SHI DHE QELQ

nga Arb Elo

Shkakësia si e tillë e bën vetiu thuajse të pamundur tejkalimin e subjektit nga përshkrimi i këtij, aq më tepër kur bëhet fjalë për qëmtimin e së bukurës.

Rrallëherë ndodh që përshkrimi i së bukurës, – i cili tekembramja mëton ta shpjegojë atë, të hedhë dritë në fshehtësinë që bukuria sidoqoftë është dhe do të mbetet për nga përkufizimi aksiomatik estetik edhe paskëtaj, – të jetë edhe ai po aq i bukur sa çka e ka shkaktuar atë vetë, qëmtimin; rrallëherë ndodh që pasoja të jetë po aq e bukur sa shkaku i asaj vetë pra.

Edhe më rrallë akoma ndodh që kjo të jetë më e bukur se shkaku, se pikënisja e vetes, se burimi prej nga dalë, – i cili është edhe ai mister aksiomatik, në mos sekreti më i madh në varganin e pafund shkak-pasojë, – të karmës, do të shtonte ndoshta këtu një budist; të evolucionit, do ia priste ndonjë darvinist; të energjisë një fizikan.

Fillesa, Hyji, Edeni, foshnjat, këlyshët, virgjëria, e me radhë, – sjellin me vete cilësinë e të qenit të papërlyera nga pikërisht ky zinxhir, herë i artë e herë i rëndë, robërues, – karmik a për mbijetesë qoftë, – duke qenë në të njëjtën kohë edhe parashkaku, si të thuash, i cili, meqenëse nuk i nënshtrohet kësaj ligjësie universale, është kësisoj i çliruar prej peshës së rëndë të fajit potencial që e pason; fillesa identifikohet më së shumti me esencën e së bukurës, – arketip ky elementar i një tjetri syresh misterioz, që është e bukura vetë pra. Mund të krahasohej kjo më sipër me hulumtimin e një luleje diku në botë, bie fjala, prej nga e ka fillesën parfumi që ka përdorur një grua e bukur, – shkurt: i pamundur dhe përunjës për këdo.

E parashtrova këtë hyrje lodhëse për të patur në një farë mënyre një alibi për paradoksin e pafuqisë dhe nënshtrimit që përjeton kushdo që merr përsipër kryqin e kritikut, analistit, ciceronit; llafazanit pra, që kuturiset të përshkruajë diç të bukur, ndërkohë që kjo rri fare mirë edhe vetëm e ashtu siç është e jo vetëm që nuk e ka të nevojshme gjithë këtë, porse edhe e poshtëron pikërisht me cilësinë që mëton të përshkruhet përshkrimin vetë.

Veç në qoftë se vetë përshkrimi është po aq i bukur sa ajo vetë ose, – për të qenë më pak të rreptë, – i qaset asaj me këtë synim; i dërgon një lule, si të thuash, nëse të bukurën e përfytyrojmë si një diva opere, ta zemë.

Dua të them se për mua të shkruarit për letërsinë, kritika letrare, duhet të jetë, në mos e bukur vetë, të paktën tërheqëse; shpresoj që radhët që vijojnë të jenë të tilla, përndryshe do të më duhej të kërkoja ndjesë qysh tani për fëlligështinë e ndërmarrjes, pa i shkruar ato akoma. Aq më tepër që subjekti i saj është fort eterik: një vjershë, brishtësia e një tille mund të tejkalohej vetëm nga ajo e muzikës, – apo dhe vesës ndoshta.

Gruaja e bukur në këtë rast nuk është e rritur; është vajzë e vogël pra. Si i bëhet t’ia përshkruajmë bukurinë pa e rënduar me fjalë? Duke shpresuar që qenkësh ashtu mbase; tjetër nuk mbetet. Besë, dashuri e shpresë, thoshte shën Pali; ja që nganjëherë nuk i bëhet ndryshe, edhe po të duash, e të duhet një shtysë thuajse fetare, pasi shpesh të ngjan se e bukura dhe parajsa janë, tek e fundit, e njëjta gjë.

Çështje besimi është edhe dobia e së bukurës, pasi është e pavërtetueshme, mu si efekti i njohur shkencërisht i placebo-ve, – dobia e tyre është po ashtu e pavërtetueshme dot rrokshëm. Porse e qëmtueshme, së pari tek efekti që na bën vetë, e kjo na e ushqen shpresën se kushedi ajo shtojzovalle e parritur na lejon, duke bërë sikur nuk na vë re, ndokur t’i hedhim ndonjë sy kur lahet, ndërsa besimi na duhet këtu për të na çliruar nga iluzioni i kotësisë së kësaj përçapjeje.

Me një fjalë, shkruesi i këtyre radhëve nuk beson se mahnitja na ndodh kot. Këtë nuk e vërteton dot; këtë tjetri duhet t’ia pranojë si të dhënë, si aksiomë, përndryshe nuk do të kishte pse të lexonte më tutje.

Ai, unë, beson, besoj se një hit si „Imagine“ i Xhon Lenonit, sa për të marrë një shembull, duhet të ketë diçka të bukur në vetvete, përndryshe nuk mund të shpjegohej efekti, – impakti, si ç’quhet së fundmi rëndom, – te publiku dhe kritika muzikore, pavarësisht se mund të silleshin të tjerë shembuj të këqij për të ilustruar shijen e turmave apo edhe të kinse ekspertëve. Ultima ratio e kësaj plekseje mbetet, në fund të fundit, veç qëmtimi i këtij efekti, impakti, në vetvete, në qenien e pëlqyesit e ndaj edhe qëmtimet që vijojnë nuk kanë se si të mos jenë të tilla, thellësisht personale e për pasojë, po aq thellësisht subjektive.

Nëse për lirikën shqiptare mund të përdorej koncepti i hit-it si i tillë, pak poezi kanë patur fatin e asaj njohjeje masive, të asaj dashamirësie të dhuruar nga lexuesi, të atij mirëkuptimi të çuditshëm prej tij, janë pranuar aq vetëkuptueshëm e aq natyrshëm nga ky dhe kritika letrare, sa poezia „Mall“ e I. Kadaresë. Pse vallë?

Pse kjo vjershë me vetëm pak strofa, në dukje fort e thjeshtë dhe e brishtë, – me të gjithë përbërësit potencialë të kitsch-it patetik të vargjeve që shkruajnë gjimnazistët/et: mall, shi, ylberë, lejlekë, etj., porse edhe me po ata elementë që e kanë bërë filozofinë e vjetër greke të jetë ajo që është: ujë, ψυχή (psike), πάθος (pasion) dhe „të errëtin“, Heraklitin, dora vetë, nga ana tjetër, – citohet në krye të çdo renditjeje të poetikës së autorit dhe zë vende parësore në antologjitë (klasifikimet, hit-parade-at) e poezisë shqiptare?

Jo më kot e kjo është paradigma e kësaj vramendjeje, e kësaj përsiatjeje.

Le ta shohim ca më nga afër:

Ca pika shiu ranë mbi qelq. 

Për ty unë befas ndjeva mall.

Heroi lirik befas ndien mall, pasi kanë rënë ca pika shi mbi qelq. Në vetëdijen e tij malli ndodh papritur, pa e pritur këtë, Mirëpo është njëkohësisht e pritshme rënia e pikave në qelq, cili i pret edhe në një rrafsh tjetër ato, duke i mbajtur. Befas dhe papritur nuk janë sinonime këtu; malli pritej që të ndodhte, pritet me horizontin e ngjarjes, por ai ndodh befas, paparashikueshëm, mu sikurse prognoza e motit, ku pritet të bjerë shi, por nuk dihet kur e ku saktësisht na gjen ky, na gjen gjithnjë befas, pikëprerja me të është e beftë.

Uni lirik, ashtu si pikat e shiut, biemall befas mu si ato mbi qelq; e gjitha kjo shoqërohet a paraprihet nga e papërcaktueshmja ca, ca pika…; edhe uniështë i tillë, i papërcaktueshëm sikurse shiu. E përkthyer kësisoj kokëposhtë, hyrja mund edhe të lexohej edhe kështu:

Ca pika mall ranë në mua. 

Shiun befas ndieu qelqi. 

Të përligjur do të ndieheshim deri diku këtu (në këtë sakrilegj duhet thënë, të të bërit rrëmujë të rendit poetik të vjershës, por vetëm përkohësisht dhe për arsye analitike, nga dashuria për artin, siç i thonë), do të ndiheshim nga vetë autori, i cili në strofën e fundit e përshkruan sërish rënien e dyfishtë në mallin si ëndërr kësaj here, në qelqet që turbullohen prej këtij shiu, të unit lirik dhe të përmallurës prej tij:

Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq,

Që dot s’po zgjohemi ne vallë ?… 

Uni si qelq dhe malli si shi që përjetohet nga i pari si rënie e këtij mbi të.

Nëse në rastin e shiut që bie rënia ngjan e natyrshme dhe e përkufizuar nga gjuha, nuk ndodh e njëjta gjë me raportin e përjetimit dhe unit. Për sa kohë nuk e dimë me saktësi se ç’qenkësh uni, lirik a filozofik qoftë, nuk mund të themi që ramë në mall apo na ra një mall. Gjuha i përmban të dyja mundësitë në shprehje si: ra në dashuri, ra në ëndërrim, etj. dhe, në të përkundërt, i ra një hall, i ra pija në kokë etj.

Poeti këtë dyzim të unit lirik, të I.K.-së vetë ndoshta, e di vetiu, pa patur nevojë për filozofi, fetari, psikanalizë a çfarëdo shtegu tjetër për të mbërritur në këtë përfundim, ndaj edhe është i tillë, poet pra. Në një mënyrë të thjeshtëzuar, thuajse vulgare, mund të krahasohej kjo me metodat shkencore të vëzhgimit të botës: nëse filozofia merr shtegun e mendjes, mikroskopin a teleskopin, dhe feja shpalljen që i ndodh një të përzgjedhuri, psikologjia një tjetër metodë e mjete, radiografi, valë e rreze infra të kuqe apo rëntgen etj, poeti ka antenat e tij të posaçme për të përftuar botën e jashtme dhe të brendshme.

Poeti e di pra se ne biem, porse edhe na bie, e bën vetiu zgjedhjen e tij që nuk është as e atillë, pasi uni i tij edhe bie në ëndërr, si edhe në mall, edhe i bie malli në të njëjtën kohë përmbi në formën e pikave të shiut, kur ky ndodhet në gjendje të ngrirë, të qelqtë, të cilës pikat ia turbullojnë tejdukshmërinë, e bëjnë të ëndërrt e po kjo mund të thuhej edhe për tejdukun e pikave vetë. Ai haset me veten pra.

Në këtë kuptim ai, ose më mirë: uni lirik i vjershës në fjalë, është të dyja: edhe shiu, por edhe qelqi, herën e parë si i zoti i shtëpisë e të dytën si  mysafir po aty, në shtëpinë e qenies së vet, qelqi mund të jetë ai i dritareve, por edhe ai i syzeve, i gotave, si edhe i syve e me radhë, mirëpo nuk ka pse të përcaktohet kjo dhe jo më kot: sa më substancialë bëhen elementët, – uji këtu në formën e tij të lëngët dhe atë të ngrirë, atë të qelqit, ndonëse shkenca nuk do e pohonte këtë, por ndodhemi në poezi; këtu veprojnë të tjera ligjësi, – sa më shumë elementët i afrohen gjendjeve të tyre arketipale, aq më tepër humbet dallimi mes së jashtmes e së brendshmes, ç’është jashtë, është edhe brenda dhe anasjelltas.

Një pyetje e trashë, budallaqe, e dikujt, ta zemë, që nuk do e kuptonte se për çfarë bëhet fjalë në këtë poezi, – se ku qenkësh drama aty, pse njëherë e gjitha kjo, se çfarë halli i paskësh rënë heroit, ç’e paskësh zënë atë, ku është motivi këtu për të shkruar, etj. – e thjeshton në mënyrë fort vulgare, por edhe e shkoqit njëkohësisht disi këtë më sipër. Pyetja do të ishte: „Pse bën uf e buf, jo ndiej mall, jo po flemë e nuk po zgjohemi dot e kësi gjërash; pse nuk e merr në telefon atë vajzë e t’i biesh shkurt e të na e kursesh edhe ne, por edhe vetes, dufin patetik që të ka rënë për hise?“

Përgjigja është e thjeshtë: heroi ynë nuk ka mall për dikë, ai është i tillë, i përmalluar. Edhe nëse e munguara, – e cila, duhet shtuar, nuk ka pse të jetë medoemos femër, – mund të ishte fare mirë edhe një shok, një mik; po të shkonim ca më larg, pa dashur të bëheshim morbidë, për arsye poetike pra: një i/e vdekur mund të projektohej pa asnjë firo në këtë skenografi; ja edhe ca më larg akoma: ndonjë alter ego a klon e heroit, e kështu me radhë, – edhe nëse e munguara do të ndodhej aty pranë, ka shumë të ngjarë që ai të përjetonte të njëjtin mall, pasi malli ndodh gjithnjë në të shkuarën, vjen prej saj e na godet në të tashmen, si pikat e shiut qelqin.

Edhe ndarja e nënkuptuar nga përftimi i një të dyte/i që mungon nuk është në thelb e tillë; plaga dhemb vetëm përbrenda; feksja e mallit ndodh fillimisht si takim në strofën e parë (të shiut me qelqin), për t’u stakuar në dy të tjerat e për të shndrirë edhe një herë të fundit në strofën e fundit në një qark të shkurtër, në pjesëzën se(ç):

Dhe unë për ty seç ndjeva mall.

I ngjan një akuareli e gjitha kjo (bojëra uji, bojëra shiu) dhe është më e brishtë seç do të duhej për të mbajtur një gur të rëndë fjalësh si këto (më ranë si gur këto fjalë në bark…- nga monologu i pikës së shiut) që do i binte t’i binte sipër lules që po donim t’i dhuronim në hyrje divës.

Kam natyrisht frikë se është vërtet kështu, por shpresa që përmenda në hyrje të këtij shkrimi më mban me gajret se nuk qenkësh fare ashtu: nuk qenkësh lulja pra, vjersha që ka mbirë në rrëzë të gurit tim filozofal, porse ky i fundit ka mbirë ndanë saj; ajo ishte më parë e do të jetë edhe më pas aty, ndërkohë që gurin tim, që i ngjan një syreshi varri  ku prehet e bukura, miku, kloni, ego-ja e me radhë, – gurin tim filozofal pra do e ketë grirë me kohë era.

*P.S. : shkruesi i këtyre rreshtave nuk është as studiues e as kritik i letërsisë, por vetëm e thjesht lexues, ndaj këto shënime mëtojnë të jenë veç mbresa leximi e aspak shteruese.

1 Koment

  1. Arb Elo: Përgjigja është e thjeshtë: heroi ynë nuk ka mall për dikë, ai është i tillë, i përmalluar. Edhe nëse e munguara, … do të ndodhej aty pranë, ka shumë të ngjarë që ai të përjetonte të njëjtin mall, pasi malli ndodh gjithnjë në të shkuarën, vjen prej saj e na godet në të tashmen, si pikat e shiut qelqin.

    Poezia Mall edhe keshtu mund te lexohet , nese lexuesi ndjek shtegun budist.Me lart thoni se uni, lirik apo filozofik, eshte dicka e papercaktuar.Budizmi pikerisht e mohon unin dhe njeriu nuk ka ndonje subjekt mendor por shperfaqet si seri gjendjesh mendore. Sipas Borges , ne buzidem subjekti mendonjes i formulas karteziane “Une mendoj,..” shmanget dhe i le vendin qasjes objektifikuese se tipit “mendohet”, “vuhet”.”trishtohet”, “mallohet” njelloj si themi “bie shi”, “ben vape” “bie bore”.Fenomenet e natyres thjesht ndodhin.
    Edhe pemet e “ndjejne” vapen ,prandaj frutat piqen por njeriu si qenie me vetedije, e ndjen vapen dhe, si qenie e rrenjosur ne gjuhe, e artikulon gjendjen e tij (thote: kam vape).
    E pare kesisoj , pra e zhveshur nga subjektiviteti, subjekti (“heroi lirik” , si shprehje, me duket mbeturine e kritikes soc-realiste) do ta shprehte gjendjen e tij mendore/shpirterore , keshtu:

    Ca pika shiu rane ne mua
    befas vetja u permallua
    Kjo do te ishte situata kur “uni” artikulon gjendjen e vetvetes, ku permallimi nuk vjen nga mungesa e dikujt dhe nuk mendon dike. Fakti qe gjuhesisht nuk themi “biem ne mall”, nuk ndodh pasiqe “uni eshte i papercaktuar” sepse eshte po ky un qe percaktohet kur shprehemi ” bie ne dashuri”.Te dyja rastet jane situata, gjendje te unit.

    Poezia ndjek levizjen nga jashte brenda subjektit . Bien ca pika shiu (dukuria natyrore jashte) dhe befas subjekti “ndjen mall” (gjendja e brendshme shpirterore) .”Per ty” eshte personi i/e munguar. Ky eshte “uni reflektiv”. Malli eshte qartesisht gjendja e shpirtit per dike qe mungon (shihemi rralle), edhe pse jane aq
    afer (jetojme te DY ne nje qytet).
    Malli si ndjesi nuk vjen perhere nga e kaluara, si kujtim, nostalgji por mund te projektohet edhe nga e ardhmja, kur themi: do te me marre malli per ty.
    Strofa e dyte , ardhja e vjeshtes (vjeshta, shiu , qiejt e zymte) prezantohet nga “uni narrativ” si dicka e cuditshme, cfare tregon se perkunder rendit natyror te nderrimit te stineve, uni jeton ne nje tjeter rend kohor, ne kohen metafizike, i perhumbur ne kujtime per kohen e shkuar me ate (ai/ajo).Prania e ylberit simbolikisht tregon pamundesine e kapercimit momental te situates . Gjuha shenon objektet, dukurite natyrore te njemendta por ne rendin poetik, fjalet (vjeshta, shiu,ylberi ) marrin domethenie simbolike dhe percjellin gjendjen shpirterore ,dhimbjen, trishtimin,ndjenjen e mungeses te subjektit lirik por edhe shpresen per nje riperteritje (simbolika e shiut si bekim nga Perendia, si ringjallje.Tjeter simbolike mbart shiu tek Gjenerali)
    E cuditshmja ne fakt nuk ka te beje me stinen si dukuri fizike por me situaten metafizike te zbuluar ne strofen e trete: te zgjuarit jetojne bashke kurse te fjeturit jane te terhequr ne mjedisin e tyre privat (Herakliti).
    Ineteresante eshte se ne kujtesen time , dy vargjet rrinin ne formen:
    te gjallet jetojne bashke/ te vdekurit jetojne vec ! Duket se me kohe, pavetedijshem, kujtesa ka fiksuar jo te thenen, por domethenien. Pra e cuditshme per unin poetik eshte se ai dhe ajo (e munguara) persa jane gjalle, duhet te jene bashke. Pengesa e mbetur mister ka prishur rendin e gjerave (lufta e klasave, lexova diku!)
    Strofa e katert -(ne’cenderr kemi rene kaq keq.. )thellon dhe permbyll qasjen metafizike: e gjitha duket si enderr e keqe, si makth. Endrra dhe realiteti-(perseri citoj Borges me shestimet e tij tek Ligjerata) ndershkembehen. Endrra behet zhgjender , fjetur apo zgjuar, ne rendin poetik eshte e njejta gje.

    Arb Elo: uni lirik i vjershës në fjalë, është të dyja: edhe shiu, por edhe qelqi, herën e parë si i zoti i shtëpisë e të dytën si mysafir po aty, në shtëpinë e qenies së vet, …” Kjo me kujtoi nje kenge popullore ku thuhet:
    kujtova se binte shi/ ata ishin lot’ e mi
    Dhe kjo mund te ndodh vetem ne perhumbjen enderrimore ku lotet jane mysafiri ne shtepine e qenies se tyre, ne sy (qelq).Pra uni lirik eshte edhe qielli (Ati) dhe biri (shiu/loti) dhe shpirti ligshtuar nga malli.
    E gjithe poezia ka nje sens te forte metafizik, metafizika e mallit, e te penguares , nje qasje brilante autoriale ndaj dashurise se penguar , aq shume e pranishme ne folkun shqiptar.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin