Hartat gjithnjë e ngashënjejnë fëmijën, ngaqë i aviten me një pyetje, me një sfidë, me një kërkesë të pashmangshme për t’u vënë emra dhe për t’u dhënë kuptime formave të çrregullta dhe kaotike, të paidentifikueshme, si petulla fraktale të tiganeve të së dielës; por sidomos për shkak të ngjyrave psikadelike, veçanërisht hartat politike, ku secili shtet ka ngjyrën e vet, të zgjedhur arbitrarisht nga autori i hartës, me të vetmin kusht që të shquhet nga ngjyrat e shteteve përreth, por që për fëmijën ka një kuptim që shkon përtej arbitraritetit, drejt thelbit mistik të atij shteti, si domethënie po aq e mistershme sa edhe format e shteteve vetë – pse Austria është e verdhë dhe Shqipëria ngjyrë rozë dhe Spanja ngjyrë tulle? Si për ta cytur edhe më imagjinatën, çdo hartë vinte edhe me legjendën e vet; te fjala legjenda, e dhënë me shkronja të mëdha, tërhiqte vëmendjen po aq sa emrat e shteteve dhe të qyteteve dhe të deteve; sidomos ngaqë shumë fëmijë mësojnë dhe mësohen të lexojnë në fillim shkronjat e mëdha të shtypit, kushedi pse; dhe këtë fjalë, legjenda, titull të një seksioni të rrethuar me kornizë, edhe pjesë e hartës edhe jo pjesë, thark ose kafaz ku mbaheshin mbyllur shenja dhe simbole të pakuptueshme, pothuajse algjebrike, këtë fjalë, pra, fëmija nuk mund veçse ta lidhte mendërisht me legjendat që ia kishin kallzuar tashmë në kopsht ose ia kishin lexuar ose i kish dëgjuar gjëkundi, diçka si përrallat por më të rëndësishme, më serioze, kushedi më të frikshme; prandaj edhe do të mendonte, pse jo, që çdo hartë vinte me legjendën e vet specifike, ose rrëfimin epik që u bashkëlidhej vendeve të treguara, por që ndryshe nga format dhe ngjyrat duhej deshifruar njëfarësoj me mënyra të tjera, nëpërmjet simboleve, vizave, njollave, yllthave; një alfabet tjetër, i padepërtueshëm; por që nuk e pengonte legjendën t’i nënvendosej hartës, po aq lehtë sa ç’i nënvendosej edhe historisë. Pa çka se fëmija do të zhgënjehej më pas, kur t’i shpjegonin racionalisht se kjo fjalë sekrete e hartës, legjenda, nuk kish lidhje me legjendat e Rozafës, dhe të Kostandinit dhe të Mujit e të Halilit, ose fundja as me ato të Kolombit dhe të Magelanit dhe të James Cook-ut dhe të bijve të kapitenit Grant, dhe sidomos as me legjendat për një thesar të varrosur te rrënjët e një rrapi nga piratët, por veç emërtonte një listë me shpjegime për simbolet e përdorura në hartë; do të zhgënjehej dhe do të trishtohej, sepse ashtu do t’i hiqej hartës magjia, ose fryma që e lidh vizatimin në letër me ngazëllimin e udhëtarit të ngeshëm dhe të eksploratorit sypatrembur; do të pezmatohej, derisa të vinte dita kur t’u kthehej me një sy dhe mendje tjetër legjendave të tjera, atyre xixëlluese të fëmijërisë, me Rozafën dhe Kostandinin, Mujin dhe Halilin, Kolombin dhe Magelanin ose thesarin e groposur, për të kuptuar, zakonisht befas, si falë një epifanie, se këto paskëshin qenë pikërisht legjenda të hartës së realitetit, që mbaheshin e disiplinoheshin në tharkë e kafaze të vetëdijes kolektive, për t’u përdorur si çelës deshifrimi të hartave me të cilat njeriu e rrethon veten; njëlloj ndoshta si përrallat, por më të rëndësishme dhe më serioze, madje të domosdoshme për t’u orientuar në botë.
1 Koment
Komentet janë mbyllur.
Harta e petullave ne imagjinaten e Xavierit.
Liber i ilustruar per femije.
OK. Thanks!