LETRA E MITRUSHIT, LETRAT E DHIMITRIT

Ka nisur një debat – se tani debate i quajnë edhe këto farë tallavash diskursive, të cilat e marrin modelin nga “talk show-t” televizive – për grabitësit dhe përvetësuesit në fushën e letrave.

Zhurmën e nisi (ri)botimi i një letre të Mitush Kutelit drejtuar Mustafa Greblleshit, të datës 28 gusht 1961, ku akuzohet Dhimitër S. Shuteriqi, ky eksponent i kulturës në periudhën e regjimit totalitar, shkrimtar, historian i letërsisë dhe filolog, për amoralitet dhe shpërfillje të së drejtës së autorit.

Letra lë të kuptojë edhe se Shuteriqi ka përvetësuar a vjedhur edhe një vepër letrare të Lef Nosit, personalitet i periudhës së Pavarësisë dhe më pas i dënuar prej komunistëve si kolaboracionist me gjermanët.

Këto janë pak a shumë faktet, por debat deri këtu nuk ka: ka vetëm sharje, shantazhe dhe ad hominem të njëpasnjëshme.

Lef-Nosi

Lef Nosi

Duke filluar që nga çfarë u bë shkas për (ri)botimin e letrës vetë: një deklaratë e Ben Blushit, eksponent i sotëm i PS-së dhe kundërshtar i vijës dhe i grupit drejtues të Ramës, në lidhje me Lef Nosin, i cili sipas tij nuk e meriton të ketë statujë në Elbasan sepse, pikërisht, ka qenë kolaboracionist.

Për ata që nuk e dinë: Ben Blushi e ka pasur gjysh Dhimitër S. Shuteriqin. Këto punë e vënë në lëvizje publicistikën në Tiranë, këto ua nxehin gjakrat faqeve në ueb: gjyshllëqet.

Letra e Kutelit është e vitit 1961. Nuk e kisha lexuar ndonjëherë, nuk mbaj mend ta kem parë gjëkundi: mbase është botuar, mbase jo.

Pyetja e parë që duhet të bëjë lexuesi: a është autentike kjo letër private? Sepse nuk shoh të citohet gjëkundi burimi i saj, nga ç’bibliografi a ç’arkivë është nxjerrë, si dhe pse.

Dhe pyetja e dytë: Mitrush Kutelin e duam fort si shkrimtar dhe personalitet të kulturës, dhe e dimë që është persekutuar rëndë nga regjimi totalitar; por kur dikush lëshon akuza të tilla si ato që përmenden në një letër (së cilës nuk ia kanë botuar as të paktën një faksimile), akuzat duhen verifikuar, para se të merren për të mirëqena.

Nëse Dhimitër S. Shuteriqi dhe të tjerë kolegë të tij që në thelb ishin të lidhur me regjimin totalitar dhe i shërbenin atij, kanë përvetësuar materiale – vepra letrare, studime, arkiva – nga eksponentë të deklasuar dhe të shfarosur të regjimit të mëparshëm, kjo çështje jashtëzakonisht serioze meriton të shihet me vëmendje dhe përparësi prej historianëve të letërsisë dhe filologëve.

Edhe unë kam dëgjuar për përvetësime veprash – që nga ato të dijetarëve dhe filologëve katolikë të Shkodrës; por edhe të tjera, që kanë përfunduar, si me magji, në tryezën e studimit të disa prej emrave më të shquar të periudhës komuniste.

Sikurse kam dëgjuar për përvetësime veprash nga njerëz gjysmë-anonimë dhe besnikë politikë që u gdhinë brenda natës në dijetarë dhe filluan të botojnë volume të hatashme, me bibliografi mijëra-titujsh, që do t’i kishin zili edhe murgjit shkrues të Mesjetës.

Krime të hatashme – që duhet së paku ekspozuar. Por si temë më vete, nga ekspertë të fushës dhe me prova e dëshmi; jo në kontekstin e një lufte mediatike, me ngjyra të forta politike, kundër një autori a politikani bashkëkohor, që me periudhën e krimeve në fjalë e lidh para së gjithash familja.

Dhe po ashtu, jo në kuadrin e një debati tjetër, për qëndrimin ndaj kolaboracionistëve – sepse asnjë lloj “tradhtie” nuk e përligj vjedhjen e veprave letrare dhe botimin e tyre me emra të tjerë.

Lef Nosit mund t’ia ngrenë dhe t’ia çngrenë statujën në Elbasan, në pajtim me shijet dhe pasionet politike të momentit – por vepra e tij në lëmin e kulturës, nëse është vjedhur dhe shkatërruar, kërkon drejtësi; dhe drejtësia kërkon prova. Fjalët dhe insinuatat e paverifikuara shpesh japin efekt të kundërt: i komprometojnë akuzat, duke i rrethuar me gjithfarë baltërash.

Përndryshe do të mbetemi në nivelin e një letre, të dalë në skenë kushedi si, që i ngulet në ballë një nipi, në emër të krimeve të supozuara të gjyshit. Teknika diletante, të një medie të specializuar në shantazh.

11 Komente

  1. Është me vend kërkesa, ribotuesit e letrës duhet, minimalisht, të citojnë dhe prejardhjen e letrës së Kutelit.

    Ndërkohë, duke mbetur tek “dora” që ka pasur Shuteriqi, m’u kujtua tani një ankesë që i drejtonte Ilo Mitkë Qafëzezi, diku në vitet ’50, Ministrit të Arsimit, ku i thoshte se shoku Dhimitër (perifrazoj) i kishte përvetësuar dorëshkrimet, të cilat ia kishte dhënë kur ndodhej në Korçë, që t’i çonte një kopje Ministrisë së Arsimit, dhe një kopje Insitutit të Shkencave. Jo vetëm që nuk i kishte çuar, por as nuk ia kthente pas, megjithëse ia kishte kërkuar disa herë, si dhe kishte filluar të botonte me emrin e tij punimet e Qafëzezit.(Dokumenti origjinal ndodhet në AQSh, më mungon referenca tani që shkruaj, por gjendet, nuk është zafmet). Kjo ndodhte ndoca vite para letrës së sipërpërmendur të Kutelit…

  2. “…asnjë lloj “tradhtie” nuk e përligj vjedhjen e veprave letrare dhe botimin e tyre me emra të tjerë.”

    Normalisht ashtu eshte. Mirepo ketu nuk duhet te nisemi nga parametrat e sotem morale, por nga “morali” i kohes kur zhvilloheshin ngjarjet. Sipas atij morali librat, doreshkrimet, veprat letrare dhe artistike, pasurite e luajtshme dhe te paluajtshme te çdo lloji dhe natyre u duheshin marre klasave te permbysura dhe duhej te vihesin ne sherbim te fitimtareve.

    Me vjen te rendit ketu disa emra konkrete dhe episode si ai qe solli Sokoli me siper, por nuk e bej dot, sepse ndryshe nga Sokoli, une po komentoj me pseudonim dhe nuk eshte e ndershme te akuzoj emra konkrete pa i nenshkruar akuzat me emrin tim. Ndaj edhe po mjaftohem te flas ne pergjithesi.

    Ti Xha Xha e njeh mire historine e albanologjise se asaj kohe, ke punuar edhe ne institutin e gjuhesise dhe duhet te dish mjaft raste pekthimesh te botuara pa emrin e perkthyesit sepse qellonte te ishte i deklasuar, ose vepra ne doreshkrim qe u ishin sekuestruar te deklasuarve, te denuarve, te pushkatuarve e te arratisurve e qe ruheshin ne arkivin e institutit, te cilat vileshin rregullisht dhe nuk citoheshin kurre. A nuk ishte vjedhje kjo?

    Doemos qe ka pasur edhe raste vjedhjeje te veprave integrale, madje ka pasur raste kur autoreve u eshte kurdisur nje pretekst per t’i arrestuar e per t’i denuar me synimin e vetem qe t’u sekuestrohej vepra dhe t’u dorezohej disa studiuesve te besuar te regjimit, pikerisht atyre qe kishin kurdisur planin e denimit te autoreve.

    Ajo ishte koha e maskarenjve dhe maskaralleku ishte ngritur ne sistem. Nuk kemi pse habitemi sot.

    1. Asnjë habi, përkundrazi. Edhe unë kam dëgjuar për gjithfarë rastesh kur prona intelektuale “shpronësohej” njëlloj si ajo e tokës ose kapitali – por nuk mund të bëj publike thashetheme, sa kohë që nuk kam asnjë provë në duar (ja edhe ti di disa gjëra, por nuk i thua dot; për Institutin e Gjuhësisë Bahri Beci – i sapodekoruar nga Nishani – shkroi një libër të tërë me më-the-të-thashë dhe nuk nxori në dritë asgjë substanciale). Por edhe ti e di, Relapso, që në Tiranë ka OJQ-ra të financuara mirë, të cilat e kanë të shkruar në “charter” misionin për të bërë publike me prova të besueshme padrejtësitë e dikurshme – dhe nuk mund t’ia delegojnë këtë punë mediave, të cilat tashmë janë katandisur në një version të keq të televizionit. Nuk më duket kaq e pamundur kjo punë – duke filluar nga një listë e veprave të cilat dihej si ekzistonin, në dorëshkrim, në fund të viteve 1930 dhe deri në vitin 1944. Për shembull: ku shkuan studimet dhe dorëshkrimet e institucioneve katolike në Shkodër? Dhe kështu me radhë. Më duket krejt e papërshtatshme që dënimi i shpronësimit intelektual t’i lihet në dorë një të vdekuri, Mitrush Kutelit, i cili nuk ka hequr pak ai vetë për së gjalli.

      1. Pas viteve ’90 u interesova te gjej ku ishte e te njoh Kin Dushin, me fort i intriguar nga emri dhe historite rreth tij se sa nga vepra, te cilen e njihja vetem pjeserisht. Isha i interesuar ne ate kohe te kuptoja sa “armiq” ishin “armiqte” dhe te ai gjeta nje komunist babaxhan, qe vetem sa ishte zhgenjyer nga rruga qe kishin marre “idealet”.
        E gjeta te te banonte te nje barake ku ruheshin thaset e çimentos, prane nje pallati ne ndertim. Perveç faktit se ishte nje nga burrat me te fisem e me simpatike qe kam njohur (por pothuaj i verber dhe i shkaterruar krejtesisht nga vuajtjet, puna e rende dhe alkooli), prej tij degjova histori te çuditeshme te “asaj kohe”. Por vetem kalimthi ai me tregoi se ne çastin e arrestimit, njerzit e sigurimit shoqeroheshin edhe nga nje specialist i letersise, nje shkrimtar mjaft i njohur sot dhe autor i nje vepre voluminoze.
        Zotni Kini, siç i thonim, me tregon se ky person i kishte marre nga shtepia e tij nje veper ne doreshkrim, gjoja per ta “ekspertizuar” . Pjese te saj ne forme tregimesh, ai i kishte pare ne shume libra te specialistit ne fjale.

    2. Po mire, o burra, Relapso dhe Xha Xhai, kur dini gjera, pse nuk flisni? Jo per te ngritur tyme, jo per te ushqyer thashethemin, po qe te ndahet gruri nga egjra shkencore (meqe u permend Instituti), qe kush vjen pas te njohe autorin e tekstit qe lexon, po dhe te dije shtatin e vjedhjes.

      1. Sokol,

        muhabeti filloi me nje leter private te Kutelit derguar Greblleshit qe eshte botuar nga familjaret. Letra eshte botuar heret, tani u rimor dhe u ribotua ne shtyp, si per t’i kujtuar publikut shkakun e vertete te mllefit te Blushit kunder Lef Nosit.
        Mesazhi eshte ky: Blushi nuk e ka inat Lef Nosin se ka qene kolaboracionist, por sepse i kane akuzuar gjyshin se ka vjedhur nje veper te Nosit.
        Mirepo kjo leter nuk eshte prove, eshte vetem akuze.

        Ti fole per letra te Ilo Mitke Qafezezit qe ruhen ne arkiv. Perfytyro per nje çast qe te ngrihen familjaret e Ilos, te marrin letrat ne arkiv dhe t’i botojne ne shtyp ne forme akuzash. Por as keto letra nuk jane prova.

        Te gjithe e dime se dukuria ka ekzistuar, por qe te akuzosh njerez konkrete duhen prova, pra duhen veprat dhe doreshkrimet e vjedhura.

        Eshte si puna e korrupsionit sot. Te gjithe e dime se ka korrupsion, por qe te akuzosh dhe te denosh te korruptuarit nuk mjafton bindja e pergjithshme, duhen prova. Te korruptuarit nuk i lene provat sheshit qe t’i gjejme une dhe ti.

        1. Blushi mund te thoshte qe busti i Lef Nosit duhet hequr nga sheshi ne Elbasan, sepse ka qene kolaboracionist. Pikepamje legjitime. Por te thuash “shpresoj te ngrihen e ta terheqin zvarre” eshte dicka krejt tjeter. Dhe Lef Nosi edhe si kolaboracionist nuk eshte ta zeme Xhaferr Deva, por as Blushi si i majte dhe antifashist nuk eshte Fatos Nano (Thanasi sikur ka qene partizan me duket), qe edhe ky e ka Shuteriqin gjysh mos gaboj.

        2. Tani, Relapso, unë nuk e di se çfarë kishe në mendje kur, më sipër, përmend albanologjinë tonë, akuza apo prova. Po nuk u mblodhën ca prova, qoftë dhe jo të drejtpërdrejta, nuk ka si hapet hullia ku do kalojë rishikimi kritik i figurave të së shkuarës dhe i punës së tyre. Ky shembull që sjell unë është “akullore”, siç thotë shprehja, sepse po të shfletosh Qafëzezin, davaritet mjegulla. Nuk kam kohë, hë për hë, të merrem me këtë. Ndoshta, në një çast më të volitshëm, po.

  3. ketej zene fill edhe dukurite e sodit ne komunitetin akademik ne Shqiperi: plagjiarizmi, vjedhje te materialeve mesimore (ose te lendes, sic i thone), apo pershirja si autor te pare ne kumtesa te ‘profesoreve’ qe nuk kane asnje merite pervec se te jene, keqinterpretimi i materialeve arkivore etj.

  4. “Kësisoj reagimi i sotshëm është një akt i mirëpritur, që i jep pak oksigjen një qytetarie të oksiduar tërësisht, aq më tepër që me sa u pa protagoniste kësaj radhe ishin studente femra.” Ekstrakt nga një gjësend, publikuar sot (në adresën http://www.respublica.al/2015/11/03/sh%C3%ABnim-nj%C3%AB-akt-i-mir%C3%ABpritur, një “shënim” i redaksisë së Respublica-s me titullin “Një akt i mirëpritur” mbi një zhvillim dite në Tiranë). Arsyetime interesante më duken mua kësoj lloji.

  5. Xhaxha: “Për ata që nuk e dinë: Ben Blushi e ka pasur gjysh Dhimitër S. Shuteriqin. Këto punë e vënë në lëvizje publicistikën në Tiranë, këto ua nxehin gjakrat faqeve në ueb: gjyshllëqet.

    Sic edhe quhet ne anglisht “a tangled web”, eshte intriguese qe kjo ngjarje fut ne vorbull mbiemrat e njohur Nosi, Shuturiqi dhe nje pinjoll te familjes se Shuteriqve, Ben Blushit. Nuk e di i ka rene dikujt ne sy nje shkrim i botuar ne gazeten Metropol te dates 21/11/2012. Po citoi si me poshte:

    Metropol:

    I lidhur ngushtësisht me Shqipërinë dhe fatin e saj, veçanërisht me qytetin ku u lind dhe u rrit, Elbasanin, Nosi megjithatë kërkon thellë në rrënjët e tij e flet për to. Sipas fakteve që sjell dhe i beson e pranon si të vërteta, origjina e Nosit dhe familjes së tij është nga Greqia. Ai pohon se Nosët kanë të njëjtat rrënjë me një tjetër familje të madhe, atdhetare e intelektuale, Shuteriqët. Kjo do të thotë se dy prej intelektualëve më në zë të kohës, me të cilët krenohet jo vetëm Elbasani, por e gjithë Shqipëria, Lef Nosi dhe Dhimitër Shuteriqi, i bashkon jo vetëm vetëdija atdhetare dhe dashuria për dijen, por edhe i njëjti gjak.

    “Gojdhana e familjes thotë se Nost janë t’ardhun nga Greqia. I pari që kishte ardh këtu pasi kishte “ranë më gjak në vendt të vet e kishte qenëi shtrënguem me dalë dheut.Po, sekure ka ardhë nuk dihet mirë pasi në familje nuk ndodhet asnjë dokument i shkruem që tëna e dëftejë. Ky fis me kalim të kohës ashtë shtue e ashtë ndamë në tri dega të ndryshme nga të cilat vetëm njana e ruejti mbiemrin e vjetër e dy të tjerat e ndërruan tuke marrë njana mbiemrin “Shuteriqi” e tjetra “Marku”. E shumta e emnavet që u ngjisnin fëmivet këta tre barqe janë po ato. Përshembull sot kanë: Anastas, Beniamin, Jakob, Gregor, Basil, Kolë, Dhimitër, Josif etj. Por edhe Shuteriqt e Markajt po kesi emnash kanë. Veç kësajë të tria degat festojnë Shënkollin me të vetmin ndryshim që Nost e bëjnë festën në verë e Shuteriqt në dimën që të mund kështu të thërresin shishoqin në festë…”

    Me kujton nje shprehje ne anglisht “everyone has a skeleton in the closet”. Po te germohet gjithmone do te gjenden skelete te fshehura diku nga secili nga ne. 🙂

    http://issuu.com/gazeta_metropol/docs/metropol_21_nentor

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin