TRAFIKIMI I TË MITURVE

Po të lexosh vetëm titullin e artikullit të botuar në Corriere della seraLa tratta dei ragazzini fantasma dal Kosovo all’Italia, in auto” (Trafikimi i fëmijëve fantazma nga Kosova në Itali me makinë), duket sikur ky fenomen i takon vetëm Kosovës, por nuk është e saktë.

Shkrimi i gazetës së njohur italiane i vjen publikut në mënyrë të pasuruar, sepse është i pajisur me intervista video të personaliteteve të ndryshme, dëshmi të të miturve, pamje të hartës që shpjegon rrugën e trafikimit.

Në Firence të Italisë, por edhe në qytete të tjera, po mbërrijnë me dhjetëra të mitur. Sillen nga të ashtuquajturit skafistë të makinës. Familjet e fëmijëve paguajnë deri 2500 euro për të siguruar kalimin nëpër kufij të ndryshëm. I sjellin tre katër vetë në një makinë dhe kalojnë nga Kosova, Serbia, Hungaria, Austria, Sllovenia, e në fund Italia.

Sipas shkrimit kohët e fundit, vetëm në Firence, po vijnë tre të mitur në ditë, çka është një numër vërtet shqetësues, po të mendosh se ka qytete të tjera dhe jo të gjithë deklarohen dhe strehohen në qendrat e bashkisë.

Kur arrijnë në qytet, fëmijët lihen pranë kuesturave ose në zyrat e policisë bashkiake. Me sa duket, si të rinjtë, ashtu edhe trafikantët e dinë fare mirë se ngaqë janë të mitur forcat e rendit e kanë për detyrë që t’i gjejnë vende strehimi dhe t’i fusin në një program integrimi, duke i regjistruar në shkollë e kështu me radhë. Në gjuhën burokratike, këta të mitur quhen “të mitur të pashoqëruar” dhe me ta merren programe e struktura të ndryshme.

Një nga dëshmitë e të miturve, që citohet nga gazeta, thotë se në Kosovë ka shumë varfëri dhe se nuk ka punë e të ardhme për fëmijët. Si rrjedhim janë të detyruar të vinë në Europë. Natyrisht udhëtimi ka rreziqet e veta dhe rreziku rritet kur je në duart e trafikantëve të paskrupuj që janë gati të bëjnë çdo gjë për fitim.

Në shkrim Shqipëria përmendet vetëm një herë, së bashku me Kosovën dhe Bosnjën, kur flitet se si janë vetë familjet që paguajnë për t’i çuar larg nga varfëria fëmijët e tyre. Mirëpo, gjatë intervistave Shqipëria përmendet disa herë, çka e bën më shqetësuese situatën.

Një operatore sociale që intervistohet nga gazeta (Marilena Macchia, shiko këtu videon në minutën e 2.28) thotë se fëmijët vinë nga Kosova e kryesisht nga Shqipëria. Ndërsa policja e bashkisë së Firences, Guasconi, hedh hipotezën se mund të ekzistojë një rrjet nga disa zona të caktuara të Shqipërisë e të Kosovës që zhvillojnë funksionin e transportit të këtyre fëmijëve. (min 0.40).

Pra, dukurisë tejet shqetësuese të emigracionit, ose ndryshe të ashtuquajtur azilkërkues, po i shtohet edhe fenomeni tjetër i emigrimit të të miturve. Ky i fundit, realizohet nëpërmjet trafikimit të të miturve, çka nuk e përjashton mundësinë që këta të mitur, për shkak të brishtësisë së tyre, të shfrytëzohen më pas nga organizatat kriminale.

Për fat të keq, përveç logjikës së postbllokut, deklaratave për shtyp dhe njoftimeve dekurajuese për kthimet e azilkërkuesve, arsyet thelbësore të largimit të shqiptarëve ende nuk po trajtohen seriozisht. Ndërkohë që situata e përgjithshme, sikurse fenomeni i trafikimit të të miturve, e bën gjithnjë e më urgjente ndërhyrjen energjike kundër autorëve të trafikut nga një anë dhe kundër shkaqeve që e nxisin emigracionin nga ana tjetër.

Nuk ka komente

  1. Shkruani:

    Për fat të keq, përveç logjikës së postbllokut, deklaratave për shtyp dhe njoftimeve dekurajuese për kthimet e azilkërkuesve, arsyet thelbësore të largimit të shqiptarëve ende nuk po trajtohen seriozisht.

    S’ka se si të trajtohen seriozisht arsyet e largimit të shqiptarëve – xhanëm, emigrantët nga Shqipëria përbëjnë “vetëm” grupin e dytë më të madh të azilkërkuesve në Gjermani këtë vit me 66 mijë kërkesa për azil – kur qeveria shqiptare ka çështje më serioze për tu marrë tani, si psh. me pregatitjen e planeve të emergjencës për të pritur në Shqipëri azilkërkuesit e mundshëm nga Siria, të cilët mund të ngatërrojnë rrugën dhe t’i drejtohen parajsës shqiptare; apo që mund t’i futen tranzit Shqipërisë dhe me këmbë Adriatikut për të dalë në Itali!

    Shkruan Gazeta Shqip për një mbjedhje në nivel ministrash të jashtëm dhe të brendshëm të BE-së, kushtuar krizës së refugjatëve, ku mori pjesë dhe Shqipëria, mes të ftuarve të tjerë Kriza e refugjatëve, Bushati: Shqipëria, plan emergjence:

    Me tej Ministri Bushati u shpreh se: “në kuadër të përpjekjeve kolektive për t’iu përgjigjur krizës së refugjatëve, Shqipëria ka përgatitur një plan emergjence duke vlerësuar kapacitetet ekzistuese si dhe nevojat në rast se prekemi nga ky fenomen”.
    Duke rikujtuar eksodin kosovar në fund të viteve ’90, kur Shqipëria hapi dyert për qindra mijëra refugjatë nga Kosova, Ministri Bushati, në fjalën e tij, theksoi nevojën për të trajtuar dhe për të adresuar bashkërisht krizën e krijuar nga flukset e emigrantëve që kërkojnë të arrijnë në BE përmes Ballkanit Perëndimor.

    Harron Ministri, që Shqipëria në krizën e refugjatëve është në radhë të parë një vend orgjine i emigrantëve dhe jo vend pritës dhe – të paktën deri tani – as vend tranzit.

    Dhe që partnerët evropianë, bashkë me qytetarët shqiptarë, do t’i ishin mirënjohës qeverisë shqiptare, sikur ajo të mirrej seriozisht me shkaqet e ikjes masive të qytetarëve të saj nga Shqipëria, me eliminimin ose të paktën zbutjen e këtyre shkaqeve, me ndalimin dhe parandalimin e largimit të të miturve dhe të rriturve dhe sidomos sikur të paraqiste një plan emergjent, se si ajo mendon të presë dhe çfarë t’u ofrojë atyre mijëra shqiptarëve, të cilët në javët dhe në muajt që vijnë, do të kthehen forcërisht ose “vullnetarisht” në Shqipëri, njerëz të shkundur financiarisht dhe moralisht më shumë se sa kur ikën.

    Ndonjëherë, duke ndjekur deklaratat e politikanëve shqiptarë dhe një pjese të shtypit të këtyre javëve të fundit për “pregatitjet për pritjen e refugjatëve”, për “masat e emergjencës” etj, më krijohet përshtypja që ne mezi po presim, që të na vijnë ca emigrantë nga Siria, si për t’i treguar botës sa mikpritës jemi dhe që në këtë “hall” që e ka zënë Evropën, ne jemi në krahun e saj, gati për të hapur dyert dhe për të ndihmuar ! (se kush do ta paguaj faturën, kjo dihet po ashtu…)

    Pastaj habitemi, se pse nuk na merr njeri seriozisht në Evropë ose acarohemi, siç bën Rama, kur na përqeshin ambasadorët.

  2. edhe ne SHBA eshte ky problem me femijet qe vijne nga vendet e amerikes qendrore. Nganjehere problematikat e kane origjinen jo ne faktetet relevante, sesa ne intepretimin e historive te ndodhur diku gjetke.

    Besoj se shoqatat e mbrotjes se te drejtave te femijeve duhet te ishin alarmuar per kete dukuri. As ne gazeta nuk kam lexuar gje per kete.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin