PUSHTETI I KATËRT, I MUNGUAR

nga Denar Biba

Se ç’ka diçka që nuk shkon në marrëdhënien punëtorë të mediasKryeministër.

Duket se, sikundër edhe në fusha të tjera (p.sh. qytetar-ligj, qytetar-komunitet, polic-kriminel, funksionar publik-post publik, banor i fshatit-tokë, etj), ne ende vijojmë të vuajmë sa reminishencat e marrëdhënies së panatyrshme mes ish medias komuniste e qeverisë – trashëgimi kjo e një shoqërie të rritur nën një shtet totalitar (ku individët u përçudnuan dhe raporti shtet-qytetar ishte një varësi e plotë e të fundit ndaj të parit e ku shteti kishte në dorë jeten dhe vdekjen e qytetarit), aq edhe pamundësinë (ende) të gjetjes nga ana e “punëtoreve” të medias të pozicionit të tyre si pushtet i katërt në një shoqëri demokratike të ndërthurur me presionet e paevitueshme të ekonomisë kapitaliste.

Duhet vënë në dukje një dallim i madh: burimi i legjitimitetit të këtyre dy pushteteve.

Kryeministri (ose ekzekutivi) e merr legjitimitetin nga shumica parlamentare e, këta, nga sovrani popull (shumica e tij, në fakt). Kryeministri përgjigjet përpara popullit për mënyrën se si administron çështjet në juridiksion të ekzekutivit (për vënde të vogla si Shqipëria, ku politika e jashtme është pothuajse e paracaktuar, çfarë mbetet në dorë të qeverisë është kryesisht ekonomia). Kemi rënë dakord përmes Kushtetutës t’i japim atij dhe maxhorancës së tij politike 4 vite kohë për të sendërgjuar programin elektoral, për të cilin e votuam. Nëse ka sukses, ia rinovojmë kontratën; nëse dështon, jo. Afërmendsh kontrata mund të prishet edhe përpara përfundimit të afatit, kur qeveria e dreqos me menaxhimin e saj aq keq, po aq keq, saqë lënia e saj e mëtejshme në ushtrim të funksioneve bën më shumë dëm sesa thyerja e rregullit demokratik të zgjedhjeve periodike.

Sa për median, legjitimiteti i saj vjen nga burime të tjera, duke qenë se asaj nuk i kërkohet (ligjërisht të paktën) as të jetë e përgjegjshme e as transparente përpara qytetarëve. Media është misionare, qeveria është administratore. Media është shoqëri civile, qeveria jo. Media është ndërmjetëse mes qeverisë dhe qytetarit; ajo është instrumenti permes të cilit “Ne, Populli i Shqiperisë” bëjmë efektive të drejtën tonë kushtetuese për informacion. Më tej, duke qenë të mirëinformuar, ne, në një farë mënyre, përmes mekanizmash të tjerë demokratikë, marrim pjesë në qeverisjen e vendit, ndihemi të përfillur dhe të angazhuar; me fjale të tjera sillemi si qënie politike. Kuptohet që, me informacion, unë kam parasysh të marrurit dijeni të mënyres sesi qeveria e përkohshme 4-vjeçare administron pasuritë tona dhe jo se si ia kalojnë pranë buzës së detit, pishinës apo pranë çdo lloj buze tjetër gagarelët e show bizit.

Misioni i medias është pikërisht ndërmjetësimi përmes kërkimit, gjetjes dhe shkëmbimit të informacionit. Ajo është syri dhe veshi ynë, ndaj edhe i kemi dhënë deri edhe të drejta kushtetuese. Media heton në çështjet qeveritare dhe na bën ne me dije se si shkojnë punët. Por ajo është edhe goja jonë. Përmes saj ne i flasim qeverisë, të zgjedhurve tanë; përmes saj grupe të ndryshme interesi i drejtohen shoqërisë dhe e bëjnë atë të interesuar.

Çfarë mund të kuptojmë (tashmë) pas 25 viteve demokraci, është se media shqiptare nuk ka mundur (besoj nuk ka ditur) të vendoset përballë tre pushteteve të tjerë si një pushtet i katërt, i pavarur dhe i vetëdijshëm për statusin unik në një demokraci liberale. Praktikisht, media shqip nuk gëzon ndonjë legjitimitet për t’u lakmuar ndër qytetarët dhe, ç’është më e keqja, shumica e punëtorëve të saj, ose janë dakord me këtë gjëndje, ose, më keq akoma, nuk janë adaptuar ende me liritë demokratike, saqë as nuk e shohin dot ku ndodhen. Sepse e keqkuptuan misionin që në krye të herës, duke ngatërruar reportazhin me informacionin; skupin me lajmin; duke humbur neutralitetin në favor të njëanshmërisë politike për ca favore të sponsorëve të tyre prej politikës. Harruan a, kush e di, nuk e mësuan kurrë se, kanë mision t’i qëndrojnë qeverisë përballë e jo në krah, apo, si jo rrallëherë ndër shalë, për ta shaluar ata vetë më pas, në rastin më të parë.

Dhe ja ku erdhëm në 2015, në ballon me maska të fundvitit.

Maska më tërheqëse? Oh, sa e thjeshtë: ajo e kritikut. Veçanërisht me një Kryeministër si Rama…

Përfundimi si në përralla: dhe ata (pasi iu llastuan gjithë mbrëmjen shoqi-shoqit) jetuan të lumtur (deri në ballon tjetër), secili për hesap të vet!

Puna është se, Kryeministri, herët a vonë do të largohet, ashtu siç u larguan edhe kryeministra të tjerë përpara tij. Për fatin tonë të mirë, ky nivel demokracie që kemi, megjithë difektet e tij, sërish na e mundëson kaq gjë. Problemi që mbetet është shoqëria civile, ku media, është më e para, më e vyera. Në mënyrë që ato 4 vite të kemi mundësi prej vërteti t’i bëjmë opozitë qytetare çdo qeverie, e të mos presim duarlidhur ditën e lume kur të mbarojë afati i kontratës, për t’u bërë më pas 1 milon shuplaka.

Dhe për ta mbyllur me median, sot e gjithë ditën veç një pyetjeje i duhet gjetur përgjigja: si i bëhet me një gazetë a televizion i cili nuk ka shqetësim të shesë, por vetëm të blihet?

5 Komente

  1. Kujtoj nje batute te Nikolle Lesit, ish pronar i Koha TV dhe gazetes Koha Jone. Kur shiti tv, e pyeti dikush perse nuk e shiti dhe gazeten. Leshova pushken – tha, – por bajoneten e mbajta.

    I kemi fol e perfol keto mangesi shqiptare; ne shoqerine civile, ekonomi, gjyqesor. Ti shkruaje per universitetet keto dite, per vlerat e paqena te diplomave.
    Une prej kohesh kam rene ne paqe me veten se, veshtire qe ajo qe ne perendim eshte formesuar per 200-300 vjet, te ndodhe tek ne per 20-30.
    Nese flasim, flasim per te shpetuar shpirtin.

  2. Ne jemi vend i cmendur. Rrall dhe shum rrall shikon pun te mira qe ka bere shteti. Dhe rrall po shum rrall shikon shtetar te mir qe ka rritur shoqeria jone.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin