NJË HISTORI ME ATËVRASJE

Ka një shprehje shqipja, që shpesh më vjen në mendje, si ndihmë që ma jep gjuha për të kuptuar një sjellje të dikujt me pushtet:

Jevgun kur e bënë pasha, vari të jatin.

Shprehja vjen me motërzime: Jevgun kur e bënë pasha, gjëja e parë që bëri ishte vari të jatin; Jevgun kur e bënë pasha, vrau të jatin e të tjera variacione sintaksore.

Ndryshe nga proverbat e mirëfillta që e sjellin moralizimin me vete, shprehje si kjo ngërthejnë në vete një histori të mbyllur, për ta rimarrë nga një thënie te tjetra, nga një kontekst në tjetrin.

Një paria sociale, një projeksion marramendës dhe atëvrasja si pasojë në dukje e pakuptueshme, por tragjike.

Kultura të tjera kanë Shekspirin; por ne kemi shqipen.

Shprehja do të jetë me siguri e vjetër – nga ajo kohë kur jevgu kishte një rol social specifik për të kryer: në periferi të së tashmes, por gjithnjë i pranishëm; një shkallë më poshtë teje, por bash për këtë edhe i paprekshëm.

Por shprehja vetë nuk do interpretuar si histori për jevgun; dhe as do qortuar si politikisht jo-korrekte. Jevgu shfaqet aty si sigël algjebrike e nulitetit, e personit me peshë sociale zero, e njeriut pa status.

Nuk ka mbetur në shprehje as racizëm as përbuzje, përtej racizmit dhe përbuzjes që ia kish rezervuar jevgut epoka e pashallarëve.

Këtë personazh, në një shoqëri si ajo osmania së cilës i referohet titulli “pasha”, me mobilitet social fare të ngadalshëm, ku jevgu pritej të mbetej jevg dhe pasha pritej të mbetej pasha nga brezi në brez; në një shoqëri kur të qenët jevg trashëgohej përtej ngjyrës së lëkurës dhe punëve të pabegenisura prej jo-jevgjve; përtej lagjes së qytetit ku jetoje dhe mënyrës së veshjes dhe zhargonit që përdorje dhe skutës ku flije – në një shoqëri të tillë pra, jevgut i vjen një ditë prej ditësh lajmi se “e kanë bërë pasha.”

Dikush e ka marrë këtë vendim diku, pas gjase Sulltani, si i vetmi që mund të krijonte një pasha nga ajri që thithim e ajri që flasim. Kushedi emërimi ka ardhur me ferman – pastaj e kanë kërkuar jevgun në pazar, mejhane pas mejhaneje, kazan pas kazani, grazhd pas grazhdi, deri sa e kanë gjetur duke luajtur në një cep trotuari me zare. Dhe i kanë thënë, eja këtu, se ka çuar një haber për ty Padishahu.

Do ta kenë trembur jevgun për vdekje.

Nuk i dimë arsyet e një gradimi të tillë kaq të rrëpirët; të një promovimi të tillë social kaq marramendës; të kësaj përmbysjeje hierarkish aq absurde, sa të krahasueshme me mrekullinë (në atë kohë nuk flitej për paradokse).

Se çfarë do ta identifikonte më mirë jevgun mes gjindjes, se pamundësia për t’u gdhirë një ditë pasha? Se pamundësia për ta hequr qafe stigmën prej jevgu?

E megjithatë ndodh. Si të fitojë dikush lotarinë perandorake, ose t’i zërë kazma një qyp me florinj duke gërmuar në kopsht; ose më tej akoma, të martohet në përrallë me të bijën e bukur të Kalifit, pas një magjie që ia kanë bërë vajzës (marrsh jevgun për burrë).

Ose, sërish në përrallë, si të gjejë jevgu një llambë, ta fërkojë, të dalë që andej xhindi dhe jevgu t’i kërkojë këtij shërbëtori të hatashëm qasje në elitën ushtarake. Më bëj pasha, t’i thotë.

Me kuptimin më vër në krye të punëve, më ngjit në majë të hierarkive, më jep njerëz në dorë. Më dhuro atë çfarë nuk kam pasur kurrë: bëj që të tjerët të kenë frikë prej meje, të dridhen kur të më shohin, të fshihen kur unë dal në rrugë.

Asgjë nuk dimë për të gjitha këto. Dhe meqë nuk dimë, gjasat janë që arsyeja e mrekullisë të mos ngrejë shumë peshë, për çfarë erdhi më pas.

Sepse çudia e kësaj historie tashmë të tkurrur në një thënie të shkurtër, nuk është që jevgu u bë pasha – tek e fundit mrekulli të tilla edhe ndodhin, sa kohë që i lejon gjuha; por që ky pasha i sapo-shpallur, me çizmet prej meshini që ende i kërcasin, gjëja e parë që bën, është të dekretojë vrasjen e të jatit.

Deri atëherë nuk ishte përmendur ky baba gjëkundi: kishim dëgjuar vetëm për jevgun. Nuk dimë se ç’mëri mund të ketë pasur ky i fundit me të jatin, ç’hatërmbetje, ç’dava të pazgjidhur; por mund të kuturisemi e të pyesim se ç’e shtyu që ta zgjidhte atëvrasjen si aktin themeltar të postit të tij të ri.

Nëse babai, si totem i familjes dhe si rol social përfaqëson rendin e sendeve, shtyllën peshë-mbajtëse të autoritetit dhe të vertikalitetit social, traditën dhe vijueshmërinë e së kaluarës në kohë, atëherë vrasja e babait, si shembja e tempullit të traditës, e rimerr duke e kopjuar trajektoren e gradimit të së birit në pasha.

Të dy ngjarjet, ose më mirë akoma, të dy incidentet, i bien ndesh kahut të natyrshëm të historisë. Jevgu që bëhet një ditë pasha, në fakt përqesh dhe zhvlerëson protokollin e kacavarjes sociale, ndarjen e shoqërisë në kasta, kriterin e gjakut dhe atë meritokratik – vetë akti arbitrar vë në pikëpyetje funksionimin e sistemit.

Dhe një sistem i vënë në pikëpyetje nuk mund ta mbrojë dot më babanë – ose simbolin e vijueshmërisë së pushtetit, të traditës dhe të zakonit.

Në një kuptim, atëvrasja ka ndodhur që në momentin kur dikush, me gjasë sulltani vetë, ka marrë vendimin për ta bërë këta pasha të ri.

Edhe pse nuk dimë ç’e ka frymëzuar këtë vendim e ç’arsye e ka mbështetur, sërish mund ta krahasojmë këtë akt arbitrar, brutal, arrogant të sulltanit me atë çfarë kish ndërmend perandori romak Caligula, kur e shpalli senator kalin e vet, Incitatus-in.[1]

Por jevgu tashmë pasha, ndryshe nga Incitatus-i fisnik, nuk humbet kohë në kontemplacion, por menjëherë vihet ta ushtrojë pushtetin që sapo ia dhanë.

Mos duke shtruar një drekë madhështore për evgjitërinë e krahinës? Me muzikë, saze dhe zurna dhe këngë melankolike, me çengije të shumëngjyrshme dhe mish të pjekur dhie dhe raki të fortë rrushi dhe hani-pini deri sa të gdhihet?

Mos duke u mburrur me të vetët dhe të tjerët, pasi ka kopsitur te xhaketa mbi gjoksin e zeshkët gjithë kokalla shenjat e larta të pashait?

Mos duke premtuar edhe ai promovime dhe katapultime njëlloj të çmendura, tani që i ka gjërat në dorë?

Apo mos thjesht duke ndezur një zjarr të papamë në breg të lumit?

Asnjë nga këto.

Jevgu vihet ta ushtrojë pushtetin që sapo ia dhanë, duke vrarë. Jo armiqtë e vet, jo rivalët në dashuri, jo ata që e kanë shtyrë dhe pështyrë, jo ata që s’i kanë paguar rrogën, që ia kanë hequr bukën nga goja, që e kanë sharë në mustaqe, që e kanë rrahur natën te një rrugicë për një femër, që e kanë dëbuar nga puna si plehraxhi, që i kanë thënë jevg muti. Por babanë.

Me një akt arbitrar të vetin.

Pushteti që vret nuk është përçudnim i idesë së pushtetit, por guximi për ta zhveshur këtë ide lakuriq – sa kohë që vrasja mbetet përzgjedhëse, pa u kthyer në masakër të verbër, në shfarosje idhnake, në holokaust; sa kohë që vrasja e ruan vlerën pedagogjike.

Dhe jevgu nuk ka gjetur dot mënyrë tjetër për ta ushtruar këtë pushtet që ia dhuruan, përveçse duke vrarë – ose duke e thjeshtuar më tej narrativën që e ka përcjellë nga rrëza e malit në majë, brenda hapësirës së një fjalie të vetme.

Pa çka se brenda kësaj historie, atëvrasja nuk i shërben gjë ndonjë ambicieje për ta shtrirë pushtetin më tej, dhe as ndonjë plani për të treguar familjaritet sado të dhimbshëm me ofiqin e lartë.

Sikurse nuk mund ta marrim, këtë vendim tragjik, si një mesazh – drejtuar shoqërisë prej jevgut vetë – se ai ka kryer tashmë sakrificën e epërme, duke flijuar njeriun e vet të afërt; dhe prandaj është për t’u pasur frikë si pakkush tjetër.

Aspak. Vrasja e të jatit ka të ngjarë të ketë ardhur për një mëri të vjetër, një mosmarrëveshje, një nëpërkëmbje. Është edhe vrasje, edhe shpagim.

Ashtu ka marrë jevgu hak për padrejtësitë dhe abuzimet që i është dashur të përjetojë në lëkurën e vet, qëkur ka lindur – jo për çfarë ka bërë, por për çfarë ka qenë.

Ashtu ka shlyer prej ekzistencës, në një farë mënyre, personin përgjegjës për jetën e tij prej jevgu; njeriun që e ka sjellë në këtë botë, pa e pyetur; ose më mirë, gjithë duke e ditur se po ia shtonte botës një jevg tjetër.

Sepse, tek e fundit, jevgu që vret të jatin nuk është veçse jevgu që vret një jevg tjetër.

Po të pyesim pse s’e kish bërë jevgu ynë këtë vrasje më parë, por priti derisa të bëhej pasha, përgjigjja na vjen vetvetiu: deri dje, më parë do të ish dënuar si keqbërës i rëndomtë; sot askush nuk do të guxojë ta qortojë haptazi dhe aq më pak ta ndëshkojë, për të njëjtin akt: pashai nuk i jep kujt llogari për vendimet që merr.

Krimi i djeshëm sot shënjon dhe shpreh sovranitet.

Nga ana tjetër, në ndonjë motërzim të shprehjes, na thuhet se jevgu nuk e vret, por e var të jatin.

Na lejohet të përfytyrojmë, në këtë rast, se varja ka ndodhur me një protokoll ekzekutimi; ose pasi jevgu ka marrë vendimin përkatës, duke riprodhuar rolin e vet të ri nëpërmjet një dënimi me vdekje, prerogativë e atij që udhëheq me dorë të hekurt.

E ka vrarë të jatin duke thënë: “të varet.”

Nuk i ka ndyrë duart duke sapunisur litarin, as duke lidhur lakun, as duke mbërthyer me gozhdë trekëmbëshin; kushedi as ka begenisur të jetë i pranishëm në ceremoninë e ekzekutimit.

E ka vrarë të jatin duke ushtruar pushtetin formalisht: nëpërmjet fjalës.

Ka vrarë me një akt ligjërimor ose duke urdhëruar, siç i ka hije një pashe.

Ky jevg, që i ngritur në majë nga hiçi, jep menjëherë dënimin me vdekje për të jatin, e bën këtë edhe për t’i thënë rendit social përjashta: ti deri dje nuk ke pyetur për mua, më ke shtypur me këmbë, si bar i keq mbirë anës rrugës. Tani jam unë që nuk pyes për ty dhe për hierarkitë e tua.

Sepse ç’pushtet do të ishte ai që nuk lejon arbitraritetin? Ai që nuk nxit arbitraritetin? Që nuk e nxjerr justifikimin e vet nga arbitrariteti?

Sulltani, që e paçim, veproi si sulltan, duke më bërë arbitrarisht pasha: jo sepse kjo duhej, por sepse ai mundej; dhe unë po ia kthej tani reston me të njëjtën monedhë.

Dhe kjo imja nuk hyn në ato vrasje të verbra, që shërbejnë si nismëtare rrugësh pa kthim; a si gjeste që themelojnë karriera mbi një mëkat kapital të groposur.

Sepse jevgu që urdhëron varjen e të jatit është në fakt duke urdhëruar edhe vetëvrasjen e tij simbolike si jevg; asgjësimin e thelbit të tij të deridjeshëm.

Vrasja e të jatit është akti i tij i mbramë prej jevgu. Tash e tutje, bota do të shohë e do të gjejë tek ai veç pashain.

Teksa sulltani, të cilit këshilltarët do t’ia kenë shpjeguar tashmë lidhjet jo vetëm kuptimore mes atëvrasjes dhe mbretvrasjes, do ta ketë marrë, edhe pse me vonesë, kumtin fatalisht kërcënues.

(c) Peizazhe të fjalës


 

[1] Ironistëve të shqipes nuk do t’u ketë shpëtuar që këtë adhurim për kalin Caligula e ka pasur të shkruar në emër.

Nuk ka komente

  1. E kemi pasur edhe ne një “jevg” të shquar nga sokaku i të marrëve që, si për të konfirmuar thënien popullore, sapo u bë pasha, vrau të kunatin. Unë të paktën këtë shprehje e kam dëgjuar gjithmonë nga gjyshi sa herë që binte fjala për Bahri Omarin.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: