COUP DE THEATRE

Kritiku i teatrit dhe eseisti Shakti Tigran përmend, në librin e tij me kujtime “Tridhjetë aspra”, një shfaqje në teatrin “Tagora” në qytetin e vogël Fakhaz, të shtetit të Odishës, në Indi.

Ishte premiera e “Romeo & Xhuljeta” të Shekspirit, e vënë në skenë nga Magesh Mishra, kolos i teatrit lokal.

Kaq sukses pati kjo premierë, rrëfen Tigrani, sa publiku shpërtheu në duartrokitje dhe ovacione dhe refuzoi të largohej nga salla, edhe pas përshëndetjes së tretë dhe të katërt të aktorëve të trupës.

Për t’iu përgjigjur entuziazmit të së pranishmëve, regjisori Mishra u dha urdhër aktorëve të kthehen në skenë dhe të rishfaqin, me një encore të pashembullt në praktikën teatrale, skenën e tretë të aktit final të tragjedisë.

RJPor në çfarë përnjëmend meriton të quhet coup de théâtre, vazhdon Tigran, këtë herë teksa kthehet në Verona i vendosur për t’u vetëvrarë me helm tek varri i Xhuljetës, Romeoja nuk e gjen të shoqen duke e pritur, shëndoshë e mirë, ulur te shkallët që të shpien në kriptë; dy të dashurit e përmalluar nuk i hidhen njëri-tjetrit në krahë në gazavaj dhe nuk kremtojnë, si pak minuta më parë, triumfin e jetës mbi vdekjen, duke u betuar për dashuri të përjetshme, mes mureve të tempullit mortor.

Përkundrazi, duke i dhënë vetes dhe dashamirësve të teatrit lirinë tërësisht të merituar, të çfarë sot mund të quhet edhe një alternate ending, kolosi Mishra e bën tani Romeon të hyjë në varrin ku dergjet trupi pa jetë i Xhuljetës, dhe aty për aty të pijë helmin vrastar, për t’iu bashkuar sakaq së shoqes së vet edhe në botën e përtejme. Xhuljeta, e cila zgjohet pas pak, gjen Romeon e saj të vdekur përbri dhe i jep edhe ajo fund jetës, këtë herë vërtet, duke ngulur kamën e të shoqit në gjoks.

Publiku i elektrizuar derdh sërish lot, por duke zëvendësuar gëzimin me hidhërim.

Kjo duhet të ketë qenë hera e parë, shkruan i madhi Tigran Shakti, që një pjesë teatrale, e pëlqyer deri në ekzaltim nga publiku, t’i rikthehet këtij me një “encore” mirëfilli, po aq të përkryer në mos më shumë edhe se pjesa vetë.

1 Koment

  1. Jo më kot e kanë quajtur Mishrën ‘the father of happy –ending’ në Bollywood.

    Sikurse do të shpjegonte më pas me modesti Mishra: suksesi i shfaqjes i dedikohet mesazhit të triumfit që përcjell vepra: i jetës mbi vdekjen; apo i dashurisë mbi jetën. Dhe anasjelltas. C’rëndësi ka emri? Atë që quajmë ‘trëndafil’’, për ne do ishte po aq i mrekullueshëm me çfarëdo lloj emri tjetër.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: