MBRESA NGA NJË EKSPOZITË

(Në Bibliotekën Kombëtare, Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit)

nga Sokol Çunga*

Është kthyer në ritual të përvitshëm, tashmë, festimi në mënyra të ndryshme i Ditës Ndërkombëtare të Përkthimit.

Veprimtaritë mund të jenë qoftë të nivelit privat, si veprimtaria e kryer nga Revista Poeteka në Tiranë më datë 29 shtator, ku folën disa nga përkthyesit më aktivë të këtij lëmi në Shqipëri, apo dhe të nivelit institucional, siç është ekspozita e çelur në hollin e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, nën titullin “Index Translationum”, vendosur nën logon e UNESCO-s.

Dita Ndërkombëtare e Përkthimit ka filluar të festohet si e tillë që më 1953, kur u krijua dhe Federata Ndërkombëtare e Përkthyesve (FIT – Fédération Internatinale des Traducteurs). Jo rastësisht është zgjedhur data 30 shtator. Sipas kalendarit Romano-Katolik, më 30 shtator është festa e shën Jeronimit (Kisha e Lindjes e feston më 15 korrik kujtimin e tij), shenjtor dhe doktor i Kishës, i njohur, më shumë, si përkthyes i Biblës në latinisht. Për këtë mori dhe titullin “mbrojtës i përkthyesve”, sipas traditës së vjetër kristiano-bizantine. Ndërsa Index Translationum, që e hasim në posterin e ekspozitës së Bibliotekës Kombëtare, siç e thotë dhe titulli, është një listë e librave të përkthyer në botë, një bibliografi ndërkombëtare e librit të përkthyer. Ky indeks u krijua, për herë të parë, më 1932 dhe vazhdon të pasurohet, nën kujdesin e UNESCO-s, me titujt e përkthimeve të kryera në 100 vendet anëtare të kësaj organizate.

Nën këto reflektime iu afruam ekspozitës dhe po shikonim titujt e librave të vendosura në ekspozitorë. Në krye ndodhej “Index Translationum” nr. 52, si dhe një artikull mbi pesëdhjetë vjetorin e këtij botimi. Pas kësaj, sytë na i goditi, fatkeqësisht, egër, një kopertinë e kuqe me emrin e autores Danielle Still dhe titullin Album Familjar, vendosur mes Camilla Läckberg dhe Pushkinit, poshtë Nazim Hikmetit dhe pranë Hygoit dhe Dostojevskit. Vijuam të shikonim eksponatet e tjera, një ekskursion i këndshëm mes autorëve, titujve, ngjarjeve, një lloj mjalti i mendjes dhe i shpirtit që rridhte vetvetiu, pa e provokuar. Prekëm me shikim Drago Jančar, Clara Sanchez, Tahar Ben Jelloun, Jean-Paul Sartre, Molier, Leonardo Sciascia, Herman Melville, Alda Merini, Milan Kundera… Shumë, shumë autorë, të cilët nuk e pakësojnë magjinë, po të mos i përmendim.

Kjo paraqitje diapozitivash lyp JavaScript.

Arritëm në eksponatin e fundit ku, për habinë tonë pozitive, nuk ishin harruar librat për fëmijë, dhe një libër kuzhine. Dolëm nga Biblioteka me ndjesinë se diçka mungonte, se diçka nuk shkonte… Por e vështirë për t’i rënë në të… Fotografia e shën Jeronimit, postuar në Facebook nga një mik, na tregoi se çfarë mungonte: Bibla!

Dita Ndërkombëtare e Përkthimit, ndonëse festohet në datën e kujtimit të një shenjtori të krishterë, nuk nënkupton aspak se i është kushtuar përkthimit të Biblës apo përkthimeve fetare në përgjithësi. Ky lloj “festimi” ka për qëllim të promovojë përkthimin dhe përkthyesit, t’i mbështesë dhe t’i inkurajojë këta “kuaj që tërheqin qerren e qytetërimit”, dhe të kthejë, simbolikisht, vëmendjen e publikut ndaj atyre njerëzve që qëndrojnë prapa shumë prej monumenteve që na zbukurojnë të përditshmen, apo na shërbejnë përdita. Aq më tepër, në një shoqëri të vogël, si shoqëria shqiptare, në të cilën komunikimi me botën përreth është gjithmonë e më shpesh i domosdoshëm në nivele profesionale.

Pikërisht për shkak të nevojës për komunikim ndodhi që gjuha jonë shqipe të marrë formë të shkruar. Këtë thonë faktet që kemi sot në duar. Ishte nevoja e përkthimit ajo që na dha tekstin e parë të shkruar në gjuhën shqipe, qoftë kjo e emërtuara “formula e pagëzimit”, qoftë Ungjilli i së Premtes së Madhe (apo Perikopeja e së Premtes). Siç ndodhi edhe me gjuhë të tjera, shqipja filloi të lëmohej gjithnjë e më tepër në formën e saj të shkruar atëherë kur u përdor për të përkthyer Shkrimet e Shenjta, apo tekste të tjera liturgjike dhe katekitike. Megjithëse nuk kemi fatin që origjinalet e këtyre teksteve më të hershme t’i kemi në Shqipëri, në Bibliotekën Kombëtare ruhet, të paktën, një kopje e Mesharit të Buzukut, po edhe origjinali i dorëshkrimit të Kostë Beratit (apo Konstandin Hieromonakut) të shek. XVIII. Ruhen, po aq, përkthime të tjera në shtypshkrime, të shek. XIX apo XX. E, pra, fakti se shkrimi i shqipes u mbrujt në përkthim, nuk është i mjaftueshëm për të vendosur edhe këto tekste në një ekspozitë kushtuar përkthimit dhe përkthyesve? Ndoshta, po. Ndoshta, jo… Gjithsecili le të japë përgjigjen e vet. Ne, besoj, e dhamë tonën.

Në fund, meqenëse kemi vënë re se kritikat konstruktive apo diskutimet në Shqipëri gjithmonë konsiderohen si personale, duam të sqarojmë se, për ne, Biblioteka Kombëtare mbetet, ligjërisht dhe praktikisht, organi më i lartë i shkencës së bibliotekonomisë, dhe se mbresat e një ekspozite apo mendimet që dalin prej saj nuk janë linçim për institucionit. Për më tepër, nxisin reflektimin, pasojë e të cilit është dhe ky tekst.

(*) Arkivist, AQSh


 

(c) Autori.

Nuk ka komente

  1. Lehtesia e paperballueshme e perfeksionimit amatoresk…. Tani edhe “po na shpetoi” ndonje gje e vogel, si Danielle Still “si ben keshtu!” Pastaj ky Jeronimi i njohur – i panjohur per lexuesin shqiptar ngjan me Jeronimin tone te Rades, edhe ne pamje, edhe ne fryme dhe s’ka nevoje per perkushtim te vecante.

  2. Perfeksionizmi eshte armiku i se mires, tha frengu, dhe ja dha shqiptarit ta perkthente, pikerisht per raste te tilla si keto mbresat e hedhura ne karte te zoterise.

  3. Mendoj si ti se perkthimet e para ne shqip do kishin kuptim e do plotesonin ekspoziten, por shpresoj se ti nuk deshiroje te kishe aty origjinale te vjetra. Une shoh nga fotot qoshken se ku eshte ekspozita dhe e kam parasysh shume mire se ku tamam eshte ndertuar. Une nuk do guxoja dhe nuk do rrezikoja kurre nje origjinal te rralle aty. Kam frike se nuk eshte bere me pretendimin qe te jete serioze dhe gjitheperfshirese (prape mund te gaboj, se e them vec nga sa me lejojne te imagjinoj fotot ketu). Mund te jete bere qe te shenohet ne regjister se u be. Do duhej nje salle me e madhe dhe me e mbrojtur (ndoshta edhe nje pune perzgjedhjeje shume me e gjate dhe serioze) qe te krijohej permbajtja qe kerkon ti, Sokol.

  4. Me shume se per te vene ne pikepyetje standartet e autorit apo gjykimin e tij mbi hapesirat ekspozuese, permasa qe mbeten sidoqofte personale, do te doja te pyesja autorin se cili mendon ai eshte qellimi i kesaj ekspozite.
    Une nuk e kam pare, por nga cfare lexova dhe pashe ne rrjetet sociale, mendoj se qellimi ka pasur te beje me sensibilizimin ndaj rolit te perkthyesit dhe rendesise/pasurise/bukurise se letersise se perkthyer ne shqip. Nese eshte keshtu, atehere urohet qe ky aktvitet te mos jete sporadik, por, pse jo, i pervitshem. E nese do ta mendonim te tille, do te ishte e kuptueshme, madje e keshillueshme qe ekspozita te perfaqsonte aktivitetin perkthyes te zhvilluar ne Shqiperi gjate 12 muajve pararendes. Ne raste te vecante, pervjetore te rendesishme, edhe mund te ekspozoheshin pune qendrore te historise se perkthimit, por perndryshe mendoj se rreziku me te cilin do te perballeshim do te ishte ai i largimit publikut dhe lexuesit masiv, ne emer e per nder te disa intelektualeve te fushes. Per te njejten arsye, nuk do ta percmoja pranine e Danielle Steel-it aty, per sa kohe titulli i saj nuk eshte paraqitur si nje nder kryeveprat letrare boterore, por thjesht si nje shembull, nder te tjere i asaj qe perkthehet e lexohet ne Shqiperi.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin