PELEGRINËT E MOTIT

Një nga personazhet e romanit Me syrin e një klouni, të Heinrich Böll-it, i thotë dikur rrëfimtarit (“klounit”) se, për të lënduar financiarisht Kishën Katolike, e kish bërë zakon t’i telefononte long-distance shërbimit meteorologjik në Berlin, për të dëgjuar informacion rreth motit në atë qytet.

Ai personazhi, që ndiqte të njëjtin seminar fetar me Leon, vëllanë e protagonistit, jetonte në Gjermaninë Perëndimore aso kohë, ndërsa Berlini – përfshi këtu edhe Berlinin Perëndimor – ishte gjeografikisht i përfshirë në Gjermaninë Lindore; pa folur pastaj që në vitet 1950, kur zhvillohen ngjarjet në roman, thirrje të tilla do të kenë qenë mjaft të kushtueshme.

Me gjithë arsyen që jep ky sabotator i heshtur i financave të Kishës, mund të përfytyroj se do të ketë shijuar edhe ndopak me imagjinatë, teksa ka dëgjuar hollësitë për temperaturën e ajrit, drejtimin e erës dhe orët me diell të atij qyteti të largët dhe ashtu është transportuar mendërisht drejt një moti tjetër.

Sot nuk sabotojmë dot më as Kishën, as Familjen, as ndonjë Bamirës a Mbikëqyrës të tretë, duke qëmtuar fakte për motin gjetiu me anë thirrjesh të kushtueshme në distancë; ky gjetiu në kuptimin e një vendi të largët, një vendi përtej, një vendi Tjetër, ka zënë vend tashmë në realitetin tonë virtual, vetëm një klik larg lokales.

Aq sa në menynë e faqes së motit në Yahoo!, mua më dalin listat e qyteteve që kam vizituar dikur dhe ku moti ka vazhduar të ndodhë edhe pas largimit tim. Edhe më fort ndihet efekti tëhuajzues, kur ndonjëherë, nuk di për ç’gabim lokalizimi ose koordinatash, më del përpara, në ekran të kompjuterit, moti në Memphis, Tennessee a në Grand Rapids, Michigan.

weatherKushedi ekzistojnë sot në botë turistë të interesuar jo aq për njerëz, kultura, monumente historike dhe pamje a shtazë të rralla, sa për motin – shfaqjet kaotike, shpesh gjigante, të stuhive, erërave të mëdha, përmbytjeve, dëborës, thatësirës së përkohshme, zhegut dhe acarit.

Turistë të motit, do t’i kisha quajtur; për t’i dalluar nga turistët e klimës, të cilëve menyja e udhëtimeve u vjen me rubrika sistematike: tropiku, subtropiku, rainforest, Mesdheu, Toka e Zjarrtë, Karaibet, Kaspiku, stepa mongole, Deti i Vdekur, Arktiku, Bajkali, Saharaja.

Të shkosh të përjetosh një ditë me shi në Paris, ose një ditë me diell në Amsterdam; të shijosh një ditë me erë në Chicago, ose një ditë me mjegull në Milano. T’i planëzosh biletat dhe bagazhet në bazë të parashikimeve të motit.

Ose të sintonizohesh në një radio – sot më e lehtë se kurrë – që i përkushtohet meteorologjisë lokale, diku në cepin tjetër të botës: në Perth të Australisë ose në Santiago del Chile; të mësosh për temperaturat e ulëta dhe të larta, për lagështinë relative dhe shkallën e ndotjes së ajrit, drejtimin e erës dhe konfigurimet e reve; të qëmtosh një horizont të plasaritur prej rrufeve.

Mjafton të mbyllësh sytë, mjafton të mbyllesh; tek e fundit, shumë nga përjetimet e sotme të turistit nisin nga ndjesitë fizike të mjedisit përreth – ajri, lagështia, aromat. Cili prej nesh nuk ka shijuar, në melankoli, pamjen e shiut nga dritaret në katin e lartë të një hoteli të largët? Cili nuk është ngazëllyer me dritën e diellit, që e lëbyr njëlloj edhe kur gjithçka tjetër ka ndërruar? Cili nuk e ka ndier, së paku në flegra, kundërmimin e dëborës së hollë mbi tjegullën e huaj?

Moti i përtejmë nuk është vetëm ftesë për të udhëtuar në përfytyrim; por edhe një mënyrë prezantimi e gjeografisë, që niset nga e njohura, për të kaluar drejt së panjohurës. Shiu në Romë dhe shiu në Paris – njëlloj e ndezin mallëngjimin si të përbashkëtat, si ndryshimet.

Turistët e motit, të vetmet turma pelegrinësh modernë, që i projektojnë zhvendosjet e tyre masive pasi janë konsultuar me orakujt në dispozicion, janë më shumë në kërkim të ndjesive, se të eksperiencave; sipas motit që u është parathënë, zgjedhin llojet e bluzave a të jeans-eve që do të veshin, këpucët dhe kapelet; por edhe barnat paljative, deodorantët dhe temat kromatike të rrobave. Teksa udhëtojnë drejt motit, ata kujdesen që t’i paraqiten në një mënyrë të tillë, që ky t’i njohë sakaq.

Ne të tjerët, do të mjaftohemi – edhe sot kur kjo nuk u kushton asgjë institucioneve – t’i hedhim ndonjëherë një sy motit në Murmansk, për të marrë vesh për dëborën që pritet ose forcën e valëzimit në port; ose të dëgjojmë, po të kemi nge, për reshjet në Brescia ose në San Benedetto del Tronto, duke thirrur në përfytyrim pamjen nga dritaret e një treni ndërqytetës, me xhamat të fshikur nga litarët e pjerrët të shiut.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin