VENUSI ZHVISHET

Ajo çfarë ndodhi në Musei Capitolini në Romë, kur një burokrate mbuloi statujat lakuriqe para se atje të shkonte Presidenti iranian Rouhani, për të mos “lënduar” tabutë e supozuara të mysafirit dhe të kulturës që ai përfaqësonte, tërhoqi vëmendjen edhe këndej nga ne. Në fakt edhe ne kemi problemet tona me censurën, vetëcensurën dhe mënyrën si i respektojmë ose i sfidojmë tabutë, reale dhe të imagjinuara.

Shkruan këtu në blog Pishaku dhe Erion Gjatolli; do të sugjeroja për lexim edhe një analizë të Çapajev GjokutajtPanorama (“Venusi me burkë”).

Tani, një debat i arsyeshëm për këtë temë duhet të ketë parasysh se nudoja në pikturën perëndimore nuk është e krahasueshme, dhe as e kundërvëshme me një grua myslimane të mbuluar nga koka në këmbë; meqë nudoja në pikturë është shenjë dhe konvencion i një tjetër lloji nga mbulimi i femrës në publik – aq më tepër që gratë, në Perëndim, nuk është se dalin lakuriq në rrugë, sikurse dalin motrat e tyre me burka në disa kultura me rrënjë islamike.

Aq më tepër që pikturat dhe skulpturat në vende tradicionalisht islamike nuk është se e paraqitin gruan, si të tillë, me burka.

Një grua e mbuluar, është një prani publike që kërkon të vetanulohet deri në zhdukje, duke zëvendësuar materialitetin e trupit dhe identitetin e fytyrës me një siluetë pak a shumë abstrakte.

Kush i mbuloi skulpturat lakuriqe në Musei Capitolini e bëri këtë i nisur nga supozimi se mysafiri i lartë nga Irani nuk do të mund ta bënte dot dallimin midis nudos si shenjë në artet vizuale dhe gruas lakuriqe si të tillë, për shkak se kulturës nga vjen ai i mungon kjo traditë specifike.

Por këtu nuk ka gjë të madhe për t’u mburrur; sepse shumë prej nesh i pranojnë vërtet, për inerci ose për snobizëm, nudot në artin klasik (Rilindje e më pas), por pastaj nuk arrijnë ose nuk duan të dallojnë, në praktikë, midis trupit lakuriq, si mishërim i jetës njerëzore, dhe zhveshjes, si praktikë erotike.

Normalisht, kushdo që sheh një Venus lakuriqe në muze, nuk është se mendon që kësaj statuje klasike ia kanë hequr rrobat, ose e kanë zhveshur. Një gjë është trupi lakuriq, si rezultat i aktit të heqjes së rrobave; dhe një gjë tjetër trupi lakuriq si i tillë.

Procesi i zhveshjes së një femre (a një mashkulli xhanëm), jo rrallë i ritualizohet në strip-tease, nuk ka ndonjë prestigj kushedi çfarë në kulturën Perëndimore: praktikohet dhe konsumohet zakonisht në kontekste erotike dhe pornografike.

E kundërta e këtij procesi është veshja ose mbulimi; për hir të respektit ndaj një tabuje, herë eksplicite herë të nënkuptuar, që e lidh lakuriqësinë me erotizmin ose, thjesht, vulgaritetin a ndyrësinë.

Kjo do të ketë qenë edhe një arsye subliminale, pse mbulimi i statujave nudo në Campidoglio i shqetësoi sensibilitetet liberale: nënkuptimi, krejt vulgar, se këto statuja paskëshin qenë të zhveshura – ose i kishin zhveshur (dikur).

Natyrisht, femra të kolme lakuriqe funksionojnë shenja standard në artet vizuale të një periudhe të artë të kulturës Perëndimore; por nuk besoj se një kritik a historian arti mund të thotë se artistët e Rilindjes italiane “i zhveshën” subjektet e tyre.

Pa çka se modeleve të tyre, në atelie, do t’u jetë dashur të zhvishen.

Semiotikisht, do të flasim për një dukuri të organizuar sipas dy aksesh perpendikulare: njëri është ai midis gruas nudo dhe gruas me burka (si shkalla ekstreme e fshehjes në publik); tjetri midis veshjes dhe zhveshjes. I pari aks është statik, i dyti dinamik.

Nude in Red

Nude in Red, nga Tiziana Fejzullaj*

Edhe pse nudoja femërore (dhe më rrallë edhe mashkullore) mbetet tërheqëse për artin vizual bashkëkohor, duket sikur vëmendja e artistëve është zhvendosur tashmë nga aksi statik në atë dinamik.

Shumë artistë sot zhvishen ose zhveshin, ndryshe nga të vjetrit, që mjaftoheshin me paraqitjen e trupit lakuriq.

Dhe meqë kjo lakuriqësi në art, kur vjen si pasojë e zhveshjes, mund edhe të provokojë – së paku një pjesë të publikut, që mund edhe ta kërkojë këtë lloj provokimi – atëherë edhe zhveshja, si heqje rrobash në publik, po kërkon të marrë statusin e artit.

Faqet e tabloidëve përditë na lajmërojnë për femra që zhvishen dhe pastaj vishen sërish, edhe pse ky nuk është art në vetvete, por vetëm cingërisje e publikut të ngeshëm; por mediatizimi ndihmon që zhveshja të shndërrohet dhe ajo në shenjë dhe të zëvendësojë nudon, në shumë vepra të artit bashkëkohor.

Nuk është pra, më, trupi lakuriq që na flet; por akti i zhveshjes së këtij trupi – dhe që këtej edhe krahasimi me veshjen, mbulimin, fshehjen e trupit dhe “burkëzimin” si asgjësim të individualitetit në publik vjen e bëhet aktual.

Dhe nëse nudoja tradicionale shpesh vinte e bashkëlidhur me vështrimin (gaze) mashkullor, lakuriqësia si produkt i një zhveshjeje jo rrallë i bashkëlidhet trysnisë sociale dhe kulturore, ndaj femrës në Perëndim, për të performuar; gjithnjë idealisht në sytë e burrit.

Edhe analizës së Gjokutaj, për Venusin dhe burkën, i pranëvihen – në faqen ku ajo analizë është botuar – një mori imazhesh vulgare vajzash të reja që “provokojnë sërish”, në poza të ndryshme të heqjes së rrobave nga trupi. Atë ditë që e lexova unë shkrimin, lexuesit i sugjerohej si “artikull i ngjashëm” një video që tregonte se si një gruaje shtatzënë i kishin “plasur ujërat”, gjatë kohës që po kërcente gjysmë lakuriqe para kamerës.


(*) Vepra e Tiziana Fejzullajt është ekspozuar në Agora Gallery.

 

4 Komente

  1. Dallimet mes qasjes perëndimore dhe asaj, le të themi, lindore, në këtë rast me rrënjë islamike, ndaj shëmbëlltyrës si të tillë ironikisht kanë të njëjtën prejardhje në urdhëresën e katërt të dekalogut: “Mos bëj gdhëndje ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet lart në qiej ose këtu poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë.”, – ndonëse kjo është interpretuar në kulturat islamike shumë më rreptë se, bie fjala, në hebraizëm apo protestanizëm, ku “shenja”, si ç’shkruan XhaXhai, është e reduktuar në arketipet e saj minimale, në simbolet. Për t’u shënuar është gjithashtu se “zbulimi” i lakuriqësisë, për të mos përdorur fjalën “zhveshje”, që 2Xhai me të drejtë e diferencon si të tillë, përkon ose me kohët paramonoteiste, ose me “rizbulimin” e idealit të njeriut si “masë” e gjithçkaje, ndërkohë që në Islam, porse edhe në Krishterim e me radhë, masa e gjithçkaje vazhdon të mbetet Hyji, ndaj dhe moraliteti që rrjedhon prej këtyre dy këndvështrimeve për pasojë është shpesh diametral dhe, më shpesh akoma, i ngarkuar me energji të madhe potenciale fërkimi.
    “Zhveshjes” së njeriut, pornografisë së përditshme mediatike perëndimore, mund t’i vihej fare mirë përkundër “zhveshja” e Zotit (ose më mirë: ashtu siç interpretohet ky koncept nga barbarët e IS-it, bie fjala) që u ndodh femrave robinja shpesh edhe të mbuluara, të cilat shfrytëzohen si skllave seksi, përdhunohen, shiten e me radhë, në kuptimin e “zhveshjes” në një rrafsh tjetër.
    Nuk është natyrisht e njëjta gjë kjo me strip-tease-n mediatik për nga rëndesa kriminale, e megjithatë të dyja qasjet, njëra kah njeriut, duke e zhveshur këtë për ta reduktuar vetëm në lakuriqësinë e tij, dhe tjetra kah hyjnores, duke e “zhveshur” sërish njeriun për ta reduktuar Perëndinë, të themi, vetëm në fjalën kinse të shpallur prej saj, – reduktimi i kësaj pra vetëm në verbalitet të lexuar literalisht e keq, – kanë shumë të përbashkëta në groteskun e pamundësisë për të rrokur nga njëra anë frymën e njeriut e, nga ana tjetër, atë hyjnore, çfarëdo qofshin këto vërtet.
    Edhe më paradoksale bëhet kjo e tëra kur pikërisht arti, i cili tekembramja synon në të vërtetë të “zbulojë”, ta rrokë “frymën” si të tillë, njerëzore a hyjnore, i bëhet pengesë këtij reduktimi, thjeshtëzimi vulgar të misterit që jemi, mirëpo jo edhe aq paradoksale sa të mos ishte kundërti: ky lloj thjeshtëzimi është në të vërtetë nihilist në thelb e duke dashur të “zhveshë”, në të vërtetë mëton ta “zhbëjë” tjetrin, në mos ta ribëjë nga e para, është Ç’art, si të thuash, e kundërta diametrale e artit vetë.

  2. Xha Xhai: “Kush i mbuloi skulpturat lakuriqe në Musei Capitolini e bëri këtë i nisur nga supozimi se mysafiri i lartë nga Irani nuk do të mund ta bënte dot dallimin midis nudos si shenjë në artet vizuale dhe gruas lakuriqe si të tillë, për shkak se kulturës nga vjen ai i mungon kjo traditë specifike.”

    Mendoj se ceshtja nuk qendron tek mosdallimi i nudos si shenje ne artet vizuale dhe lakuriqsise se femres ne jeten reale.Cdo njeri normal, pertej kultures qe mbart, islamike, perendimore, kristiane apo laike, nje pikture nudo e kundron estetikisht si nje shenje fiksionale dhe jo si nje trup femre real, literal te cilit mund ti qasej seksualisht. Perndryshe do te perfytyronim nje sjellje epshore apo nxitje seksuale te nje mashkulli, myslyman ose jo, kundruall nje pikture me nje femer nudo dhe kjo sjellje do te ishte nje crregullim patologjik i theksuar..
    Njeriu antikitetit grek i kundronte skulpturat nudo si forma ideale trupore dhe celebrim te bukurise femrore.Por a jemi te sigurte se i kundronte jashte cdo pasioni dhe nxitje te fantazise seksuale? Mysafiri nga Irani eshte mbartes i nje kulture e cila e femren nudo ne art e konsideron imoralitet dhe mekat. Po nga perspektiva e fese katolike cila eshte qasja per nudizmin ne art dhe realitet? Edhe pse Adami dhe Eva u debuan nga parajsa edhe sepse mekatuan kur “zbuluan” njeri-tjetrin si prani e lakuriqte, katolicizmi dhe etika perendimore kane nje qendrim me fleksibel ndaj nudizmit. Ne pikturat religjoze Jezusi femije tregohet lakuriq, madje edhe me organet gjenitale te dukshme.Ne skenen e kryqezimit , Krishti eshte lakuriq dhe madje si i tille kundrohet nga dy Mariet. Ne zemer te Bibles eshte vendosur “Kenga e Kengeve”, plot ngarkesa sensuale dhe erotike.Te gjitha keto skena ne perspektiven kristiane kqyren si akte jo pornografike, pikerisht permes kontekstualizimit.
    Ne etiken perendimore, veshja minimale ne plazhe dhe, per me teper, zhveshja totale ne plazhet nudiste, konsiderohet normale permes logjikes kontekstuale. Ne keto kontekste dhe hapsira publike, trupat e burrave dhe te grave, “deseksualizohen” ,levizin dhe ekspozohen lirisht. Fale konceptit te kontekstualizimit, femra zhvishet para mjekut gjinekolog dhe ky i fundit e shikon jo me si objekt seksual por thjesht me sy klinik, si paciente.
    Zhveshja ne publike dhe trupi lakuriq merr statusin e artit ne performancat e artit konceptual .Mjafton te kujtojme performancen e Marina Abramovic dhe partnerit te saj Ulay ne MoMa, si provokim i reagimeve te publikut ndaj trupit lakuriq .Kjo preformance ilustron mendimin e M.Fuko kur thote se trupi njeriut eshte nje konstruksion social, produkt i diskurseve dhe regjimeve disiplinore dhe jo thjesht nje realitet fizik dhe e dhene biologjike.
    Pikerisht se trupi lakuriq perben nje tabu ne kodet etike dhe kulturen perendimore, trendi ekspozimit te trupit pa “pike turpi” ne performancat artistike perpos se pasoje e trysnise komodifikuese te tregut, manifeston njeherazi edhe thyreje te korrnizave moralizuese dhe tabuve rreth trupit dhe lakuriqsise ne hapsirat publike. Revolta e trupit kundrejt kanoneve morale , e pare ne kontekstin e revolucionit seksual, bashke me lirine e fituar duket se ka minuar konceptin dhe ritualet e dashurise e cila ushqehet pikerisht permes magjepsjes ne intimitet prej trupit nudo te femres.Por kjo mesa duket eshte kostua e Lirise.

    1. Nuk jam krejt i sigurt se trupat e zhveshur në plazh, janë të zhveshur edhe nga ngarkesa erotike – më duket se erotizmi aty thjesht është i ritualizuar, por nuk mungon.

      Nga ana tjetër, siç e kam theksuar edhe në shkrim, gjithnjë do të dalloja midis nudos dhe zhveshjes – të cilat vërtet i referohen të dyja lakuriqësisë, por duke u përkitur dy planeve të ndryshme të eksperiencës.

      Në artin e Rilindjes, sikurse në artin klasik grek dhe romak, femra dhe mashkulli lakuriq shfaqen si shenja; që kanë një marrëdhënie ikonike me trupin “real”, por jo me realitetin – pasi askush në atë periudhë nuk dilte lakuriq në publik.

      Këtë e dinte edhe “konsumatori” i atyre veprave të artit, i cili ish mësuar të bënte dallim mes nudos në art dhe trupit lakuriq në realitet; dhe jo vetëm: ky dallim e mundësonte edhe vetë ekzistencën e një arti që e paraqiste figurën njerëzore lakuriq.

      Dua të them se artistët e Rilindjes, duke paraqitur trupin e njeriut në artin e tyre, nuk është se synonin – besoj – ndonjë çlirim të zakoneve seksuale të publikut dhe as rrëzim të tabuve, të paktën në atë kuptim që u japim këtyre gjesteve artistike sot.

      Me sa di – dhe më duhet të pranoj se di fare pak në këtë fushë – nudoja në artin e Rilindjes erdhi kryesisht si trashëgim nga arti klasik grek dhe romak.

      Ndryshe ndodh me lakuriqësinë, ose më mirë të them LAKURIQJEN, në shumë vepra të artit bashkëkohor: piktura, skulptura, video, instalacione dhe performanca, ku marrëdhënia me erotizmin, tabunë seksuale dhe pornografinë është gjithnjë e pranishme.

      Dhe jo vetëm vepra të arteve vizuale: mjaft të kujtojmë zukatjen mediatike që shoqëroi vëllimin me poezi “Vrima” të Rita Petros.

      Këtu jemi shumë larg, por vërtet shumë larg nudos në artin klasik.

      Po sjell këtu shembullin e një vizatimi të artistes Meri File, të titulluar “Katarsis”, dhe që do të ekspozohet në Ekspo Art Tirana 2016.

      Në këtë imazh, zhveshja lakuriqe vihet në raport të drejtpërdrejtë me mbulimin e femrës myslimane me burka; për të vënë në pah një konflikt esencial i cili përfton, mes të tjerash, edhe dhunë.

      Vëreni këtu si media këtë lloj përftese nuk ka hezituar ta kategorizojë si “provokim.”

      1. Xha Xha, e kam shume te qarte dallimin qe beni ne shestimet tuaja rreth nudizmit dhe zhveshjes ne art.Duke marre spunto nga nudizmi ne art, ne komentin tim e cvendosa diskutimin ne drejtim te kufijve te lejueshem te zhveshjes dhe lakuriqsise ne hapsirat publike, nje teme mjaft e diskutueshme sot, nen presionin e levizjeve postfeministe, por qe implikon konceptin estetik mbi erotiken dhe pornografiken dhe etiken e te turpshmes, te lejuares dhe te ndaluares ne mjediset publike , caqet e zhveshjes , si stil jetese por edhe ceshtje etike etj.
        Nga cfare kam lexuar, eshte interesante kur konstaton se ne antikitetin grek , nudua ne skulptura bashkejetonte me zhveshjen lakuriq te meshkujve, si dicka krejt normale dhe e shendetshme, ne lojrat olimpike dhe stervitjet e luftetareve.Por , nga ana tjeter, Homeri tek Iliada (sipas studjuesve) tregon skenen e truperimit te nje luftetari, duke e detyruar te ecte lakuriq mespermes kuadratit te ushtareve.(Heterotopia) Po keshtu , ne antikitet ishte krej normale prodhimi skulpturave te trupit mashkullor me fallusin e erektuar, si shenje e virilitetit dhe tregues i magjise se trupit mashkullor. Edhe ne kulturen hindu, Kama Sutra vizualizohej lirshem neper manualet per teknikat seksuale dhe nuk konsiderohej dicka e turpshme apo pornografi.
        Ne antikitet dhe Rilindje ishte dicka normale ,perkatesisht, skulptura dhe piktura nudo kurse ne kulturat islamike dhe socrealizmin shqiptar, nudua ne art konsiderohet blasfemi dhe e papranueshme.
        Sot ka nje debat te zjarrte per kufijte e zhveshjes ne publik, (Levizja Femen, Free the Nipple ) ,per seksualizimin e trupit te femres si shprehje e kultures misogjiniste dhe , ne kete kontekst, plazhet nudiste ose kolonite e nudisteve, sillen si argumenta te deseksualizimit te trupit. Fakti kufijte e zhveshjes se femres kane ndryshuar nga nje epoke ne tjetren, nga nje kulture ne tjetren, vjen ne dobi te konceptit fukoian te trupit si konstruktion kulturor dhe social. Madje, simbolikisht edhe koncepti hetertopise ilustrohet bukur ne trupin e femres, i pare si hapsire fizike: kulturat kane percaktuar “zonat e ndaluara”, te mbuluara, zonat e lejuara per t’u ekspozuar dhe prekur nga mashkulli,shoku, kolegu etj. dhe zonat e palejuara per syrin ne hapsiren publike. Ne kulturen e disa shoqerive femrat toples eshte nje normalitet.Levizshmeria e kufijve te zhveshjes dhe lakuriqsise, ne art dhe ne jete, nga nje kulture ne tjetren, reflekton relativitetin e konceptit mbi te turpshmen, mekatin,amoralen, erotiken, pornografine dhe vete statusin e femres ne shoqeri.
        A ka ndonje ndikim katharstik kundrimi i nje tabloje ose skulpture nudo ? Nuk di te pergjigjem.Shembulli i piktures se Meri Files qe keni sjelle,(Katarsis) , pertej provokimit sipas paradigmes orientaliste, duket se nenkupton kete rol te piktures nudiste ne cdemonizimin e trupit te femres.

        Thoni: Dua të them se artistët e Rilindjes, duke paraqitur trupin e njeriut në artin e tyre, nuk është se synonin – besoj – ndonjë çlirim të zakoneve seksuale të publikut dhe as rrëzim të tabuve, të paktën në atë kuptim që u japim këtyre gjesteve artistike sot.
        Me duket se ka nje keqkuptim: Kam folur per trendin e ekspozimit te trupit ne performancat si manifestim kunder korrnizave moralizuese dhe tabuve rreth trupit dhe lakuriqsise ne hapsirat publike. Ka nje dallim ndermjet nje tabloje nudo , ku trupi, sikurse thoni, eshte “shenje” dhe perfshirjes se trupit , si te tille, ne artin performativ. (Abramovic ne Moma, psh). Pamjet qe na servirin tabloidet per koncertet te kantautoreve femra gjysem lakuriq, pa te mbathura, toples etj, kane vene ne diskutim kufijte e lejuar te zhveshjes ne publik dhe, sidomos, raportet e artit me pornografine.Duket se si ne artet perfomative , ashtu edhe ne jete, ka nje sulm frontal per te rivendikuar kufijte etike te lakuriqsise se lejueshmes, si shprehje e lirise se krijimit dhe te drejtes se femrave per te kundershtuar kulturen e seksualizimit te trupit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin