SHQIPONJA ME KRAHË TË SQULLUR

Këto ditë më zuri syri një simbol të çuditshëm në disa foto të një ceremonie ku merrte pjesë Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.

Dhe pikërisht, një shqiponjë me dy krerë – por të ndryshme nga ajo me të cilën jemi mësuar në flamur dhe në shprehjet e tjera ikonografike të shqiptarisë; të zezë mbi një fushë të bardhë; dhe të rrethuar me mbishkrimin “Presidenti i Republikës së Shqipërisë.”

faqen e presidentit në ueb, ky simbol paraqitet si “Logoja e institucionit të Presidentit të Republikës”; dhe rreshtohet krah për krah me Flamurin e Republikës së Shqipërisë, Emblemën e Republikës së Shqipërisë dhe Flamurin e Institucionit të Presidentit të Republikës.

stema_01Një krahasim i shpejtë i shqiponjave tregon se ajo e emblemës shtetërore dhe e flamurit të Republikës jo vetëm i mban krahët lart, në krahasim me krahët e rënë të shqiponjës së Presidentit; por edhe përkrenarja e Gjergj Kastriotit në emblemë është e kthyer majtas, ndërsa në flamurin dhe logon e institucionit është e kthyer nga shikuesi, duke marrë pamjen e turirit të një Chevrolet-i, siç e sheh kalimtari mu para plandosjes fatale.

Të bie në sy edhe që logoja e presidencës është e bardhë mbi të zezë, çka përbën një shmangie (besoj të mbrojtshme, për arsye praktike) nga ngjyrat e flamurit kombëtar.

Nga një lajm i ATA-s, marr vesh se në korrik të vitit 2014 (e pranoj se jam i vonuar në këto shënime, por nuk është se e kontrolloj shpesh ikonografinë presidenciale) Presidenti i Republikës Bujar Nishani paska miratuar simbolet e institucionit të Presidencës – vepër e autorit Ylli Beqiri.

Në tekstin e miratuar aso kohe nga Presidenti thuhet mes të tjerash:

Në përfundim Presidenti Nishani miratoi propozimet e komisionit sipas punimeve [sic] të mëposhtme:

  1. Flamurin e Institucionit të Presidentit të Republikës me përshkrimin e mëposhtëm:
  2. Ngjyrat që mbizotërojnë janë ngjyrat e flamurit kombëtar (sfondi i kuq dhe shqiponja e zezë) si dhe është shtuar ngjyra e artë e cila simbolizon fuqi, begati dhe qëndresë;
  3. Simbolet dekoruese të flamurit janë shqiponja e zezë e marrë nga stema e familjes së Kastriotëve duke pranuar atë si një nga simbolet më të lashta të përdorur nga prijës shqiptar, përkrenarja e Skënderbeut (e artë) e vendosur me vështrim drejt (as majtas as djathtas) duke simbolizuar paanshmëri dhe vendosmëri në përfaqësimin e unitetit kombëtar, si dhe gjethet e dushkut (të arta) të cilat përfaqësojnë jetëgjatësi, forcë dhe dinjitet, marrë gjithashtu si simbol nga lashtësia e përdorur nga mbreti Gent i Ilirëve. Përdorimi i degëve të dushkut në formë kurore është parë edhe si një bazament i cili mban elementët e tjerë;
[…]
  1. Logon e Institucionit të Presidentit të Republikës me përshkrimin e mëposhtëm:
  2. Shqiponja, përkrenarja dhe kurora e dushkut me të njëjtin kompozim si edhe tek flamuri të jenë elementët kryesore të Logos;
  3. Mbishkrimi i Logos të jetë PRESIDENTI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË;

Këto shpjegime sqarojnë edhe prejardhjen e shqiponjës presidenciale: e cila qenka marrë “nga stema e familjes së Kastriotëve.”

Asnjë prej tyre nuk më bind.

Së pari, nuk më bind argumenti se Presidenti, për të krijuar një logo ose një brand të vetin, duhet të modifikojë simbolikën e dallueshme kombëtare; duke adoptuar në thelb një simbol me formë të ndryshme nga ai i flamurit.

Kushtetutën e Republikës (Neni 14) nuk thuhet gjëkundi që shqiponja e flamurit kombëtar është ajo e Kastriotit; çka pranohet, përkundrazi, për përkrenaren që paraqitet në stemë.

Nga ana tjetër, stema e familjes së Kastriotëve është stema e një familjeje feudale në Arbërinë e Mesjetës; edhe po të pranojmë se Gjergj Kastrioti vërtet arriti të krijojë shtetin e vet – gjë që mbetet përndryshe e diskutueshme edhe mes historianëve, sidomos nga pikëpamja juridike – ai e bëri këtë duke e kapërcyer natyrën ngushtësisht feudale dhe krahinore të atij sistemi politik me të cilin mbetet e lidhur stema e familjes së tij dhe veçanërisht shqiponja.

Pa qenë nevoja të shtohet këtu se shteti, simbolet e të cilit mëton të adoptojë Presidenti Nishani, nuk është gjë vazhdim juridik i shtetit a “shtetit” që kish dashur të krijonte a që krijoi Gjergj Kastrioti.

Edhe referimi i simbolikës së gjetheve të dushkut te mbreti Gent nuk më tingëllon bindës; sa kohë që ky mbret mbahet mend në histori si një rob lufte, që iu dorëzua vetë pretorit L. Anicius Gallus dhe ky pastaj e parakaloi në triumfin e tij në Romë, për ta poshtëruar. Në referimin ndaj mbretit Gent, këto gjethe nuk përfaqësojnë as forcë as dinjitet; ngjyra e verdhë e arit shndërrohet në ngjyrën e verdhë që marrin gjethet para se të bien nga dega.

Mund të zgjatesha edhe më; por po mjaftohem të tregoj se Institucioni i Presidentit të Republikës jo vetëm ka ndryshuar pa arsye simbolet kanonike të shtetit të Shqipërisë, por edhe i ka themeluar simbolet e veta të reja mbi kitsch historik. Motivet e këtij modifikimi të panevojshëm nuk i marr dot me mend; por nuk do të doja që të kishin ndonjëfarësoj lidhje me dëshirën e këtij institucioni për të krijuar dhe konsoliduar, me mjete simbolike, atë prestigj që i mungon (sepse e ka humbur) në jetën politike dhe publike.

2 Komente

  1. Nese e sheh z.Bujar Nishani per ate qe eshte, e jo ate qe supozohet te jete, atehere nuk besoj se ka dicka per tu cuditur ne lidhje me shumecka ai ben. Afermendsh qe ka shume per tu shqetesuar.

  2. Do te doja te dija a do te kete valle shtet tjeter ne bote qe luan me simbolet e kombit sic po ndodh te ne? Vjen nje kryeminister dhe e vendos shqiponjen ne fushe te arte, duke e perafruar me flamurin rus e serb. Presidenti i tanishem na paska zgjedhur sipas qefit logon e vet. Me rastin e 100 vjetorit te pavaresise u porositen flamuj shqiptare ne Kine dhe shqiponja pesoi ndryshime nga nje ekzemplar te tjetri. Edhe ne wikipedia nuk merret vesh se cili eshte flamuri i vertete kombetar shqiptar sepse aty shqiponja paraqitet me ndryshimet qe ka pesuar historikisht, pa u bere e qarte se cila eshte ajo e sotmja, qe duhet te jete e njejte kudo dhe kurdo. Meqenese nuk qenkemi ne gjendje as ne kete gje kaq te rendesishme te jemi te qendrueshem, se dyti, meqenese shqiponja eshte nje simbol mesjetar, do te ishte mire qe flamuri yne t’i pershtatej kohes duke u perfaqesuar me simbolike ngjyrash, sic kane bere shtetet moderne.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin