QENTË E RRUGËS SIME

(Shënime të mbetura udhëtimi)

Nuk arrij të mësohem me numrin e madh të qenve nevrotikë që shoh të enden nëpër oborret e mbyllura të shtëpive të fermerëve. Ka midis tyre qen korsike, dogë bordoje, rotveilera, sanbernardë kokëmëdhenj, qen pirenejsh, dobermanë. Të gjithë me sjellje të çrregulluar ose në çrregullim e sipër.

Gjithnjë është folur për një lloj ngjashmërie midis qenve dhe të zotëve të tyre. Nuk jam në gjendje të jap mendim në është e vërtetë. Kurrë nuk pashë njeri të shfaqej te dera, pas lehjes inatçore të qenit të tij. Askush nuk shqetësohej se ata mund të këputnin zinxhirët a kapërcenin gardhin.

Gironde më ndodhi të shoh një samojed të hatashëm, si ari të bardhë. Kishte vënë dy putrat e mëdha mbi murin e ulët të një oborri shtëpie dhe shikonte si një pensionist i deprimuar kalimtarët e rastit. Me gojën të hapur dhe gjuhën të varur anash, dukej sikur përpiqej të kuptonte përse unë kisha të drejtë të ecja në rrugë i lirë e ai jo.

Një herë, në një qytezë të vogë spanjolle, u ndodha përballë dy labradorve dhe nje groenlandezi, që u kishin ikur të zotërve të tyre dhe kthyen rrugë e më zunë pritë mua. Ideja se pas nja njëmijë e treqind kilometrave që kisha bërë me këmbë do të përfundoja në dhembët e tyre, më shkaktoi një si ndijesi të fikti. Meqë nuk do të kisha asnjë shans te fotografoja skenën e krimit, nxorra aparatin fotografik dhe fotografova autorët potencialë të vrasjes sime të afërt. Pë çudi, kur u ndodha fare pranë tyre, ata u ulën në bisht dhe më lanë rrugën të lirë. Ashtu i rraskapitur sikundër isha, ka mundësi t’u mos u jem dukur aspak në lartësinë e tyre, por edhe pak anormal që nuk ndrrova rrugë për t’u larguar e ia mbathur tutje.

Nga ana ime, sot e kësdaj dite mendoj se po të kisha bërë një gjë të tillë, ata do të më ndiqnin dhe hidheshin përsipër. Por në pamundësi për të ditur vërtet të vërtetën, sot vendosa të publikoj portretet ea tyre tre moskëterve, në shenjë mirënjohje, deri sa dikush të më vërtëtojë të kundërtën.No pasaran

Por raste të tilla janë të rralla. Më të shumtët shprehnin një shpirt të vërtetë gërnjari, që nuk kam rast ta vërej te qentë e qyteteve, të cilët në çdo rast dërgojnë sinjale të një lloj përvujsie gjysmë filozofike, mbase ngaqë e kalojnë jetën me një lloj asistence sociale.

Qentë e fshatrave me kohë e kanë harruar përse i kanë lënë aty pas gardhit. Dhe nuk është e çuditshme që t’u lindin në kokë gjithfarë idesh e madje të përftojnë bindjen se çdo i huaj që u kalon pranë u përket dhëmbëve të tyre. Pak kilometra pasi kisha kaluar qytetin e vogël Mont de Marsan, një pitbull m’i nguli sytë me aq zemërim sa pata përshtypjen se mendonte se i kisha shkaktuar një dëm të madh familjar, në mos i kisha vrarë të atin apo të paktën kisha bërë një tentativë të tillë. Më jep një mundësi të të shqyej, angullinin sytë e tij. Nuk ke besim te nofullat e mia? Më jep, pra, rast të të provoj sa gabohesh!

Qëllon të dëgjoj edhe të lehurat ngushëlluese e paralajmëruese të ndonjë qenushi gjithë lesh kaçurrel. Duket sikur thoshte se ishte i detyruar të lehte, se kishte një tjetër që kontrollonte punën e tij, se indiferenca, tërheqja nga detyra apo abstenimi nuk bën ende pjesë në kulturën e tyre, ndërkohë që moskryerja e detyrimeve ndëshkohet pa të drejtë apeli. Dhe vërtet, pas recitalit modest të kones së vogël gjithnjë do të dëgjosh ulërimën e ndonjë baritoni sa një ari; një dogue gjerman, si rregull…

Qeni në fshatra nuk është ende plotësisht një kafshë shoqërimi. Aty ai kryen po ato detyra për të cilat njeriu e ka thirrur në shtëpinë e tij mijëra vjet më parë. Për pasojë gëzon një farë pozicioni social. Aty ke rast ta shohësh (mbase jo edhe për shumë kohë, për shkak të zhvillimit të mbikëqyrjes elektronike) në rolin e dytë më të rëndësishëm pas gjahut, në atë të ruajtjes së pronës së të zotit. Dhe duket se këtë e vlerëson shumë. Si rojtar, (thënë ndryshe si agjent i ngarkuar për ruajtjen e integritetit të pasurisë së të zotit), ai gëzon një autonomi të plotë e të respektueshme. E keqja apo e mira (kjo e fundit për pronarët e tyre) është se shumë shpejt pronën e të zotit e ai identifikon si territorin e tij të ligjshëm. Për pasojë, detyrën e kryen me frymëzimin e shenjtë që ngjall për natyrë prona private.

Po hyja në një fshat fare të vogël, me emrin Tendu, në departamentin e Indrës, kur m’u desh të hidhem përpjetë nga e lehura e një molosi. Kjo duket e kënaqi fort, por pas bataresë së parë vokale, gjithë zemërim a urrejtje racore, ai heshti dhe po më shikonte në sy, duke shijuar rezultatin e veprës së tij të pabesë, fytyrën time të zbehtë e çmeritur. Si u sigurova se nuk mund të kapërcente dot grilën ku e kishin mbyllur, vazhdova rrugën. Tamam një veprim të tillë ai nuk e vlerësoi, madje e mori për fyerje të rëndë. Nisi të hidhej përpjetë që të kapërcente gardhin për të më ndëshkuar, siç e meritoja, por në pamundësi e lehura me kohë iu shndërrua në vikamë, në një këngë majë krahu. Nga goja e çapëlyer i derdhej një biçim angullime e ngjirur, e llurbët, që nuk e merrje vesh ku fillonte e ku mbaronte.

Kur pa se asgjë nuk më pengonte të vazhdoja i qetë rrugën time, ai i rishikoi në ulje synimet dhe me atë angullimën e tij sikur thoshte se ishte gati të më falte sjelljen, me kusht që të ktheja kokën dhe ta shikoja në sy. Mundësisht i frikësuar. Se do t’i bëhej qejfi dhe do të ma dinte gati për nder, përveç se do të më falte jetën…

Mua nuk më pëlqeu pazari. Më ishte larguar ai paniku i parë dhe e vetmja gjë që mund të më zbaviste ishte tamam ajo; të mos e ktheja kokën. Desha t’ia plas shpirtin, desha të hakmerrem për atë çast që më ngriu gjakun, duke lehur si i xhindosur rrëzë veshit tim.

Rezultati dukej me sy. Pata përshtypjen se ai do të shtrihej për tokë, i mekur e pa frymë dhe ajo vikama pa fillim e pa fund, dikur do të shuhej, sikundër sinjali elektronik i aparatit të asistencës së frymëmarrjes artificiale të ndonjë fatkeqi nën kujdes paliativ.

Por, meqë kur varet nga unë e kam zakon të mos lë konflikte të hapur pas vetes, dikur vendosa të kthej kokën. Madje u përpoqa të skicoj një buzëqeshje.

Por vetëm një sekondë më pas u binda sa shumë isha gabuar në analizat e mia. Ai nuk ishte i përgatitur të hynte në një proces paqeje. Në sytë e tij pashë vetëm keqardhje e lot që nuk më kishte aty midis atyre dyzet e dy dhëmbëve të tij, midis të cilëve ata që kanë emrin e tyre, pra që quhej dhëmbë qeni, ata pra, shfaqeshin kërcënueshëm si shkëmbinj të nënujshëm mbi një pellg jarge…

 

 

 

 

1 Koment

  1. shume interesant udhetimi yt ne goje te qenit! Une kam nje frike te hershme (ngjan primordiale) nga qente. Por e di se me vjen nga gjithe heret qe jam sulmuar prej tyre si femije ne Shqiperi, sidomos duke udhetuar fshatrave. Kur eci neper zonat jashteqytetese te Evropes, ndiej po aq rrezik. Sidomos ne Italine e jugut! Por pasi pata qenin tim per disa vjet, me eshte ridimensionuar lidhja me qenin. Ata tre qente e fotos tende jane te mrekullueshem!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin