IMIGRACIONI NË ITALI E SHKËMBI I SIZIFIT (III)

Zbarkimet nga Mesdheu vunë në provë të vështirë Italinë e të gjithë Europën[i]. Një lloj stress test-i për të kontrolluar rezistencën e sistemit organizativ, por edhe të vlerave sociale.

Tragjeditë që shoqëruan valët migruese drejt Europës (të vdekur në det, stiva, trena, kamionë), që arritën kulmin me vdekjen e vogëlushit Alan, shkundën ndërgjegjet e të gjithë qytetarëve dhe zgjuan nga letargjia e individualizmit shumë shtete europiane. Italia bëri shumë me operacionin Mare Nostrum, duke treguar se është vend bujar, solidar e pritës, duke marrë nga historia e nga traditat e saj. Por problemi ka të bëjë me të gjithë Europën e të gjithë botën e zhvilluar. Europa e Mureve nuk ka të ardhme, sepse muret mbyllin, ata që janë jashtë (në kërkim të një jete më të mirë), por edhe ata që mbeten brenda (me iluzionin e një mirëqenieje të pafund). Mjerisht, anojmë ta rimovojmë edhe historinë e vonë, të bërë me mure, tela me gjemba e burgje.

Për fat të keq, janë më të rrezikshme muret e padukshme, të ndërtuara me indiferencë, paragjykime e egoizma, se sa muret legjislative e fizike, që të paktën mund të individuohen e si rrjedhim të shkatërrohen. Në Europë e në Itali lipset më shumë solidaritet, një fjalë që tregon lidhje ndihme të ndërsjellë, kur je në nevojë, lidhje që bashkon mes tyre njerëz të ndryshëm[ii], por që evokon etimologjikisht soliditetin[iii]. Vlera e solidaritetit është e rëndësishme për bashkësinë europiane, si themelet e një ndërtese. Dukej sikur Bashkimi Europian ishte ndërtuar një herë e përgjithmonë, derisa nuk pamë plasaritjet e Europës burokratike e financiare, me të gjitha limitet e saj. E solidariteti mësohet, praktikohet, zbatohet: çka vlen edhe për imigrantët e brezave të ndryshëm, të cilët nuk janë imunë nga egoizmi, kur shohin vëllezër të tjerë që vijnë përtej detit.

Të dhënat e shtetësisë na thonë se në vitin 2014 ishin 129.887 të huaj, që morën shtetësinë italiane (+29,0% kundrejt 2013, një vit që kishte regjistruar një rritje shumë të fortë në krahasim me vitin e mëparshëm). Siç e dimë, është miratuar pak kohë më parë, nga Dhoma e deputetëve, ligji i ri për shtetësinë për të miturit, bij të të huajve[iv]. Ishte një moment historik i rëndësishëm që u njohu shumë personave dinjitetin e të drejtën që të bëjnë pjesë plotësisht në komunitetin e vet. Por ndoshta duhet ta shpjegojmë sërish rëndësinë e pjesëmarrjes e të përkatësisë. Gjithsesi, duhet të ecim përpara, me kurajë, përtej ideologjive, për ta çuar deri në fund vendimin, që favorizon kohezionin social e integrimin dhe, në të njëjtën kohë, lufton racizmin e diskriminimin.

Migracioni mishëron në mënyrë të përkryer epokën postmoderne, përbën vendin e saj të preferuar për t’u shprehur, e në të njëjtën kohë përfaqëson një pikë nevralgjike. Tek imigracioni ndërpriten lëvizjet me identitetet, e kaluara me të ardhmen, frikat me ëndrrat, pasiguria me besimin. Pra tek imigrantët duhet të shihnim shumë përmasa, vendlindjen, vendmbërritjen, emigrantët italianë, rrjetet njerëzore, veprimet e zhvillimit, e deri strategjitë gjeopolitike, sepse imigracioni është edhe një faktor i politikës së jashtme[v]. Por është rraskapitëse t’ia shpjegosh shoqërisë së lëngshme, që jeton përherë në diktaturën e së tashmes. Duhen ura e jo mure. Por duhet të shtojmë se migrantët vetë përbëjnë një urë njerëzore, që në fillim duket e padukshme, por pas pak kohe merr trajtë qartësisht. Është përnjëmend një shoqëri e çuditshme, me një arkitekturë sociale absurde, ajo që u vë mure ndarëse, atyre që përfaqësojnë urat lidhëse.

Më shumë se një e dhjeta e totalit të punësuarve (10,3%), me përqindje punësimi sërish në rritje të lehtë, janë punonjës të huaj. Pavarësisht nga kjo, kriza i ka penalizuar rëndë, duke treguar se janë pjesa e dobët e shoqërisë[vi]. Puna e imigrantëve është një pasuri e domosdoshme për Italinë. Kanë bërë edhe filma për këtë temë[vii], e megjithatë duhet të fillohet sërish nga fjalia e paperëndueshme: “Na vjedhin punën”. Punonjësit e huaj kanë probleme komplekse: puna e zezë, gri, e nënpaguar, eluzioni kontributiv, burokracia, banimi, transporti, gjuha, formimi, siguria në punë, diskriminimi, etj. Pastaj është edhe shfrytëzimi dhe kaporalati.

Nuk kalon vit pa folur për kaporalatin; plagë e vjetër, viktima të së cilës janë edhe punonjësit imigrantë. Për t’i mposhtur format e shumta të shfrytëzimit e të ndërmjetësimit ilegal të fuqisë punëtore, duhet të rritet aktiviteti i inspektimit e i kontrollit, gjithashtu duhet të zgjerohen përgjegjësitë penale, duke parashikuar edhe konfiskimin e të mirave materiale e pasurive të fituara mbi shkeljen e të drejtave të punëtorëve. Rrjeti i punës bujqësore dhe Kabina e regjisë pranë Inps[viii] janë nisma pozitive. Por represioni si masë e vetme nuk mjafton, nevojitet parandalimi, mbrojtja e territorit dhe shpërblimi i ndërmarrjeve virtuoze, promovimi i modeleve pjesëmarrëse në marrëdhëniet industriale që ta ndihmojnë kulturën imprenditoriale dhe cilësinë e punës. Duhet një aleancë e përgjegjshme midis institucioneve, qeverisë e palëve sociale. Për punonjësit e shumtë imigrantë që punojnë në sektorin agroushqimor sindikata është angazhuar seriozisht, por nevojitet edhe më shumë mbrojtje. Bujqësia italiane, me 327.495 punonjësit e lindur jashtë shtetit që rezultojnë për vitin 2014 – aktorë të padiskutueshëm të Made in Italy agroushqimore, për të cilën jemi krenarë të gjithë -, tregon se nuk mund të ecë përpara pa kontributin e tyre, por edhe se mund të bëhet vendi i pritjes, i mundësive dhe i integrimit.

Për ta ngritur shkëmbin e diskursit “imigracion” ndihmon shumë përvoja jetësore njerëzore, vendi i punës, fqinjësia, përditshmëria. Në kundërshtim total ne një farë përfaqësimi mediatik e politik. Në jetën e përditshme ndërtohet nga poshtë qytetaria e re, kapërcehen frika e diskriminimet, krijohen kushtet kulturore për t’i vlerësuar diversitetet, për të favorizuar takimin midis identiteteve, për të respektuar dinjitetin e personave migrantë. Ja pra, të rinisemi nga bonsensi i përvojës për të bllokuar populizmat, demagogjitë, ideologjitë. Të shikojmë realitetin jo talk show, t’u referohemi fakteve të vërteta jo komenteve në rrjetet sociale. Nëpërmjet kontaktit njerëzor e dialogut, imigrantët na mësojnë çka ishim dje: thjeshtësinë, lidhjet familjare, dashurinë për të moshuarit, përulësinë, vlerën e jetës. Por, natyrisht, mësohemi në mënyrë të ndërsjellë. Duke filluar nga besimi se një ditë më e mirë na pret.

Duke rimarrë mitin e përmendur në fillim, së bashku me shëmbëllesën me përpjekjet tona për migracionet, duhet thënë se Sizifi, po të lexojmë Albert Kamy, nuk është aspak i dëshpëruar: “Në çdo çast […], ai është superior ndaj fatit të vet. Është më i fortë se shkëmbi i vet. […] Edhe mundimi drejt majës mjafton t’ia mbushë zemrën njeriut. Duhet ta përfytyrojmë Sizifin e lumtur”[ix], pohon shkrimtari francez.

Por nëse është e vërtetë, siç thotë Kamy, që “mitet janë të ndërtuara në mënyrë të tillë që imagjinata t’u japë jetë”, atëherë le të më lejohet ta imagjinoj personazhin mitologjik, në majë të malit, që për një çast, për një centimetër, për një frymë, arrin ta ngrejë më në fund shkëmbin e stërmadh. Por nuk e imagjinoj vetëm, por së bashku me persona të tjerë, me ngjyrë e origjinë të ndryshme. Sepse së bashku është më e lehtë të përballohen vështirësitë e të ndërtohet një e ardhme më e mirë.

 

[Fund] [i] Sipas të dhënave të Dossier, më 2014 kanë zbarkuar në Itali më shumë se 170 mijë vetë, midis azilkërkuesve dhe migrantëve ekonomikë (me parashikimin e një ecuri të ngjashme edhe për 2015).
[ii] Fjalori Garzanti.
[iii] Fjala solidarietà në italisht, sipas modelit francez solidarité, vjen nga mbiemri solidario (solidar), variant i pazakontë i solidale, në bazën e të cilit qëndron shprehja e latinishtes juridike in solidum, që nga ana e vet tregonte detyrimin e një individi, që bënte pjesë në një grup debitorësh, për ta paguar tërësisht borxhin. Në fakt, mbiemri solidus – nga i cili rrjedh emri solidum – nuk donte të thoshte vetëm solid, në kuptimin i fortë, kompakt, i fuqishëm, por edhe i plotë, i tërë. Shiko Dizionario enciclopedico di Rai educational http://www.educational.rai.it/lemma/testi/solidarieta/solidarieta.htm
[iv] Me ligjin e miratuar në Dhomën e Deputetëve të Parlamentit italian janë futur dy koncepte novative për marrjen e shtetësisë nga ana e të miturve të huaj: a) ius soli i temperuar, e kuptuar si vend integrimi, pra si lidhje e personit me territorin; b) ius culturae, e kuptuar si lidhje kulturore, pra si efekt i formimit shkollor në Itali.
[v] Sipas disa vlerësimeve, dërgesat e imigrantëve kanë qenë më të larta se ndihmat e kooperimit për zhvillim.
[vi] Dossier sjell të dhënat Istat sipas të cilave, të punësuarit e huaj më 2014 ishin 2.294.000 (1.238.000 burra e 1.056.000 gra). Megjithatë në 6 vjet, duke filluar nga 2008, punëtorët e huaj kanë qenë ata që kanë pësuar më shumë krizën dhe përqindja e tyre e punësimit ka humbur në total 8,5 pikë, përballë një uljeje, tek qytetarët italianë, me 2,7 pikë përqindjeje. Më 2014 midis të huajve, të papunët shkojnë në shifrën 466.000, përqindja e punësimit është 58,5% (55,4% tek italianët) e përqindja e papunësisë prej 16,9% (12,2% tek italianët).
[vii] Cose dell’altro mondo, film i Francesco Patierno (2011).
[viii] Inps (Instituto Nazionale di Previdenza Sociale) është Instituti italian i sigurimeve shoqërore.
[ix] Albert Camus, Il mito di Sisifo, Bombiani, Milano 1947/2015, f. 119. Kamysë i intereson kthimi i Sizifit pasi shkëmbi është rrokullisur poshtë. “E shoh atë njeri tek zbret me hap të rëndë, por të njëjtë, drejt mundimit, fundin e të cilit nuk do ta njohë kurrë. […] I gjithë gëzimi i heshtur i Sizifit qëndron këtu. Fati i përket, shkëmbi, është diçka e tij”. Po aty, ff. 120 – 121.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin