MEDALJANTËT

Nga Lidia

Më 15 tetor 2015 u organizua “Dita e ekselencës” për studentët e UT; një nismë e ndërmarrë nga Rrjeti i Studentëve Ekselentë (RrSE) me mbështetje të Universitetit të Tiranës dhe që përfundoi me një ceremoni në sallën e koncerteve pranë Universitetit të Arteve.

Një traditë pesë-vjeҫare e RrSE, kjo ceremoni vlerësonte studentët e diplomuar me rezultatet më të larta. U dhanë medalje ari për studentët që i kishin të gjitha notat maksimale, dhe medalje “Student i shkëlqyer” atyre që kishin 80% të rezultateve 10-ta dhe 20%, 9-ta. Ishin rreth 130 studentë të UT nga të diplomuarit e vitit 2014 dhe 2015.

Do të doja të isha pozitive qoftë edhe për faktin se na kujtuan; na kujtuan kur asnjëherë më parë nuk ishte kujtuar njeri për ne; dhe na thanë “Ju lumtë’”, “Ia dolët”. E, megjithatë nuk jam aspak pozitive, sepse ndiej që mungojnë studentët dhe përkufizimi i kësaj fjale është zbehur aq shumë, sa rri ngushtë nëpër auditorë dhe ambiente studentore; teksa mungojnë ata që duhet të flasin para një auditori jo me dialektikën e lajkave, por me atë dialektikë kritike që pritet prej tyre.  Mungon pra mendimi kritik, ndërsa mbizotëron frika, frikë ndoshta e trashëguar nga socializmi, frika se po të thuash atë që mendon do të kthehen kundër teje të lënduarit, të ofenduarit, të paturpshmit shkelës të institucioneve të arsimit, sepse do t’u shkelet krenaria që nuk e patën kurrë, nderi që nuk e njohën kurrë dhe dituria që nuk e takuan dot dhe as që e njohin kur e patën pranë.

Askush nuk përmendi (dhe as që mund të mendohej një gjë e tillë) që kemi pasur pedagogë që nuk e donin arsimin, që nuk donin të ndanin as kohën (kur nuk vinin në auditor fare) dhe as dijet me studentët (kur leksioni zgjaste 15 minuta të hedhura dëm); se masterët janë një sistem i dështuar me të cilin rritet paga, por bie cilësia, e të tjera si këto.

Nuk më lumturoi fakti që isha zgjedhur të isha pjesë e këtyre medaljantëve, sepse s’mund të harroja sa e vështirë ka qenë herë pas herë të ishe student në UT, dhe kjo jo për shkak të vështirësisë në studime, sepse kjo pritet kur je studente, por për shkak të vështirësisë që has me tufën e nëpunësve në këtë Universitet. Ndodh rëndom që sekretaret të sillen në mënyrën më të pasjellshme të mundshme dhe për të marrë një informacion sado të thjeshtë duhet të bësh pakt me Djallin; sikurse ndodh që pedagogët t’u thonë studentëve që në orën e parë të leksioneve se “Këtu drejtoj unë”; çka tregon veҫ inferioritetin që kanë në fushën akademike.

Ku nëpunësja e financës nuk e hap derën për studentët nëse këta nuk kanë pasur durim të presin dy orë të mira pas derës, ku injorantët dhe kopjacët të përplasin në fytyrë arritjet e tyre në “lëmin shkencor”, ku provimet vlerësohen sipas aftësisë për të kopjuar dhe riprodhuar librin, çka nuk të lejon të tregosh ndonjë mendim ndryshe që mund të kesh mbi subjektin përkatës. Ku mbrohen tema diplomash dhe doktoraturash nga më absurdet dhe askujt nuk i bën përshtypje një gjë e tillë, a thua jemi në cirk në vend që të ishim në një institucion serioz të arsimit të lartë.

conformityNe, studentët flasim shpesh me njëri-tjetrin për këto, por mjafton një pllakë metalike (medalje) dhe një copë letër (certifikatë) që t’i harrojmë të gjitha. Kisha vendosur të heshtja, sepse mendoja se nuk do të sillte ndonjë ndryshim mendimi im (dhe me siguri kështu do të jetë), por ndryshova pastaj mendje. Dhe pikërisht kur m’u duk se ata që vendosën të na nderonin me medalje dhe certifikata, na i dhanë këto nderime si një pakt të fshehtë për heshtjen tonë, sikur donin të na thoshin “Merreni këtë medalje, meqë për 5 vjet nuk keni thënë asnjë fjalë kundër nesh”, merreni këtë medalje turpi.

M’u duk si një ceremoni qesharake ku rektori flet për arritjet e UT pa përmendur, qoftë edhe shkarazi, ndonjë objektiv të ri apo ndonjë përmirësim që duhet bërë. Ku RrSE cakton të mbajnë fjalën përshëndetëse dy studentë të Bachelor-it, të cilët vetëm thurin lavde për mbarëvajtjen e punëve në UT, për mbështetjen që kanë marrë nga pedagogët, për dashurinë që u jep Rektori, për zërin që u dëgjohet vazhdimit e të tjera dokrra si këto.

Të mos harrojmë se presidenti i RrSE (që duhet të ishte një institucion i pavarur studentor) është zëvendës-rektor në Universitetin e Tiranës dhe kjo tregon qartë sa “i pandikuar” ishte fjalimi që mbajtën këta studentë, me lajkat për drejtuesit e UT. Kjo pamje duket si një reflektim i së kaluarës, ku i thureshin lavde Partisë në ҫdo lloj fjalimi të mundshëm dhe kritikat ndaj sistemit as që mund të mendoheshin. Të ftuar ishin dekanë dhe profesorë me mbështetjen e duhur politike, ata të cilët paradite shkojnë nëpër auditorë dhe mbasditen ia kushtojnë elektoratit të tyre. Njerëz të dyzuar të cilët kanë kuptuar ҫelësin e suksesit dhe i bëjnë temena partisë dy herë në ditë.

Pavarësisht nga sa përmenda më sipër, UT nuk është se e ka të pajustifikuar vlerësimin pozitiv që i bëhet: për fatin tonë të mirë kemi patur edhe pedagogë për të cilët jemi mirënjohës që i kemi njohur dhe që na kanë dhënë mësim me dashurinë prej prindi dhe me përkujdesjen e duhur; njerëz që e duan studentin dhe kujdesen që të japin më të mirën nga vetja, profesorë me vlera akademike të mirëfillta. Sigurisht që profesorë të tillë nuk ishin të pranishëm në ceremoninë e ndarjes së medaljeve, prandaj dhe medalja nuk e pati shkëlqimin e duhur.

4 Komente

  1. Mos reshtni së shkruari për të drejtën tuaj për t’u shkolluar për së mbari nga ato institucione që mbajnë pa nder përgjegjësinë dhe privilegjet e arsimit të lartë.

    Koincidencë kuptimplote kjo që shkruani ju dhe ajo që kritikon Bono Dushku në komentin e tij te https://peizazhe.com/2015/10/18/mamografi-dhe-koreografi/ rreth Fakultetit të Mjekësisë UT, ku vihet në skenë spektakli i pedagogjisë pa pedagogë.

  2. Nuk paska ndryshuar shume nga kur isha une student, te perzinte sekretarja qe kur te degjonte hapat ne korridor. Me ulerima e qarje histerike.

    Duheshin 5 firma per nje vertetim dhe nje jave ti mblidhje. Edhe tani kam pare qe i paguajne tarifat neper banka ku u marrin nga 150l studenteve te shkrete per nje vertetim (plus 150 per transferten bankare).
    kane vite qe kane blere nje sistem per menaxhimin e te dhenave te studenteve dhe nuk e kane perdorur, edhe pse kane pedagoge te informatikes e studente te kesaj dege.

    1. 40% tjeter duan te ikin nje jave me vone se nuk duan te mbajne rradhe neper autobuza e aeroporte, ose duan te mbarojne edhe ca pune per prinderit, tu marrin pensionet

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin