FJALORI I MALLKIMIT

nga Eleana Zhako

Njerëzit në Shqipëri janë specialistë të artit të mallkimit, pa shaka! Mallkim, e jo shaka! Qen bij e bija qenësh në shtatë breza! Që i zëntë veremi i(n)shalla(h)! U rëntë pika, mortja, dambllaja, thyefshin qafën, zverkun, brinjët, u shtrifshin në dhe, u daltë kanceri në grykë mundësisht (që ta mbyllin gojën), u bëfshin kurbanë, u bëfshin me hije e xhinde, i shplaftë panukla.*

Gjithashtu në Shqipëri dallohen edhe për një veti tjetër, për ndjenjën e lartë të kopanisjes dhe radhët e shumta të vullnetarëve, të gatshëm për të ta bërë kurrizin më të butë se barkun. Cfarë kopanësh! Refreni i tyre i dashur është “kush të rreh të do” dhe shquhen për një gamë të madhe druri, nga “olele veshi” deri tek “do të të vdes në dru”. Dru me pre, dru me pre. Druvarë sa të duash, për të gjitha shijet.

I bëjnë gropën njëri-tjetrit, kështu me një të shtënë fjale. Madje thuhet, që Mali me Gropa u formua nga një shkëmbim breshërish – mallkimesh që kishin fjalën “gropë”. Thuhet, që shqiptarët i bënë gropën Sadnës, se zbuluan që ajo e kishte fajin për marrosjen e tyre kolektive dhe identifikimin e tyre me indianët. Gjithashtu thuhet, që nëse Sadna do quhej Sandra dhe do ishte italiane, asgjë e keqe s’do i gjente shqiptarët, madje e kundërta, do ishin me afër integrimit të tyre në qytetërimin evropian.

mallkim-shqiptar-ccedil-e-p-euml-r-majdanozin-e-vjedhur_hdArti i mallkimit është tipar arkaik i shqiptarëve. I përket traditës së ligjërimit gojor, nuk ka formë të shkruar dhe bën pjesë në procesin mekanik të gjuhës, e mëson pa mësuar. Për më tepër, falë mallkimit shqiptarët kanë krijuar imunitet dhe mallkimet që i hedhin njëri – tjetrit shpien në vetëasgjësim mallkimesh. Si pasojë, forca mallkuese zbehet aq shumë, aq sa ndodh vetia e transformimit të tyre në urim apo përkedheli. Kështu, kur ndodh të dëgjosh “moj mortje e vogël”, tingëllon më tepër si një thirrje përkëdhelëse, si yshtje e mortjes, si thirrmë vitale, si eufemizëm.

Tipologjia e nënave dhe femrave shqiptare është ngushtësisht e lidhur me konceptin e mallkimit. Që nga Ajkuna e Bjeshkëve të Nëmuna, Balada e Konstandinit dhe Doruntinës dhe deri tek gruaja e sotshme, arti i mallkimit përbën një art kryesisht femëror. Janë një grup bashkëtingëlloresh [fsh], [ft], [ksh], që të bëjnë gjëmën. Ngjajnë me ato fshesat prej kashte me bisht të gjatë që të marrin zvarrë. Portreti i një nëne ndëshkuese mund të përfytyrohet si një pikë që të bie në kokë, e cila në variantin romantik mund të ngjajë me një pikë të pafajshme shiu që tretet mbi flokë, deri si metodë e torturës naziste “një pikë e ftohtë që bie pa ndalim mbi një kokë të zbathur”. Ndoshta ngaqë femrat kanë nevojë të bërtasin e të çirren më shumë, t’i japin një penel femëror dhe tragjik mallkimit duke e përngjasuar atë me figura fantazmagorike dhe elemente të së keqes.

Mallkimi në shqip ngjan me një fantazi të kobshme noir, ku kombinimi fjalë – neurone prodhon degëzime të llahtarshme surreale, personazhe horror dhe gjithfarësoj kancerianësh. Mallkimi lidhet me mallin që kemi për një katastrofë të mundshme, për një reverse të rendit të gjërave dhe njerëzve, me perceptimin mazokist që është fronësuar në kokat tona, por që shfaqet me një ngërdheshje sadiste, veteliminimin tonë mendor përmes asgjësimit fizik të tjetrit. Mallkimi është një anomali e brendshme që kërkon të tjetërsojë dhe të transformojë tjetrin në “zë që s’bëzan”, ta shndërrojë në gur ose në kafshë të parrezikshme, nga ato me trajta minimalistike të stampuara në jastëkë e çarçafë për efekt dekorimi.

Ndoshta përpilimi në shqip i Fjalorit të Mallkimit do ndihmonte shqiptarët të shikonin evoluimin e gjuhës shqipe si mjet mallkimi i stilistikës së tyre gjuhësore dhe sociale dhe të thelloheshin mbi humorin e mallkimit, duke e ruajtuar atë, por duke e zhveshur në të njëjtën kohë nga përmasa reale e artit të të mallkuarit. Mallkimi në një farë mënyre mund të paralelizohet me humorin, ose me atë që njihet si “black humor”. Ashtu sikurse dhe humori, duke perifrazuar një shprehje të lexuar diku, ku përshkruhej si pikëllimi i një shpirti të lartë, mallkimi mund të përshkruhet si humori i trishtuar i një pikëllimi të lartë. Tragjikomizmi nuk qëndron tek mallkonjësit fjalamanë, por tek mallkonjësit e realitetit të mallkuar, tek ata që çdo natë ngjyejnë perdet e zeza dhe ëndërrojnë një botë me gropa…


*Shprehjet e mësipërme janë përzgjedhur si pjesë e “fjalorit të mallkimit” të shqiptarëve dhe nuk kanë si qëllim stigmatizimin e shqiptarëve, por nxjerrjen në pah të aspektit gjuhësor të tyre dhe konotacionet që ato mbartin.

12 Komente

  1. Po shtoj edhe unë ca të Gjirokastrës:

    Të hangërt një gjë

    Të hangërt një koqe e ligë

    Të preftë Perëndia ditën

    Të plaçin sytë

    Rrofsh e vofsh (vofsh si dëshirorja e vuaj)

    Fjefsh të madhen (fjefsh si dëshirorja e fle)

    Të vaftë pas qafe (kafshata e bukës)

    Edhe një mallkim i çuditshëm – edhe pse jo specifik i Gjirokastrës:

    M’u bëfsh kurban!

    1. Ja edhe një grup tjetër, edhe këto besoj të Gjirokastrës:

      Mos i rafsh këmbës

      Të vaftë qafa prapa

      Të rëntë mishtë dhe leshtë

      Mos pafsh një ditë të bardhë

      Vafsh prapa diellit

      T’u nxiftë zemra

      Të prufshin copa-copa

      Të prufshin në pallto

      Të ardhtë nga mos e pandefsh

      Të ardhtë gjëma

      T’u mbylltë dera

      Të piftë tënja

      Hangërsh këmbët e tua

      Të rëntë mishi në stromë (dyshek)

      Hangërsh kokën tënde

      Të hangërt kroma

      Mos pafsh një ditë të bardhë

  2. Në raport me gjuhë të tjera, dëshirorja e shqipes është karakteristike, por jo doemos unike; dhe gjithsesi, duhet të jetë relativisht e re, nga pikëpamja morfologjike – edhe pse nuk jam në gjendje të them nëse ka ndonjë lidhje, të trashëguar, me optativin indo-europian. Çfarë e bën dëshiroren e shqipes tërheqëse për kureshtarët, është gjallëria e saj – dhe këtu tundimi për të kaluar nga pragmatika në psikanalizë është shumë i fortë. Por le të themi vetëm se kjo mënyrë foljore është mbajtur gjallë në ligjërimin e folur. Një studim me interes, do të ishte ai që të krahasonte dendurinë e dëshirores në ligjërimin mashkullor dhe atë femëror – unë dyshoj se kjo denduri do të ishte më e lartë në këtë të dytin; edhe pse kjo duhet verifikuar dhe provuar. Nëse e pranojmë se dëshirorja shërben për të eksplicituar një dëshirë, sipas rastit urim ose mallkim, në ligjërim, atëherë mund të kërkojmë nëse ka ndonjë lidhje midis kësaj mënyre foljore dhe stereotipave të sjelljes mashkullore dhe femërore – ose faktit që, tradicionalisht, gruaja e ka pasur më të lehtë për t’i shprehur haptazi urimet dhe mallkimet (për t’i verbalizuar dëshirat), ndërsa për burrin kjo është konsideruar si e pahijshme ose joburrnore. Ndërkaq, shpesh një dëshirë e shprehur është edhe një dëshirë simbolikisht e realizuar; për shembull, një mallkim e “vret” objektin e vet simbolikisht, pa qenë nevoja që të realizohet vërtet; në një kohë që prej burrit, me B të madhe, ka qenë pritur që t’i realizojë dëshirat nëpërmjet veprimit, jo fjalës. Për shembull, vetëm një grua mund të thotë “t’u bëfsha!”; çfarë fton për reflektim. Sikurse do të ftojë për reflektim edhe përdorimi i dëshirores sipas vetave – në vetën e parë, folësi shpreh një dëshirë për veten; në të dytën për bashkëbiseduesin; në të tretën për një palë të tretë që zakonisht nuk është e pranishme në bisedë. Këta tre parametra bazë krijojnë situata ndonjëherë tepër të ndryshme, në teatrin ligjërimor; për shembull, dëshirorja në vetën e parë shpesh përdoret për të përcjellë një premtim: “mos u kthefsha i gjallë, nëse nuk…”; ndërsa në vetën e dytë një bekim a mallkim, që mund të jetë edhe vetëm i ritualizuar, ose – në rastin e dytë – i formuluar në mënyrë të tillë që ta përjashtojë mundësinë e realizimit, si në rastin e “mallkimit” që ia bën një nënë fëmijës (“të hangërt mortja” – natyrisht, nëna këtu nuk dëshiron vdekjen e fëmijës, por vetëm e performon këtë dëshirë, për të shprehur një pakënaqësi ose zemërim). Më në fund, dëshirorja, në vetën e dytë, duhet parë edhe në marrëdhënie me urdhëroren; në të dy rastet bëhet fjalë për dëshira të folësit, por ndryshe nga urdhërorja, e cila përdoret për ta bërë a ftuar tjetrin që të kryejë një veprim ose për ta ndaluar që ta kryejë veprimin (ikë mbushu, m’u hiq sysh, qërohu, këput qafën, mos më dil përpara), dëshirorja vjen gjithnjë me një pamundësi ose pafuqi; në kuptimin që folësi, edhe kur e ka seriozisht me urimet, bekimet, mallkimet a kërcënimet që nxjerr nga goja, gjithnjë mbetet i vetëdijshëm se nuk ka aq forcë elokutive (ose autoritet, ose aftësi bindëse) për t’i bërë ai vetë këto të realizueshme. Për këtë arsye, dëshirorja – edhe kur duket sikur i referohet thjesht vullnetit të folësit – gjithnjë i bën thirrje një fuqie të tretë, që mund të jetë Fati, Rastësia ose edhe Perëndia; prandaj gjithnjë e përmban një element magjik në vete. Dikush që mallkon dhe thotë “vdeksh inshallah”, nuk ka ndërmend të të vrasë (khs italishten: “devi morire”); por vetëm përcjell shpresën se kjo fuqi e tretë do të ndihmojë, duke ia çuar në vend dëshirën. Dhe një ndërhyrje e tillë do të shihet si një hakmarrje hyjnore, ose vendosje e së drejtës në vend me mjete të tërthorta; meqë kush mallkon, e bën këtë ngaqë ndihet i pafuqishëm për të reaguar ndryshe, ndaj një padrejtësie; dhe ashtu kërkon – jashtë vetes – që kjo padrejtësi të shpaguhet tjetërlloj. E zgjata shumë, por tema më tërheq. Për ta përmbledhur: dëshirorja e shqipes shpreh një dëshirë, si urim, si bekim, si mallkim, nëpërmjet apelimit simbolik, ritual dhe të ndërmjetësuar ndaj një fuqie të mbinatyrshme që shkruan “narrativën” e ngjarjeve dhe që mund të jetë Fati ose Rastësia ose Perëndia; dhe që zakonisht vjen nga subjekte njëfarësoj të penguara për të kundërvepruar drejtpërdrejt; dhe që, tradicionalisht, kanë qenë gratë; të cilat, pikërisht për shkak të këtij pengimi për veprim, verbalizojnë duke i kanalizuar dëshirat edhe sipas hullive etike: “vdeksh” në kuptimin “duhet të vdesësh” – ose si ndëshkim simbolik për një faj a krim real; që përndryshe mbetet i pandëshkuar.

  3. Mallkime dhe sharje në dialektin çam

    Të hangët bëtala
    Të krrej lilat te di
    Të shporrtë Zoti
    Të plaçin lilat
    Të plaçin zorrët
    Tu xhinostë mëndja
    U zhborru gjidi kahpe (të shporesh vromë)

  4. Do të ishte interesant një studim krahasues për shpërndarjen/përdorimin krahinor të mallkimeve, lidhje të mundshme me kontekstin shoqëror, kulturor dhe fetar, përdorimi në kultura të ngjashme mesdhetare apo të huazuara nga Lindja e Mesme etj.

    Hipoteza e mundshme megjithëse e pa provuar e përdorimit më të gjerë apo me frekuencë më të lartë nga femrat e kësaj ligjërate është intriguese. Xha Xhai e lidh këtë me faktin që femrat e kanë patur të nevojshme dhe më të lehtë nga ana shoqërore ta përdorin mallkimin si “armë” simbolike për të ndëshkuar “armikun”. Pasojat e përdorimit të kësaj “arme” kanë qenë më të lehta për to krahasuar me meshkujt ku përdorimi simbolik mund të degjeneronte shumë shpejt në përdorim të armëve reale me pasoja vdekjeprurëse për të dyja palët.

    Një hipotezë tjetër, pa ndonjë bazë shkencore të njohur për mua të paktën, mund të ishte tendenca apo lehtësia e femrave për të kalur nga realja te simbolikja apo nga fizikja te metafizikja në krahasim me meshkujt. Mund të vrojtohet kjo në fusha të tjera të ligjëratës përveç mallkimit?

    Sidoqoftë një temë interesante megjithëse mbetet e paqartë se si do të ndriçonte më tej lëmin e gjuhësisë apo atë të sociologjisë, psikologjisë etj.

    faleminderit,

    Ilir Mitrushi

  5. Mua më ka pëlqyer gjithnjë shprehja: “U bëfsh lëmsh!, U bëftë lëmsh!“. Për shumë kohë kam kujtuar se kuptimi ishte “u ngatërrofsh!”, sepse nënat ua thoshin edhe fëmijëve. Por më vonë e kam parë në fjalor dhe kuptimi i mallkimit është “vdektsh!, ose vdektë!”. Por siç kujtojnë gjithnjë nënat: “Mallkimi i asaj që të jep gji, nuk vlen”.

    1. Më ngjan se “u bëfsh lëmsh” duhet të ketë rrënjë ose frymëzim biblik.

      “Diabolos” është ai që ngatërron, që godet mespërmes (dia=mespërmes DHE ballein=hedh), që akuzon e përçan njerëzit e Zotit. Në gjermanisht ngjashmëria me lëmshbërjen është më e dukshme e dhënë si “der Durcheinanderbringer”.

      Në këtë kontekst, u bëfsh lëmsh do të qe si të thuash “qofshi në dorë të djallit”.

  6. Pershendetje, artikulli eshte teper interesant dhe shume i dobishem (helpful) per kapitullin e disertacionit qe po shkruaj tani. Faleminderit per nje analizim te thelle dhe fun writing style. Ne kete moment, po perpiqem te perkthej ne Anglisht nje fragment nga nje bisede shqiptare. Ky fragmenti do analizohet dhe do paraqitet ne nje konference. Por po veshtiresohem te perkthej ne anglisht shprehjen shqiptare “car te plasin dhe te rrjedhin.” Ndodh ne kete kontekst:
    A: Eme car ke tani?
    B: Car te pelcasin dhe te rrjedhin kam.
    E kuptoj qe perkthim konkret ne kete rast nuk ka, por mund te propozoni shprehje ose shpjegime qe mund ta ndihmojne nje Kanades ose Amerikan ta kuptoje kete shprehje kaq idiomatike? Ose te pakten te me shpjegoni nga vjen kjo shprehje? Per c’fare “pelcasje” e kane fjalen? Per pelcasjen e syve? Domethene, te te pelcasin dhe te te rrjedhin syte?
    Shume faleminderit per cdo keshille ose mendim qe mund te ofroni.

    1. Besoj se është fjala për sytë. Nga pikëpamja sintaksore, kemi të bëjmë me “ndërkallje”: një mallkim paketohet dhe futet në thënie si kundrinor; duke shënjuar, në thelb, zemërimin e folësit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin