MENDIME TË PAKREHURA (V)

aforizma nga Stanislaw Lec (*)

Ky tipi më sjell në mend morrin mbi një kokë tullace. Rreth tij gjithçka shkëlqen – e megjithatë, është morr.

Mund të përfytyrojmë një dënim me burg të përjetshëm, plus zgjatje artificiale të jetës.

Më ka qëlluar të shoh një titan, që arnonte çorapet. Ishte përpjekja e tij e parë titanike.

A është progres kur kanibali mëson të përdorë thikën dhe pirunin?

Është më lehtë t’i thuash dikujt kurvë, se të jesh vetë.

Vdekja nuk mbetet kurrë pa klientelë.

Të mendosh që po ai zjarr që Prometeu ua vodhi perëndive, ndezi turrën me dru ku u dogj Giordano Brunoja.

Dialogu mes dy deficientëve është i njëjtë me monologun e një gjysmë-deficienti.

Kapaku i arkivolit nuk ka zbukurime në anën e të vdekurit.

Saltoja morale është shumë më e rrezikshme se saltoja mortale.

U përqafuan kaq fort, sa nuk u mbeti hapësirë për ndjenjat.

Ra mbi të hija e dyshimit. Dhe ai në këtë hije fshihet.

Nga mania për të ndriçuar me çdo kusht, përfundoi i varur në një shtyllë neoni.

Mos kërko ndihmë natën. Mund t’i zgjosh fqinjët.

Gjëja më e vështirë është të gjesh të vërtetën në një kohë kur gjithçka mund të jetë e vërtetë.

Gjithnjë drejtoju zotave të tjetrit. Do të të dëgjojnë pa qenë ti i detyruar të mbash radhë.

Për çdo kufomë, i shënojmë vdekjes një plus, duke vendosur kryqin në varreza.

Mund të ndërrosh fe pa ndërruar Zot. Dhe e kundërta.

Ai që është gjeni dhe nuk e kupton… ndoshta nuk është.

Sa më të pasur ta kesh fantazinë, aq më i varfër ndihesh.

Heronjtë e miteve të lashtësisë ishin gjysmë-lakuriq; këta të miteve të sotme janë krejt.

Fakti që vdiq nuk do të thotë aspak se ka jetuar.

Mes një dashurie dhe tjetrës, duhet një karantinë me një të tretë.

Ka njerëz që të shohin përmes syve si përmes vrimës së çelësit.

Mos i zër shumë besë vetes.

Ndodh që duhet të heshtësh, që të të dëgjojnë.

Në çfarë besoj? Në Zot, nëse ekziston.

Më tmerron fytyra e armikut, kur e kuptoj sa shumë i ngjan times.

Në paradhomën e ferrit, mos i zër në gojë marrëdhëniet që ke pasur me Satananë.

Çfarë i ndodh djallit kur pushon së besuari në Zot?

Hyrë në vete pa trokitur.

KiwiTë qëllon ta hapësh gojën me admirim, por pastaj ta mbyllësh duke gogësirë.

Dëshiron ta fshehësh fytyrën? Dil në rrugë lakuriq.

A mund ta përfytyroni një grua që ta lërë të dashurin t’i tregojë përralla për një mijë e një net?

Më thuaj me kë fle, të të them se ç’ëndrra sheh.

Edhe kur nisesh për gjah elefantësh, të duhet ndonjëherë të vrasësh një plesht.

Të gjithë zotat ishin të pavdekshëm.

Kush nuk ka ndërgjegje, duhet t’ia kompensojë mungesën.

(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: