MREKULLITË E GJUHËS

I erdhi radha edhe sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, të vizitonte Expo Milano 2016, ku edhe mbajti një fjalim të vogël përshëndetës.

Veçori e këtij fjalimi ishte se Kerry provoi ta ligjëronte në gjuhën e vendit mikpritës.

Ka gjithmonë diçka groteske, diçka viskoze prej mozzarella-e të shkrirë, kur dëgjon amerikanët të flasin italishten.

Expo Milano, sikurse na e kanë thënë tashmë rreth një milion herë, ngrihet mbi temën “Feeding the Planet, Energy for Life.”

Këtë temë e ka theksuar, në mënyrën e vet, edhe mulliri i famshëm i ujit, në pavijonin shqiptar, të cilin shumë prej vizitorëve do ta kenë marrë për skulpturën me titull “This is not a urinal.”

Gjithsesi, Kerry nuk u ndal tek eksperienca e pavijonit kuqezi, por parapëlqeu të fliste për një picë dy km të gjatë, me të cilën do të ushqehet, për disa vjet, ajo pjesë e Planetit e njohur edhe si “Briri i Afrikës”.

Che meraviglia, desh të thotë Kerry me italishten e vet të kulluar, duke iu referuar këtij monumenti të teprisë; por nuk i tingëlloi mirë, prandaj e korrigjoi sakaq: Che merdaviglia!

Che merda-viglia vërtet. Lapsusi i Kerry-t italofon menjëherë gjeti vend në fjalorët jo vetëm të Expo Milano-s, por edhe të vetë politikishtes post-postmoderne, e cila kërkon të vendosë, me çdo kusht, lidhje mes politikanëve dhe gjesteve me pretendime dramatike dhe përmasa gjigante.

Çfarë më kujtohet: torta e pavarësisë, e shndërruar në orgji politiko-alimentare në qendër të Tiranës, para tre vjetësh.

Ajo tortë e përfunduar sakaq në masë ekskrementale (mierda) edhe pa kaluar e tëra përmes sistemit tretës të masës që festonte në banketin mbarë-kombëtar.

Che merda-viglia. Kerry, që italishten mbase nuk e di aq mirë sa ç’e flet, do ta ketë njohur patjetër fjalën merda, të ngjashme me frëngjishten merde (gjuhë që ai e zotëron) dhe spanjishten mierda, të cilën me siguri e ka pasë folur rrjedhshëm kolegu dhe rivali i tij George W Bush, me eksperiencë meksikane.

Che merda-viglia. Një mulli me ujë i shkollës së Duchamp-it; një tortë me sipërfaqe sa Kalaja e Lezhës; dhe tani një picë anakonda, për të ushqyer “planetin.”

Kerry, që është burrë i zgjuar, e pat kuptuar se çfarë ka qenë vërtet ajo picë dy-kilometrike. Duke respektuar kodin e mysafirit, natyrisht nuk ka dashur ta thotë madje as ta mendojë; por italishtja e tij është treguar edhe më e zgjuar.

Kurrë mos e nënvlerëso gjuhën që kujton se nuk e flet mirë, tha.

1 Koment

  1. Me e bukura qenka se nje here e filloi mire shqiptimin e fjales, pastaj kushedi çfare impulsi inkoshient hyri ne loje dhe shkoi e ilustroi ne menyre antologjike nocionin e aktit te munguar, per te cilin te gjithe jane te mendimit se eshte nje akt qe ia ka dale m’banë per te shprehur ate qe mendonte ne te vertete. Ne fakt kur hap duar per te treguar gjatesine pices e kap nje e qeshur qe nuk e mban dot per ate marrezi dy kilometërshe.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin