KËRKOHEN ANALISTË TË DHËNASH

Me ligjin e ri për të drejtën e informimit janë rritur mundësitë për të vëzhguar punët e qeverisë më në hollësi. Shumë të dhëna janë tashmë të hapura për publikun e gjerë (shih p.sh. open.data.al). Por problemi është se këto janë papërpunuara, të pashoqëruara me analiza të përtypshme e të kuptueshme për publikun.

Më tej, grumbullimi i të dhënave dhe përmbytja e publikut me to nuk rrit transparencën. Përkundrazi, mund të shkaktojë keqkuptime, manipulim të opinionit publik apo fshehje të dukurive negative.

Mundësitë dhe kërkesat për transparencë, kryesisht nisma të ndërkombëtarëve në kuadër të projekteve për mirëqeverisje, kanë ekzistuar edhe më parë, dhe pse në mënyrë të kufizuar.

Kanë qenë kryesisht organizatat joqeveritare që janë angazhuar seriozisht me përftimin, mbledhjen, përpunimin dhe analizën e këtyre të dhënave, të cilat ja përcillnin më pas mediave. P.sh. organizata Mjaft, aktive gjatë mandatit të parë të Berishës dhe tani në letargji, ka pasur një projekt për të informuar publikun mbi realizimin e buxhetit të ministrive në 2007-2008.

Tani që pjesa më e madhe e drejtuesve dhe ekspertëve të këtyre organizatave joqeveritare si p.sh. Gjergj Filipi i Institutit Agenda, apo Eglantina Gjermeni e Aleancës Gjinore për Zhvillim, janë kooptuar me pozicione të larta nga qeveria, analiza të mirëfillta të të dhënave mungojnë në faqe të medias (p.sh. studimet e fundit të këtyre dy organizatave janë të vitit 2013).

Por ekzistojnë organizata të çuditshme, kryesisht virtuale, që janë spin off-e të organizatave të mëparshme e përdoren nga qeveria për presione të ndryshme. Këto organizata publikojnë gjysëm-raporte në platforma të dyshimta dhe pa kredibilitet. Rasti i fundit është p.sh. Studentët Kundër Korrupsionit në Universitete, spin-off i Mjaft, të cilët as nuk denjojnë të publikojnë të dhënat apo raportet e tyre, që ti nënshtrohen analizave të pavarura, por mjaftohen të publikojnë copëza në gazeta që diskretitojnë arsimin e lartë publik dhe kanë qartazi konflikt interesi në paraqitjen e të “studimeve” të tilla [Mapo].

Kurse organizatat e angazhuara seriozisht nuk zotërojnë kapacitete të mjaftueshme financiare dhe burimet njerëzore të ndërmarrin studime të tilla për çdo fushë. P.sh. Open.data.al ndërmerr herë pas herë ndonjë analizë që gjen jehonë të vakët në media, por duket që qëllimi i vetëm i Institutit Shqiptar të Shkencës, që e realizon këtë program, është të vendosë në dispozicion të dhënat. BIRN (Balkan Investigative Reporting Network) që mbështet reporter.al është një tjetër organizatë serioze, kryesisht e përqendruar në ndikimin social apo ekonomik të politikave shtetërore, po edhe këtu është vetëm një grusht gazetarësh (si p.sh. Gjergj Erebara) që kanë kapacitetet të analizojnë e të paraqesin të dhëna.

Ndërsa mediat televizive dhe të shkruara kryesisht nuk kanë dhe as kanë pasur mundësi dhe vullnet për të pasur analistë të dhënash.

Por dallojnë monitor.al dhe reporter.al (ose gazetarët e BIRN). Por këto kanë një audiencë më të zgjedhur dhe të vogël. P.sh. në tre muajt e fundit Google Pagerank për reporter.al është zero (ndër 430 mijë në renditjen botërore), ndërsa pesë për Panoramën (ndër 32 mijë në renditjen botërore), duke mos llogaritur lexuesit e përditshëm të Panoramës së shtypur. Reporter.al e merr audiencën kryesisht nga mediat sociale (64%, ndërsa vetëm 12% shkojnë direkt), ndërsa Panorama e merr direkt (25%), nga kërkimi në Google (38%), nga mediat sociale (17%) dhe nga lidhjet e drejtpërdrejta me faqen (17%).

Rritja e transparencës, zotërimi i të dhënave dhe analiza e tyre kërkon ekspertizë në fushat përkatëse të këtyre të dhënave. Kjo çështje duhet ti përkasë në radhë të parë kërkuesve shkencorë dhe gazetarëve.

Grumbullimi, përpunimi dhe analiza e të dhënave [Big Data apo Large Databases] është tendenca më e fundit në studimet e çfarëdo disipline, duke përfshirë edhe shkencat sociale e humane si sociologjinë, gjuhësinë apo antropologjinë.

Tek Big Data Shqipëria është ende shumë larg (p.sh. AKEP – Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare duhet të kishte publikuar të dhëna mbi përdoruesit e internetit dhe sjelljen e tyre.) Baza të mëdha të dhënash, që përfshijnë të gjithë popullatën apo kampione të mëdha përfaqësuese, ekzistojnë, e jo vetëm në fushën ekonomike si p.sh. Matura Shtetërore (rreth 40 000 vëzhgime për 2007-2015, jo i aksesueshëm nga publiku); deklaratat e pasurive, përdorimi i buxhetit etj. tek open.data.al; dataset e INSTAT për census, papunësinë etj. (gjithashtu jo të aksesueshme për publikun në formë bruto.); për evolimin e vlerave shoqëerore në Shqipëri shih p.sh. European Social Survey (2012) apo World Value Survey.

Për mediat analiza dhe përpunimi i këtyre të dhënave është kusht për një raportim cilësor dhe në përshtatje me njohuritë në rritje të publikut. P.sh. FAZ (Frankfurter Alllgemeine Zeitung) dhe New York Times [Upshot], dy ndër mediat më serioze të globit, kanë vite që kanë seksionet e tyre për ndërtimin e bazave të të dhënave dhe përpunimin e tyre.

Në Shqipëri, edhe pse numri i të diplomuarve rritet vit pas viti, mendimi kritik është integruar në çdo program që nga klasa e parë në universitet, mediat vazhdojnë të paraqesin lajme apo opinione pa argumente, evidenca pa grafikë apo tabela të paraqitura qartë. Lajmi përqendrohet në aspekte  periferike dhe analizat janë kryesisht përshkruese.

P.sh. Panorama që është media më e lexuar në Shqipëri ka publikuar disa herë deklaratat e pasurive të zyrtarëve të lartë. Mënyra e paraqitjes tek Panorama është aspak profesionale, pa asnjë analizë, edhe pse i detyrohet publikut pikërisht për këtë. Deklarimi i pasurisë jep përshtypjen se po respektohen rregullat e lojës, po publikohet pasuria e zyrtarit, por në fakt publikimi i tyre në këtë mënyrë synon të mbulojë e jo të zbulojë ndonjë parregullsi apo gjurmë dyshimi.

Sipas Panoramës: “Gjatë vitit 2014 Ahmetaj [Ministri Ekonomisë] ka deklaruar shitjen e një apartamenti në shumën 80 mijë euro, një automjet 25 mijë euro dhe një tokë me sipërfaqe 2 mijë m2 në shumën 65 mijë euro. Ndërsa bashkëshortja e tij ka deklaruar mbledhjen e të ardhurave nga dy ambiente të dhëna me qira në shumën 22.800 euro.” Kaq është lajmi mbi deklaratën e pasurisë për Arben Ahmetaj në vitin 2014. Lajmi vijon me një foto (vë re! jo tekst) të deklarimit të tij të pasurisë, që edhe pse dukshëm përmbante informacion mbi lëvizje me qindra mijëra dollarë dhe euro nëpër banka të ndryshme, gazetari e kish të parë të udhës të mos komentonte apo analizonte.

Ndërsa në të dhënat mbi deklarimin e pasurive të zyrtarëve të lartë të publikuara nga Open.data.al, të paraqitura në mënyrë logjike dhe analitike, lejojnë analizën dhe krahasimin ndër vite. Kjo bazë të dhënash i jep mundësi çdo personi të ndërmarrë analiza të veçanta për persona të caktuar.

P.sh. në rastin e përmendur të pasurisë së Arben Ahmetaj, nga analiza del që ministri (me gruan) ka pasur rreth 480 000 euro të ardhura në vitin 2014 (të ardhurat nga paga apo shpërblime për hir të funksionit përbënin vetëm 10% të shumës)[Peshkupauje.] Gjithashtu Ahmetajt i figurojnë lëvizje të pasurive monetare dhe të patundshme që nuk janë përfshirë në deklaratat e viteve 2012 dhe 2013. Për cilindo gazetar këto të dhëna do të përbënin bazën e një artikulli hulumtues që nis me ILDKPKI dhe përfundon në zyrat e tatimeve dhe atë të pastrimit të parave, por jo për gazetarët e Panoramës që mjaftohen me fotokopjen.

Megjithatë, nëse media nuk mund të ndërmarrë analiza të tilla, ajo mund ti krijojë hapësira studiuesve të universiteteve me kredencialet e duhura e ti pajtojë këta të fundit kundrejt pagesave të përshtatshme.

P.sh. në një artikull tek Panorama, Dr. Valbona Zeneli prezantoi një analizë të tretshme të të dhënave të Doing Business 2015, raport për zhvillimin e mjedisit rregullator të biznesit. Dr. Zeneli i përdori këto të dhëna për të paraqitur një tjetër panoramë nga ajo e zymta që mund të shihte një sy i pastërvitur tek lexon vetëm numrin e renditjes së Shqipërisë (35 pozicione poshtë). E kjo ishte pikërisht komunikimi i këtyre rezultateve publikut në një gjuhë të kuptueshme dhe relevante për vendimmarrjen politike. Edhe pse Dr. Zeneli futet në hulli që jo çdo lexues i kupton, siç ishin grafikët e korrelacionit me koeficientët përkatës, ajo mundohet ti shpjegojë në tekst. Një përpjekje fund e krye për tu përgëzuar.

Dyshoj se Dr. Zeneli është paguar qoftë edhe një kacidhe për këtë artikull. Megjithatë, ky lloj angazhimi do t’u shërbente studiuesve për të shpërndarë rezultatet e studimeve apo ndikuar sado pak politika të caktuara në kuadrin e veprimtarisë intelektuale dhe angazhimit në komunitet. Përndryshe, mediat të punësojnë analistë të dhënash të certifikuar për këtë zanat, jo dhe aq të ri.

6 Komente

  1. Nuk e di se cfare eshte kjo google pagerank por di qe logjika e krahasimit te vizibilitetit te mediave ‘niche’ si Monitor dhe Reporter me mediat tabloid si Panorama nuk eshte shume e vlefshme.

    Nga ana tjeter, te dhena ne Shqiperi ka, por cilesia e tyre dhe formati i raportimit nuk ndihmon shume per te bere analiza.

    Te gjithe treguesit statistikore qe hartohen aktualisht nga ato pak institucione qe hartojne statistika, BSH apo INSTAT, jane konceptuar sipas nevojave te vendeve te zhvilluara dhe ne shume raste nuk kane kurrfare kuptimi ne realitetin shqiptar. Rrjedhimisht, mungesen e analizave mund ta lidhesh edhe me mungesen e rendesise se statistikave te raportuara per gjendjen aktuale te vendit.

    Kur ben analiza mbi statistika eshte mire qe te mos vepruar pa bere me pare analizen e vete statistikes. Jo cdo statistike vlen.

  2. A mund ta di se cili eshte burimi i ketyre statistikave te Google Pagerank? se nuk me rezulton asgjekundi qe dicka e tille te ekzistoje

  3. Për shkak të një gabimi tim kur po e përgatitja këtë shkrim për botim, doli Xha Xhai si autor, në vend të Kapedanit. I kërkoj të falur autorit dhe të gjithë lexuesve që mund të jenë pështjelluar nga kjo ngatërresë, tashmë e ndrequr.

  4. Titulli dhe thelbi i shkrimit janë të drejtë. Por ndonjëherë mua më duket se duhen përmbysur. Kërkohen të dhëna për analistë, në kuptimin që duhen të dhëna, sepse në Shqipëri mungojnë të dhëna të besueshme.

  5. e drejte! kam nje dite qe merrem me pastrimin e te dhenave per deklarimin e pasurise se disa nepunesve te larte dhe anetareve te qeverise. Edhe pse e kerkova dataset nga organizatoret e open.data.al, nuk mi dhane. Iu futa ti marr nepermjet nje skripti – por tani duhet me mesu Java (google script) ose VBA (excel) qe te pastrohen, pasi nuk ndjekin te njejtin rubrike, sistem apo kategori raportimi.

    Perndryshe nese ka ndonje bashkepunetor te gatshem, bujrum me te dhenat – https://docs.google.com/spreadsheets/d/1MI04802SZIUu8ZCDQppstDyUEhy01Qkif7SM7bSjvls/edit?usp=sharing

    Edhe pse inspektoriati i deklarimit te pasurise ILDKPKI eshte qortuar nga Komisioni Evropian per zvarritjen e deklarimit elektronik (ne fakt dorezimi behet me nje formular Word qe mund lexohet lehtesisht nepermjet makines ose aplikacioneve), Ganaj, krye-inspektori, mburret per arritje hipotetike.

    Sipas Progres Raportit (http://www.hidaa.gov.al/12-nentor-2015/):
    Nuk ekziston ende një sistem elektronik për dërgimin, kontrollimin dhe publikimin e deklaratave të pasurisë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin