NJË VIT

Një vit është si një jetë: shumë i gjatë, sa nxë brenda kapërdredhjet më të çmendura të historive njerëzore, shumë i shkurtër, sa s’del për pemën që ti mbolle t’i shtrijë rrënjët sa do nën tokën që i takon.

Është aq i larmishëm një vit, sa ti – fëmijë që kurrë nuk do rritesh më shumë se rreth 10 dekada – mezi pret ta kalosh duke e festuar, e ta zëvendësosh hareshëm me tjetrin të ngjashëm me të, po aq eksitues edhe për ata që vuajnë dhe ata që kanë frikë. Në fakt, nuk të del jeta të familiarizohesh me dimensionin e kohës, sido që është më transparent dhe i kapshëm sesa ai i hapësirës. Rend, o mik, drejt një tjetër limiti që konvencionalisht kemi krijuar që të na duket sikur jetojmë shumë, sikur jetojmë intensivisht, sikur jetojmë! Ti po rend hareshëm, njëlloj si foshnja që sa ka mësuar të vrapojë, drejt mosqenies. Por rendja për ty, njerëzishëm dhe arsyeshëm, po aq sa paarsyeshëm, merr formën e amshimit. Ky vrap i vrullshëm drejt kohës, merr të gjitha format e imagjinueshme të haresë që sjell ngjarja për njeriun tokësor. Ti celebron nënndarjet pafund të kohës në copa e copa e copa që nuk shterrin: në vjet, ditë, orë, minuta mbushur me ngjarje; edhe në mos qofshin ngjarje që ti i kujton, çdo copë është një mitër potenciale që pjell ngjarje. Dhe ti i gëzohesh pikërisht potencialit, sepse hipnoza e këtij lloj të jetuari, është një lojë ku ti hyn me hare pa dalë kurrë.

Gëzimi vjen nga kjo pafundësi copash kohore, kujtimesh të mëdha e të vogla të vitit që kaloi, që, edhe kur të shëmtuara, koha vetë t’i zbukuron. Gëzimi vjen sidomos nga dëshira e marrë dhe që mban erë njeriu për të rinisur turrjen drejt copash të reja, ngjarjesh të reja të një ndarjeje iluzore të re kohore që ti vetë e ke emëruar me një numër të ri. Por ajo që ti përjeton në nivelin më intelektual që ka kuptim për qenien së cilës i takon, është se një vit të ka mësuar shumë, të ka konfirmuar ide, hedhur poshtë teori që kishe ngritur me mund, të ka bërë të lumtur si një re të bardhë e të ka zhgënjyer në honet e errëta të vetmisë, të ka këputur e përkëdhelur. Jeta është në gjërat e vogla, në shikimet që harrohen, në buzëqeshjet pa fund që të prodhon zemra e të reflekton syri, në lotë që thahen pa gjurmë, në fjalët e përditshme që lëvizin botën ku ti ke ndërtuar shtëpinë dhe mbajnë gjallë strehën me tërësinë e njerëzve që njeh e të njohin. Kësaj i gëzohesh këtë fundviti jete që të mbron e fsheh nga pafundësia dhe koha pa ndarje e pa copa që në fund të fundit është vdekja.

Në një vit ti ke parë e ç’nuk ke parë! Ke bërë e ç’nuk ke bërë! Dhe ke lënë pa bërë shumë më shumë sesa ke bërë! Prishjet e lëndimet i rëndojnë vitit më shumë se gjithçka: ato janë copa kohe që vdekja ia ka grabitur jetës sate në kohën kur ti ndiheshe parimor dhe i virtytshëm; i pakompromis!

Në një vit kupton që e do njëlloj dhe asnjë miligram më pak një shoqe me të cilën pate një diskutim të ashpër për çështje parimore, diskutim që e le të hapur me bindjen se nuk ia vlen më të vazhdohet; se çdo përpjekje që bëje për paqe i bëhej karburant shoqes sate, dhe rrezikonit së bashku të binit me shpejtësi, si në një rendje teposhtë ku inercia kontrollon arsyen dhe dëshirën. Ti ishe i bindur që mikesha jote fatkeqësisht e shihte veten si Zot të pagabueshëm; ato që thoshte tingëllonin slogane më fort se përfundime bazuar në ndodhi e kuptime të fjalësuara praktikisht. Ti gjen copa gazetash nëpër to, aq sa edhe principe të kalcifikuara që ia njeh asaj që kur ishit fëmijë. Punë e ngatërruar teksti! Ti je nxehur, je përpjekur të kuptosh çfarë nuk shkon, madje edhe e ke gjetur se shoqja jote ka kohë që ka një pozicion fuqie që e ka bërë të humbasë sensin kritik ndaj vetes, që e ka larguar nga toka, që e bën të këndojë predikime që, sa më të shpeshta janë, aq më shumë e përdëllejnë. Principet i janë ngurtësuar, ah i janë bërë kallkan, dogmë… Pastaj ndalon: ndoshta njëlloj siç të janë bërë edhe ty tamam tani që po e gjykon me këtë lloj bindjeje absolute? Dhe e di se viti i ri është në fakt kohë, më shumë kohë për të qenë më i mençur, për të parë më mirë brenda vetes, për simpati e empati,  për të kuptuar e për të dashur.

Në një vit ti ke revolucionarizuar marrëdhënie të caktuara dhe je entuziazmuar me bukurinë e lidhjeve që për shumë vjet i kishe lënë të flinin se nuk i doje më të forta se aq. Por, po atë vit, ti merr po aq prova se kishe pasur të drejtë dikur më shumë se tani, dhe se duke e mbajtur larg e në gjumë, në fakt i kishe shpëtuar jetën lidhjes sate. Ti nuk e duron dot ndëshkimin e moralshëm psikologjik të përdorur si mekanizëm shpagues, dhe kur ndien se po ta drejtojnë si projektor që të të lejojë të shohësh gabimet e tua, i hedh në erë të gjitha bukuritë e lidhjet që mund të pjellin këtë lloj fëmije. Dhe e kupton që afrimi i tepërt paska pasur një çmim të cilit i je ruajtur instinktivisht gjithë jetën.  Dhe tani, duke u përpjekur të mos e bësh thërrime një ekuilibër që po jep shpirt, do që të largohesh dhe të arrish distancën optimale ku marrëdhënia bëhej pozitive dhe funksionale (dhe ti ke prova shumëvjeçare për këtë distancë të artë); por nuk e arrin dot, se viti mbaroi, dhe ti s’ke më kohë. Ndaj gëzohesh rishtaz që viti është konvencion, është kohë që vazhdon, që një tjetër vit po vjen që të të japë shanse për ndreqje e bukuri largësish të reja.

Në një vit do më shumë njerëzit e afërt me të cilët ke kaluar ditë të acarta, ke qarë e qeshur me ethe dhe pa kuptim, ke ndarë bukë për dekadat e moskuptimit dhe errësirës fëmijënore, edhe në ato raste kur këta njerëz të janë dukur të pamençur apo bukëshkalë, pa kujtesë ose me tepër kujtesë.  Ti nuk i beson gjakut, por një vit të mëson të besosh se racionalja dhe intelektualja janë shumë pak në tërësinë e materies dhe ideales që lidh njerëz e që lind a mban dashuri. Ka ca njerëz që i ke dhe të kanë përgjithnjë. Dhe vetëm rreth tyre rrotullohet bota e rrotullohesh edhe ti me të. Restoja është vegim. Dhe pastaj s’është më.  Një vit të thotë të duash çfarë ke dhe të ka, sepse kur s’e ke dhe s’të ka, koha ka mbaruar.

Fundviti të bombardon vetëdijën me termin buzz “affluenza” (mbipasje), të rivlerësuar këto ditë nga mediat dhe ripërkufizuar në shtigjet ligjore. Por janë vitet para këtij që të mbrojnë me njohje e ngjarje të tjera, dhe nuk të lenë të biesh në kurthin e trajtimit të “affluenzës” si sëmundje mendore. Po ashtu jeta, si një vit i vetëm, të mbron nga rrëshkitja në përfundimin se komunizmi i Enverit ishte një mënyrë e mirë për t’u mbrojtur nga materializmi dhe konsumerizmi afluent i së sotmes. Ti e di se je kritik, je i fortë, je i drejtë, je prej vërteti, je feminist, je i paepur, jo se të ka bërë të tillë komunizmi, por s’e ke pasur jetë të vështirë, ke parë keq me empati dhe jo me indiferencë, se ke qëlluar i mençur, se ke punuar fort, se ke pasur dashuri njerëzish rreth vetes. Vitet e tjerë të vijnë në ndihmë në këtë fundviti dhe të mbrojnë nga simplicizmi i asyes që do prehje menjëherë e me çdo kusht.

Në një orë të mbrëmjes në ditën e fundit të vitit, ti mëson se kthimi i semaforit në të kuq mu para se të arrije ti, nuk është fundi i botës, dreqi e mori. O mik, mos u trishto, mos e prish gojën, mos prodho vrer veç se semafori u bë i kuq mu para teje! Ata që ikën këtij viti, dhe shijuan zbrazëtinë vakuume pa erë, pa shije, pa formë e pa fund të fundit të botës, duhet të trishtoheshin sikur të ishin gjëkundi. Jo ti! Ata që vdiqën tërë këtë vit dhe atë më parë, ata që vdiqën mbrëmë dhe nuk e festuan dot këtë fund viti sado banal dhe pa kuptim pastë qenë, ata, po, duhet të mallkonin fatin, po të ishin diku për ta mallkuar!

Ti i rri përpara dritës së kuqe të semaforit, dhe e sheh në sy me gëzimin e atij që është. Dhe i thua: “Më blloko sa të duash, më ndalo nga rendja pa kuptim në kohë, më ler këtu pas vijës së bardhë që shtrihet e dehur mbi asfalt! Unë kam gjithë kohën e botës të pres dritën e gjelbër, sepse unë jetoj.” Dhe një lot të rrjedh si rruazë që mban brenda gjithë dashuritë dhe gëzimet e atyre që kanë jetuar ndonjëherë. Një tjetër vit jete nis.

1 Koment

  1. Të gëzohesh thjesht pse je ende gjallë, thënë ndryshe pse po pret radhën për të vdekur, që për më tepër as që e di se kur mund të vijë, është vërtet thelbi i festimit të fundvitit dhe ndoshta i tërë banalitetit njerëzor në përgjithësi. Vetë fjala “dynja” në arabisht (dunja), në kuptimin e kësaj bote dhe të jetës në të, do të thotë e ulët, e pavlerë, banale.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin