PIKTOR, JURI, KUNDRUES

Gjatë muajve të verës deri në fundvjeshtë, Galeria Kombëtare e Portretit në Londër (National Portrait Gallery) hapi dyert për çmimin e përvitshëm: “BP Portrait Award”, i cili vlerëson portretet më të arrira. Këtë vit 2748 portrete, nga 92 vende të botës, mbërritën para një jurie të përbërë prej gjashtë vetave.

Rreth 62 portrete u zgjodhën për t’u ekspozuar për sytë e publikut. Larmia e stileve si edhe e vendeve të origjinës në një formë të pikturës, që e ka shoqëruar njerëzimin që prej lashtësisë, flet për vazhdimësi dhe inovacion. Madje edhe për një fshirje të kufijve midis vazhdimësisë dhe inovacionit.

Më poshtë shihen të paraqitur katër fituesit e këtij viti; përkrah, të perifrazuara, fjalët me të cilat vetë artistët prezantuan veprën e tyre, arsyetimi i jurisë për vlerësimin e dhënë, dhe disa mendime të mia rreth portretit, artistëve dhe kritikës.

Çmimi i Parë:

MatanPiktori: Të bashkuara prej dritës lëbyrëse, të gjithë objektet bëhen një. Kompozimi reflekton tensionin e pashmangshëm që vijon në çastin kur kupton koston e tmerrshme që duhet paguar. Muri i sertë dhe zalli i ashpër i bëjnë jeh pikëllimit dhe ashpërsisë së Guy-it, ndërsa pema e fikut, me hijen kërcënuese që hedh, paralajmëron fatin e Annabelle-ës. Qëndrimi i saj ballëhapur shpreh vendosmërinë dhe rolin që ajo luan në rrëfenjën biblike dhe në jetën e Guy-it, si mbartëse e peshës dhe fatkeqësisë së tij. Annabelle, vetë veç një fëmijë, tenton të shestojë fatin e saj tragjik.

Juria: Ne na la mbresë aftësia përfshirëse e narrativës filmike të kësaj pikture neo-realiste dhe atmosfera ndrydhëse që e rrethon. Admiruam shumë vendosjen dhe trajtimin e dritës intensive dhe të hijeve të thella.

Unë: E para gjë që spikas në këtë prezantim është historia biblike, e cila i paraprin këtij portreti, të cilën nuk ta sugjeron as titulli, Annabelle and Guy, as shpjegimi i piktorit, ngaqë tregimi biblik mbërrin i përshtatur në ditët tona. Si veshja, si emrat e dy figurave njerëzore vetëm e largojnë shikuesin prej aluzionit biblik. Një shënim tjetër shpjegon se Guy është mishërimi bashkëkohor i Jefteut, gjyqtarit hebre, që luftoi kundra Amonitëve dhe në shkëmbim të fitores, i premtoi Zotit se do të flijonte të parën gjë të gjallë që do t’i dilte para, ndërsa kthehej fitimtar nga beteja. E para fytyrë që Jefteu sheh, kur hyn në pronat e tij me fitore të sigurt, është ajo e së bijës. Në çast, i vjen ndërmend pakti me Zotin: i bie që vajza e tij të jetë kurbani i premtuar. I flet hapur së bijës. Pranon kërkesën e saj për dy muaj liri, gjatë të cilëve vajza vajton virgjërinë me shoqe në male. Në krye të dy muajve, e bija kthehet, e gatshme të përmbushë zotimin e të atit. Jefteu e flijon të bijën.

Në shikimin e parë – thonë se mesatarja që dikush ndalet e kundron një objekt arti është 3 sekonda – më ra në sy distanca mes tre figurave: burri, vajza dhe qeni shohin secili në drejtime të ndryshme. Distancë sidomos paradoksale mes tre figurash të lidhura njëra me tjetrën nga prekja zinxhir: vajza prek burrin, burri prek qenin. Vështrimi i Annabelle-ës më kujtoi atë pyetjen vetë-mbrojtëse që përmend Žižek: “Che vuoi?”. Por edhe vështrimin pikërisht filmik të personazhit që, duke ia ngulur sytë direkt kamerës, dhe shikuesit që vëzhgon nga ana tjetër e kamerës, shkërmoq “murin e katërt”, atë që ndan personazhin nga shikuesi.

Në duar të zota, kjo lloj afërsie e bën shikuesin të shtang para ekranit. Më duket se kam gjetur të paktën një element që i jep këtij portreti hije filmike, dhe si rrjedhojë, mendoj se suksesi i tij qëndron te vazhdimësia midis një formë artistike dhe tjetra: filmit dhe pikturës. Largohem disa hapa, dhe nga larg, tabloja më ngjan si fotografi. Më kujtohen kohë më të hershme kur piktura dhe fotografia konkurronin armiqësisht.

Pastaj, mendoj për një formë tjetër të artit, për romanin, fiction apo (auto)biografik. Kërkoj shembuj ku një shkrirje e tillë zhanresh nëpërmjet teknikave të realizmit psikologjik, social, apo postmodern, pa çka se ka ende një tendencë popullore për të parë paradoks në vetë shprehjen realizëm postmodern, ka marrë një vlerësim të ngjashëm.

Çmimi i Dytë:

2Piktori: Shpresoj se kjo pikturë përcjell besimin e Elizës në vetvete, teksa ajo rritet dhe shndërrohet nga vajzë në grua, por duke ruajtur edhe një farë ndrojtje që ajo shfaqte në këtë kohë. Ndikimi kyç për këtë krijim ka qenë piktori i shekullit të XV Hans Memling.

Juria: Ne qemë të mendimit se ky është një portret më se i arritur, i cili reflekton ndikimin e Vermeer-it dhe të shkollës holandeze të shekullit të shtatëmbëdhjetë si edhe veçori moderne e të gjithëkohshme.

Unë: Pas dialogut mes një pikture të mileniumit të tretë të erës sonë dhe një episodi biblik jo fort të njohur, portreti i Michael Gaskell më lë mbresë për thjeshtësinë e historisë prej nga piktori merr frymëzim: nga Eliza, adoleshente, në pragun e dytë të jetës, po të themi se ardhja në këtë botë është i pari. Por edhe paleta e ngjyrave mjaftohet me pak dhe është krejtësisht në funksion të vajzës: sfondi i errët, që rrethon fytyrën bilurë dhe pulovra mbi këmishë që duket sikur merr e intensifikon ngjyrat e sfondit, ndërsa vetë këmisha bluxhins, blu e ngopur, më ngjan si cæruleum, thekson sytë e kaltër. Sytë e mi fiksohen tek sytë e Elizës që duken të paprekur nga shikimi im. E shoh dhe ndiej se unë për të nuk ekzistoj. As turma që më rrethon. Kërkoj gjurma të ndrojtjes që gjen piktori në fytyrën e vajzës. Nuk do ta quaja kështu vështrimin e saj ëndërrimtar dhe pyes veten nëse kjo ia cenon vlerën veprës: domethënë, nëse është më pak e arrirë, për faktin që nuk përcjell tek unë atë që ka dashur të përcjellë piktori. Kjo më kthen tek qëllimi i piktorit/autorit, një tjetër dialog i rrahur estetik. A s’është më mirë të lihet i vdekur artisti? Pastaj më shqetëson fakti që juria e identifikon portretin me stilin e Vermeer-it, ndoshta një version modern i Vajzës me vëth perle (1665). Mund t’ua ketë sugjeruar pikërisht zgjedhja e blusë si ngjyra që kontraston me bardhësinë e lëkurës, tek Eliza këmisha blu dhe tek vajza e Vermeerit, shamia e kokës. Piktori përmend si ndikim të drejtpërdrejtë një emër për mua të padëgjuar, Hans Memling. Vihem në kërkim të tij dhe i gjej disa paralele midis tyre. Po jurisë, përse i ka shpëtuar kjo? Përse nuk e ka marrë parasysh treguesin e piktorit? Njëherë më shumë, shijoj aleancën mes së resë dhe traditës, mes prezantimit të pikturës nëpërmjet fjalëve të krijuesit dhe jurisë.

Çmimi i tretë:

BorjaPiktori: Duke realizuar zhdukjen e ngadaltë të këtij riti javor, dëshiroja të portretizoja këtë emocion në një pikturë, ku im atë mungon, dhe atë kohë të vështirë për të gjithë ne, sidomos për nënën time, e cila qe kujdesur me përkushtim për tim atë. Dhoma jonë e ndenjes kur kemi kaluar bashkë net të tëra qe vendi më i goditur për të kapur këtë moment. Më se njëherë, i kisha pikturuar nënën, babanë dhe vëllain të ulur në atë divan, qeshë goxha i sigurt se si do ta përdorja dritën dhe ngjyrën. Piktura me qoshet në zhdukje e sipër i dedikohet babait dhe nënës.

Juria: Na tërhoqi thellësia e marrëdhënies së këtij çifti, që e kuptuam si një marrëdhënie mes një nëne dhe të birit. Na zgjoi shumë admirim stili i çlirët, i pakryer i pikturës.

Unë: Një tjetër portret, si ai i çmimit të parë, i kredhur në narrativë. Vetë titulli që nis me përemrin pronor “my” më përgatit për një situatë rrëfimi, hapjeje. Një portret i “mëmës sime”, me “vëllain tim” ulur në divanin tonë, si shumë mbrëmje të kaluara në shtëpinë tonë. Kufijtë midis sendeve dhe njerëzve nuk janë të kthjellëta, as ato mes nënës dhe vëllait, trupat e të cilëve duken sikur zhduken në kontakt me njëri-tjetrin dhe sendet që i rrethojnë; sikur portreti do të sugjerojë se subjekti me bordura të qarta, aq më tepër në një kontekst familjar, është gjë e rrallë, a mos fare utopike. Titulli ku përsëriten pronorët “my” qëndron për dorën që drejton penelin. Piktori është aty përmes “my”. S’ka dyshim që ky është portreti i një tresheje. Po kur lexoj përshkrimin e piktorit, kuptoj se në fakt është portreti i ndërprerë i një katërshe, madje i ndërtuar mbi vetë mungesën: atë të babait që sapo ka ndërruar jetë. Mungesë së cilës piktori i jep prezencë me vetë mungesën e ngjyrave në cepin e poshtëm të portretit, me rrëketë që sugjerojnë diçka të lënë përgjysmë, diçka që s’mund t’i bëjë ballë tërheqjes gravitacionale, rrugëtimit të mbramë drejt dheut. E shoh këtë portret si një shembull pamor të pyetjes që çdo interpretues i shenjave duhet ta shtrojë: jo vetëm çfarë shfaq, por çfarë lë jashtë tabloja që kam para syve?

Çmimi për të rinj:

ElenaPiktorja: Kur përdor një medium, jam gjithnjë e vetëdijshme se ky medium ka një histori dhe hyn në dialog me një traditë shumë të gjerë. Në këtë portret, i referohem arketipit të imazhit të një figure të ulur, ndërkohë që ndërtoj një imazh që ekziston në dialog me një hapësirë pikture tradicionale.

Juria: Na intrigoi narrativa enigmatike, futuriste e kësaj pikture, ndryshe nga të gjitha propozimet e konkursit. Portreti arrin të shqyrtoj izolimin e jetës bashkëkohore.

Unë: Ndërsa lexoj shpjegimin e piktores se ajo kontemplon dialogun që çdo medium kultivon me një traditë të gjatë të përdorimit, pres të vijojnë emra artistësh a shkollash të arteve pamore. Në mungesë të këtyre, e shoh situatën e femrës së ulur, siç e përshkruan juria, një gjendje izolimi. Por edhe më shumë se kaq. Vendosja e tavolinës së punës me muret ndarëse, që arrijnë deri te muri ku mbështetet karrigia, përcjell burgosje, ngërthim midis muresh, midis kufijsh të përcaktuar ashpër prej ngjyrave të zgjedhura. Më kujtohet një skenë nga filmi Të Pabesueshmit, rreth jetës së ngushtë në kub (cubicle). Çuditem që juria flet për izolimin e jetës bashkëkohore, sepse sendet mbi tavolinë, mbi të cilat femra ka fiksuar vështrimin, më duken shenja të qarta të një niveli meta. Sendet shëmbëllejnë diçka të krijuar, ndoshta nga vetë dora e femrës, pra, janë të krahasueshme me portretin që kam para. Dhe nëse është kështu, izolimi që më ndjell femra me sytë mbi sendet e krijuara, është ai i artistes, e cila, e përpirë në artin e saj, nuk sheh përtej mureve të murrme, përtej sterilitetit verbues të sendeve mbi tavolinë, të cilat gati-gati shkrihen me këmishën e saj akull të bardhë.

(c) Autorja. Ndalohet riprodhimi pa leje.

 

 

Rreth Autorit

E. K. Steiner mban një Master në gjuhë-letërsi frënge dhe një PhD në anglistikë nga Universiteti i Zyrihut; është asistent profesore në Universitetin e Lozanës dhe autore e disa librave e artikujve akademikë si edhe e romanit Tokëmjalta.

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin