SKËNDERBEU I ROMËS

Në vazhdim të bisedës që nisa te Shenja të çmobilizuara, dua të diskutoj më tej raportin midis ngjarjes ose personalitetit që shënjon monumenti publik – një statujë, një obelisk, një lapidar, një pllakë – dhe autoritetit që e ngriti atë monument, ose periudhës historike përkatëse.

Me fjalë të tjera, të shoh se deri në ç’masë monumente të tilla janë vetë-referenciale, ose kremtojnë autoritetin që i ngre dhe i sanksionon, së bashku me versionin përkatës të historisë.

Kur fola për lapidarët që i kushtohen Luftës Na-Çl në Shqipëri, hipoteza ime ishte se këta sot gjithnjë e më tepër i referohen periudhës së viteve 1960-1980, kur u ndërtuan dhe u sanksionuan nga regjimi totalitar; dhe gjithnjë e më pak Luftës Na-Çl. Megjithatë, edhe sikur hipoteza ime të qëndrojë, mund të jetë fjala thjesht për një aksident ose një nga ato përjashtime që thuhet se “vërtetojnë rregullin”.

M’u kujtua pastaj përshtypja që më ka lënë statuja ekuestre e Skënderbeut, në Piazza Albania në Romë, sa herë që më ka qëlluar të kaloj atje.

Natyrisht, për çdo vizitor nga Shqipëria një piazza Albania në kryeqytetin italian dhe për më tepër me një monument kushtuar heroit kombëtar të shqiptarëve do të përbëjë arsye në mos krenarie, së paku kurioziteti. Prandaj edhe, në vitet e dikurshme të izolimit, ky shesh ishte një nga vendet e para ku i çonin shqiptarët në Romë, para 1990-ës.

Mbaj mend që kështu më ndodhi edhe mua, në 1987-ën; edhe pse atëherë isha tepër i hutuar, për të pyetur se pse kremtohej pikërisht Skënderbeu në Romë dhe aq më tepër me një statujë krejt të vetën.

Shumë më vonë, kam mësuar që sheshi, i quajtur dikur Piazza Raudusculana, mori pastaj emrin Piazza Albania në 4 korrik 1940, për të kremtuar aneksimin e Shqipërisë nga Mbretëria e Italisë, një vit më parë.

viewIronikisht, ky aneksim i një vendi deri atëherë sovran, nga një fuqi me pretendime imperiale, si Roma e Mussolini-t, do të kremtohej me statujën e kujt mbahej – në vitet 1940 dhe sot e kësaj dite – si simbol i luftërave të shqiptarëve për liri: Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Vetë statuja është e Romano Romanelli-t.

Monumentin e përuroi vetë Benito Mussolini, më 27 tetor të vitit 1940. Përkundrazi, mbishkrimi në piedestal është vendosur, në 1968, nga Comune di Roma, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së heroit.

Çfarë përfaqëson pikërisht ky monument sot për vizitorin shqiptar? Po për banorin e Romës? Po për turistin nga Seul-i ose Buenos Aires-i? Po për vizitorin arbëresh që e ka një bust të Skënderbeut edhe në mes të katundit të vet?

Këtyre pyetjeve do t’u jepen përgjigje të ndryshme. Edhe pse një shqiptari në krye do t’i bëhet qejfi, kur të shohë Skënderbeun të nderuar me statujë në mes të Romës, me kalimin e kohës këtij mund t’i ndodhë si mua – ose t’i kristalizohet bindja se monumenti i referohet Italisë fashiste dhe pretendimeve të saj imperiale, përfshi këtu edhe aneksimin e Shqipërisë në Mbretërinë e Italisë; dhe nuk ka shumë të bëjë me Skënderbeun hero, të mitit tonë kombëtar.

Natyrisht, ky që kremtohet në Romë sot e kësaj dite është edhe Skënderbeu që ndali dyndjet osmane dhe ndihmoi Mbretërinë e Napolit dhe Papatin në mënyra të ndryshme, përfshi këtu edhe një aventurë të çuditshme në përkrahje të Ferdinandit të Napolit, në Italinë e Jugut (ku edhe desh la kokën). [1]

Ka një histori të Skënderbeut edhe në Itali – pa çka se Italia në kohën e Skënderbeut nuk ekzistonte; por italianët njëfarësoj i detyrohen, për qytetërimin e tyre, edhe atyre 25 vjetëve kur Gjergji u bëri ballë osmanëve, me sakrifica të pashembullta; dhe me ndihma në para dhe në mercenarë nga fuqitë e ndryshme të gadishullit italik: Papatit, Napolit, Venedikut, Milanos. Të gjitha këto fuqi e ndihmonin heroin kombëtar të shqiptarëve jo sepse kishin simpati për kauzën e lirisë arbërore, por sepse parapëlqenin që lufta kundër osmanëve të zhvillohej larg trojeve të tyre.

Le të mos harrojmë, në këtë kontekst, se lidhjet e dendura dhe të shumëfishta të Gjergj Kastriotit me gadishullin përbri u përdorën, në periudhën e aneksimit fashist të Shqipërisë, si një antecedent për çfarë po ndodhte në realitet; sa kohë që edhe vetë Gjergji e kish pranuar, së paku në letër, vasalitetin – sado formal dhe për arsye pragmatike – nga Mbretëria e Napolit.

Prandaj edhe ky monument, në një lagje të hijshme të Romës, nuk i kushtohet aq heroit kombëtar të shqiptarëve – sa Skënderbeut të italianëve; së paku në synimet e atyre që morën mundimin ta ngrenë.

Dhe për këtë arsye, vizitori i informuar nuk mund ta shmangë atë shoqërim idesh që do ta çojë nga Piazza Albania te Mussolini dhe vendimi i tij për t’ia aneksuar Shqipërinë Mbretërisë së Italisë; madje edhe kur nuk e shmang dot ngazëllimin, që e gjen Skënderbeun e vet mbi kalë të hipur në një piedestal dhe të rrethuar me nderim arkitektonik dhe urban.

Ashtu edhe vetë Piazza Albania, në Romë, sado që mund të konsiderohet sot si një përkushtim miqësor dhe i çinteresuar ndaj vendit fqinjë, e ka marrë emrin ashtu për të njëjtën arsye: pushtimin dhe pastaj aneksimin e një vendi sovran, si Shqipëria, nga një fuqi e madhe agresive, siç ishte Italia fashiste.

Dhe meqë bëhet fjalë për një monument të natyrës historike, atëherë pretendimi për t’i dhënë këtij një lexim historik të saktë nuk do të ishte i tepruar, as pedant.

Roma e ruan historinë e vet dhe të italianëve e Italisë të gdhendur në strukturën urbane dhe arkitektonike të qytetit – në emrat e rrugëve dhe të shesheve, në monumentet dhe në rrënojat. Ndryshe nga ç’kanë bërë popuj të tjerë dhe kultura e regjime të tjera, italianët i kanë ruajtur edhe momentet e errëta të historisë së tyre, në vend që t’i fshihnin duke i shkatërruar – mjaft të kujtoj këtu faktin që një lagje e tërë e Romës, e njohur si quartiere africano (ku gjendet edhe ambasada e Shqipërisë), i ka rrugët të emërtuara sipas viseve dhe ngjarjeve që lidhen me aventurën fashiste në Afrikë: Via Eritrea, Via Asmara, Viale Etiopia, Via Sirte, Viale Libia, Via Mogadiscio, Via Tripoli, Via Tripolitania, e kështu me radhë.

Nuk di nëse ndonjë somalez a etiopian, që do t’i binte rruga nga kjo lagje, do të ngazëllehej nga kjo copëz e Afrikës e përjetësuar në emra rrugësh të Romës; por ma merr mendja se pakkush do të besonte se bëhet fjalë për nderim të çinteresuar të vendeve të Bririt të Afrikës dhe kulturës së tyre “të lashtë”.

Doemos, qytetet e mëdha – në hapësirë dhe në kohë – përqafojnë në vetvete universin; në kuptimin që Roma, sikurse Parisi dhe Vjena dhe Londra, i tejkalojnë kufijtë e shteteve përkatëse, për të projektuar anembanë rruzullit fuqinë e tyre historike dhe kulturore, prestigjin dhe hijen e rëndë, shkëlqimin dhe magjinë. Në këtë kuptim, një copëz e Shqipërisë në Romë – si piazza Albania, ose edhe një statujë ekuestre kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, zë vend natyrshëm, sa kohë që Roma gjithnjë ka qenë pak edhe kryeqyteti ynë, pika jonë e referimit, vendi i ëndërruar “përtej” horizontit.

Zë vend natyrshëm; por me kusht që ne, vizitorët nga periferia, të mos i ngatërrojmë marrëdhëniet komplekse dhe tejet të stërholluara, midis kulturës dhe historisë në Itali, me historinë tonë dhe mitet që i nënvendosen. Dhe nëse është kështu, Piazza Albania para se t’i kushtohet Shqipërisë, i kushtohet Albania-s së Mussolini-t dhe aneksimit; dhe Skënderbeu i atjeshëm nuk është as mund të jetë i njëjtë me Skënderbeun njëlloj ekuestër, në qendër të Tiranës.

Prandaj edhe i referohet, sikurse edhe i përket në thelb, Romës fashiste dhe synimeve të saj imperiale; çka përfshin edhe leximin e njëanshëm dhe të shtrembër që ia bënte fashizmi historisë, edhe historisë së shqiptarëve.

[1] Në Romë ka edhe një Piazza Scanderbeg, që nuk duhet ngatërruar me Piazza Albania. Gjendet në kryqëzimin e Vicolo Scanderbeg dhe Via della Panetteria, dhe e ka marrë emrin nga fakti që Skënderbeu ka ndenjur ca net në Palazzo Scanderbeg, një ndërtesë në shesh, seli e Muzeumit Kombëtar të Makaronave. Grupe arbëreshësh kanë protestuar për këtë dhe kanë kërkuar që ky pallat t’i kushtohet një muzeu historik të Skënderbeut.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin