SI NËPËR FILMA

Kjo klishé, si nëpër filma, mëton të interpretojë ngjarjet në bazë të dallimit ose hendekut të detyruar midis realitetit dhe fantazisë filmike, por tradhton të kundërtën, dhe pikërisht faktin që sot, falë mediave, po ftohemi madje detyrohemi të jetojmë në një realitet të trilluar.

Vajza i kërkoi djalit të lidhet me litar si nëpër filma, pastaj e goditi 5 herë me thikë

Dhe nuk e kam fjalën për realitetin fiktiv, që shërbehet pa fund nga kanalet argëtuese në televizion dhe në Internet dhe ku grabitja, përdhunimi a vrasja sillen të paketuara si spektakël.

Si nëpër filma: Shqiptari përleshet me ujkun

Deri dje publiku shqiptar ish mësuar me idenë që filmi i huaj i shfaqur në ekran, veç të tjerash, shërbente edhe si dritare ndaj botës andej, e cila ndryshonte prej kësaj tonës deri në jetërsim; prandaj, ky film i sjellë nga larg do të prirej të shënjonte më pak produktin të organizuar të një përfytyrimi, sesa produktin, më pak të organizuar, të një sehiri të jashtëzakonshëm.

Grabitje si nëpër filma në një dyqan të Prishtinës

Çfarë nuk duhet ngatërruar me nevojën, gati fiziologjike, për konsum narrativash kriminale, nga një publik që e ka ndërtuar jetën e vet në zgrip të ligjit, në mos në kundërvënie me të; pa folur për ngazëllimin e mediave, që i gjejnë vlerat dëfryese të gatshme, në pamjet e ofruara nga kamerat e trafikut, ose ato të policisë. Ashtu edhe më pak voyeur-i mes nesh do të magnetizohet, para ekranit, teksa i ofrohet forma më e rrallë, më e vyer, më gourmet e sehirit: ajo e një krimi duke u kryer.

Si nëpër filma: 3 shqiptarë terrorizojnë Italinë me një Audi të verdhë

Dhe as duhet ngatërruar me realitetin e nëndheshëm të shqiptarëve të emigruar në Perëndim, të cilët shpesh manovrojnë – me dëshirë ose nga halli – në një hapësirë ku vepron më shumë kamera dhe imagjinata filmike, sesa ligji; në kuptimin që, çfarë është mbijetesë me kacafytje për ty, do të jetë një mbrëmje në kinema për Perëndimorin. Në analizë të fundit, kjo mund të ofrojë edhe një shans për t’ia ndier lezetin asaj “jam krenar që jam shqiptar” të shoqëruar me salcë pikante të fajësisë dhe të revanshit.

Histori përdhunimi si nëpër filma në pyllin e fshatit

Aq më tepër që këta “filma”, të cilëve klisheja u referohet gjithnjë në shumës, janë zakonisht produkt i Hollywood-it; një makineri që përfton argëtim, dhe që ne të tjerët, në vend që ta imitonim duke përftuar argëtimin tonë, e imituam duke ia riprodhuar fantazitë në realitet: me kosto ku e ku më të ulët.

Grabitja e kazinosë në Tiranë si nëpër filma

Ata kanë Hollywood-in, por ne kemi kamerat e sigurisë; nga të gjitha arritjet kulturore, teknologjia është më e lehta për t’u importuar.

Video: 3 shqiptarët arratisen si nëpër filma

Pamjet e regjistruara prej këtyre kamerave, që virtualisht do të duhej t’i shërbenin policisë dhe organeve hetimore për të identifikuar keqbërësit, po përdoren tashmë – me sukses marramendës – si një zëvendësues a “Ersatz” i Hollywood-it; ose si armë të një studioje kinematografike të varfër, por të kudogjendur.

Policia si nëpër filma prangos tre persona të armatosur në Tiranë

Sërish si në Hollywood, produkti spontan i kamerave të sigurisë, i kombinuar me përdorimin e footage-it për synime dokumentimi ose burokratike, u jep edhe organeve të rendit një shans për të shkëlqyer jo vetëm në jetë, por edhe në ekran. Megjithatë, gjasat janë që roli i filmimeve automatike, të kamerave të përgjimit dhe mbikëqyrjes, në identifikimin e autorëve të krimit, të jetë më i spikatur në filmat e Hollywood-it dhe në serialet televizive të krimit, se në realitet. Prandaj s’i bën dot me faj mediat, anembanë botës, që e kanë nuhatur menjëherë potencialin e këtyre filmimeve “të verbra” për të dëfryer publikun voyeur.

Grabitja në Lezhë si “nëpër filma”, publikohen pamjet

bank-robberyPër nga natyra e vet, krimi kërkon fshehtësinë, veprimin larg syve të tjetrit, të palës së tretë dhe aq më tepër të policisë; në një kohë që filmi klasik e pat kthyer këtë fshehtësi së prapthi, gjithë duke ua ruajtur personazheve, në ekran, iluzionin e privatësisë. Kamera e sigurisë e ka përmbysur këtë raport: keqbërësit tashmë e dinë se po filmohen dhe se nesër do të përfundojnë në televizion – që këtej edhe mundësia, jo aq e pagjasë, që krimit t’i shtohet tani një element teatral, kujdesi për pamjen dhe dukjen, ose shqetësimi se “çfarë do të thonë për ne.”

Video: Policia e Kosovës ndjekje si nëpër filma e kontrabandistëve

Krimi i filmuar garanton edhe një lloj efekti terapeutik ndaj publikut, që ka të bëjë me pezullimin e frikës; njëlloj si filmat “horror”, që na bëjnë ta vlerësojmë më thellë botën jashtë ekranit, pa vampirë, serial killers dhe zombies. Duke sjellë regjistrimet e krimit në ekran, mediat na ndihmojnë për t’u jetërsuar nga realiteti: banka e vjedhur mund të jetë ajo e lagjes sonë, por televizioni e transporton këtë gjetiu, kushedi në Amerikë, gjithsesi përtej; ose duke themeluar një distancë sigurie midis rrezikut dhe nesh të rrezikuarve.

Ndjekje si nëpër filma dhe plagosje të katër policëve

Vetë kriminelët e filmuar kanë ditur të mësojnë, aq sa kanë mundur, nga teknikat e krimit në ekran; iluzioni se janë duke performuar për kamerën, qoftë edhe për një kamerë të mjerë bardhezi të një zyre bankare në provincë, i jep kuptim tjetër banalitetit.

Durrës, grabitje banke si nëpër filma: Autorët me “fytyrë maskë” si pleq

Edhe pse prapa kamerave filmuese nuk qëndron asnjë sy, madje pikërisht për këtë arsye, kjo teknologji e kombinuar me gatishmërinë e mediave për t’ia dhënë publikut materialet e regjistruara “siç janë” e shndërron krejt realitetin në një film set, në kuptimin që, edhe po të na ndodhë gjë dhe të biem viktimë e një dhune, një grabitjeje, një hit & run-i në rrugë, një rrahjeje masive në një lokal nate, së paku do të dalim në televizor të nesërmen. Ka shpresë edhe për viktimën, pra.

6 Komente

  1. Kam pershtypjen, – do me duhet ta verifikoj duke i lexuar kronikat me imtesisht- se per keta gazetare, kjo “si neper filma” funksionon per te plotesuar reportazhin e munguar ne terren. Pra, une gazetari, mjafton te them se ishte si neper filma dhe jam cliruar nga barra per te te dhene ty lexuesit detaje te imta nga ngjarja, pikerisht ngaqe imazhi Hollivudian tashme funksionon per te percjelle tek lexuesi ate qe do duheshin fjale e fjali per te paraqitur besnikerisht. Qe ketej nuk do ishte larg mendsh qe per cdo lajm te jepej vetem titulli “Grabitje si ne filmin XXX” dhe publiku te mjaftohej me ngjarjet ne film per te kuptuar realitetin. Dite e lumtur per operatoret e mediave.

    1. Kjo do të funksionojë derisa operatorët e mediave do të shohin një film që flet për pseudogazetarë që përtojnë të gjejnë lajme dhe u referohen filmave. Por nuk është e thënë që efekti pasqyrë ta ndërpresë praktikën e konsoliduar.

  2. Nuk është e thënë, sa kohë që nuk kuptohet – as në gazetari, as në Parlament, as në TV, as në art, as në raportin njeri-njeri – se s’ka gjë më serioze, që e nxit e mpreh shqisën e përgjegjësisë, përgjegjshmërisë, emancipimit, përkushtimit, më rigorozisht se IRONIA, sidomos në këtë epokë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin