IMIGRACIONI NË ITALI E SHKËMBI I SIZIFIT (I)

Atyre që studiojnë, përshkruajnë, shpjegojnë e tregojnë dukurinë migratore, herët a vonë do t’u vijë ndër mend një personazh i mitologjisë greke, i famshëm për mundimin çnjerëzor e për këtë arsye i futur në histori e në gjuhë.

Sipas mitit, Sizifi u dënua nga Perënditë që të shtynte një shkëmb të rëndë deri në majën e një mali, por sapo mbërrinte në krye binte sërish poshtë, duke e detyruar ta rifillonte nga e para. E kështu në përjetësi, duke transportuar një gur që rrokullisej vazhdimisht. Ndëshkimi i Sizifit, siç dihet, do të bëhet në shekuj simboli i çdo përpjekjeje të padobishme, që e bëhet e kotë sapo realizohet[i].

Disa aspekte të diskursit për imigracionin duket se na çojnë në këtë imazh. Sapo mendojmë se kemi arritur diçka në shpjegimin e imigracionit e të dinamikave të tij, sapo besojmë se kemi vënë një pikë të palëvizshme, sapo opinioni publik duket i pjekur për një hop cilësor,  ligjërimi rikthehet në pikënisje, pra shkëmbi bie në rrëzë të malit. E kështu fillojmë sërish nga e para, me mundim të madh.

Pa e bezdisur historinë e njerëzimit e të Italisë në veçanti, e shënuar gjithnjë nga lëvizjet e popullsive, duhet të kujtojmë se dukuria migratore, edhe ajo masive, nuk është fenomen i ri; kjo është aq e vërtetë sa në fillim të viteve 1990, kur në portet puljeze arritën anijet e shqiptarëve (i ashtuquajturi eksod) pas dhjetëvjeçarëve të totalitarizmit autarkik, Italia u zgjua e çuditur dhe e papërgatitur njëkohësisht. Megjithatë, ishte sinjal i qartë se, së bashku me migrantët, një epokë tjetër po trokiste në derë[ii].

Studiuesit e opinionistët thanë se Italia ishte transformuar nga vend emigracioni në vend imigracioni. Në atë kohë Italia nuk ishte e përgatitur të përballonte eksode masive e ndoshta as që e kishte kuptuar se ishte bërë ndërkohë vendmbërritje emigrantësh; sipas gjasës në imagjinarin e saj kolektiv e shihte ende veten si një vend nga ku anijet nisen e nuk ankorohen. Në 25 vitet e fundit kanë ndryshuar shumë gjëra, përfshirë transformimin e supozuar të Italisë nga vend emigrantësh në vend imigrantësh, meqë italianët vazhdojnë të emigrojnë edhe sot drejt vendeve të tjera[iii].

Çdo vit, kërkime shkencore e studime na kujtojnë pa ndërprerje se jemi përballë një dukurie epokale dhe se globalizimi karakterizohet edhe nga lëvizshmëria e personave. Sipas “Dossier Statistico Immigrazione”, në vitin 2014, migrantët në botë (232 milionë më 2013 sipas OKB-së) kanë arritur të prekin 240 milionët, me një përqindje më të lartë se 3% të popullsisë botërore. Pra bëhet fjalë për një dukuri globale me përmasa të mëdha, megjithatë ka nga ata që e shikojnë migracionin si event të jashtëzakonshëm e të përkohshëm, duke e përshoqëruar me një logjikë emergjence me karakter lokal. Është kjo logjikë emergjence që na e mjegullon shikimin e nuk na bën t’i dallojmë aspektet strukturore nga ato konjukturale, duke e bllokuar projektimin largpamës e duke krijuar kushtet për instrumentalizime e polemika të vazhdueshme.

Bëhemi me dije prej kohësh se një dukuri me përmasa gjigante nuk mund të shoqërohet lehtë me receta mejhanesh provinciale. Megjithatë, recetat prej kuzhine me nivel të ulët, të servirura për konsum politik të brendshëm, jepen me shumicë, veçanërisht në emisione televizive, duke e çuar ligjërimin në pikënisje. Por nëse është e vërtetë se kemi të bëjmë me një dukuri epokale e globale, atëherë edhe zgjidhjet duhet të gjenden në atë nivel, duke eliminuar shkaqet që nxisin migrimet: uria, konfliktet, varfëria, luftërat civile, pabarazitë, terrorizmi… E më pas t’i jepet hov politikës me të gjithë aktorët ndërkombëtarë për zhvillimin e kontinenteve në vështirësi. Flukset migratore mund të krahasohen me flukset e ujit, në qoftë se nuk administrohen mirë shkaktojnë një sërë problemesh, por nëse kanalizohen mirë përbëjnë një pasuri të madhe, duke sjellë begati, energji e jetë të re.

Rreken ta shtyjnë shkëmbin e ligjërimit publik për imigracionin nëpërmjet forcës së numrave. Prej sa kohësh demografët na ilustrojnë grafikë e statistika, që tregojnë rënien problematike të popullsisë europiane e italiane? Dossier nënvizon se “një e katërta e popullsisë europiane është prej kohësh më shumë se 60 vjeçare, në vitin 2050 numri i vdekjeve do të jetë më i madh se i lindjeve me shifrën 32 milionë, si rrjedhim vetëm imigracioni mund të luajë një rol ekuilibrues të bilancit të popullsisë”[iv]. Kontributi i qytetarëve të huaj është i rëndësishëm edhe për kompensimin e rënies demografike të Italisë, që del pa vështirësi nga diferenca midis lindjeve e vdekjeve gjatë vitit e nga diferenca midis regjistrimeve nga/drejt komunave të tjera e nga/drejt jashtë shtetit; saldo pozitive për qytetarët e huaj dhe negative për rezidentët italianë[v]. Përballë shpopullimit të shumë fshatrave e qytezave, përballë krizës së lindjeve e plakjes së shoqërisë, shumë studiues shikojnë tek imigracioni një rrugëdalje. Pavarësisht nga kjo, mbijeton ende sindroma e pushtimit dhe perceptimi se imigrantët janë shumë, tepër, gjithsesi më shumë seç duhet.

 

[Vijon]

 

[i] Ky shkrim riprodhon, me ndryshime të pjesshme, relacionin e zhvilluar gjatë prezantimit të Dossier Statistico Immigrazione 2015 (Romë, 29 tetor 2015).
[ii] Vehbiu Ardian, Rando Devole, La scoperta dell’Albania: gli albanesi secondo i mass media, Edizioni Paoline, Milano 1996.
[iii] Shih Fondazione Migrantes, Rapporto Italiani nel Mondo 2015.
[iv] Dossier Statistico Immigrazione 2015, Idos, Roma 2015, f. 19.
[v] Po aty, ff. 88-89.

 

2 Komente

  1. …Flukset migratore mund të krahasohen me flukset e ujit, në qoftë se nuk administrohen mirë shkaktojnë një sërë problemesh, por nëse kanalizohen mirë përbëjnë një pasuri të madhe, duke sjellë begati, energji e jetë të re…

    Imazh qe flet shume!

    1. Faleminderit. Një imazh, që disa ma morën si shumë të guximshëm. Të tjerë si pak të ndrojtur. Por të gjithë ishin dakord nga ana komunikative: shumë efikas. Ndonjëherë më shumë flet një metaforë se sa faqe të tëra me teori e argumente.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin