CENSURA QIMEN E NDËRRON

Ma kanë ngjitur edhe mua, më shumë se një herë, si etiketë përbuzjeje: gjitholog! Me demek, po merresh me gjëra përtej kompetencave të tua, ekspertizës sate, fushës ku vërtet mund të thuash diçka (lexo: ku ne të kemi autorizuar të thuash diçka).

Meqë unë jam i specializuar në leksikologji, atëherë m’u dashka të përqendrohem në shkrimet e mia te ndajshtesat e shqipes, ose te fjalët e rralla nga gurra popullore; përndryshe, le të mjaftohem t’i bëj lexuesit për të qeshur dhe të koleksionoj ca likes në FB.

Se këta që rrudhin buzët për gjithologun (it. tuttologo), duan që fjala, për çështje të ndryshme, t’i lihet ekspertit: si më i parashikueshëm, si më i disiplinueshëm, si më i kontrollueshëm.

Në mos tamam la voce del padrone, të paktën qemania që e shoqëron.

Për shembull, kur gjithologu – edhe pse me profesion arkëtar ose gjeometër ose klarinetist – shkruan për mungesën e hapësirave të gjelbra në qytet, do t’i thonë: t’i lëmë urbanistët të flasim! Specialistët e peizazhimit, inxhinierët e ndërtim-gjelbërimit, kimistët e oksigjenimit, alergologët, vaksinuesit e trumcakëve, botanistët dekorativë, lepidopteristët, florikultorët, shatërvanistët, psikologët e kohës së lirë, disenjatorët e gazibove, fidanologët, rritësit e shkurreve!

Ose, kur gjithologu ankohet për nivelin shumë të ulët të mësuesve në shkolla, do t’i thonë: t’i lëmë specialistët e arsimit të thonë fjalën e tyre! Nuk i paskeni konsultuar raportet e fundit të KISMET-it, MYSS-it, RZHAP-it, BUZVK-ut, STYMP-it, BKATW-it? Pse, ty do të të dëgjojmë, apo Bankën Botërore? Vlen më shumë fjala jote, apo ajo e Komisionerit të Komisionit?

Ndërsa gjithologut që përmend gjendjen e llahtarisur të spitaleve në Shqipëri, do t’ia kthejnë: pa shih, na dole edhe mjek tani? Ekspert i organizimit të shëndetësisë publike? Pse nuk vjen të bëhesh shef, drejtor, ministër një dite dhe ta shohësh bøthën e viçit?

Këta që ankohen për “gjithologun,” e bëjnë zakonisht sepse duan t’i mbyllin gojën: taktikë e vjetër, e dalë boje. Më interesante është të pyesësh se çfarë i bezdis “gjithologu,” ku i ngacmon, pse i detyron të nxjerrin thonjtë?

Të kthehemi, pra, tek ai që shkruan për hapësirat e gjelbra: nuk është inxhinier, as specialist i bimëve dekorative, as urbanist. Nëse flet, e bën këtë si qytetar, i cili e ndien mungesën e parqeve.

Ose ai tjetri që ankohet për nivelin e arsimit: nuk flet si ekspert kualifikues i kuadrit arsimor, por si prind, që çon fëmijët e vet në shkollë dhe dëshiron që këta t’i marrin një edukim optimal.

Por edhe gjithologu që kritikon shërbimin shëndetësor, e bën këtë si klient i këtij shërbimi: ka qenë një ditë sëmurë ai vetë, ose një i familjes, një komshije, një kolege.

Prapa kësaj etikete përbuzëse “gjitholog” shpesh qëndron qytetari, prindi, pacienti, taksapaguesi, konsumatori, shtetasi: dhe ata që shqetësohen me fjalën e gjithologut, në thelb nuk duan të dëgjojnë dikë, që artikulon para tyre pikëpamjen e publikut.

Sa për ekspertët, të cilët përmenden sa herë që një gjitholog guxon të djegë a të kafshojë me fjalën e vet, këta kanë vendin e tyre në diskursin publik; por vështirë se mund të flasin me zërin e publikut.

Siç bëhet gjithologu qesharak, kur nis të flasë si ekspert, ashtu bëhet edhe eksperti qesharak, kur kërkon ta përdorë ekspertizën e vet si një formë të pushtetit në debatet.

Sepse problematik nuk është gjithologu si i tillë, as eksperti si i tillë, por ngatërrimi i roleve mes tyre, kaosi, inkompetenca diskursive.

Qëkur skena publike, e detyruar nga komplekset e inferioritetit të pushtetarëve, e ka shndërruar në tabu rolin e intelektualit, qëndrimet e qytetarit u janë besuar t’i artikulojnë mediave; ose gazetarëve dhe showmen-ëve që moderojnë ose nxitin debatet televizive.

Sa për ekspertët, këta rregullisht kanë provuar se blihen lehtë, në të gjitha gjerësitë gjeografike: për çdo shqetësim legjitim të publikut, do të gjendet një çetë e armatosur mirë ekspertësh për të vërtetuar të kundërtën.

Sa për të sjellë një shembull, krejt historia e ambientalizmit në Perëndim mund të shkruhet si një përplasje midis publikut të shqetësuar, dhe ekspertëve të mirëpaguar nga korporatat (lexo: të shitur).

Por le të mos i bëjmë me faj më shumë se ç’meritojnë: eksperti që flet në publik është një vegël, e cila mund të përdoret në mënyra të ndryshme; dhe të qenit ekspert nuk ka lidhje me integritetin moral.

Në një kohë kur çështja morale sot ka dalë në plan të parë.

Dua të them: bjeruni kokës “gjithologëve” – sepse nuk rrezikoni asgjë, sa kohë që nuk cenoni interesat e pushtetarëve, të krimit të organizuar, të biznesit të madh, të gjigantëve të mediave.

Bjeruni kokës – por të paktën kujtohuni ndonjëherë të mendoni se publiku ka nevojë për zëra që ta artikulojnë, madje edhe në media dhe në TV.

Madje, meqë jemi në temë, kur do të vijë ajo ditë që të mbrohet doktoratura e parë në anti-gjithologji? Tek e fundit, gjithë këta ekspertë do të kenë nevojë, herët a vonë, për ekspertologun, si degë të respektuar të public relations

Nuk ka komente

  1. I dashur Xhaxha,

    Ty të kanë thënë “gjitholog” edhe kur ke folur për historinë e shqipes, drejtshkrimin, turqizmat, purizmat, pra, për ato që skllevërit e diplomave (kupto: kartonave) e pranojnë si terrenin tënd legjitim të thuash e madje edhe të shkulësh veshë e dhëmbë figurativë. Pse ta kanë thënë? Sepse ndryshe ju mbetet o të të marrin të keqen, o të nxënë e të ndryshojnë. Të dyja nuk janë tërheqëse për mediokrët dhe përtacët.

    Vërtet, jetojmë në një kohë kur njerëzit nuk e kanë këshilluar njëri-tjetrin kurrë me kaq zell. Provo të thuash “më dhemb koka” dhe si efekt anësor do të të shtohen të vjellat nga dija marramendëse e robve.

    Mirëpo këto që shkruan ti më lart, e që shkruhen në këtë blog, nuk janë prodhime të gjithologjisë, por të kurajos civile dhe të një kureshtjeje ngjitëse për të kuptuar botën që na rrethon në gjithë shëmbëlltyrat e mutacionet e saj. Prandaj, jo gjitholog. Gjithofil, ndoshta po. Sikurse polimat.

    militschi

  2. Para nje jave vdiq Oliver Sacks, mjek neurolog – pra ekspert ne fushen e vete- por qe do te mbahet mend per rolin e tij si perpunues i disa fushave njekohesisht: nje blete qe mbledh nektar ne shume lule per te prodhuar mjalt. Problemi nuk eshte experti v. gjithologu por aftesia per te qene prezent ne debatin publik me nje nivel analitik te gjere per te ndikuar ne perqafimin e dijes. Fatkeqsisht, tek ne gjithologet nuk jane askund ne nivelin e Sacks, jo per nga dija por per nga qasja. Kjo ama nuk do te thote se nuk kemi te tille mes nesh, por ka qene me e rehatshme per elitat politike e kulturore te dominojne llafolloget sesa polymathet si Sacks.

    Dr. Sacks, who died on Sunday at 82, was a polymath and an ardent humanist, and whether he was writing about his patients, or his love of chemistry or the power of music, he leapfrogged among disciplines, shedding light on the strange and wonderful interconnectedness of life — the connections between science and art, physiology and psychology, the beauty and economy of the natural world and the magic of the human imagination.- New York Times

    “Oliver Sacks was a veritable poet of the mind — a polymath of insatiable curiosity about how the brain works and a master weaver of illuminating narratives about many and diverse neurological infirmities that made this arcane science accessible to millions.” – The Parkinson’s Disease Foundation

  3. Puna eshte qe si eksperti, si gjithologu kur shnderrohen ne kategori per te mbrojtur ose sulmuar individe, jane koncepte dhe mekanizma qe perdoren per te kontrolluar/penguar lirine dhe progresin: dicka pra behet “e drejte” sepse thuhet nga eksperti dhe jo sepse ka vlera konkrete funksionale inherente qe e bejne pozitive; ose, e padrejte sepse e tha “gjithologu” dhe jo sepse eshte e kritikueshme per permbajtjen e vet. Shoqeria dhe progresi demtohen me shume nese i mbyllet goja njerezve duke ndertuar kategorine politike te gjithologut, sesa duke lene nje tufe “te rrezikshme” gjithologesh te artikulojne gjithologjite e veta. Gjithologu problematik ne kete rast, pra ai qe NUK eshte qytetar i lire dhe i edukuar qe kritikon publikisht me argumente nje problem shoqeror qe has edhe pse pa qene ekspert ne shkencen qe perfshin te marret me ate problem, shkaterrohet ne procesin e ndeshjes me “ekspertet” dhe “gjithologet” e tjere. Ky lloj gjithologu s’i prish pune kujt. Termi eshte ne fakt nje gjetje e mprehte kunder njeriut vertet te rrezikshem qe ne nje pike te caktuar nuk “kupton” me se ka kufij dhe rregulla qe nuk duhen cenuar.

    Nga qerthulli i gjithologjise (qe eshte ne fakt nje term i shpikur nga logologu) dhe ekspertologjise, mund te dilet vetem ne nje menyre: kritikojme ose mbrojme nje ide sepse na duket e kritikueshme a e levdueshme, pavaresisht nga ai qe e thote, ekspert apo gjitholog personi. Une edhe ketu do kisha kujdes te isha gjithnje me pak vezhguese (nese duhej te siha) ndaj personit me pak te ingranuar ne sistem (establishment). Ne nje bote me kompleksitetin dhe lidhjet shpesh te paparashikueshme dhe imagjinueshme ku jetojme, kjo do ishte nje menyre orientimi qe do me lejonte te isha ne krahun me kritik te mendimit apo diskutimit, dhe te mos bija pre e nje levisjeje progresive qe ne fakt nuk eshte e tille.

  4. problemi eshte se audienca eshte e neveritur nga llomotitesit qe kane zaptuar mediat dhe shfaqjet e ndryshme, qe i sheh ne cdo emision, te cdolloj natyre, te flasin per cdo gje.
    Keshtu qe iu eshte trashur gjuha nga te ngrenet e kaktusit e nuk mundin te shijojne fiqte. Te dallojne persona qe ngrejne shqetesime si perfaqesues te interesit publik, nga ata qe cyten per motive jotransparente, se paguhen (sikur kane treguar kur zihen me njeri-tjetrin) apo dic tjeter.

    Me tej, edhe ata qe thoni ju eksperte, sillen si spin-doctor, si p.sh. Artan Hoxha, e ai qe tjerr do te marre lesh edhe nga ariu kur i mbaron ai i dhise, e me pahir do te behet gjithollog si te tjeret.

  5. ‘E drejta e fjalës fitohet nuk dhurohet’ do thoshin me një zë Gjithologu dhe Eksperti – ndoshta nga eksperienca e njëjtë në rrafshin e aktivitetit për formimin e opinionit publik.

    Por, përpara se të shpikej interneti, që të flisje duhet ta merrje (fitoje) të drejtën e fjalës prej ndonjë autoriteti, sipas rastit: administrativ, shkencor, ose akademik.

    Sot që të marrësh të drejtën e fjalës duhet të aprovohesh nga një ‘qime’ mega-autoritare e quajtur Troll.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin