NGA CENSURA NË KOMPLOT

“Kush po e prish imazhin e Shqipërisë?”, një pyetje që kaloi vetëtimthi nga lokalet tek mediat, nga shitësi i bananeve në rrugë tek editorialistët e gazetave.

Por askush më shumë se analisti i njohur Prof. Dr. Besim Dinaku, autor i librit “Komploti i madh”, shtëpia botuese Enigma, nuk është i bindur për këtë gjë. Prof. Dinaku mendon se ka forca ndërkombëtare, të cilat ai i quan “qarqe antishqiptare”, që kanë krijuar një aleancë, të padukshme në pamje të parë, për t’ia prishur imazhin Shqipërisë.

Sipas opinionistit të njohur, veprimi i “qarqeve” ka bërë një hap cilësor, sepse tani, ndryshe nga më parë, synohet prishja e imazhit të të gjithë shqiptarëve, kudo që banojnë e jetojnë. Nga ana tjetër, prishja e imazhit po kalon nga një veprim dhelpëror e shumë të dëmshëm, sikurse është censura e pjesës pozitive të shqiptarëve në botë.

Për ta ilustruar teorinë e tij, Besimi hedh disa vija lidhëse mbi hartën e mediave, duke evidentuar në këtë mënyrë konturet e komplotit. Ai citon një editorialist serioz shqiptar i cili pyeste me të drejtë:

Artikujt për Shqipërinë të botuar në Daily Mirror dhe Corriere Tv kanë shkaktuar një reagim të madh të institucioneve shtetërore , mediave dhe opinionit publik shqiptar. Vetë ministri i Brendshëm, z. Tahiri, u ka drejtuar një letër mediave që i kanë botuar këta artikuj plot pezm dhe qortime se po prishin imazhin e vendit tonë. (Panorama, 21 janar 2016).

Pasi përmend edhe disa raste të tjera, ku në media flitet keq për Shqipërinë e shqiptarët, autori i bestseller-it “Komploti i madh”, përmend rastin e fundit, që lidhet me këngëtaren shqiptare, që shkëlqen në rang botëror, Rita Orën.

“Sikurse dihet, thotë prof. Besimi, ne krenohemi me të drejtë me këngëtaren tonë që na përfaqëson në të gjithë botën”. Këtë e vërteton dashuria që tregojnë bashkatdhetarët kudo që janë për artistët tanë jashtë shtetit, që bëjnë art cilësor e konkurrues. Për këtë rast, analisti ynë përmend edhe shkrimin me vlerë me titull: “Fytyra jonë e bukur”, botuar kohë më parë nga gazeta Express dhe e rimarrë me të drejtë nga shumë media shqiptare si “Tema”, “Dita”, etj.

Ja çfarë lexohet në rreshtat e para të artikullit:

Rita Ora është fytyra jonë me të cilën kemi dashur t’i paraqitemi gjithmonë botës: e bukur, e talentuar, krenare me prejardhjen e saj. Gjatë vitit 2012, theu çdo parashikim dhe arriti të renditet ndër këngëtaret më të mira të globit. Megjithatë, këtu Rita nuk erdhi rastësisht – i rastësishëm është vetëm fakti se ajo është shqiptare dhe kombi ynë mund të krenohet me të. [Express, 3 janar 2013]

Pra këngëtarja shqiptare është fytyra jonë, ndërfaqja me botën, imazhi i saj është imazhi ynë. “Siç e dinë të gjithë, vijon mediologu Dinaku, këngëtarja shqiptare ka arritur këto kohët e fundit sukses pas suksesi, duke arritur majat e artit botëror dhe famë globale. Pikërisht ky sukses ka shkaktuar smirë tek qarqet antishqiptare dhe ka induktuar reagim kundër saj. Që këtej edhe veprimi i fundit, që synoi censurimin e disa fotografive të këngëtares nga mediat britanike”.

Është fjala për kopertinën artistike të revistës franceze “Lui”, ku këngëtarja e talentuar ka pozuar së fundi për fotografin Terry Richardson. Mirëpo mediat angleze, siç raportoi saktësisht një gazetë shqiptare, tentuan t’ia censurojnë fotografinë, duke ia “mjegulluar” disa pjesë. Në këtë rast, sipas politologut shqiptar, është tejet pozitiv reagimi i mediave shqiptare, që e hoqën me të drejtë censurën ndaj artit të pastër, duke e botuar siç është fotografinë e këngëtares.

“Jemi përsëri përballë censurës anadollake dhe qëndrimit skeptik ndaj nuditetit në art. Lakuriqësia është arti më i vjetër në botë”, nënvizon historiani i artit. Pastaj shton: “Apo jemi përballë një komploti mbarëbotëror”?

2 Komente

  1. Mësoj nga shtypi shqiptar se gazeta britanike “The Telegraph” e paska “kryqëzuar” këngëtaren Rita Ora për fotot e saj në revistën franceze. (Balkanweb, 31 janar 2016). Ndoshta një provë tjetër në favor të teorisë së komplotit?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin