YLLI I SHKRIMTARIT BAO ZHIJANG

Diku aty nga qindvjeçari i tretë i periudhës më pas të njohur si Dinastia Zhang, i shndriti ylli, në Mançuri, shkrimtarit Bao ZhiJang, vepra e të cilit për herë të parë e ndoshta të fundit i bëri të gjithë të fortët e të urtët e të dijshmit e perandorisë, përfshi këtu edhe rivalët e tij autorë, të pranojnë se Bao ZhiJang kish arritur një shkallë të tillë përsosmërie me veprën e tij poliedrike, sa çdo krahasim me paraardhësit dhe bashkëkohësit e tij do të kish qenë i kotë, madje kundërprodhues.

I vetëdijshëm për këtë dhuratë të mrekullishme që ia bënte shekulli Mançurisë, perandori Zi ZhangÇji IV dha urdhër që çdo vepër e Bao ZhiJangut të futej si lexim i detyruar në të gjitha shkollat dhe pagodat e perandorisë; dhe që vetë shkrimtarit t’i siguroheshin kushte optimale që ai të mos reshtte, si krimbi me fijen e tij të mëndafshit, së sekretuari artin e pashembullt të fjalës. Dhe paskëtaj i njëjti perandor urdhëroi edhe krijimin e një çmimi imperial të posaçëm me emrin e shkrimtarit, fitues i të cilit nuk mund të ishte tjetër, veçse Bao ZhiJangu vetë, meqë të gjithë anëtarët e jurisë, të ardhur nga të katër anët e hapësirës së shtetit, refuzuan deri edhe të merrnin në konsideratë, pro forma, shkrimtarë të tjerë gjatë gjykimit dhe aq më pak gjatë marrjes së vendimit.

Të selitura në botime luksoze, të lidhur me lëkurë rrëqebulli a me damask të vyer e të qëndisur, fletët me letër zjarr-duruese dhe tipografi të personalizuar e të dashur për sytë e të gjitha moshave, të pajisura me aparat kritik prej dijetarëve më të mëdhenj të kontinentit, veprat e Bao ZhiJangut i gjeje tani të ekspozuara në çdo librari të perandorisë, herë të zgjedhura e herë të plota e herë të antologjizuara, me çmime për të gjitha kategoritë dhe hierarkitë e sëndykëve me monedha bakri; sikurse gjeje edhe përkthimet zyrtare të këtyre veprave në gjuhët kryesore të botës, si japonishtja, hindishtja dhe arabishtja klasike.

Institucione të tëra perandorake lindën, u konsoliduan dhe pastaj zunë të riprodhohen, për të mbarështuar trashëgiminë letrare të Baos; dhe prej këtyre rrodhi pastaj një traditë, gjurmët e së cilës i gjen të gjalla edhe sot në atë çfarë ka mbetur nga Mançuria e kamotshme; pse edhe sot në rrugët e lëna pas dore të kryeqytetit perandorak dikur madhështor Tan-Bin të qëllon ende të ndeshësh në baoistë, baoxhinj, baotarë, baoteknikë, baojanë, baortodoksë, baofilë, baorrëmihës, baologë, baoradikalë, baofikues, baografë, baometër, baogamë, baofrenë, baoskizmatikë, baokaze, baoticienë, baojq-istë, baocentristë, baofizikanë, baogonë, baollarë, baozanë, baopatë, baomasonë, baomëdhenj, baorakuj, baoforë, baozerë, baokolektorë, baobozukë, baomaniakë, baogardistë, baoskautë, baokratë, baomanë, baomenë, baolektorë, baojatër, baozofë, baollinj, baovikë, shkoqitës dhe interpretues dhe hermeneutë të Kanunit Baologjik dhe gjithfarë kalorësish të tjerë të Urdhrit të Shenjtë të Baos, të cilët i mban shteti me bukë dhe i nxit të ushtrojnë virtytet e tyre logorreike në çdo mjedis publik.

Jade EmperorErdhi një moment, kur fama kapilare dhe shkëlqimi verbues i autorit gjenial dhe karismatik arritën një apoteozë të tillë mes elitave dhe publikut vetë, sa lexuesi filloi t’u qasej veprave së tij me llahtarë metafizike; i tmerruar se mos çdo lexim personal dhe “i sinqertë” i një teksti aq sakral do të përbënte vetvetiu sakrilegj, duke ia cenuar veprës cergën e aurës dhe duke ndotur mendimet e larta dhe eprore të Bao ZhiJangut me përfytyrimet e cungëta prej vdekëtari belbacuk mendor çfarëdo; aq sa brenda pak vitesh tekstet klasike të Baos, që vazhdonin të riprodhoheshin në botime njëri më i plotë e i gjithëmbarshëm se tjetri, të mos i prekte dot më kush, përveçse për t’u hequr pluhurin.

Meqë Mançuria, sikurse e thotë edhe vetë emri, njihet si vendi gjeometrik i mençurisë, ky sakralizim logjikisht deri në tabu i veprës së Bao ZhiJangut lidhej me nevojën historike, të atij shteti dhe të asaj kulture, për të monumentalizuar; dhe se vetëdija masive, që këto vepra ishin në dispozicion për t’u lexuar nga kushdo, tashmë do të mjaftonin, për t’ia ruajtur dhe mirëmbajtur Baos statusin prej Shkrimtari, me Sh të madhe, si dhe për të garantuar riprodhimin e të gjitha atyre strukturave të dijes, institucionale dhe konceptuale, që vareshin prej adhurimit të Baos Shkrimtar, me Sh të madhe.

Thuhej në popull, se ishte pikërisht ky raport forcash tashmë i kristalizuar, që kishte sjellë në pushtet Partinë Baoiste, me bekimin mirëdashës të Perandorit Zi ZhangÇji XIV; parti që nuk ishte veçse vazhdimi i natyrshëm në kohë, por edhe në hapësirë i jurisë së qëmotshme të Çmimit Bao, e cila tashmë e kish kuptuar se nuk mund t’ia jepte kujt tjetër atë titull aq prestigjioz, pasi ia kish blatuar në krye Baos vetë, një gabim fatkeq por i pashmangshëm, pse në logjikën e sendeve.

Thuhej në popull, edhe se një gjimnaziste në nënprefekturën GaiZhin-Lao, të distriktit Taj-Fumançu, e parakohshme në dhuntinë e saj për të lexuar hieroglifet dhe e papërmbajtshme në kureshtinë e saj subversive, kish hapur një ditë, ashtu si pa dashur, një nga veprat më të njohura të Bao-ZhiJangut që nga rafti kryesor në dhomën e miqve të shtëpisë së vet, për të konstatuar, jo pa tmerr dhe poshtërim, se nuk arrinte të kuptonte gjë nga ç’shkruhej atje; por prindët e saj, që të dy qytetarë të nderuar të nënprefekturës GaiZhin-Lao, e kishin mbyllur sakaq incidentin, duke shpjeguar se fëmija e tyre, në fakt, ishte jo vetëm gjysmë-analfabete, por edhe me një prapambetje të lehtë mendore; dhe se ata vetë e kishin përhapur gënjeshtrën për aftësitë e saj të pazakonshme në lexim, me shpresë se ashtu do t’i siguronin së bijës një bursë “Bao,” për të studiuar për baografi në kryeqendrën e distriktit, Gaizhin-Shimçi.

Thuhej, madje ende thuhet në rrethet heretike të akademikëve mançurianë, se që nga ajo kohë e ka prejardhjen tradita e tanishme, për ta shkëputur autorin nga vepra dhe për t’ia njohur dikujt statusin e shkrimtarit të madh, shkrimtarit perandorak ose edhe Shkrimtarit me Sh të madhe pa qenë nevoja që ky status të ruajë ndonjë lidhje shkakësore çfarëdo me konsumin e veprës së tij, përndryshe të rrethuar, madje të fortifikuar nga botimet dhe ribotimet e ripunuara dhe botimet kritike dhe komentarët dhe edicionet e numëruara, dramatizimet dhe përshtatjet për ekranin e madh dhe të vogël, reklamat televizive satelitare, ueb-portalet 2.0 me mega-forumet përkatëse rreptësisht por paanësisht të moderuara, përshtatjet për lexuesit e mitur, parathëniet, mesthëniet, pasthëniet, apostille-t, intervistat, përqasjet, bisedat nokturne tête à tête, dosjet e hapura dhe pastaj të mbyllura sërish, dëshmitë e dëshmitarëve, rrëfimet e të penduarve, historitë gojore, portretet dhe portretizimet, konferencat shkencore dhe pothuajse-shkencore, tablotë sinoptike, tryezat e rrumbullakëta dhe ovale, panelet ndërakademike, peer reviews, masterët dhe doktoraturat, fondacionet Bao, arkivat Bao, katedrat universitare të dedikuara, muzeu imperial i baologjisë, titujt honoris causa, vizitat e organizuara në shtëpinë e lindjes së Bao ZhiJangut në Gung-Mishçi të restauruar nën kujdesin e një numri perandorësh të njëpasnjëshëm, kantieri i hapur i katedrales laike La Sagrada Familia de Bao mu në zemër të kryeqytetit perandorak dikur madhështor Tan-Bin, simpoziumet ndërkombëtare dhe vetë prania ikonike e këtij shkrimtari, mundësisht Shkrimtari (për ata që ende e vlerësojnë dallimin mes shkronjës së madhe dhe asaj të vogël), në skenën kaleidoskopike të së tashmes publike të mediatizuar.

Pakkush e kish parashikuar, thuhet se thuhet në këto rrethe gjysmë të fshehta akademikësh, që figura e shkrimtarit, mundësisht Shkrimtarit, do të kish njohur këtë rilindje e rivlerësim pikërisht në momentin kur kundërfigura e lexuesit ka dalë nga skena përfundimisht, mbase thjesht ngaqë analfabetizmi (më saktë, a-hieroglifizmi) tashmë është sanksionuar me ligj, madje edhe në Mançuri, madje edhe sidomos në Mançuri.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: