GJOKSE TË CEKËTA

Tashmë është konfirmuar që mediat tona në Internet, me pak përjashtime në të dy skajet, nuk janë veçse filiali shqip a versione të sindikuara të britanikes “Daily Mail.” Me kritere që për mua mbeten enigmatike, kjo gazetë është zgjedhur nga të gjithë si modeli për t’u ndjekur i gazetarisë moderne.

Edhe një lajm i qarkulluar këto ditë dhe i rimarrë nga shumë faqe dhe portale, aq sa t’ia gjesh origjinën shndërrohet sakaq në një lloj gjakimi investigativ – sa i lodhshëm aq edhe i kotë – edhe ky lajm pra, për një barelief (a “statujë”, siç e kanë quajtur) e cila kinse dëshmon se laptopi paska ekzistuar që në lashtësi.

Pa çka se lajmi, në vetvete, qarkullon prej kohësh, në forma dhe trajtime të ndryshme – ne jemi marrë vesh tashmë, në mënyrë misterioze, për të ndjekur “Daily Mail” deri edhe në zgjedhjen e informacionit: nëse ata e kanë, atëherë le ta kemi edhe ne, madje të shumëfishuar.

Unë këtu po citoj versionin e botuar në “Dita”, por i njëjti tekst ka dalë edhe shumë faqe të tjera.

Imazh

Duke iu referuar një objekti që mban në dorë një fëmijë, në barelief, lajmi vëren se ky i ngjan një laptop-i; por pastaj sjell edhe këndvështrimin e palës tjetër, ose të historianëve të lashtësisë, të cilët – tani po citoj nga teksti:

[T]honë se skulptura është thjesht një grua e vdekur që ‘prek kapakun e një gjoksi të cekët.’

Kapakun e një gjoksi të cekët?

Ky formulim edhe më pështjelloi, edhe më intrigoi. Nga njëra anë, më kujtoi një formë lojcake krijimi tekstesh letrare të përdorur nga surrealistët dhe të njohur me emrin “cadavre exquis”; sikurse më kujtoi një shembull të sjellë nga gjuhëtari Chomsky të një fjalie gramatikisht korrekte, por përndryshe pa kuptim: “colorless green ideas sleep furiously” – të cilën pastaj poeti Clive James e përdori në një poemë (A Line and a Theme from Noam Chomsky).

Pastaj, i kthyer me këmbë në tokë, u kujtova se bëhet fjalë për media shqip; prandaj “gjoksi i cekët” duhet kuptuar brenda fushës tematike të mishrave që u ofrohen lexuesve për t’i joshur seksualisht; dhe këtu pyeta veten se ç’relevancë ka pasur forma dhe sidomos vëllimi i gjoksit qoftë edhe femëror, për identifikimin e laptopit në fjalë.

Pa folur pastaj për “kapakun” e gjoksit, si kushedi një formë relativisht primitive të sutjenave moderne.

Tash s’më mbetej veç të krahasoja tekstin shqip me burimin e tij të detyrueshëm, në The Daily Mail.

Ku lexova, natyrisht, se:

Historians say the sculpture is just a deceased woman ‘touching the lid of a shallow chest.’

Çfarë edhe e sqaron menjëherë efektin ‘cadavre exquis’: shallow chest i referohet një “arkëze të cekët”, dhe jo “gjoksit”.

Po ç’faj kam unë, do të thotë në këtë rast përkthyesi, që fjala anglishte chest ka dy kuptime relativisht pa lidhje mes tyre?

Në fakt përkthyesi – i cili të paktën thonjëzat e origjinalit i ka ruajtur dhe riprodhuar në mënyrë sa korrekte, aq edhe profesionale – nuk ka asnjë faj. Problemi këtu ka të bëjë me Google Translate:

Capture

Edhe pse unë sërish habitem, që në një epokë si kjo e sotmja, kur anglishten e kanë mësuar deri edhe qentë (dhe këtë e them pa kurrfarë specizmi), ka ende bij të shqipes – që punojnë në fushën e përkthimit dhe të mediave – dhe që përdorin Google Translate për t’i kthyer tekstet anglishte në shqip.

Të paktën të ishte provuar e kundërta: të përdorej i njëjti motor përkthimi, për t’i kthyer në anglishte lajmet shqip, për shembull batutat në Parlament ose “eksternacionet” e kaubojsit të Lezhës… një përftesë që kushedi do të kish tërhequr një lloj publiku snobësh, që ende i shijon lojërat me gjuhën.

Ka edhe një ironi të fundit: nëse lajmi i përkthyer bën fjalë për një laptop që mund të ketë ekzistuar edhe në lashtësi, mënyra si është përkthyer, dëshmon se laptop-i mund edhe të na budallallepsë dhe të na kthejë mbrapsht në shpella, sidomos kur vihet të bashkëpunojë me Internetin.

4 Komente

  1. Nuk di çtë bëj tani. Ta falënderoj përkthyesin duke i thënë: “Fiume come me per te”, apo me një “olio con mare” ta kaloj edhe këtë radhë…

  2. Kapaku i nje gjoksi te ceket! Ahahahahaha
    Per nje moment po e perfytyroja gjoksin si nje nga ato kutite e bizhuve, qe kane thellesi te cekte :p ne duart e nje femije qe loz me kapakun, hap e mbyll
    Kam nje propozim: Laptopin mund ta perkthejme ne shqip topi i lap(b)it, meqenese labet jane dhe trima 😉

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin