VDES SIÇ VDES NJË LIBËR

Në librin “Vdes siç vdes një vend” (1978), Dimitris Dimitriadis flet për Greqinë duke mos folur për Greqinë. Pjesa është shkruar në atë mënyrë ku analiza që i bëhet një vendi, e nxjerr këtë vend jashtë kornizave kohore dhe gjeografike duke i dhënë veprës natyrë universale.

Autori paraqet në mënyrë letrare problematikat e një shteti dhe shoqërie, të shtetit e shoqërisë ku ai bëri pjesë – Greqisë së diktaturës dhe periudhës që e pasoi atë, për të cilën ilustron një vdekje radikale: atë të të gjitha vlerave njerëzore – vdekjes së njeriut së pari, për njeriun si një qenie të prirur drejt virtytit, arsyes dhe të mirës. Me gjuhën e Dimitriadis,  ajo se çfarë i është bërë kësaj shoqërie nuk është as më shumë e as më pak se sa “të shkërdhyerit” e çdo subjekti që përbën bazën e demokracisë dhe zhvillimit. Ai flet për qeveri mafioze ku partitë janë zëvendësuar nga banda kriminale pa kurrfarë identiteti ideologjik, që zhvendosen sa në njërin kah politik në tjetrin për interesta që bien ndesh me ato të popullit. Ai godet nacionalizmin në një botë gjithnjë e më të hapur e të prirur drejt zhdukjes së kufijve (vdekja edhe e kombit); përçmon një sistem arsimorgozhda që fabrikon individë të paaftë për të menduar në mënyrë kritike. Ai përshkruan një rini të vyshkur e cila s’është e aftë të pjellë asgjë veç shterpësisë së vetes. Tranzicioni për Dimitriadis është justifikimi ndaj mungesës reale të tij. Autori flet për një shtet e popull “të zënë prej bolesh” prej një pakice dashakeqe që udhëhiqet nga grykësia dhe që e përdor nacionalizmin, fenë dhe retorikat boshe si instrument për të nënshtruar e shpërlarë nga mendtë qindra e mijëra njerëz pa kokë.

Gjuha që Dimitriadis përdor është e rëndë,  fundja ashtu si dhe realiteti me të cilin ai e përball lexuesin. Por ngacmuese, përpos narrativës së autorit si dhe ngjashmërive fatale me kontekstin shqiptar (periudha e post diktaturës), është forma antropoforme me të cilën identifikohet vendi për të cilin flitet. “Ajo” (atdheu/vendlindja në greqisht i përket gjinisë femërore: πατρίδα (patrída) – /paˈtriða/) është një grua shterpë, e përdhunuar rishtazi e rishtazi, e plakur, e hidhët, e paaftë…një kërrmë, një ndyrësirë, një gjakpirëse. Autori megjithatë, duket sikur pluskon në kontradiktë: ai njëherë merr pamjen e kësaj gruaje, duke u bërë njësh me hartën e shpalosur mbi çdo gjymtyr e tipar tijin dhe njëherë i referohet asaj si një personi të huaj me të cilin nuk e lidh asgjë.

Një vend është njerëzit e tij – e mira dhe e keqja e një vendi janë po këta njerëz, pritshmëritë si dhe dështimet e një shoqërie s’mund të lidhen me asgjë përveç se me njerëzit e saj e zgjedhjet e tyre.

Nuk është e vështirë ta gjesh veten te mllefi dhe botëkuptimi i autorit kur e lexon veprën nga konteksti shqiptar, për vetë faktin se përshkrimet e tij mbeten aktuale edhe për  realitetit tonë në gjithë mizerjen dhe ngordhtësinë ku ndodhet tash sa kohë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin