NJË MBRËMJE ME TONIN HARAPIN

Viti 2016 shënon përvjetorin e 90-të të  lindjes së kompozitorit Tonin Harapi.[1] Në  kujtesë  të  kësaj date, u zhvillua në  hollin e Teatrit të  Operas dhe Baletit, një  koncert-homazh. Aty u luajtën vepra të zgjedhura nga opus i Harapit: pjesë pianistike, romanca për zë e piano, pjesë nga kuarteti për harqe dhe dy numra nga Rekuiem-i, interpretuar nga kori kameral i operas, nën drejtimin e Dritan Lumshit.

Nje mbremje me TonininKoncerti i titulluar “Një mbrëmje me Toninin”, ishte organizuar me inisiativën e pianistes Lindita Kotorri, në bashkëpunim me muzikantë të njohur të Teatrit të Operas. Ditëlindja e mjeshtrit i bëri kështu të gjithë bashkë, interpretuesit dhe publikun, në një mbrëmje intime, pa shumë zhurmë mediatike dhe të ngarkuar me një emocion të veçantë.

Pranova me shumë kënaqësi ftesën e znj. Kotori për të thënë dy fjalë në hapje të këtij koncerti. Kjo për vetë hapësirën që ka zënë ky kompozitor në kulturën muzikore shqiptare të gjysmës së dytë të shek. XX. Në përfundim të tij, ama, m’u duk me vend, që mendimet për Mjeshtrin, të mos i lija brenda hapësirës së asaj mbrëmjeje dhe t’i ndaja me ju përmes shkrimit në fjalë.

Me Tonin Harapin më lidh pjesa e hershme e formimit tim muzikor, kur si pianiste më rastiste të luaja miniaturat e tij. Ndonëse, nuk ishte i vetmi kompozitor shqiptar që duhej të interpretonim, te pjesët e Harapit kishte gjithmonë diçka identifikuese. Këtu, po rendis disa, në një interpretim shumë fin e elegant nga pianistja Dhurata Lazo.

I dallon këto pjesë melodizmi i spikatur, lirizmi narrativ, por edhe trajtat minimaliste të zhvillimit muzikor, që të jepnin mundësinë për ta fiksuar lehtë pjesën. Ishte një muzikë që distancohej nga tradita ruso-sovjetike dhe që afrohej shumë me romantizmin europian. Dhe në fakt, ndonëse opusi krijues i Tonin Harapit përfshiu vepra të ndryshme, te muzika pianistike u shpalos më qartë se kudo filozofia e tij krijuese. E gjejmë një gjë të tillë sidomos te miniaturat, por edhe Sonatina për piano, apo Tema me variacione.

Thjeshtësia, kursimi gati ekstrem i figurave muzikore, referencat ndaj melodive tradicionale, të gjitha këto i pajisin veprat me një sinqeritet të veçantë dhe të ishe i sinqertë në një periudhë kur kornizat ideologjike i qepeshin krijimtarisë muzikore në lëkurë, tregon shumë. Por, në një situatë  izolimi ekstrem të shkollës muzikore shqiptare, ato kanë gjithashtu edhe një efekt tjetër, atë të një gjuhe të mbyllur brenda një guacke: si në një botë muzikore që përpiqet të jetojë jashtë kohës,. Është një botë neutrale, e pangacmuar nga realiteti dhe ideologjitë, por që as nuk përpiqet ta ngacmojë atë. Ky lloj neutraliteti e bën Tonin Harapin që të fokusohet qëllimisht te pianizmi për fëmijë dhe të rinj. Me ata mbase ishte më e lehtë të ishe i vërtetë, por edhe po të mos ishe, fëmijët ishin prapëseprapë fëmijë.

Kjo filozofi krijuese mund të gjurmohet edhe në vepra të tjera, si kuarteti për harqe no. 1, apo muzika vokale, ku spikasin sidomos romancat. Ndërkohë që nuk mund të mos përmend përpunimet e shumta që ai i bëri këngëve dhe melodive tradicionale, sidomos atyre shkodrane. Si kërkesë estetike e shkollës muzikore të asaj periudhe, ai i integroi ato brenda formave të kultivuara, duke pasur  gjithmonë prirjen e citimit të melodisë.

Vite më vonë, një forum për muzikën shqiptare i titulluar “Përtej notave – Beyond the notes” më dha mundësinë të njihja më nga afër edhe një aspekt tjetër të punës së tij: mësimdhënien. Në fakt, forumi pati pikënisje kontributin e tij të dyanshëm si kompozitor dhe pedagog. Këto ishin dy konstante që kanë rëndësi kur kujton që nga klasa e Tonin Harapit kanë dalë kompozitorë si Hajg Zacharian, Pëllumb Vorpsi, apo Thoma Simaku. Në këtë kuadër, pata rast të çmoj gjithashtu edhe punën e muzikologut Spiro Kalemi, për ta përmbledhur veprën e Tonin Harapit në një monografi të sistemuar sipas disa etapave.

Por, le të kthehemi edhe një herë te krijimtaria.

Ka një domethënie shumë të veçantë vepra e fundit e tij, një Rekuiem në latinisht, për kor dhe orkestër. Vepra është  kompozuar në vitin 1992, pak para se të ndahej nga jeta. Te ajo,  lirizmi i tij karakteristik hyn në një përmasë shpirtërore. Një vepër liturgjike që mund të konsiderohet si një lloj testamenti artistik i autorit, por edhe si një lloj renderimi që ai i bën atij mjedisi prej të cilit hyri në botën e muzikës. Rekuiem-i përfaqëson një lloj rikthimi te Shkodra e tij. Si pinjoll i dy familjeve të njohura: Harapët nga një anë dhe Marubët nga ana tjetër (gjyshi i tij ishte pikërisht Kel Marubi), Tonini Harapi përpiqet të rigjejë lidhjet me të shkuarën, në një lloj prehjeje dhe njëkohësisht reflektimi për elementin shpirtëror e fetar, të evituar, ndoshta jo lehtë, nga ndërgjegjja e tij krijuese.

Në këtë pikë ama, nuk do doja që kjo “Mbrëmje me Toninin” të tingëllonte e mbushur vetëm me nota nostalgjike. Ka gjithmonë hapësirë për të  reflektuar në mënyre të kthjellët rreth marrëdhënies që personalitete si Tonin Harapi kanë me të tashmen. Nga kjo pikëpamje, besoj se është e domosdoshme të krijohet një fond i posaçëm, i cili të mund të përmbledhë dorëshkrimet dhe punët e tij, për të vijuar më pas me një botim profesional të veprës. Vështirësia e dikurshme për botimet muzikore, por edhe mënyra manuale sesi kompozitorët punonin, e bëjnë veprën e tij të vështirë për t’u gjurmuar. Një fond përkatës, i shoqëruar me një punë filologjike kundrejt dorëshkrimeve do t’i vinte shumë në ndihmë qoftë studiesve dhe sidomos interpretuesve. Në një nivel tjetër, mendoj se vepra e Tonin Harapit përcjell gjithashtu një mesazh shumë kuptimplotë për të tashmen dhe që lidhet me faktin se sido që të vijnë rrethanat e jetës për një artist, përpara se të ankohemi e t’iu hedhim fajin të tjerëve për situatën e keqe, le të përpiqemi të bëjmë punën tonë me përkushtim dhe pasion ndaj artit. Tonini ishte nga ata që e bëri një gjë të tillë dhe ky art ia shpërbleu atëherë, ashtu dhe sot.

[1] Viti i lindjes shfaqet me të dhëna kontradiktore. Në disa vende shënohet 1928. Këtu po i referohemi 1926-s, mbi bazën e informacioneve të znj. Terezina Harapi, ish-studentëve të tij dhe të dhënave të Spiro Kalemit, te monografia Tonin Harapi, (2003, fq. 32).

Rreth Autorit

Mikaela Minga është etno/muzikologe pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve. Merret me praktika të ndryshme muzikore të arealit ballkanik e mesdhetar, me muzikën në shek. XX dhe lidhjet e tyre të shumanshme në rrafsh artistik dhe social-kulturor. Është autore librash, esesh dhe artikujsh të ndryshëm.

Author Archive Page

1 Koment

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin