet se një protestë nuk është qytetare, krijohen premisat që protesta të konsiderohet si protestë fshatare, me kokëpalarë e njerëz që besohet se nuk u përkasin hapësirave urbane apo kulturës së qytetit.

Në këtë rast, mund të thuhet se ka një shtrembërim të termave (nga anglishtja) civil dhe civic, ku civil mund të lidhet me civilizimin dhe qytetarinë, ndërsa civic me qytetin. Këtu mund të pyesim: një person që nuk vjen nga qyteti dhe që nuk identifikohet me vlera civile, a mund të marrë pjesë në një protestë qytetare? Le të mos harrojmë këtu, se ky person njëlloj ka të drejtën për t‘u tubuar, meqë kjo e drejtë u garantohet jo vetëm qytetarëve, por edhe atyre që nuk jetojnë në qyet.

Që Rama dhe Rilindja i japin vetes meritat për protesta pa thonjëza, kjo është pak por e sigurt. Nga ana tjetër është po kjo kastë politike e cila, edhe pse pat kryesuar një protestë si ajo e 21 janarit, që ishte shumë larg mosbindjes civile – madje një protestë ku u deshën të martirizoheshin disa prej protestuesve – përpiqet tani të përbaltë dhe të zhvlerësojë nismën e lirë të qytetarëve për parkun, duke vënë në dyshim vetë legjitimitetin e protestës dhe protestuesve. Mos vallë për të pasur protestë (nga ato pa thonjëza), do të na duhej të shihnim ndonjë prej pjesëmarrësve të shtrirë përdhe?

 

10 Komente

  1. le të mos harrojmë këtu edhe ryshfetet që ka marrë z.Rama kur ishte kryetar bashkie dhe krimin urban të kryeqytetit. Dhe, a propos, si arkitekt nuk vlen një dyshkë…

  2. Ndoshta z.Rama mund të na bënte edhe ndonjëherë, nëse i jepej rasti të fliste “drejt” se ç’nënkupton me “të majtë”. Fshehjen akoma të krimeve të komunizmit nën sqetulla për ca lëpushka dhe kostume Armani ndoshta? Apo idealet e ndonjë vrime të Courbet-sä? Apo çfarë? Se deri tani kemi dëgjuar vetëm dokrra gjoja të kulturuara.

  3. Lexova edhe një intervistë të autorit gjerman të këtij projekti kaq të kontestuar, një Peter Wilson – i cili prezantohet si jo vetëm arkitekti, por edhe një nga “ideuesit e tij”. Tani ose ky zotëri nuk ka kuptuar gjë se ç’ndodh, ose këtu dikush po tallet me publikun; sepse nga sa kuptova unë, protesta nuk ishte KUNDËR një këndi lojërash për fëmijë, por (1) vendit që është zgjedhur për ta ndërtuar atë dhe (2) mosinformimit të duhur të publikut, sa kohë që ajo videoja u shpërnda pak si vonë. Dhe çfarë është më e rëndësishmja, protesta të tilla do të ndodhin sa kohë që qytetarët në Tiranë dhe kudo gjetiu nuk u besojnë më fjalëve, sepse fjalëve as vetë ata që i thonë nuk po u besojnë më. Njerëzit shohin që po ndërtohet në parkun e vetëm që i ka mbetur Tiranës dhe shqetësohen dhe nuk ka qeveritar që t’i qetësojë – dhe kjo natyrisht nuk ka të bëjë me PD-në, edhe pse PD-ja e shalon këtë protestë, si forcë opozitare oportuniste. Mua ma thotë mendja se fëmijët e Tiranës kanë nevojë për kënde lojërash jo në Parkun e Liqenit, por atje ku jetojnë – ose në të gjitha ato lagje ku gjelbërimi ua ka lënë vendin ndërtimeve gjithfarësh ose në zona të tjera të amortizuara, si ajo mbrapa Pallatit të Kulturës, ose krejt hapësira rreth e rrotull Piramidës. Sa për Parkun e Liqenit, ky ka nevojë ndoshta për mirëmbajtje, peizazhim dhe rehabilitim, jo për beton, sido që të vijë ky i fundit i ambalazhuar.

    1. Arb, pse e thua këtë dhe, sidomos, pse kaq shkurt? A nuk të fton blogu për më shumë artikulim të mendimit dhe më pak pasthirrma?

      1. Më shumë se kaq nuk mund të thuhet për këta fëlliqësira. E gjithë klasa e tanishme në pushtet përbëhet nga ish-spiunë, të korruptuar, njerëz pa ideal kombëtar. Për ryshfetet e Ramës kemi burimet tona.

  4. “Është e qartë se deri tani, të gjitha protestat na paskëshin qenë partiake dhe asnjëra qytetare: qytetari vdiq, që me protestat e 21 janarit- të cilat s’ishin partiake”

    Mendoj se protesta e 21 janarit ishte partiake ne dimensionet organizative dhe qellimet qe donte te arrinte, ndonese ne te e ndjenin veten te perfaqesuar edhe te tjere. Vrasja ashtu sic ndodhi i dha dimension te pergjithshem asaj proteste, e cila u denua me vdekje me heshtjen qe e pasoi ne vijim.

    Ndoshta nje proteste per t’u referuar eshte ajo kunder armeve kimike, ku u perputh shqetesimi me rendesine e kauzes, mbidozuar emocionalisht nga heshtja e burreshtetasit lajlelule. I cili ne vend se te debatonte dhe diskutonte per te, u perpoq te monopolizonte nje vendim te cilin mandej e konvertoi ne dorezim pa kushte. Ndoshta ajo fishkellima kunder Sali Berishes dhe Lulzim Bashes, qe u perpoqen te merrnin nje marsh ne ate proteste, e ka shkundur Edushin qe doli me hartimin e radhes dhe me djerset qe i kullonin si atehere kur donte te merrte partine.

    1. n!, nese s’ka qene mjaftueshem e qarte, nje pjese e konsiderueshme e asaj qe ke futur ne thonjeza eshte ironike. Pikerisht se u desh te vritej nje qytetar qe protesta te kosniderohej si atyre permasave, vendosa qe titulli i shkrimit te jete nje pyetje retorike.

      A mund te thote kush se cila pale e vrau qytetarin? (Jo vetem ne 21 Janar)

      1. Mungesa e një force të paqenë premtuese politike nuk duhet të na çojë në asnjë mënyrë në mbylljen e njërit sy për të flirtuar kësisoj me atë që u quajt në zgjedhjet e fundit “e keqja më e vogël”. Qytetarët e 21 janarit u vranë nga e djathta, e majta dhe Meta gjithashtu. Ky i fundit e shkakton atë rrëmujë, e majta dërgon njerëz si mish për top, ndërkohë që të mëdhenjtë e saj pinë kafenë e zgjatur te Kullat, e djathta qëllon.

        Qytetarin më 21 janar e vranë partitë në pushtet, të cilat nuk janë, nuk ka se si, në gjendje të vendosë drejtësi, pasi janë vetë të kriminalizuara.

        Çka harrohet shpesh në këto përllogaritje makiaveliste është pastërtia morale e të përzgjedhurve; për momentin na mungojnë kandidatët e duhur. Nëse do të kishte të tillë potencialë, ata nuk do të kishin asnjë mundësi (po për momentin) të shfaqeshin në skenën politike, pasi kushti për të marrë pjesë aty është përlyerja.

        E megjithatë, nuk duhet humbur shpresa edhe kur nuk ka gjasa që gjërat të ndryshojnë së shpejti.

  5. Tre virtyte

    Të vjen zor të thuash gjëra që i dinë tërë, por ja që nuk i dinë deri në fund, siç duken qartë bathët dhe e shohim përditë në lajme.
    Fjala është për tri urdhëresa që mësohen në çdo kopsht fëmijësh, në shkollë dhe familje, që gjenden në Bibel, në Kuran, janë të tilla edhe në budizëm, e pjesë thuajse e çdo morali minimal që mëton të jetë i tillë.
    Aksiomat e këtij morali mbarënjerëzor i bie të jenë:
    Mos vrit!
    Mos vidh!
    Mos gënje!
    Tani le ta shohim vetëm nën këtë dritë kaq të qashtër dhe elementare kastën politike shqiptare.
    Për numrin 3 nuk është e nevojshme të flitet gjatë, pasi të tërë e dimë që pushtetarët tanë, në kryeministri a jo, në presidencë a jo, në ekran, në gazeta, në gjyq e deri edhe me veten e tyre, gënjejnë.
    A vjedhin këta që kemi në krye?
    Shih paragrafin më sipër për të gënjyerit.
    Ndërsa për urdhëresën bazë të çdo shoqërie që nuk mund të jetë e tillë, shoqëri pra e jo kanibalizëm a pishinë ku i madhi e ha të voglin, për urdhëresën „Mos vrit!“ mjafton 21 janari për të arritur në përfundimin që këta i kanë ngjyer edhe duart deri në bërryl me gjak.
    Atëherë, ç’të bëjmë?
    Të flasim, ta themi këtë edhe përpara togës së pushkatimit.
    Le të përfytyrohet populli si dikush i dënuar me pushkatim e të cilit i kërkohet fjala e fundit.
    Unë, populli, ti e ai tjetri, që nuk kemi vrarë, nuk kemi vjedhur e nuk kemi mashtruar njeri, po duam të themi veç „Zjarr!“
    Që oficeri që do të jepte urdhrin të mbetet kësisoj pa gojë e që, të paktën, fjalën e fundit ta kemi vetë. A nuk jemi ne sovrani, qoftë edhe duke vdekur? E fundmja është fjala, në fund është ajo…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin