NA FALNI SE GABUAM

Në mars të këtij viti, mediat italiane njoftuan për një vrasje të dyfishtë. Një çift të fejuarish që bashkëjetonin, u gjendën të vrarë në një parking në qytetin verior Pordenone. Vrasja, e kryer me pistoletë, bëri bujë të madhe.

Ndodhia u konsiderua si jo normale nga forcat e rendit. Midis hipotezave të shumta u fol edhe për një “pistë shqiptare”. Në media u fol për një zënkë mes shqiptarësh që kishte përfunduar keq, ngaqë djaloshi viktimë kishte ndërhyrë për ta shuar.

Ja çfarë shkruante Corriere della sera kohë më parë: “Shqiptarët. Po sikur të ishte një hakmarrje banale? Nga ana tjetër e pallatit të sportit ku stërvitej Trifone, zbulon se ekziston një palestër tjetër, e frekuentuar nga shumë shqiptarë, rumunë, e nga disa bufaforë e, deri të martën nga Teresa. E atje është një atlet që bën këtë muhabet: “Një keqbërës që herë pas here vjen nga këto anë më tha se sipas tij Trifone është vrarë sepse kishte ndërhyrë në diskotekë për të shuar një sherr midis dy shqiptarëve që kanë përfunduar më pas në spital”.

Nga kjo hipotezë lulëzuan tituj edhe më eksplicitë, sa andej këndej nëpër internet e media. “Una pista albanese dietro la morte di Trifone e Teresa” (Një pistë shqiptare pas vdekjes së Trifone e Teresa), shkruante një kronikë, ku midis të tjerash flitej edhe për disa tipa shqiptarë, që mund të ishin strehuar ndërkohë në vendin e vet.

Lajmi i fundit flet për një kthesë në hetimet për vrasjen e dyfishtë. Autori mund të jetë një ushtarak, mik i djalit të vrarë. Tani po e hetojnë, por sipas informacioneve të para, vrasësi nuk ka vepruar me porosi dhe e njihte mirë zonën. Jepen edhe hollësi të tjera për armën e dinamikën e ngjarjes. Por këto pak rëndësi kanë për qëllimin tonë.

Në shkrimin që flet për këtë ngjarje nuk përmendet fakti se dikur u akuzuan shqiptarët, madje duke e përdorur emrin në përgjithësi, pa folur për persona konkretë.

Tani, ndoshta njerëzit as që e mbajnë mend se në fillim u akuzuan shqiptarët për këtë krim të rëndë. Por ka gjasa që informacioni i parë t’u ketë mbetur si skorie në mendje, sa për ta përkeqësuar imazhin e të huajve, ose për t’i hedhur një lloj hijeje dyshimi.

Në këtë rast, nuk do të kishte qenë keq që mediat të shtonin një informacion të mëtejshëm, duke i kujtuar publikut se hetuesit, ose vetë mediat, bënë në fillim hipoteza të gabuara. Një mea culpa i bën mirë shpirtit herë pas here.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin